Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”, organizuar në Prizren më 10 qershor 2021, nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit. Akademik Prof.Dr. Marenglen Verli trajtoi çështjen “Qëndrimet në parlamentin shqiptar për çështjen e Kosovës, 1920-1924”

Akademik Prof.Dr. Marenglen Verli

Çështja e Kosovës, Çamërisë dhe e viseve të tjera shqiptare lindi si një çështje e veçantë, natyrisht jetike për kombin shqiptar, në vitin 1913, me vendimet e marra në Konferencën e Londrës, nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha. Trojet shqiptare në Ballkan, të organizuara administrativisht në Perandorinë Osmane në katër vilajete, me vendimet në fjalë u përgjysmuan dhe po kështu u la jashtë kufijve edhe pjesa më e madhe e kombit shqiptar, gati 2/3 e tij. (Në vitin 1912 kombi shqiptar përbëhej nga rreth 2 milion banorë prej të cilëve në shtetin shqiptar u përfshinë vetëm 700 mijë. Në tërësi Shqipëria politike e 1913-ës pati 738 mijë banorë, përkatësisht rreth 700 mijë shqiptarë dhe 38 mijë minoritarë, kryesisht grekë, maqedonas e malazezë).

Qeverisë së Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali dhe elitës patriotike të vendit të mbledhur rreth saj, i mbeti detyrë të përballej me situatën pa precedent të krijuar në rrjedhën e Luftës Ballkanike dhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha për rajonin. Delegacioni shqiptar i përbërë nga Mehmet Konica, Rasih Dino (i mbështetur edhe nga Filip Noga, Faik Konica e Fan S.Noli), i cili i mandatuar nga qeveria e Vlorës, mbërriti në Londër në dhjetor 1912, në fillim të janarit 1913 me mundësitë që pati, ende pa u marrë vendimi nga faktori ndërkombëtar për kufijtë e Shqipërisë, duke zbatuar vendimin e Kuvendit të Vlorës të 6 dhjetorit 1912, i paraqiti një memorandum Konferencës së Ambasadorëve (dhe një shtojcë me statistika për përbërjen e popullsisë). Në këtë memorandum kërkohej që në shtetin shqiptar të përfshiheshin të gjithë viset me popullsi shqiptare, madje edhe rajone etnikisht të diskutueshme, të cilët, nëse do të gjendej mbështetje nga Fuqitë e Mëdha, mund t’i jepeshin Shqipërisë. Historiani britanik Joseph Sëire (Suajer) ka shkruar se kufiri i propozuar nga qeveria e Vlorës nuk ishte i paarsyeshëm, “qoftë historikisht, qoftë etnografikisht”.

Kërkesat u përsëritën disa muaj më pas nga delegacioni që mbërriti në Londër nën kryesinë e Ismail Qemalit (pasi kishte vizituar më parë Romën, Vjenën dhe Parisin). Anëtarët e delegacionit deklaruan kudo që gjetën veshë t’i dëgjojnë, qoftë me stilin diplomatik e plot politesë të Ismal Qemalit, apo me stilin e thjeshtë popullor e të drejtpërdrejtë të Isa Boletinit, se shteti i ri duhet të kishte kufijtë e vet natyrorë dhe të përfshinte brenda tyre të gjitha trojet etnike shqiptare. Të dy delegacionet e sipërpërmendur nënvizuan gjithashtu se copëtimi i viseve shqiptare nuk do t’i shërbente paqes në rajon. Në korrik 1917, I.Qemali do t’i theksonte mbledhësit dhe redaktorit të kujtimeve të tij, Sommerville Story, se, sikurse më 1913-ën në Londër, ishte i bindur se “Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garancia e pavarësisë së tij, do të jetë një nga faktorët më të fuqishëm për paqen e Evropës Lindore dhe të botës. Kjo ndërtesë ballkanike, kish përfunduar. I.Qemali, mund të forcohet vetëm me forcimin e Shqipërisë që përbën kolonën e katërt që e mban”.

Natyrisht në Londër, diplomacia e lartë, situatën e shihte të komplikuar. Aleancat, interesat gjeostrategjike dhe këndvështrimi i kohës për rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht për caktimin e kufijve, nuk lejonin të merreshin vendime që respektonin kriteret etnike. Praktikisht aso kohe e konsideronin të natyrshme, madje të domosdoshme, shpërblimin e fitimtarëve të luftës me tokat që pushtonin gjatë konflikteve e konfrontimeve ushtarake. Interesat dhe konceptet mbi bazën e të cilave operohej në dekadat e para të shek. XX, përcaktuan kështu mënyrën e veprimit për formatin e shtetit të ri shqiptar. Ambasadori i Austro-Hungarisë, Mensdorff, njoftonte Vjenën më 18 dhjetor 1912, se, edhe pse “ato pjesë që janë të banuara vetëm nga shqiptarët duhet t’i përkasin Shqipërisë, …. mendimi i të gjithë kolegëve është se nuk mund të shkohet përpara me konsiderata etnografike”.

Prandaj kufijtë e Shqipërisë dhe copëtimi i viseve shqiptare u vendosën me konsensusin e Fuqive të Mëdha pas një diskutimi, apo pazari, kryesisht midis përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Italisë, nga njëra anë dhe atyre të Rusisë dhe Francës nga ana tjetër, shtete të cilët shfaqnin interesa të veçanta për rajonin e Ballkanit.

Kështu, pavarësia e shpallur nga shqiptarët më 28 nëntor 1912 në një kuvend mbarëkombëtar, ku u përfaqësuan të gjitha viset shqiptare, u njoh nga faktori ndërkombëtar vetëm për një pjesë të territoreve shqiptare dhe të kombit shqiptar. Madje, kombinacionet në politikën e Fuqive të Mëdha ndikuan që qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës të mos siguronte njohjen as nga Austro-Hungaria dhe Italia, që mbështetën krijimin e shtetit shqiptar. Periudha që pasoi, qeverisja e vendit nga princi gjerman Vilhelm Vidi dhe pazaret midis Fuqive të Mëdha, jo vetëm nuk sollën ndonjë situatë të favorshme për korrigjimin e vendimeve arbitrare të 1913, por, madje, me akorde të ndryshme që pasuan, rrezikuan asgjësimin e arritjeve të deriatëhershme dhe copëtimin e mëtejshëm të viseve shqiptare, madje asgjësimin e plotë të shtetit shqiptar. (Shih Marrëveshjen Austro-Hungari-Itali të 8 majit të vitit 1913 dhe Traktatin e Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915).

Kuvendi i Durrësit dhe qeveria e dalë prej tij, përmes delegacionit të dërguar në Paris, nën drejtimin e kryeministrit, Turhan Pashë Përmetit, e ngritën në Konferencën e Paqes në Paris qysh në fillim, në shkurt 1919, çështjen e rikthimit të Kosovës e më gjerë, brenda kufijve të shtetit shqiptar, por pa rezultat. Gjithsesi një mori faktorësh ndërkombëtarë e të brendshëm, në një kombinacion fatlum, e shpëtuan Shqipërinë dhe e ringritën shtetin shqiptar duke ruajtur me disa prerje të vogla, kufijtë e vitit 1913 (Në territoret e reduktuara rishtas në viset verilindore e juglindore, banonin rreth 40 mijë banorë).

