Shtëpia botuese e qendra kulturore “Berk” sapo ka botuar një libër, që më shumë se asgjë, duke rrëfyer historinë e një familjeje, nxjerr në pah rrugicat e kahershme të Tiranës, zakonet e dukuritë e një Tirane tashmë të humbur në turravrapin zhvillimor tejet të diskutueshëm, për aq kohë sa po zhbën. Një shoqëri mund të rrëfehet qoftë edhe përmes breznive të një familjeje të vetme, e madje, edhe përmes një personazhi të vetëm që ka jetuar në tri kohë, për të parë të ngrihet e të bjerë një qytet. Vetë “Berk” – si qendër kulture e botimesh, e merr jetën e vet, në të njëjtën banesë ky personazhi i esesë, Rizai, përjeton ditët e lumtura të jetës. Banesa përdhese, që në dekadat e fundit është përçmuar si arkitekturë, ka mundur të rimarrë jetë e hir, me “një dorë gëlqere” të vetme, prej se as e ka humbur veten as bukurinë, duke mbetur mes qiellgërvishtëse, stoike. Autori i librit është “Krymi”, një pseudonim, që po prapë na kthen në vitet 1930, ku pseudonimet qenë krejt normale në publicistikë. Libri vjen si një lexim i bukur e i thukët “nën hardhi”, i cili nëpërmjet rrëfimit të jetëve njerëzore përgjatë shtatë dekadave, krijon një panoramë të historisë dhe etnokulturës së Tiranës. Dekalogu vjen gjithashtu si një homazh ndaj arkitekturës lokale dhe “pa autor”, asaj arkitekture e cila formësoi dhe u formësua nga “modus vivendi” i tiranasve.

Ideja që banesa dhe memoria mund të jenë një e vetme ishte pikënisja e këtij libri, i cili është veç pjesë e një projekti më të madh. Në gusht të vitit 2018 nisi puna restauruese për një nga shtëpitë e braktisura të rrugës “Him Kolli”, banesë bijë e periudhës kur kjo zonë u pagëzua si “Mëhalla e Re”. Kjo lindi si antipod i “Mëhallës së Vjetër”, e cila zhvillohej përreth Urës së Tabakëve, lagje e quajtur dikur Mujë, me siguri prej veçantisë së asaj zone që pluskonte e gjitha mbi shehna, përrenj, lumenj, vija e hurdha uji. Rruga “Him Kolli” dhe paralelet e saj, si Rruga e Llagamve dhe rruga “Shyqyri Bërxolli”, me tregun e gjallëruar të fruta-perimeve dhe shtëpitë e ulëta, sot janë ndër të vetmet pjesë të Tiranës që ia kanë dalë mbanë të ruajnë në masë të vogël hijeshinë dhe autenticitetin e qytetit të vjetër. Por dhe ky realitet po zhduket shpejt; duke qenë qendrore, vlera e tokës është e lartë dhe presioni për zhvillim është i fortë. Tirana ka parë zhvillime të mëdha në tridhjetë vitet e fundit, por pak ndërhyrje në shkallë të vogël. Nismat e ndërmarra shpesh kanë bërë bashkë disa parcela toke të destinuara për ngritje ndërtesash të mëdha dhe blloqe apartamentesh. Ndërhyrjet e këtij lloji nuk kanë ndryshuar vetëm karakterin arkitekturor të qytetit apo urbanistikën e tij, por kanë ndikuar dhe thurjen shoqërore, rysninë e, për rrjedhojë, krijimin e miks-identiteteve. Këto hibride kulturore s’do mend se janë rrjedhë e natyrshme e zhvillimit të qyteteve të mëdha e, megjithatë, paaftësia për të ruajtur gjurmë të një tharmi origjinar të Tiranës veç sa i ka varfëruar këto identitete, duke denoncuar njëkohësisht dhe humbjen e ligjërimit identitar të qytetit.

