Postmortem/Biseda e rrallë e piktores Lumturi Blloshmi me studiuesen e arteve pamore, Suzana Varvarica në vitin 2006, me rastin e hapjes së ekspozitës retrospektivë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Varvarica e ka vlerësuar Blloshmin si artisten bashkëkohëse më tërheqëse të arteve pamore në Shqipëri…

Bisedoi: Suzana Varvarica

Nga barku i nënës ka dalë me vrull, me flokë të zinj deri në ballë dhe çuditërisht me tri thinja. Kjo është udha nga nisi jetën piktorja e “egër” Lume Blloshmi, duke skicuar në një parandjenjë të ardhmen. Ndërsa retrospektiva i përket shthurjes, tronditjes alla Kamasutra, vdekjes së ashpër deri në shkatërrim të bukurisë. Profili i një piktoreje që i mbetet anarkisë së seksit femër kundër kornizave të sistemit të artit. Ka mjaftuar një sugjestion autohistorik që Blloshmi të rishfaqet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një vend, që e shikon ende të shenjtë, për të mos i munguar në kësi rastesh, ku më 5 prill do të hapë ekspozitën e saj restrospektivë “Blloshmi, përshkoj udhën time”. Ka mbetur në këtë koncept Blloshmi, për shkak të marrëdhënieve të saj figurative përkundrejt jetës njerëzore në mentalitetin shqiptar. Sigla e gjetur është shkurt koncepti i Blloshmit për t’iu dhënë publikut. Më tej ata që do të duan të udhëtojnë në punët e piktores kërkojnë përafrimin e mendimit me të, pasi alternativat shkojnë me idetë.

S.V: Përse mendon se duhet të ekspozosh në një galeri të rëndësishme, kombëtare dhe të vetmen në Shqipëri?

L.B: Gjithmonë atje kam ekspozuar. E dua mjedisin e saj. Jam e familjarizuar me të, pasi kam punuar një farë kohe aty. Pastaj, Galeria Kombëtare e Arteve është të paktën vendi më profesional, ku artistët seriozë mund të ekspozojnë veprat e tyre.

S.V: Ç’do të thotë artistë seriozë?

L.B: E kam fjalën për të gjithë ata artistë në moshë apo të rinj, që krijojnë në vazhdimësi, pa  ndërpreje dhe që jetën e kanë të lidhur ngushtësisht me krijimtarinë. Dhe në fund të fundit, kur i pyet se cili është profesioni juaj, ata të përgjigjen: ARTI.

S.V: Përse këtë ekspozitë menduat se duhet ta organizoni në formën e një retrospektive?

L.B: Sepse dëshiroja t’i përshkruaja fazat e ndryshimit tim gjatë limiteve të kohës sime krijuese. Në një farë mënyre mendova të bëj një autoanalizë historike, me të cilën dua të bashkëbisedoj me publikun e Galerisë Kombëtare.

S.V: Cili është koncepti përshkrues i saj?

L.B: Koncepti qendror lidhet me atë që unë do ta quaja marrëdhënia dhe argumentet e mia figurative përkundrejt jetës njerëzore në mentalitetin shqiptar. Titulli qartëson konceptin. Më tej, ata që do të dëshirojnë të bëjnë një udhëtim me punimet e mia, shpresoj të jenë me një mendim me mua, pasi mendoj se ka shumë koncepte të tjera në të, nëse e keni fjalën për idetë.

S.V:Cilat janë temat që ke trajtuar në ekspozitën BLLOSHMI?

L.B: Në përgjithësi më tërheqin ato që lidhen me individin dhe ndikimi i shoqërisë në formimin e tij.

S.V:Cili është procesi i parë, ideja apo figura?

L.B: Ideja & figura.

S.V:Çfarë të ngacmon më së pari, ideja apo figura?

L.B: Sot ideja, dje figura.

S.V:Cili medium të tërheq më shumë?