Elita politike shqiptare, e unifikuar në qëndrime, në shumicën e saj, përballë rrezikut të asgjësimit të Shqipërisë, realizoi Kongresin kombëtar të Lushnjës. Edhe në këtë kongres, që u hap më 21 janar dhe zhvilloi punimet 28-31 janar 1920, ajo e ngriti çështjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të copëtuara qysh më 1913, por jo me insistimin që ka një çështje shumë e rëndësishme. Natyrisht situata nuk ishte normale. Konferenca e Paqes e Parisit, qysh më 1919 kishte treguar qëndrimin e saj tërësisht refuzues për çështjen e korrigjimit të kufijve midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj në të mirë të Shqipërisë. Madje Kongresi i Lushnjës ishte mbledhur për të përballuar më të keqen, copëtimin e mëtejshëm dhe reduktimin e statusit të saj, që rrezikonte ta vinte Shqipërinë e ricunguar në nivelin e një territori nën protektorat, ose mandat. Orientimi kundër Italisë kërkonte shpinën të siguruar nga krahu i Jugosllavisë, prandaj kjo nuk duhej ngacmuar për çështjen e Kosovës. Gjithsesi, 53 delegatët e mbledhur në Lushnjë, me aq sa mund të bëhej në atë situatë, u dëshmuan përfaqësues të denjë të kombit shqiptar. Duke përqendruar vëmendjen në shpëtimin e territoreve të Shqipërisë së vitit 1913 dhe mbrojtjen e pavarësisë së vendi, pra duke hedhur poshtë projektet e Konferencës së Paqes “që cenonin pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar”, Kongresi u shpreh se nuk hiqej dorë nga ribashkimi me Shqipërinë i territoreve të shkëputura më 1913. Madje ai përfshiu në qeveri e senat disa personalitete nga Kosova dhe nga trevat shqiptare lindore e juglindore jashtë kufirit të 1913, si Hoxhë Kadri Prishtinën (Ministër i Drejtësisë), Mehmet Konicën (lindur në Konicë), Bajram Currin e Irfan Ohrin.

Përmes këtij akti Kongresi dëshmoi jo vetëm dëshirën për të vlerësuar e pranuar kontributin e patriotëve shqiptarë të krahinave të mbetura jashtë Shqipërisë në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, por edhe demonstroi interesin politik të shtetit të ri shqiptar për trojet shqiptare të aneksuara dhe lidhjet shumëformëshe me popullsinë e tyre.

Por, për momentin nuk u vlerësua dhe nuk ishte oportune të bëhej më tepër se kaq. Prioritet për shqiptarët ishte dëbimi i italianëve nga Vlora dhe asgjësimi i synimeve të tyre në Shqipëri. Largimi i Italisë përtej kanalit të Otrantos do t’i mbante larg fqinjët agresivë në veri e në jug, të cilët nga ana e tyre ishin gati të ulnin përkohësisht pretendimet, për të penguar praninë e Italisë në Ballkan. Gjithsesi “miqësia” e fqinjëve ishte e përkohshme dhe misioni i Sejfi Vllamasit në Beograd në prill 1920 nuk siguroi më tepër se një premtim të vakët për prapavijë të qetë në kufijtë shqiptarë, në kohën e zhvillimit të Luftës çlirimtare të Vlorës. Në kujtimet e tij S. Vllamasi shkruan se jugosllavëve nuk u pëlqeu kur ai gjatë bisedimeve, u shprehu në formë dëshire kërkesën që Jugosllavia t’i kthente Shqipërisë disa qytete thjesht shqiptare, që ndodheshin pranë kufirit shqiptaro-jugosllav, e me këtë gjest “të fitonte miqësinë e përjetshme të shqiptarëve”.

Nga sa u tha më sipër, kuptohet se Shqipëria nuk pati kohë të ndërtonte jetë parlamentare me standarde moderne europiane në vorbullën e destabilitetit politik dhe të konflikteve rajonale dhe botërore të viteve 1912-1918. Por edhe pas 27 marsit 1920, kur parlamentarizmi filloi të sendërtohej si një rregull legal, si një sistem qeverimi, pra pas çeljes së të parit parlament kombëtar”, trajtimi i çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera të shkëputura nga shteti shqiptar më 1913, do të mbetej më tepër çështje dëshire e retorike, por jo e alternativave konkrete që prodhojnë zgjidhje. Madje problemi i kufijve u shtrua më tepër në disa momente iluzionesh, sikurse ishte rasti më 12 dhe 24 shkurt, si edhe më 7 mars e 15 prill të vitit 1919, kur të dërguarit e qeverisë shqiptare që shkuan në Paris në Konferencën e Paqes me në krye Kryeministrin Turhan Pashë Përmetin, të ndikuar nga politika italiane, iu drejtuan disa herë Kryetarit të Konferencës së Paqes Zhorzh Klemansonit, duke shpresuar se mund të dëgjohej sadopak fjala e tyre. Gjithashtu, çështja e trajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi e Greqi, do të ngrihej në disa raste. Ndër to përmendim notat e 11 marsit dhe 3 qershorit 1919 të Turhan Pashë Përmetit, drejtuar kryetarit të Konferencës së Paqes, Zhorzh Klemansoit, si edhe të 25 korrikut e të 10 shtatorit 1919, kur kryetari i delegacionit qeveritar shqiptar, Luigj Bumçi e shtroi përsëri problemin.

Pas Kongresit të Lushnjës për çdo politikan e analist realist ishte e qartë se së pari duhej shpëtuar Shqipëria e 1913 dhe nuk ishte momenti për të kërkuar nga fqinjët atë që asnjë llogaritje e saktë nuk e konsideronte të mundur të merrej. Prandaj dëshirat dhe patriotizmi verbal mbeteshin të shpreheshin brenda mureve të “Këshillit Kombëtar” apo Senatit dhe gradualisht do të reflektonin përplasjet midis opozitës dhe pozitës. Natyrisht përfaqësuesit e të parës, kishin komoditetin që për kapital politik të kritikonin qeverinë për patriotizëm “të pamjaftueshëm”. Qysh në muajt e parë pas Kongresit, rivaliteti i hershëm midis parisë dhe anëtarëve të Krahut Kombëtar u riformatua mbi bazën e grupimeve politike që u krijuan nga interesa të momentit, nga llogari pragmatiste dhe simpati e antipati individualiste etj. Aqif Pashë Elbasani (Biçaku) dhe Hoxhë Kadri Prishtina u larguan nga Krahu Kombëtar për shkak se aty ishin forcuar pozitat e Ahmet Zogut. Po kështu pothuajse e gjithë paria e Kosovës e vendosur në Shqipëri, si Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. dhe masa e muhaxhirëve që shkonte mbas tyre, përveç disa të rinjve intelektualë si Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi, Ibrahim Gjakova, Bedri Pejani, Hadush Kastrati, Osman Tetova etj., u bënë pjesë e lobit proitalian, që sulmonin grupimin kundërshtar për çështjen e Kosovës ndoshta edhe duke shpresuar se vetëm kështu mund të rimerrej Kosova e të bashkohej me Shqipërinë.

Sipas njohësit të mirë të situatës së kohës, S. Vllamasit, në opozitë me qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës u rreshtuan edhe qarqet klerikale katolike dhe bajraktarët, që ishin tepër konservatorë dhe donin të ruanin domenet e influencës së tyre në popullsinë e Shqipërisë së Veriut, gjithashtu edhe një pjesë e intelektualëve ambiciozë, që kërkonin sa më parë e me çdo kusht pushtet. “Të gjithë këto forca heterogjene, ka shkruar S. Vllamasi, formuan një koalicion të fortë kundër atyre liberale e demokratike që kishin për qëllim stabilizimin e shtetit…” Në këtë situatë të brendshme, që reflektonte emancipimin e pamjaftueshëm të kombit dhe kur mungonte një përkrahje e jashtme e fuqishme, sigurisht vështirësitë ishin të mëdha.

Qysh më 27 mars 1920 kur nisi punimet “Këshilli Kombëtar”, apo “Senati” në fjalën e mbajtur nga Këshilli i Lartë (Regjenca), u theksua se “qëllimi kombëtar asht mbrojtja e Atdheut pavarësia dhe sigurimi i kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Londrës më 1913. U theksua gjithashtu se “Me fqinjët tanë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të rrojmë në nji armonie miqësore” dhe, sigurisht me shumë ndrojtje e diplomaci, më tej u deklarua se “Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjët t’anë kanë me njoft të drejtat t’ona etnike e jetike”. Në këtë mbledhje të parë, në prani të 24 senatorëve të pranishëm, senatori i Vlorës dhe njëherësh nënkryetar i Këshillit Kombëtar, Spiro Koleka, në fjalën e mbajtur “çfaqi idhnimin e tij nga se, sheh qi, dy pjesë të Shqipnies, Kosova e Çamëria s’përfaqësohen në Këshillin Kombëtar e lyp qi, ky idhnim të çfaqet prej gjith Këshillës e të shënohet në procesverbal”. Por në diskutimet e Këshillit në ditët në vazhdim u bë e qartë se për të gjithë preokupimi ishte nëse Jugosllavia do të pranonte Shqipërinë në kufijtë e 1913-ës dhe nëse ajo dhe të tjerët do ta njihnin apo jo qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës.