Shtëpia e restauruar, në rrugën “Him Kolli” nr.13, është një deklaratë e vogël, por e rëndësishme. Duke ruajtur edhe pas restaurimit morfologjinë dhe evolucionin ekzistues, ajo përshfaqet sot si një mënyrë alternative e zhvillimit mikrourban, e cila ruan jo vetëm kujtesën kolektive të ndërtimeve tipike të periudhës, por bashkë me to edhe trashëgiminë etnokulturore të qytetit që përshfaqet në këto banesa të ndërtuara dhe modifikuara vijimisht konform nevojave dhe traditave të atyre që i banuan. Për shembull, shtëpia e vogël popullore ndërtim i llojit miks tullë-qerpiç, që në fillimet e saj do të ketë qenë pjesë e një njësie banimi më të madhe, e ndarë ndër breza në nukle më të vogla, bart ende mbi vete gjurmët e transformimeve të nisura nga vitet ‘40 e deri në vitet ‘70, në përpjekjet e vijueshme për konsolidimin e saj si një banesë e mëvetësishme. Dëshmi e kësaj ndarjeje e rindarjeje është për shembull elementi i ruajtur i pusit të ndarë përgjysmë me komshiun, i cili gjendet në banjë, element proverbial i thuajse çdo familje tiranase. Gjithashtu, vihet re se fillimisht shtëpia nuk do ketë pasur një kuzhinë, ndaj dhomës së ndenjes duket t’i jetë hequr një rrip i ngushtë për t’u shndërruar në aneks, e meqenëse drita në atë kënd ishte e pamjaftë, atëherë çatisë i është hapur një baxhë xhami si një luçernar modern, duke krijuar një katror të mirëfilltë qielli mbi krye, që ndriçon rrjedhimisht edhe dhomën ngjitur, gjithashtu pa dritare. Korridori i xhamtë është sërish dëshmi e një tjetër përshtatjeje të kësaj njësie sipas organizimit të shtëpisë fillestare prej së cilës u shkëput. I krijuar sipas modelit të një hajati, portik i ndërmjetëm tipizues i shtëpisë mesdhetare, siç dëshmon dhe Aris Konstandini, i pranishëm dhe në shtëpitë osmane, ky portik u ndërtua nga familja për të lidhur dhomat e gjumit me banjën dikur në oborr, nëpërmjet një strukture xhami e hekuri të punuar në mënyrë artizanale nga i zoti. Hajati ndër vite ka kryer funksione të ndryshme, herë si hapësira e punës në makinë qepëse, herë si hapësirë për të ruajtur zahiretë e deri te praktikat e mjekësisë popullore, ku shpesh “pacientët” qëndronin pikërisht në këtë “zonë gri” të banesës, si hapësirë tranzitive nga brenda-jashtë. Oborri, gjithashtu, për vetë strukturën tradicionale në formë të germës L që ndjek shtëpia, përqafohet nga kjo e fundit, duke e bërë, kësisoj, një njësi të pandashme, pra veçse vazhdimin pa çati të saj. Shtëpia, në fakt, i ka të gjitha hapjet drejt oborrit, si burim qendror dhe i vetëm drite, duke krijuar vartësi ndërmjet hapësirës së “jashtme” dhe asaj të “brendshme”, çka përforcon edhe më shumë trashëgiminë e shtëpisë si hapësirë e përbërë nga përmasa e vet e jashtme, po aq sa nga ajo e brendshme. Mungesa e theksuar e dritareve të jashtme të shtëpisë, tipike për shtëpitë e Tiranës së kohës, është ekuilibruar nga prania e dritareve të brendshme, siç është, për shembull, dritarja e madhe që bie nga ish-dhoma e gjumit në kuzhinë, e cila sikurse thamë, merr dritën nga baxha. Ky komunikim kaq fluid i dhomave me njëra-tjetrën favorizon dhe kalimin e dritës në prerje nga më gjeometriket, gati si rreze që godasin kënde të caktuara. Edhe funksionalisht oborri i është përgjigjur kësaj marrëdhënie të ndërsjellë. Përgjatë viteve ‘50-‘70 oborri i shtëpisë ka shërbyer mirëfilli si një paramjedis i saj, me kuzhinën verore aty, makinën larëse dhe tërë infrastrukturën nga arkitekt grek, i cili në vitet ‘40 – ‘50 në mbrojtje të vazhdueshme të trashëgimisë osmane të Athinës, studioi arketipin e shtëpisë mesdhetare dhe e përktheu në arkitekturën moderne.