L.B: Dje, e kam fjalën për kohët e lëna pas, nuk kishe si të zgjidhje apo të mendoje ndryshe, përveçse artit figurativ, që për mua do të thoshte pikturë mbi sargji, apo laps mbi letër e të tilla me radhë, ndërsa sot ideja më sugjeron të përdor disa lloje mediumesh. Nuk jam aspak e varur prej asnjë syresh. Unë jam ajo që i zgjedh, gjithmonë sipas tronditjes emocionale që më shkakton një situatë, të cilën e mendoj menjëherë të kthyer në vepër arti.

S.V: Si mendon, disa thonë se përzgjedhja e mediumit sot, është e rëndësishme për realizimin e një vepre arti?

L.B: Kanë të drejtë. Por fiton, pra është i suksesshëm, ai që di të përzgjedhë duke njohur mirë aftësitë e tij krijuese.

S.V: Eksperienca juaj në pikturë e ka kaluar kufirin e suksesit, po kështu dhe ekspozita konceptuale si Kamasutra e ka dhënë një shembull të tillë. Si mendon, përse ndodh kjo?

L.B: Sepse gjithmonë kam dashur të jap një gjë të re, të lindur prej meje, natyrisht të mbështetur në eksperiencat më të mira të një arti të suksesshëm dhe asnjëherë nuk kam qenë bijë e imitimit. Kam dashur të jem e befasishme dhe përveç kësaj, kam kuptuar se publiku befasohet nga titulli. Për shembull, tek Kamasutra jam e bindur se një pjesë e mirë e publikut me dëgjimin e këtij titulli jo vetëm është lidhur emocionalisht me të, por pa e kuptuar është lidhur me njëqind fije të keqkuptimit rreth pornografisë e seksit. Dhe keqkuptimin e kam shkaktuar me qëllim. Duke njohur mirë mentalitetin e varfër të shqiptarëve kundrejt akteve seksuale, duke e ditur mirë se ato janë ende skuta të një tabuje, për të cilat nuk mund të flitet ende hapur, si dhe duke e ditur mirë se shqiptarët vetëm e kanë keqkuptuar Kamasutrën si fenomen, ndërtova veprën time konceptuale me shumë elementë. Në të asgjë nuk është pornografike, edhe pse disa që tentuan të mendojnë se do të ishte një e tillë, dështuan. Unë nuk kisha asnjë arsye të dështoja me atë vepër, sepse fenomeni Kamasutra, shkrimet e saj, e shpallin si një vepër të plotë të artit në të gjithë kohërat. Kushdo që ka lexuar dhe njohur 64 kodet e saj, të quajtura ”Guernika”, e vërteton këtë.

S.V: Përse Lumturi Blloshmi është aq e shumëpritur për ekspozitat e saj?

L.B: Do jetë më mirë të pyesësh publikun, por edhe për disa nga idetë që përmenda më parë.

S.V: Dihet që ti në studio ke vazhdimisht çfarë t’u tregosh të tjerëve. Çfarë të bën kaq të fortë, për të përballuar proceset krijuese në situata kaq të paqarta për artin pamor në Shqipëri?

L.B: Ndoshta është vetë kjo situate, që më kundërvihet dhe i kundërvihem, mbase teoria e të kundërtave për mua është bazamenti, i cili më mban dhe më shtyn të krijoj.

S.V:Cili është emocioni më i fortë që të shtyn të krijosh një vepër arti?

L.B: Është situata ”Tragjiko-Komike”, në të cilin jemi të detyruar të bashkëjetojmë. 

S.V:Si mendon, cili është drejtimi artistik që udhëheq në mjedisin artistik shqiptar?

L.B: Për çfarë mjedisi e ke fjalën? Më duket se nuk ekziston gjëkundi.

S.V:A mund të jetoj në Shqipëri një artist me artin e tij?

L.B: JO. Nëse e ke fjalën për artistin (profesionist), pasi ti e di që në Shqipëri është akoma i fortë mendimi i trashëguar se të gjithë janë artiste, e të mëdhenj madje.

S.V:Po ti?

L.B: JO. Kurrë nuk e kam menduar artin tim si mjet jetese. Arti është trupi im.

S.V:Ka sot në Shqipëri një publik të përgatitur për të kuptuar artin bashkëkohor?