Ndërkohë, qysh në prill të vitit 1920, në Këshillin Kombëtar evidentohen replikat për orientimin e politikës pro e kundër mbështetjes tek Italia apo Jugosllavia, akuza se kryengritjet në Kosovë “bahen me gjishtin e Italies nga ana e Qeveries”, thashetheme e akuza se misioni i S. Vllamasit në Beograd duhej lexuar si veprim “për t’ia shitur definitivisht Kosovën Jugosllavisë” se “toskët nuk e duan Kosovën” etj. Për përfaqësuesit e rrymës që kërkonte dëbimin e Italisë nga Vlora për të shpëtuar Shqipërinë, ishte e qartë që Italia lëvizte gurët për të rrëzuar qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe për ta zëvendësuar me një qeveri proitaliane, duke sponsorizuar idenë se vetëm Italia mund të nxirrte Jugosllavinë nga Kosova.

Në një renditje në dukje edhe paradoksale, u përvijuan dy grupime: ai me në krye Aqif Pashën, që kryesisht kishte në radhët e tij elementë konservatorë, irredentistët kosovarë dhe ç’kish mbetur nga qeveritarët e qeverisë së Durrësit, grup në të cilin aderonin shumica e senatorëve të Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës, si edhe grupimi i përbërë kryesisht nga anëtarët e Krahut Kombëtar etj., me A. Zogun në krye, që kishte mbështetjen e senatorëve të Korçës, Tiranës, Dibrës dhe Shkodrës, që kishin një qasje më realiste ndaj problemeve të Shqipërisë.

Më 10 tetor 1920 një grup deputetësh, për herë të parë në historinë e Parlamentit të parë shqiptar, doli me një program politik, duke e quajtur veten “Partia Popullore Kombëtare” (kryetar Fan S. Noli). Më 21 nëntor një grup tjetër krijoi “Partinë Përparimtare” (kryetar Mehdi Frashëri), kurse disa deputetë u paraqitën si “indipendente”.

Me krijimin e këtyre partive lufta për pushtet do të ridimensionohej dhe kundërthëniet e akuzat në Këshillin Kombëtar do të rriteshin dukshëm, duke marrë shkas edhe nga kalimi i rrezikut kryesor për vendin pas tërheqjes së Italisë nga Vlora dhe sigurisë se intervencioni jugosllav në Koplik e Peshkopi nuk do të tolerohej nga Fuqitë e Mëdha, Britania, Franca dhe Italia, të cilat më 10-12 nëntor vendosën edhe marrëdhënie të rregullta diplomatike me Shqipërinë. Përplasjet me armë në kufi në Koplik e Peshkopi gjatë korrikut dhe gushtit dhe intervencioni jugosllav që pasoi, si edhe avancimi, në tetor deri në Shqipërinë e Mesme i forcave shqiptare projugosllave esadiste të Halit Lleshit, Osman Memës, Tafë Kaziut e Hamdi Agë Bashës, duke shkaktuar largimin e banorëve nga vendbanimet e tyre për shkak të terrorit, me sa duket ndikuan vetëm në largimin e vëmendjes nga çështja e Kosovës. Vihet re se pas rifillimit të punimeve të Këshillit Kombëtar më 23 shtator 1920, mungojnë diskutime për çështjen e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve.

Kështu për shkak të luftës për pushtet, pa përjashtuar situatën e disfavorshme në rajon, në Këshillin Kombëtar, gati një vit pasi po funksiononte jeta parlamentare në Shqipëri, edhe pse Italia i kishte larë duart nga Vlora, edhe pse Shqipëria qysh nga dhjetori i vitit 1920, ishte bërë anëtare e Lidhjes së Kombeve, trajtimi i çështjes së shqiptarëve të Kosovës ishte fare i zbehtë, madje edhe kur ishte fjala për të kërkuar vetëm respektimin e të drejtave kombëtare e njerëzore.

Në fjalën e lexuar para 56 deputetëve të pranishëm më 21 prill, ora 10 paradreke, Këshilli i Naltë (Regjenca) u shpreh me diplomaci, se përmes një “dërgate” në Beograd, Shqipëria kishte theksuar se “shteti ynë nuk ka tjetër qëllim, veç se të jetë në një harmoni të plotë me fqinjët. Kujtojmë se, theksohej në “Fjalën e Fronit”, edhe Qeveria Jugosllave, tue ushqye ndjenja ksidore, do të gjindet një marrëveshje në mest të dy shteteve dhe kështu do të na lirohen vendet tona të xanuna pre serbëve”.

Në këto rrethana kur Jugosllavia mbante, me apo pa pretekste, territore të Shqipërisë së 1913-ës dhe kishte masakruar popullsinë e zonave ku ishte zhvilluar qëndresë, në të dy anët e kufirit, sigurisht nuk kishte gjasa të flitej për çështje të territoreve, që ishin copëtuar në Konferencën e Londrës, por ishte lënë jashtë çdo diskutimi edhe çështja e trajtimit anormal të popullsisë së Kosovës nga autoritetet jugosllave. Me territore ende të okupuara, shteti shqiptar nuk kishte garantuar plotësisht as çështjen e mbijetesës në kufijtë e 1913-ës. Në këtë situatë ç’mund të thoshin dhe deputetët e Dibrës, anëtarë të Partisë Përparimtare, me origjinë nga viset e copëtuara, si Avni Gjilani, Gani Strazimiri, Hoxha Kadriu, Hasan Prishtina, Irfan Ohri, Ramiz Daci etj.? Edhe kur prekej çështja e Kosovës, ajo mbetej në fraza deklarative që nuk kapërcenin muret e parlamentit dhe përgjithësisht nuk ndërmerreshin hapa që të çonin në dyert e kancelarive të Fuqive të Mëdha, apo në forume e organizata ndërkombëtare si Lidhja e Kombeve.

Në diskutimet e majit 1921 (14 maj 1921) deputetët në fjalën e tyre, duke u përqendruar vetëm te nevoja e trajtimit të shqiptarëve jashtë kufijve me statusin e minoriteteve ishin të kujdesshëm se mos krijoheshin “komplikacione në politikën e jashtme”. Ali Këlcyra, deputet i Gjirokastrës dhe anëtar i Partisë Popullore, më 14 maj 1921, shtroi problemin që të kishte interesim shtetëror “për shqiptarët e jashtëm”. Kjo gjë, e përforcoi atë Leonidha Koja, deputet i Durrësit, nuk do të sillte “komplikacion në politikën e jashtme”, meqenëse “Lidhja e Kombeve vetë e ka vendue mbrojtjen e minoriteteve”. Kurse Kristo Dako, deputet i Dibrës, i kërkoi qeverisë të përpiqej “me pasë shkolla (shqipe) në Çamëri e në Kosovë”.

Gjithnjë në orientim të mbrojtjes dhe respektimit të statusit të minoriteteve, “sipas kartave të Lidhjes së Kombeve”, në qershor 1921 (mbledhja e 13 qershorit 1921) deputeti i Durrësit, Jusuf Barka, pasi me një ton më të lartë tërhoqi vëmendjen e kolegëve për “mizoritë e serbëve mbi vllaznit tanë të Kosovës”, theksoi se, nëse vijonin ato mizori “në dy vjet … s’ka me mbetë farë e Shqipnisë në Kosovë”. Ai kërkoi që të ndërmerreshin demarshe e t’u tërhiqej telegrafisht vëmendja Fuqive të Mëdha që të ndërhynin për t’u dhënë fund “një orë e më parë këtyre ngjarjeve”. Jusuf Barka, njëkohësisht i kërkoi llogari qeverisë se çfarë kishte bërë për këtë çështje “me shumë rëndësi”. Kurse Ministrisë së Punëve të Jashtme i kërkoi shpjegime, se “përse nuk respektohej reciprociteti me Jugosllavinë dhe përse ishte lejuar hapja e Konsullatës Serbe” në Korçë “pa pas asnjë nënshtetas” të Serbisë, dhe ende pa shkëmbyer përfaqësi diplomatike të dy shtetet (Shqipëria e Jugosllavia) dhe përse në Ohër “tue pas shumë shqiptarë”, qeveria s’ka dërgue një Konsull për me ruejt interesat e shqiptarëve”.