E ndërtuar për zhvillimin e aktiviteteve të tjera si punimet mekanike të të zotit, e gjer te marrja e një sy gjumi dreke nën pjergullat mbi kompensatat e përshtatura enkas. Nuk është e rrallë hasja e të njëjtave modele në shfrytëzimin e hapësirave në banesa të ndryshme të Tiranës. Pikërisht përmes marrëdhënies midis hapësirës dhe funksioneve shfaqen efemere dhe të shkëlqyeshme fanepsjet e mjaft praktikave shoqërore apo të kulturës së banorëve të saj. E pra, përgjatë këtij dekalogu rendet në kërkim të “epiqendrës” së jetës njerëzore, që siç shkruan James Agee, ndikon thellë dhe në mënyrë aq enigmatike një shtëpi, koncept përjetësisht i papërcaktueshëm. Shtëpia është ndjesia e shkaktuar nga mënyra se si drita bie mbi një dhomë ose nga vendosja e orendive në hapësirë. Por ka gjithmonë diçka tjetër, diçka më shumë, që përshfaqet nën përshkrimet e përpikta të objekteve, dhomave dhe korridoreve; magnetizmi i kulturës që e modeloi, i jetëve që e jetuan, historia e të cilave, nuk është asnjëherë vetëm e tyrja. Këto forma zhvillimi urban janë po aq anonime sa dhe unike. Anonime, apo pa autor, në sensin e një arkitekture krejtësisht spontane, paçka se të bazuar në një arketip të përcaktuar mirë e të shpërndarë në gjithë Mesdheun; unike në vetvete për vetë punën artizanale e gjithmonë ad mensura nëpërmjet së cilës janë ndërtuar. Në hapësirat e shtëpisë vihen re dyer krejtësisht jashtë përmasave standarde, disa më të mëdha, e disa shumë të ulëta, shpesh më të ulëta se vetë dritaret, ato janë objekt arti i kujt i punoi por dhe pjesë e fleksibilitetit të shtëpisë. Parë në kompleksitet, këto tipologji shtëpish manifestojnë dhe mund të promovojnë pikërisht një mënyrë jetese të
11qëndrueshme dhe ekologjike. Që nga materialet e ndërtimit si tulla, qerpiçi e qeramika, e deri te promovimi i shumë praktikave të shëndetshme të së kaluarës, që këto hapësira thërrasin, ato mbeten një premisë e mirë për të ardhmen, si dhe bartëse të një tradite jo materiale të rëndësishme, e cila ndër shekuj ka ditur t’u bëjë ballë shumë “civilizimeve”, shpesh të importuara. Ndaj, sjellja në normat e nevojshme për epokën tonë të këtyre hapësirave, përmes ndërhyrjeve jo invazive, bën që ato të mirëpresin funksione të ndryshme si zyra, librari, biblioteka private, “concept stores”, qendra kreative, kopshte fëmijësh, bare, tregje të orientuara, restorante e pse jo dhe muze apo qendra kulture në varësi të organeve publike. Gjatë rehabilitimit shtëpia ka pësuar fare pak ndryshime në morfologjinë e saj. Për çatinë janë ripërdorur tjegullat ekzistuese, duke u shtruar mbi një shtresë të mirëfilltë izoluese. Dyert dhe dritaret janë ato ekzistueset, veçse janë kruar dhe rilyer. Muret janë përforcuar dhe është instaluar një sistem ngrohjeje por pa ndërhyrë në strukturat e brendshme. Tavanet janë përforcuar me trarë duke u riveshur nga jashtë me dërrasa të lyera në ngjyrë jeshile ushtarake, homazh ky për tavanet e drunjta ngjyrë bizele tiranase. Sqolli në tualet është po i njëjti, sikurse edhe struktura metalike në portik, së cilës i janë ndërruar xhamat e vjetër me të tjerë termoizolues. Ndryshimi i vetëm i rëndësishëm ka qenë shndërrimi i një dritare në derë, për të rritur akoma më shumë karakterin “qarkullues” të saj. Shtëpia në fjalë, në rrugën “Him Kolli” nr.13, u restaurua për të filluar jetën e saj të dytë si shtëpi botuese, si librari dhe si hapësirë “co-working”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}