L.B: Publikun e shoh ende si një masë, që ka mënyrën e vet të të kuptuarit të veprës së artit. Publiku i gjerë kudo në botë ka “frikë” të hapë gojën para një vepre arti. Nëse për një vepër arti të shekujve më parë, cilado qoftë ajo, publiku thotë “Oh, sa e bukur, shoh këtë e shoh atë”, për artin e ditëve të sotme ai është i heshtur.

S.V:Si mendon, përse flitet që nuk ka kritikë arti. A mendon se duhet të ketë një të tillë në Shqipëri, kur idetë për të janë krejt të ndryshme në botë dhe në mjediset e saj funksionon një organizëm tjetër, ai i KURATORIT?

L.B: Është e vështirë të ketë një kritikë arti te ne, sepse dominohet nga individualitete të gjithsecilit artist, sidomos kur ky artist vjen që nga koha e komunizmit. Në Shqipëri artisti e ka të vështirë ta pranojë kuratorin dhe kritikun, pasi dhe vetë këto dy kategori shumë të rëndësishme për sistemin e artit në vendin tonë nuk u rriten dhe nuk po rriten ende në shkollën akademike të artit. Unë nuk di që në akademinë tonë të studiohet rreth formimit të këtyre dy profesioneve. Mendoj se të jesh kritik dhe kurator duhet të përgatitesh në auditore, ku objekti i tyre i diskutimit dhe i formimit është studimi i filozofisë, i marrëdhënieve estetike dhe i historisë së artit. Por mendoj se ndonjë rast është paraqitur si shembull shumë i mirë i një kritike të mirë rreth një vepre arti apo i një kurimi të mirë të një veprimtarie ekspozuese. 

S.V:Sa je ndihmuar nga financimet e deklaruara shtetërore apo të fondacioneve kulturore për krijimtarinë tënde?

L.B: Shumë pak. Gjithë krijimtarinë e kam përballur vetë e me shumë vështirësi.

S.V:Mendon se brezi yt i artistëve mbështetet nga këto financime dhe a janë ato të rëndësishme?

L.B: Po e filloj nga fundi. Për një vend si i yni, ku artisti doli nga një shoqëri komuniste dhe nuk trashëgoi buxhete financiare vetjake, por në të shumtën e rasteve e pa veten edhe të varfër, mendoj se mbështetjet financiare të të dy instancave do të ishin të domosdoshme dhe të rëndësishme. Gjithashtu mendoj se në rastet e mbështetjeve, ato vijnë pak era nepotizëm dhe shumë miqësi.

S.V:Ç’mendon për artin, është tërheqës në ditët tona, përbën ai eveniment të rëndësishëm, apo është thjesht një rutinë e ditës?

L.B: Është edhe rutinë, edhe eveniment, varet nga arsyet e ekspozimit të tij. Për mua ekspozitat e mia në të shumtën e rasteve kanë qenë ngjarje, ndonjëherë jo. Kam qenë e detyruar të ekspozoj për arsye të ndryshme, por asnjëherë nuk e kam nënvleftësuar momentin e ekspozimit.

S.V:Për ty, është i rëndësishëm?

L.B: Për mua, po. Është vetëm i rëndësishëm, pavarësisht nga pengesat e shumta.

S.V:A ia vlen të bësh art në ditët e sotme në Shqipëri?

L.B: Ka koncepte të ndryshme. Për mua ia vlen, dhe shumë madje. Mendoj se shoqëritë njerëzore janë të destinuara të bashkëjetojnë me artin, si do që ai t’i servirë format e veta.

S.V:A vlerësohet në Shqipëri?

L.B: Mendoj se kanë filluar të mësohen me këtë, natyrisht kjo nuk do të thotë se e vlerësojnë të gjithë. Por ç’rëndësi ka. Në vendin tim duhet të mësohen që të kuptojnë se arti nuk është masiv, ai së pari kuptohet nga shtresa intelektuale e shoqërisë e më pas ekspozohet i hapur, për t’u ndjekur nga gjithsecili që jeton me dëshirën për ta njohur dhe për ta shijuar. Në Shqipëri nuk do të mbajnë ndonjëherë radhën për të parë ekspozitat kombëtare. Ajo kohë ka vdekur.