Pozicionet e deputetëve të dy partive pasqyronin qëndrimet e sipërpërmendura të grupimeve të vitit 1920, por kishin edhe ndryshime që ishin krijuar rishtas gjatë gjysmës së dytë të atij viti, ose që bartnin edhe specifikat e trevave nga vinin deputetët. Sipas S. Vllamasit, pavarësisht se u luftua egër e pas kulimave edhe brenda llojit, në përgjithësi “Korça e Vlora në unanimitet votuan politikën e Kongresit të Lushnjës, Gjirokastra për shkak të Myfit Libohovës u pozicionua midis dy politikave, asaj të Lushnjës e të Durrësit”, edhe pse shumicën e fituan mbështetësit e politikës së Lushnjës, kurse Elbasani, për shkak të Sh Vërlacit u pozicionua për “politikën e Durrësit”. Gjithnjë sipas S.Vllamasit, në Berat, Tiranë e Durrës, shumicën e fituan përkrahësit e “politikës së Lushnjës”, në Mat, për shkak të A. Zogut, gjithashtu përkrahësit e kësaj politike, në prefekturën e Drinit kryesisht përkrahësit e politikës së Durrësit; në prefekturën e Kosovës, me ndikimin e B. Currit, votat u pjesëtuan midis dy partive, kurse zgjedhjet në Shkodër që u zhvilluan më vonë, e përfunduan më 8 shtator 1921, patën rezultat më shumë për Partinë Përparimtare.

Ndërkohë që Italia kishte humbur terren në Shqipëri dhe Jugosllavia ende nuk dominonte në rajon për të bërë të mundur sendërtimin e synimeve të veta në Shqipëri, diskutimi i Kryeministrit Iljaz Vrioni, në parlament, më 29 qershor 1921, rezulton se preku shkurtazi vetëm çështjet e kujdesit për “independencën” e Shqipërisë dhe të kufijve të 1913-ës, që në këtë kohë u mësua se do të diskutohej jo në Lidhjen e Kombeve, por nga Konferenca e Ambasadorëve. Ai njëherësh theksonte nevojën e marrëdhënieve miqësore me gjithë fuqitë e sidomos me fqinjët dhe përpjekjet, deri në atë moment të pasuksesshme, për vendosjen e “relacioneve miqësore me qeverinë Jugosllave”.

Gjatë korrikut të vitit 1921 situata në kufijtë shqiptaro-jugosllavë agravoi me pasoja për popullsinë vendase. Shqipëria reagoi në mbrojtje të popullsisë shqiptare të dhunuar, çka nervozoi Beogradin. Duke marrë spunto nga një telegram i Parlamentit Jugosllav drejtuar atij Shqiptar, që akuzonte e protestonte për përzierjeje të Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë, deputeti Hasan Prishtina, më 16 korrik 1921 do të deklaronte: “Kryetari i Parlamentit Jugosllav me telegram na thotë se Parlamenti Shqiptar nuk ka të drejtë m’u përzi në punë të përbrendshme të shtetit tonë [Jugosllavisë]. Kjo asht e drejtë, por nga pikëpamja e njerëzis kemi të drejtë m’u ankue e me i hjekë vrejtjen Parlamentit Jugosllav për masakra e barbarizma të panumërta qi po i bahen popullit shqiptar në Kosovë, pse pa farë mëshiret, po vriten e myten gra, fmi, jo për ndonjë arsye, si thotë Kryetari i Parlamentit [Jugosllav] se po bahen shkaktar ngatresash, por vetëm se janë shqiptar, … Këshilli Kombëtar [i yni], – theksonte Hasan Prishtina, ka pasë pranue m’u interesua për fatin e atyne shqiptarëve, qi gjinden jashtë kufijve të Shqipnies. Pra proponoj qi Qeveria të marrë masa të rrepta e urgjente, me qenë qi me ankimet me shkrim nuk mund të kemi dobi të mjaftë, proponoj me emërue një Komision parlamentar për me shkue në Romë, Paris, Londrë e në kjoftë nevoja edhe në Ëashington, për me u ankue verbalement”. Menjëherë pas H. Prishtinës reagoi edhe Hoxha Kadriu, i cili, duke analizuar si jurist telegramin e Parlamentit Jugosllav, theksoi se nëse mospërzierja e Parlamentit Shqiptar në punë të brendshme të Jugosllavisë teorikisht qëndronte, në rastin konkret ishte fjala jo për përzierje “Qëllim i jonë, theksoi Hoxha Kadriu, nuk ka qenë mu përzie ndër punë të brendshme të Shtetit Jugosllav, por ne e kemi ba kët telegram dhe ua kemi heqë të gjithë botës së qytetnueme e ja kemi dërgue edhe Parlementit Serb, tue kujtue se edhe ata kanë umanitet”. Qëllimi ynë ka qenë, shtonte H. Kadriu, që “Parlamenti Jugosllav t’i hjekun vrejtjen Qeveries së vet për me ba qi të ndalohen këto masakra”. Pasi përmendte një varg masakrash të autoriteteve serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, H. Kadriu deklaroi se “Jugosllavia ka për qëllim të qitunit fare të popullit të Kosovës për me i thanë Europës se kjo pjesë nuk asht Shqipnie por Stara Srbije. Por si do të mund të thotë [këtë] kur 90% të banuesve janë shqiptarë?” Prandaj, përfundonte fjalën H. Kadriu, shqiptarët shpërngulen me terror e zëvendësohen me sllavë të ardhur “Nuk e shoh më të nevojshme t’i sillemi prapë Parlamentit Jugosllav – u tërhiqte vëmendjen kolegëve H. Kadriu, por t’ankohemi në botën e qytetnuem n’atë mënyrë si tha z. Hasan Prishtina”. Mbledhja e 16 korrikut 1921 ishte tërësisht e fokusuar në çështjen e trajtimit çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës. Nuk munguan edhe diskutime që preknin në të njëjtin sens edhe çështjen e Çamërisë. Pas diskutimeve të deputetëve Hasan Prishtina e Hoxha Kadriu, në diskutime u përfshinë Ali Këlcyra – deputet i Gjirokastrës, Rexhep Mitrovica – deputet i prefekturës së Kosovës, Luigj Gurakuqi – deputet i Shkodrës, Sejfi Vllamasi – deputet i Korçës, Jusuf Barka – deputet i Durrësit, Leonidha Koja – deputet i Durrësit, Stavro Vinjau – deputet i Gjirokastrës, Irfan Ohri – deputet i Dibrës, Mustafa Kruja – deputet i prefekturës së Kosovës, Gjergj Fishta – deputet i Shkodrës, Bahri Omari – deputet i Gjirokastrës, Ali Koprencka – deputet i Beratit, Qazim Daci – Deputet i Dibrës, Hysen Mushketa – deputet i Durrësit, Qazim Kokoshi – deputet i Vlorës, Ndre Mjeda – deputet i Shkodrës, pra deputetë nga të tria grupet parlamentare.

