Intervistoi: Violeta Murati

Të vendosësh krijimet në kontekstin e sotëm, nga koha kur janë prezantuar apo janë publikuar për herë të parë, është si të kesh krijuar diçka të re, në një transformim të vazhdueshëm. Në këtë paradigmë artisti Adrian Paçi ndërtoi koleksionin e portreteve në retro, duke u prezantuar në një ekspozim të plotë, personal, më 20 shtator, në Galerinë Kombëtare të Arteve, të kuruar nga Adam Budak. Nga dinamikat e largimit dhe mërgimit, përmes një rituali të përkatësisë dhe identifikimit, deri te mekanika e vetëfuqizimit dhe emancipimit, nga pafajësia e fëmijërisë drejt inicimit shoqëror dhe deri në një zë të pjekur të një rezonance politike, vepra e Adrian Pacit (lindur më 1969, Shkodër) shpalos narracionin e zhvendosjes dhe humbjes.
Në ekspozitën Prova imazhi në lëvizje dialogon me imazhin e ndalur të serive fotografike si dhe me imazhin e kapur brenda kornizës së një pikture, e cila mbetet vokacioni dhe mjeshtëria kryesore e artistit, duke dëshmuar shkathtësinë formale të Pacit dhe interesin e tij në një shumëllojshmëri të shprehjeve dhe gjuhëve – thuhet ndër të tjera në qasjen kuratoriale për këtë artist. Në intervistën për “ExLibris” Paci ndalet në një reflektim të natyrës përtejreale, çfarë konteksti merr gjuha e shprehjes në kontekstin e lirisë.

Si munden artet pamore të identifikojnë Njeriun, dinamikën e jetës së tij,kushtet e sotme, moderne, si mund ta shprehin?

Artet pamore kanë mjetet e veta, luajnë me imazhin, me ritmin, me kohën, me atmosferën vizive. Të gjitha këto janë mjete shprehëse, janë instrumente me të cilat një artist pamor e percepton realitetin, e mendon dhe e artikulon pozicionin e vet.

Pse fëmijëria mbetet kaq e fortë në gjurmë dhe reflektimi në art bëhet kaq i domosdoshëm, pothuaj nga nisin edhe shkrimtarët të zbulojnë vetveten, ashtu dhe një artist i arteve pamore. Cila është fëmijëria juaj?

Fëminia jeme asht e shenjueme fort nga prezenca dhe nga mungesa e tim eti. Kam fillue me lujtë me lapsa e bojna qysh i vogël e në njëfarë mënyre nuk jam ndalë qysh atëherë. Por edhe përjetimet njerëzore kanë qenë të forta qysh në fëmini.

Në këtë kontekst, çfarë vendi zë Shkodra, vendlindja? Ju riktheheni shpesh atje… nostalgji apo diçka më tepër?

Shkodra asht vendi i lindjes, por edhe i rritjes. Si e tillë ajo përban për mue kontekstin e shumë ngjarjeve që më kanë shoqnue në jetën teme. Përtej kësaj, Shkodra asht një qytet që të ushqen me memorien e saj kulturore, me personazhet e saj të veçanta e me kontradiktat e saj. Nuk asht një qytet ideal, por një ndërthurje dinamike e herë-herë interesante mes banales dhe sublimes, mes së vrazhdës dhe butësisë, mes profanes dhe sakrales, me të gjitha sfumaturat e ndërmjetme.

Ky rikthim, tani, prezanton një koleksion auto-portretesh quajtur “Prova”, si punë më të fundit tuajavideo duke u konsideruar ndoshta si gjesti politik më i pjekur dhe më radikal i artistit. Cila ështëProva juaj e fundit?

Prova asht titulli i një videoje të re që merr shkas nga prezenca e një grupi burrash që kalojnë ditët e jetës së tyne në një shesh të qytetit duke pritë që dikush t’u japë punë. Me këtë grup burrash 15 vite më parë kisha realizue videon “Turn On” e, vit mbas viti kur kaloja në atë shesh, i gjeja prap aty. Ma të thinjun, ma të plakun, por prap aty. Në vend të gjeneratorit dhe llambës së dritës që mbanin në dorë 15 vite ma parë, mendova t’u vë përpara një mikrofon dhe u kërkova të shqiptonin para tij vetëm fjalën “prova”. Prova asht kësisoj artikulimi fillestar i zanit i cili thekson një gjendje potencialiteti, ende të paaktualizueme në një diskurs. Videoja dominohet nga prezenca e tyne fizike disi e përhumun ku gjendja ekzistenciale dhe gjesti performativ ndërthuren.

Punët tuaja, shpeshherë të lidhura me njeriun, individin, marrin rezonanca politike. Pse? Çfarë përgjigjesh kërkoni?