S.V:A mendon se arti vazhdon të drejtohet nga shteti, si në kohët komuniste?

L.B: S’dua ta kujtoj, kam alergji nga fjala ”komunist”, por kjo nuk do të thotë se kemi shpëtuar plotësisht nga një prani e shtetit në dyert e artit. Mendoj se duhen kohë të çlirohet plotësisht. Dhe kjo një ditë do të ndodhë.

S.V: Cila është ideja më e fundit që ju ngacmon dhe kujt mediumi do t’i përkasë?

L.B: Nuk bëhet fjalë për ide, sepse veprat e fundit janë tani në përpunim e sipër dhe nuk do t’i paraqes në këtë ekspozitë, por me vonë dhe si gjithmonë ato do të shprehen vetë nëpërmjet titullit, pa qenë nevoja të flas unë. Një gjë e di ama, se janë të befasishme.

S.V:Tronditesh nga vështirësitë?

L.B: Thonë sikur vështirësitë i trembin njerëzit dhe në shumë raste kjo është e vërtetë, ndërsa unë i shoh si oktapodë. Pamja e tyre të tremb realisht, por jam mësuar t’iu shmangem.

S.V:Kanë emra vështirësitë e tua?

L.B:Kanë, por lërë se nuk i duhen askujt.

S.V:Nga çfarë keni frikë ?

L.B:Nga arti, po u fute në një rrugë të re siç është më e fundit, e titulluar konceptuale, frika të ndjek. Ndryshe është po u more thjesht me pikturë.

S.V:Ku keni lindur?

L.B: Në Tiranë.

S.V:Të gjithë nënat kanë ç’t’u thonë fëmijëve të tyre për çastin e lindjes. Ty?

L.B: Po, por jo ama drejtpërdrejt. Më kanë thënë se kam dalë me vrull nga barku. Isha me flokë të zinj deri në ballë dhe çuditërisht me tri thinja.

S.V:Cili ishte babai juaj?

L.B: Ushtarak. Me gradën major. Studimet i kishte bërë në Akademinë Ushtarake në Austri dhe atje u diplomua për financë e juridik. U pushkatua pa gjyq, në ditët më të nxehta në fundin e Luftës Nacionalçlirimare të vitit 1944.

S.V:Cila ishte nëna juaj?

L.B: E arsimuar. Ka qenë mbështetja ime më e madhe. Kishte studiuar në Kolegjin e Manastirit. E kulturuar, me sjellje elegante dhe e fortë me familjen e saj, pasi mbeti e ve shumë e re. Nëna u bashkua me familjen e të vëllait dhe u rrita në mjediset e ngrohta të dajës, z. Burhan Myderrizi, njeri i lartë, i mirë, më i veçanti burrë, me profesionin financier.

S.V:Vëlla apo motër?

L.B: Im vëlla, një i vetëm, ka qenë shumë i zoti për çdo gjë, por nuk u realizua asnjëherë. U burgos. U internua. Ia hoqën të drejtën dhe mundësinë për të bashkëjetuar në shoqërinë që i përkiste. Me pak fjalë, ia morën lëngun e jetës.

S.V:Dëshironi të shtoni ndonjë gjë?

L.B: Po. Vëllai im është njeriu që më nxiti mua dhe fëmijët e tij të dashuroheshim me artin. Ervini është piktor dhe sot jeton në SHBA, Stela është akrobate dhe jeton në Tiranë dhe Edi është balerin dhe këtë vit vazhdon të studiojë në një nga akademitë e dancit në Kanada.

S.V:Çfarë do t’i thoni lexuesit të gazetës më të fundit në Shqipëri, “Standard”.

L.B: Faleminderit gazetës “Standard” dhe lexuesit të saj.

S.V: Faleminderit Ju.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Shifrat tronditëse në diktaturë/Fëmijët pas telave më gjemba
TË RUASH FRYMËN E AKUARELIT
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Në homazh/ Intervista e rrallë me Prof. Dr. Peter BARTL: “Kam ardh me anije deri në Durrës…kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj bukuritë, por Shqipërinë nuk e gjeta si e kam paramenduar…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}