Fillimisht të gjithë deputetët që diskutuan dënuan dhunën ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, përgjithësisht hodhën poshtë telegramin e kryetarit të Parlamentit Jugosllav dhe vlerësuan protestën e Parlamentit të Shqipërisë, e cila, u theksua se duhej bërë jo vetëm pranë Lidhjes së Kombeve. Por ata u ndanë kur qe fjala për të dërguar një delegacion pranë Fuqive të Mëdha për të paraqitur fakte e për të siguruar ndërhyrjen e tyre që të ndalej dhuna në Kosovë, apo për ta bërë demarshin përmes përfaqësuesve të Shqipërisë të akredituar jashtë vendit. Përkrahësit e variantit të dytë të prirë nga Ali Këlcyra e argumentonin qëndrimin e tyre edhe nga aspekti ekonomik, por kryesisht duke llogaritur se komisioni i dërguar enkas nga Shqipëria nuk kishte njohje në sferat e larta evropiane dhe do të kishte më pak sukses krahasuar me përfaqësuesit e Shqipërisë pranë organizmave ndërkombëtare. Ali Këlcyra në diskutimin e tij, ndërsa u shpreh kundër dërgimit të një delegacioni theksoi se për çështjen e shqiptarëve të Kosovës “lipsej një propagandë sistematike, e këtë mund ta bënin njerëz që ndodheshin gjithnjë atje (në Evropë) në të tilla detyra”. Me këtë rast, ai kërkoi t’i hiqej vërejtje qeverisë që nuk kishte zbatuar premtimin e bërë në programin e saj kur u votëbesua, se do të dërgonte “me të shpejtë përfaqësitë e saj në vendet e duhura”, të cilat do të tërhiqnin vëmendjen e “botës së qytetëruar mbi ngjarjet e Kosovës”. “Heshtja e moslajmërimi i këtyre ngjarjeve nëpër vendet e nevojshme, shtoi deputeti R. Mitrovica, kam frikë se po na i bjer (humb) të drejtat tona edhe në këtë copë Shqipërië”.

Ndërkohë nuk munguan akuzat e përfaqësuesve të Partisë Përparimtare, ndaj atyre të Partisë Popullore, se nuk preknin fare çështjen e kufijve, dhe nuk e shtronin me forcën e duhur çështjen e gjendjes në të cilën ndodheshin shqiptarët e Kosovës. Të dytët argumentonin se, si pari, duhej siguruar Shqipëria e 1913-ës, kufijtë e së cilës ende diskutoheshin dhe pjesë të territorit të së cilës ende mbaheshin të okupuara nga ushtria jugosllave.

Në mbrojtje të variantit për dërgimin e një delegacioni në Europë, H. Prishtina, i akuzuar më se një herë se vepronte i nisur nga interesa biznesi, duke iu kundërvënë variantit që mbrohej nga Ali Këlcyra, Stavro Vinjau etj., deklaroi me patos se ishte gati të linte peng për 5 000 lira mylkun që zotëronte në Selanik, i cili vlente 30 000 lira, vetëm që të mundësohej financimi për të dërguar delegacionin në Europë. Kurse Stavro Vinjau shfrytëzoi rastin për të akuzuar Fuqitë e Mëdha se “na premtuan me sa fjalë të bukura lirimin e popujve të robëruar” por nuk e bënë këtë. Ai rekomandonte të gjendej mbështetje te “socialistët e të gjithë botës”. Duke iu referuar shkrimeve të gazetës “Pravda”, S. Vinjau propagandonte se “vetëm socialistët kan princip dhe guxim të nxjerin të palarat e qeverive të tyre”.

  1. Vinjau bënte pjesë ndër ata deputetë, që nuk ishin të paktë, të cilët e konsideronin të mbyllur përgjithmonë çështjen e korrigjimit të kufijve shqiptaro-jugosllavë në të mirë të Shqipërisë, por u tregua ekzemplar, kur për këtë çështje do të deklaronte me dëshpërim fjalë që në politikë quhen gafa të rënda: “Ne nuk kërkomë nga Serbia Kosovën, atë dhe shqiptarët e saj ja kemi falun … Vetëm kërkojmë t’i respektojë si njerëz e jo ti therin si berra”. Me pikëpamjen e Vinjaut, bashkohej edhe Irfan Ohri.

Pas diskutimeve të 16 korrikut, çështja e Kosovës do të vijonte të diskutohej në mbledhjen e 18 korrikut, që filloi duke lexuar një telegram të Eric Drummond-it, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Drummond me seli në Gjenevë, në përgjigje të një note dërguar nga Vlora, më 28 qershor 1921, për të denoncuar terrorin mbi shqiptarët në Kosovë informonte më 4 korrik se … “s’kam mungue për me u komunikue këtë telegram [të ardhur nga Shqipëria] anëtarëve të Këshillit, si edhe anëtarëve të Shoqnies Kombeve, për me i informue. Urdhnoni me prit Zotni Kryetar, nderimet e mira më të mëdha”.

Sigurisht telegrami i Drumond-it ishte formuluar mbi bazën e normave të kortezisë së zakonshme në diplomaci, por që nuk rezultoi të ketë prodhuar efekte pozitive për shqiptarët e Kosovës. Madje, në fund të qershorit të vitit 1921, me nxitjen e Beogradit, kapedani i Mirditës, Markagjoni, kishte filluar rebelimin kundër qeverisë së Tiranës duke destabilizuar rendin në Shqipërinë përplot probleme.

Situata gjatë qershor-korrikut 1921, e tensionoi debatin parlamentar. Në replikat e datës 18 korrik bie në sy reagimi i H. Prishtinës ndaj S. Kolekës. “Z. Koleka tha se Kosovasit (deputetët kosovarë) lipset të marrin parasysh interesën e Shqipnies e jo vetëm të Kosovës, u shpreh i irrituar H.Prishtina, e siguroj Zotnin e tij që e marrim parasysh interesën e Shqypnies. Zotni e Tij thotë që kosovasit të rrinë urtë, … por Zotnia Juaj nuk din shka do me thanë serb”.

Për deputetin H. Myshqeta, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera të shkëputura nga shteti shqiptar, nga “një komb i vogël” si shqiptarët, mund të bëhej vetëm duke “trokëllitur” në dyert e të mëdhenjve, që të zbatohej parimi “i mbrojtjes së minoriteteve”, kurse me rëndësi do të ishte të sigurohej “lirimi i vendeve t’ona shtetnore [të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës] të shkeluna nga të huajt, si edhe mbrotjja e të drejtës sonë ndjesore e gjutore që kemi jashtë kufijve”.

Diskutimet parlamentare gjatë verës së vitit 1921, dëshmojnë se po përvijoheshin qartë dy qëndrime për çështjen e Kosovës. Njëra palë, kryesisht deputetë të Partisë Popullore, që ishte në pushtet, mbronte pikëpamjen se duhej insistuar kryesisht në përpjekjet për konsolidimin e Shqipërisë së vitit 1913, kurse pala tjetër, kryesisht deputetë të Partisë Përparimtare në opozitë, akuzonin pozitën se nuk i kushtonte vëmendjen, madje e kishte braktisur Kosovën.

Natyrisht situata i jepte të drejtë atyre që kërkonin të siguroheshin arritjet e vitit 1913. Demarshet e qeverisë shqiptare gjatë majit 1921 për të gjetur mirëkuptim në Beograd e Athinë lidhur me konfirmimin e kufijve dhe të statusit të Shqipërisë dhe për të siguruar tërheqjen e trupave të tyre nga zonat e okupuara brenda kufijve të 1913-ës, nuk kishin dhënë rezultat. Fqinjët nuk i pranuan kërkesat modeste e krejt të natyrshme shqiptare dhe mbi bazën e sipërpërmendur, nënshkrimin e marrëdhënieve dypalëshe. Beogradi e Athina nuk reaguan pozitivisht as për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Trokitja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 29 prill 1921 dhe përsëri më 21 qershor për të gjetur mbështetje që t’i rinjiheshin kufijtë e 1913-ës dhe fqinjët të lironin territoret e shtetit shqiptar, ende të pushtuara prej tyre, nuk dha rezultatin e pritshëm. Pavarësisht nga argumentimi i kërkesës shqiptare, që bëri F. Noli në Lidhjen e Kombeve, se Shqipëria, si vend asnjanës në Luftën e Parë Botërore, duhet të gjente zgjidhje për çështjen e kufijve nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve, ky forum ndërkombëtar pranoi sugjerimet e fqinjëve të Shqipërisë dhe më 26 qershor 1921 vendosi që kërkesa e Tiranës zyrtare të diskutohej nga Konferenca e Ambasadorëve të katër Fuqive të Mëdha (Angli, Francë, Itali dhe Japoni).

