Ministria e Kulturës pas disa ditësh do të bëjë me dije projektet fituese, që mbështet financiarisht për këtë vit. Sipas njoftimit zyrtar, projekt-propozimet e paraqitura duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës 1 shkurt -5 dhjetor 2021. Thirrja për projekt-propozime qëndroi e hapur nga 3 dhjetori 2020 deri më 8 janar të këtij viti. Në faqen e MK thuhet se shpallja e fituesve do të bëhet më datë 26 janar. Projektet që financohen nga Ministria e Kulturës janë shoqëruar më pas me reagime të ndryshme, ku jo vetëm buxhetet e pakta kanë qenë shqetësuese për organizatorët e aktiviteteve të ndryshme, por dhe mënyra se si vlerësohen. Kur disa ditë na ndajnë nga shpallja e fituesve, artistë të ndryshëm organizatorë të aktiviteteve që kanë aplikuar përmes shoqatave, apo dhe ata që nuk kanë marrë pjesë shprehen se prioritare në vlerësim duhet të jetë që nga bordi i ngritur nga Ministria e Kulturës të vlerësohen projektet që janë në politikat e ministrisë. Festivali i filmit “AniFest” prej më shumë se dhjetë vitesh zhvillohet në vendin tonë. Për t’u zhvilluar gjatë këtij viti drejtori i festivalit Artan Maku ka aplikuar përmes organizatës. Por ai thotë se në vlerësimet e këtij viti duhet të merren parasysh kriteret e projekteve. “Këtë vit aplikimi për projektet ishte që secila shoqatë të ishte më vete, jo si një vit më parë. Nuk kishte lidhje si dikur, që duhet të mblidheshin 8 organizata, 8 shoqata dhe aktivitete, por një organizatë i merr përsipër të gjitha. Unë si organizatë mora përsipër aktivitetin tim. Gjykoj që duhet vlerësuar brenda politikave të Ministrisë së Kulturës, si dhe ajo që është më kryesorja për strategjinë në vazhdimësi, që premton për shoqërinë e së ardhmes. Në 20121 ministria të vlerësojë si duhet ato projekte, që janë në politikat e saj, ato që kanë kriteret që duhet”, thotë mes të tjerave në një reagim të tij regjisori Artan Maku, drejtor i festivalit “AnisFest”.

Arti cilësor dhe amator

Piktori Robert Përmeti prej disa vitesh organizon ekspozitë në Tiranë, me një grup piktorësh. Ai thotë se për 2021 nuk arritën dot që të aplikonin në Ministri të Kulturës me projektin e tyre, por shprehet se problemet me projektet në fushën e artit dhe financimi kanë qenë prej vitesh. Në mesazhin e tij, piktori Robert Përmeti thotë se Ministria e Kulturës duhet të bëjë diferencimin midis asaj që është cilësore, dhe ajo që quhet art amator. “Arti është drejtim i rëndësishëm për gjallërimin e jetës shpirtërore të shqiptarëve. Artistët krijojnë vlera, ministria menaxhon konsumimin e artit. Ministria e Kulturës duhet të bëjë diferencimin midis artit cilësor dhe atij amator, duke përkrahur artin profesional”, thotë në një reagim të tij këtë muaj të parë të vitit piktori i njohur Robert Përmeti. Festivali ndërkombëtar “Bylispolifonia” nuk zhvilloi dot edicionin e dhjetë në vitin, që lamë pas. Një situatë e pandemisë që ndikoi dhe tek ky aktivitet i rëndësishëm në trashëgiminë tonë kulturore. Festivali zhvillohet nga shoqata “Polifonia shqiptare”, që drejtohet nga këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj, njëkohësisht dhe president i festivalit. Festivali “Polifonia shqiptare” prej vitesh ka qenë me rëndësi në jetën artistike, me në skenë grupet folklorike shqiptare dhe të huaja, por nuk mungonin veprimtaritë e tjera si simpoziumet shkencore. Këngëtari Yzeir Llanaj herë pas here ka folur dhe për problemet me projektet në Ministrinë e Kulturës, si dhe mungesën e mbështetjes financiare. Ai thotë se nuk ka aplikuar për 2021 në MK, sepse problemet kanë qenë gjithmonë me projektet. “Ministria bën si të dojë me projektet. Me rëndësi është që si ministri të ketë vëmendje te vlerat. Të përzgjidhen projektet që përshtaten me politikat e saj për artin, kulturën dhe trashëgiminë. Ato që kanë vlera dhe plotësojnë kriteret e duhura. Unë nuk arrita për 2021 që të aplikoja, por gjithmonë ka pasur probleme me projektet”, pohon ai. Në faqen e ministrisë thuhet se fondi i artit dhe trashëgimisë 2021 do mbështesë organizatat jofitimprurëse të artit dhe kulturës, artistët, individët (persona fizikë ose juridikë) të cilëve u është dashur të zvogëlojnë dhe ndryshojnë në mënyrë drastike programet e tyre, si rezultat i pandemisë, me qëllim që t’i përshtatin programet, hapësirat dhe modelet e funksionimit./ Julia Vrapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Magazina e “Nëntorit”
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!
Rrënojat e Urës së Bahçallëkut mbeten në lum, vera kalon pa ndërhyrje restauruese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}