Në këtë terren të lëvizshëm rajonal e ndërkombëtar, por edhe brenda vendit, për shkak të rebelimit të kapedanit të Mirditës. (Më 17 korrik 1921, Markagjoni, madje kishte shpallur në Prizren “Republikën e Mirditës”), sigurisht çështja e Kosovës në Parlament nuk mund të diskutohej në kushte normale.

Në diskutimin e tij të datës 18 korrik 1921 me rastin e një interpelance ku 28 deputetë i kërkonin prononcim qeverisë për politikën e jashtme dhe për çështjen e mbrojtjes së shqiptarëve në Jugosllavi, deputeti i Partisë Popullore, Qazim Kokoshi, atakoi Ali Këlcyrën dhe Avni Gjilanin, duke u shprehur se pa të drejtë ishin shprehur se “Partia Popullore kundërshton për çështjen e Kosovës” dhe se “kryetari i Partisë Popullore, Fan Noli, paska thënë në Romë se na duam të sigurojmë vetëm kufirin e 1913 dhe s’interesohemi për Kosovë. Ky, u shpreh në një pozicion mbrojtës Q. Kokoshi, nuk përfaqëson mendimin e Partisë Popullore, pse ky komision asht një komision i Qeveris (Qeveria e Iljaz Vrionit (11.07-16.10.1921) ishte qeveri koalicioni. Shih edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëll, III, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2009, f. 2157) e mund ta ketë thanë mbas instruksioneve që ka pasë prej Qeveris”.

Qëndrimin dhe interesimin e qeverisë mbi “minoritetet shqiptare që janë jashtë kufirit”, pikërisht me këtë togfjalësh, e kërkoi me forcë H. Prishtina, më aktivi në debatin e radhës. Ai theksoi se Këshilli Kombëtar e ka pranuar këtë gjë, d.m.th. “me u interesue” dhe ka dhënë një vendim. “Qeveria çka do të thotë, përfundoi diskutimin H. Prishtina. Qeveria drejt për drejt s’ka m’u përzi në këtë punë”, prandaj të zgjidhet komisioni që do të shkonte në Europë për të denoncuar terrorin serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Më 10 shtator 1921 në mbledhjen e radhës së Parlamentit ku u diskutuan probleme të politikës u shtrua edhe një herë çështja e kufijve shqiptaro-jugosllavë, por jo edhe çështja e shqiptarëve të Kosovës. Duke qenë “kërkues i shpjegimeve”, pra, kërkues i interpelancës për Ministrinë e Punëve të Jashtme, “mbi gjendjen politike të jashtme të Shqipërisë”, Hasan Prishtina pyeti se përse çështja e Shqipërisë, veçanërisht për përcaktimin e kufijve, ishte lënë në dorë të Konferencës së Ambasadorëve, ç’masa kishte marrë qeveria për zgjidhjen e çështjes dhe për njohjen zyrtare të Shqipërisë prej shteteve të tjera, veçanërisht nga Fuqitë e Antantës etj. Në replikë me ministrin e Jashtëm ai theksoi armiqësinë e fqinjëve, Jugosllavisë e Greqisë ndaj Shqipërisë, por këtë herë nuk e ceku çështjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në të njëjtën ditë ishte Luigj Gurakuqi, që, duke akuzuar Konferencën e Paqes dhe dirigjuesit e saj, theksoi se çështja e korrigjimeve të padrejtësive të 1913-ës për caktimin e kufijve të Shqipërisë mund të quhej në tërësi pa shpresë. “Me gjithë këtë, u shpreh Gurakuqi, ka mbetur akoma një fill shprese, që, në mos tjetër, një pjesë e shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut të futen në gji të tij: Sikur e dini, tha ai, Traktati i Servres, atje ku flet mbi kufijtë e Jugës, të Jugosllavisë, thotë se këto kufi do të caktohen më vonë … Tue qenë se Jugosllavia po e anekson Malin e Zi në bazë plebishiti …, shpreh shpresë Gurakuqi në fjalën e tij, Qeveria jonë të marrë masat e nevojshme për shpëtimin e shqiptarëve të Malit të Zi, që nuk morën pjesë n’atë plebishit … Asht detyrë e domosdoshme e Qeveris s’onë mos me lan këtë rast kaq të bukur për me fitue që të futi në gji t’Atdheut shqiptarët … e Pejës, Gjakovës, Plavës, Gusinjës, Hotit, Grudës, Trepshit, Kuçit, Ulqinit, Anës Malit e të Krajës, të cilët kanë qenë shqiptarë e dëshirojnë të jenë shqiptarë.

Në dhjetor 1921 situata politike në Shqipëri kishte agravuar dukshëm. Acarimi deri në përplasje midis grupimeve politike ishte shfaqur hapur në të gjithë nivelet, që nga regjenca e Parlamenti deri te administratat lokale. Më 22 dhjetor 1921, në mbledhjen e 73 të Parlamentit, të legjislaturës në vijim, Hasan Prishtina u akuzua se duke bërë kauzë me d’Annunzio-n për të shpëtuar Fiumen, vuri në rrezik Shkodrën, që sigurisht do t’i kalonte Jugosllavisë, nëse Fiume i kalonte Italisë. Emërimi i tij kryeministër në dekretin e Aqif Pashës së Elbasanit, dhe imzot Bumçit (Dr. Turtulli nuk ndodhej, kurse Abdi Beu kundërshtoi), duke detyruar P. Evangjelin të jepte dorëheqjen, deklaruan deputetët e Partisë Popullore e zhyste në një “aventurë” shumë të rrezikshme shtetin shqiptar. Dihet çfarë ndodhi më pas dhe si pasoi largimi i shumë deputetëve nga Tirana drejt Elbasanit. Turbullirat e dimrit të vitit 1921-1922, që përveç problemeve e dasive të faktorit të brendshëm u dimensionuan edhe nga ndërhyrjen e llojllojshme të faktorit të jashtëm, gishti i të cilit ishte i pranishëm në të gjithë ngjarjet e kohës, natyrisht e nxorën jashtë vëmendjes çështjen e mbrojtjes së shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi e Greqi nga dhuna shtetërore, që ushtrohej për motive nacionaliste e shoviniste.

Gjatë muajve në vijim, kjo çështje e Kosovës nuk do të u diskutohej më në parlament. Gjendja e rëndë e krijuar në kufijtë shqiptaro-jugosllave nga qëndrimi agresiv i Beogradit prej më shumë se një viti, vuri më në fund në lëvizje Britaninë e Madhe, e përmes saj, Lidhjen e Kombeve. Kryeministri Lloid Xhorxh, nëpërmjet një note, që i dërgoi më 7 nëntor 1921 sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i kërkoi të thirrej Këshilli i Lidhjes dhe “të detyrohej qeveria e Beogradit, të respektonte Kartën e Lidhjes së Kombeve, përndryshe të merren ndaj saj masat ndëshkimore të parashikuara në nenin 16 të Kartës”.

Ndërhyrja britanike ishte efikase. Më 9 nëntor Konferenca e Ambasadorëve njohu kufijtë e Shqipërisë, dhe Jugosllavia do të detyrohej t’i respektonte ato, por ndërkohë Shqipërinë e përfshiu kaosi nga lufta e brendshme politike e sponsorizuar jo pak nga fqinjët. Kështu parlamenti i parë i zgjedhur, që filloi punën më 21 prill 1921, e mbylli vitin duke prodhuar fare pak rezultat për çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Madje në periudhën janar-mars 1922, pozita miratoi krijimin e “Gjyqit të Lartë të Shtetit për ndjekjen e ministrave e deputetëve” kundërshtarë, “Ligjin kundër të arratisurve”, “Ligjin për çarmatimin e popullsisë”, kurse në mars opozita, përkatësisht B.Curri, Mustafa Kruja, Hamit Toptani, Elez Isufi, Hasan Prishtina etj., filluan kryengritjen kundër qeverisë. Problemet e brendshme të tilla dhe situata ndërkombëtare nuk jepnin shanse për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Kosovë e në viset e tjera të lëna jashtë shtetit shqiptar.

Në diskutimet parlamentare të vitit 1922, 1923 dhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1924, sikurse u përmend, çështja e rregullimit të kufijve të Shqipërisë me fqinjët mbeti një çështje që priste të hapej pas vendimit të ndërkombëtarëve për vise të diskutueshme si territoret e Manastirit, të Shën Naumit dhe të Vermoshit, kurse çështja e mbrojtjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, Çamëri e vise të tjera, nuk u debatua. Gjatë vitit 1923 partitë “Popullore” e “Përparimtare” ishin shpërndarë. Gjatë rigrupimit të forcave u riformatuan dy grupime të reja, të drejtuara përkatësisht nga A.Zogu dhe F.Noli (të parët kishin pozitën në pushtetin e kohës, të dytët përbënin opozitën). Vëmendja u përqendrua në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte formën e regjimit dhe do të miratonte Kushtetutën (Ligji u miratua më 30 shtator dhe zgjedhjet që nxorën 102 asamblistët, u zhvilluan më 27 dhjetor). Në këtë situatë, vetëm në një rast, në mars 1924 qeveria shqiptare e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, protestoi në Lidhjen e Kombeve. Kjo u bë për masakrën që forcat ushtarake jugosllave bënë në zonën e Vushtrisë (Dubnicë-Zagorth).

Në një kohë kur pas konfrontimeve të përsëritura edhe me armë, deputetët në opozitë me qeverinë ishin reduktuar dhe kur elita politike në Shqipëri dhe krahu i saj i armatosur, i përbërë masivisht nga kaçakët e Kosovës, në të dy anët e kufirit politik i ishin kundërvënë pozitës në pushtet në Tiranën zyrtare, kuptohet se nuk kishte gjasa të diskutohej për çështjen e Kosovës. “Zona Neutrale e Junikut”, malet e Dibrës, Malësitë e Veriut etj., ku strehoheshin luftëtarët kryengritës ndaj të dy qeverive, asaj të Tiranës dhe asaj të Beogradit, ishin caqet që të dy qeveritë të kishin interesa të njëjta përkatësisht vendosjen e rendit, apo pacifikimin e zonave kryengritëse. Kështu probleme kufitare-territoriale dhe probleme të mbrojtjes se popullsisë shqiptare në Kosovë, u lanë për t’u trajtuar në një kohë të ardhshme.

Në vitin 1924 ndodhën ngjarjet e njohura që filluan me atentate dhe përfunduan fillimisht, në qershor, me largimin e grupimit të A. Zogut nga pushteti dhe me marrjen e frenave në qeverisjen e vendit nga kryengritësit apo opozitarët e viteve 1921-1924, të cilët vunë Kryeministër, Fan Nolin. Është me interes të përmendim se qeveria e re nuk futi në përbërjen e saj elemente nga Kosova. Ata, e veçanërisht B. Curri, u mbajtën afër, por liberalët vlerësuan njësoj si konkurrentët e tyre konservatorë, që patën pushtetin deri në qershor, se mbështetja e irredentistëve haptazi mund të krijonte probleme jo vetëm me fqinjët, por edhe në arenën ndërkombëtare. Edhe qeveria e F.Nolit protestoi në Lidhjen e Kombeve në një rast, pikërisht në korrik-gusht, kur terrori i forcave jugosllave përfshiu zonën e Drenicës, por Shqipëria e pastabilizuar, e dobët dhe pa mbështetje, gjatë viteve 1920-1924 nuk mund të bënte më tepër.

Si përfundim:

Mbi bazën e dokumentacionit të viteve 1920-1924, që pasqyron jetën parlamentare e më gjerë, dhe veprimtarinë e parlamentit, qeverive dhe përgjithësisht të elitës politike të kohës lidhur me çështjen e Kosovës, qoftë territoriale, apo për të drejtat kombëtare e njerëzore, dalin disa konkluzione e përcillen disa mesazhe me vlerë aktuale.

Së pari, duhet theksuar se aspekti i çështjes që ka të bëjë me pretendimet territoriale, përkatësisht rikthim brenda shtetit shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të shkëputura në 1913-ën, qysh në muajt e parë të vitit 1920, konsiderohej një çështje e mbyllur për shkak të qëndrimit pa ekuivoke të Fuqive të Mëdha. Për trajtim të mëtejshëm ishte lënë vetëm rektifikimi në disa segmente, i kufirit të 1913-ës. Aspekti tjetër i çështjes së Kosovës lidhet me mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore të popullsisë shqiptare që do të duhej të jetonte në shtetet fqinjë sipas normave të fiksuara në legjislacionin ndërkombëtar për mbrojtjen e minoriteteve.

Rezulton se debatet për çështjen në fjalë midis pozitës dhe opozitës, në parlament por edhe jashtë saj, karakterizohen nga një qëndrim më agresiv i opozitës dhe nga një prononcim më i moderuar i pozitës. Pavarësisht nga origjina krahinore, sentimentet, interesat personale të deputetëve të veçantë ose të grupeve të deputetëve, që lidheshin me trevat e lëna jashtë Shqipërisë me vendime të faktorit ndërkombëtar, ishte më e lehtë për opozitën t’i kërkonte pozitës atë që nuk do ta bënte vetë kur ishte në pozitë. Gjashtëmujori i dytë i vitit 1924 tregoi këtë të vërtetë, që me sa duket është universale.

Rezulton gjithashtu se pavarësisht nga intensiteti i trajtimit parlamentar, apo dhe mediatik, i problemeve që lidhen me çështjen e Kosovës etj., demarshet zyrtare të nivelit shtetëror, parlamentar apo qeveritar, në kancelaritë e Fuqive të Mëdha dhe në forume të tillë ndërkombëtarë si Lidhja e Kombeve (për mbrojtjen e të drejtave të shteteve e popujve), apo Konferenca e Ambasadorëve (për rektifikimet kufitare), ishin të rralla dhe vetëm në raste të vënies në lojë të gjithë interesave, si edhe në raste të acarimeve e përplasjeve deri me armë me fqinjët (përkatësisht shtetin SKS, apo Jugosllavinë). Kështu ndodhi në verë-vjeshtën e vitit 1920 dhe 1921, kur përballë intervencionit jugosllav në Koplik e Peshkopi, elita politike në Shqipëri ishte e detyruar të luante fort, i duhej patjetër të krijonte unitet d.m.th., unifikim të qëndrimeve pozitë-opozitë, dhe gjithashtu i duhej të mbante qëndrime për konsum të brendshëm, d.m.th. përpara popullit, natyrisht edhe kur gjendej diku te faktori i jashtëm një mbështetje, qoftë edhe me kosto të lartë, sikurse ishte rasti i mbështetjes tek Italia për të përballuar Jugosllavinë e Greqinë dhe anasjelltas.

Vërehet se në rastin e këtyre acarimeve, përveç demarsheve zyrtare shtetërore, shtoheshin dhe veprimet propagandistike jashtë vendit, përmes promemorieve e protestave të individëve e grupeve të caktuara, veprimet e lobimet e të cilëve, apo edhe të miqve të huaj të Shqipërisë, nuk implikonin drejtpërdrejt shtetin shqiptar. Kështu më 1921, prof. Bedri Pejani mbajti një referat të shkëlqyer të natyrës irredentiste dhe në mbrojtje të shqiptarëve në Jugosllavi e Greqi duke shfrytëzuar një Kongres në Zvicër, organizuar nga Shoqëria e Popujve të Rrezikuar, me qendër në Göttingen të Gjermanisë, ku e djathta gjermane me prirje fashiste dhe jo vetëm gjermane, shfrytëzonte vendimet e rënda për të mundurit e Luftës së Parë Botërore, të marra nga Konferenca e Paqes, për të kërkuar revansh. Po kështu, më 1924 promemorie të firmosura nga H. Prishtina, B. Curri etj. iu adresuan Lidhjes së Kombeve. Nga parlamentarët shqiptarë rezulton se sekretari i Lidhjes së Kombeve, Erik Drummond, kishte patur vetëm një prononcim për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi në vitin 1921, pikërisht kur Parlamenti Jugosllav paralelisht kishte reaguar për këtë çështje duke e quajtur hapin zyrtar të parlamentit ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Nëse vështrojmë periudhat e veprimeve të sipërpërmendura të autoriteteve më të larta të Shqipërisë, që nga viti 1912, rezulton se pas 28 Nëntorit dhe Shpalljes së Pavarësisë deri në fund të viteve 20, elita politike shqiptare e kohës, e organizuar deri më 1920 në forma paraparlamentare, kishte qenë më unike e kishte reaguar më fort, duke paraqitur edhe kërkesa territoriale. Por kjo kishte ndodhur deri në verën e vitit 1913, kur ende nuk ishin caktuar kufijtë e Shqipërisë, ose në shkurt 1919, kur shpresohej dhe ishin krijuar iluzione se ndoshta Konferenca e Paqes e Parisit mund të korrigjonte arbitrazhin katastrofik të vitit 1913, të Konferencës së Ambasadorëve. Në këto raste shqiptarët kishin në favor të tyre në fillim Austro-Hungarinë dhe Italinë (më 1912-1913), kurse më pas shpresonin në premtimet e Italisë (më 1919).

Periudha 1920-1924 kishte për Shqipërinë një mbështetje të vakët të Britanisë (që ndikoi në futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve), por që ishte po kaq e interesuar të ruante ekuilibrat në Ballkan e Mesdhe, të kishte peshë në Mbretërinë Jugosllave, të dominonte politikën e Greqisë dhe të ekuilibronte interesat e Italisë dhe Francës për Ballkanin. Pikërisht prandaj “miku i madh” i kohës, ndërkohë që pas Konferencës së Paqes SHBA ishte vetizoluar përtej Oqeanit Atlantik, i vetmi “mik potencial”, Britania e Madhe, nuk lejonte më tepër se të ruhej Shqipëria e 1913-ës, duke i njohur një përparësi të lehtë Italisë në krahun lindor të kanalit të Otrantos, kurse Tirana zyrtare jo vetëm nuk mund të kërkonte territoret e Kosovës e më gjerë, por nuk mund të ngrinte me forcë as çështjen e trajtimit shqiptarëve në Jugosllavi, sikurse kërkonte Traktati për Minoritetet e firmosur edhe nga Jugosllavia. Aq i kujdesshëm ishte qëndrimi britanik në trajtimin e çështjeve të rajonit, sa edhe kur Shqipërisë, gjatë interpretimit të pikave të caktuara të kufijve të 1913-ës, iu njoh e drejta mbi Manastirin e Shën Naumin, asaj nuk iu dha asnjë ndihmë konkrete për të marrë atë territor. Kujtojmë se kur kishin anësi të qartë në konfliktet rajonale Fuqitë e Mëdha ndërhynin drejtpërdrejt, sikurse ishte, më 1881, rasti i demonstratës ushtarake në Ulqin për ta detyruar Perandorinë Osmane ta shpartallonte vetë mbrojtjen shqiptare të qytetit dhe t’ia dorëzonte atë Malit të Zi.

Edhe pas vitit 1924 parlamenti shqiptar në fakt, monokolor dhe tërësisht i dirigjuar nga presidenti A. Zogu I (1925-1928) e më pas mbreti A. Zogu I (1928-1939) nuk ndërmori veprime serioze diplomatike për të trajtuar çështjen e të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës. Shteti shqiptar luajti në këtë fushë vetëm përmes promemorieve, jo zyrtare, si ato të H. Prishtinës më 1927 dhe 1929, apo si promemoria e tre priftërinjve katolikë, dom Gjon Bisakut, dom Shtjefën Kurtit dhe dom Luigj Gashit, të arratisur nga Jugosllavia pas vrasjes së priftit tjetër katolik, at Shtjefën Gjeçovit, apo duke bërë ç’mund të bëhej përmes diplomatëve shqiptarë në Beograd e Shkup, gjithashtu duke nxitur të vepronin figura potenciale politike ndër shqiptarët që jetonin e vepronin në Jugosllavi, si Ferhat Draga, ose përmes agjenturës së saj të dobët atje, të cilët sponsorizoheshin përmes fondeve modeste etj.

Komiteti “MKK”, apo edhe artikuj të rrallë në ndonjë gazetë që botohej jashtë shtetit, nuk mund të ngrinin veçse fare zbehtë zërin për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi.

Është vendi të përmendim se kur, pas largimit nga Vlora, Italia, në muajt e fundit të vitit 1920, nuk do të përbënte më rrezikun kryesor për Shqipërinë dhe e tillë ajo do të ishte edhe deri në fund të viteve 20 dhe kur situata e brendshme në Shqipëri nuk kishte konfrontime madhore, që të spostonin vëmendjen (më 1920-1921, 1924, dhe më 1927-1930), u prodhuan edhe reagimet zyrtare, ose promemoriet e fuqishme jozyrtare, të sipërpërmendura. Ka fakte se ato ishin të nxitura edhe nga shteti shqiptar, në rastet kur ai kishte ose ndjente suportin, në mos shtytjen e politikës së Romës, e pjesërisht, miratimin, në skalionin e dytë, të Britanisë së Madhe për të “ngacmuar” Jugosllavinë. (Promemoria e Bedri Pejanit 1921, në emër të “Komiteteve të Bashkuara të Shqiptarëve Irredentë”, paraqitur më 1-10 shtator në Kongresin Ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të popujve (në të cilën përmendej edhe e drejta e vetëvendosjes), Promemoria e H. Prishtinës, B.Currit dhe B.Pejanit e 26 shtatorit 1924, paraqitur Lidhjes së Kombeve më 1924, Promemoriet e Hasan Prishtinës më 15 mars 1927, dhe 5 prill 1929, dhe 10 janar 1931. Promemoria e tre priftërinjve katolikë të arratisur nga Jugosllavia më 5 maj 1930 etj.).

Tipare të ngjashme vihen re për çështjen në fjalë, edhe në qëndrimet politike të Shqipërisë së Pasluftës. Shqipëria e Bllokut Lindor nuk u ndje fare të reagonte për çështjen e Kosovës deri në vitin 1948 dhe vetëm me raste e bëri këtë edhe më vonë kur do të duhej që BRSS ose Kina të miratonin veprime të politikës së Jashtme të Shqipërisë. Interesat e tyre të veçanta për Federatën e Titos, ia lidhnin gojën Shqipërisë së Enverit dhe parlamentit të saj fiktiv.

Ndërkohë, në dukje paradoksale, por është e vërtetë se për çështjen e Çamërisë, që ishte territor i Greqisë “monarko-fashiste” e aleate e “fuqive imperialiste”, zëri i Tiranës zyrtare u ngrit jo pak në vitet e para të pasluftës. Madje në këtë kohë në Shqipëri u strehuan e mjekuan edhe luftëtarët e EAM-it (të majtës greke) të përfshirë në luftën civile në Greqi, që vijoi deri më 1949. Këto qëndrime, në rastin e dytë komprometues për qeverinë shqiptare, ishin të lidhura me politikën e Bllokut Lindor ku Shqipëria bënte pjesë.

Konkluzionet dhe mesazhet që vijnë nga pozicionimi i parlamentit dhe qeverisë shqiptare të viteve 1920-1924, janë të qarta. Ato kanë vlerë universale dhe të japin mundësi të gjykosh edhe veprimtarinë parlamentare e qeveritare të ditëve tona, ku shpesh palët në pozitë e opozitë e kalojnë cakun e akuzave për probleme që pala akuzuese e di mirë që s’mund të jenë ndryshe dhe askush nuk ka hapësirë t’i trajtojë ndryshe po të kishte radhën për t’i trajtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit
Revolta që tronditi diktaturën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}