Punët e mia shpeshherë kanë në qendër të tyne njeriun. Nuk asht njeriu heroik që më intereson, por njeriu i vendosun në mes trysnisë së andrrallave dhe kushtëzimeve, mes entuziazmit dhe frikës, mes lojës dhe traumës, mes nevojës për një vend të sigurt e të njohun dhe dëshirës për aventurë e zbulime të reja. Më intereson marrdhania mes lirisë së individit dhe strukturave shoqnore që ai gjeneron e të cilat nganjëherë i kthehen kundër, më intrigon marrdhania e tij me pushtetin si burim mundësish, por edhe si instrument manipulimi e dhune.

“Prova” ju dëshmon. Çfarëështëtransformuar te ju, nëcilënfazëtëkrijimtarisëe vendosni veten?

Ndër vite puna ime ka pasë momente transformimi. Në vitet ’90 kalonim nga figurativizmi i detyruem që dominohej nga Realizmi Socialist dhe akademizmi tradicional te një lloj pikture abstrakte apo ekspresioniste. Fundi i viteve ’90 ka shenjue eksperiencën time të parë me videon e ma pas me fotografinë, skulpturën e instalacionin si dhe një rikonsiderim të dimensionit figurativ e narrativ në pikturë e cila, mbas eksperiencës sime me videon, vjen gjithmonë në dialog me imazhin në lëvizje. Videot e para janë ma të drejtpërdrejta e mjeti përdoret si një element pothuajse transparent në nevojën për të dëshmue diçka që qëndronte përtej tij. Ma vonë ka pasë një ndërgjegjsim ma të madh për natyrën e vetë mjetit dhe mundësive të tij si në ndërtimin e narracionit ashtu edhe në ngarkesën emocionale apo estetike të veprës. Gjithsesi, punët e mia janë të dominueme nga nevoja për të ndërtue një zonë shprehjeje që eksploron potencialitetin e një takimi; takim me një imazh, me një histori, me një vend. Asht ky takim që gjeneron, ushqen dhe kushtëzon mandej aksionin dhe gjestin tim artistik.

Nuk harroj një nga punët tuaja emblemë, ikonike, fotografinë ku është fiksuar momenti i ikjes, shkallët iluziveikjes si ka qenë historia e saj, pse bëri aq bujë në mediumin europian?

Një punë ka historinë e saj evidente, por ka edhe historitë e saj të nëndheshme. Një imazh ushqehet nga një takim ndoshta i papritun, por pikërisht ky takim mundet me ndodhë falë disa vizioneve të mbrendshme që janë ndërtue në heshtje e ndoshta edhe pa ndërgjegjsimin e plotë të autorit. Gjithsesi “Centro di permanenza temporanea” lindi diku në një aeroport të Frankfurtit, kur po ndërroja avionin për të marrë rrugën për San Francisco. Më kishin ftue në një rezidencë e më kërkonin të realizoja një punë të re atje. Isha nisun pa kurrfarë ideje, por sapo pashë shkallët boshe në pistën e aeroportin i imagjinova të mbushuna me njerëz. Udhëtimi për në San Francisco nga Frakfurti ishte koha dhe hapsina që m’u desh për ta shndërru atë vizion në një storyboard ku vizatova shpejt e shpejt skicat e skenave që do të ndërtonin videon dhe ritmin e tyne. Sapo arrita në San Francisco u thashë organizatorëve të rezidencës se e kam një ide, por më duhet akses në një aeroport. Në fillim dukej si një ide e parealizueshme. Amerika e pas vitit 2001 ishte ba pothuajse hermetike në përdorimin e aeroporteve. Mundësinë e gjetëm në zonën e avionëve privatë të aeroportit të San Jose-së. Kështu mes peripecish të ndryshme mori formë ndoshta një ndër punët e mia ma ikonike e cila më ka ba të njoftun, por me të cilën edhe asht abuzue shumë, mbasi shpeshherë përdoret si imazh për të ilustrue çdolloj falimentimi, nga falimentimi i një kompanie ajrore deri te mungesa e kualifikimit të një skuadre në një kampionat futbolli.

Cili është përtejrealitetipërnjëartist, reflektimi i tij bashkëkohor, pyetjaështë: sa na vlen më, imagjinata?

Mendoj se ajo që e ban speciale një vepër dhe i jep asaj intensitet asht pikërisht dimensioni i përtejmë. Sa ma i thellë e i padukshëm në sipërfaqe të jetë ky dimension, aq ma misterioze dhe me peshë asht puna e artistit. Në këtë pikë përtejrealiteti, siç thoni ju, nuk ka gjithmonë nevojë të shmangë realitetin, por të krijojë spostime të vogla në mënyrën e perceptimit dhe përjetimit të këtij realiteti. Unë e shoh realitetin jo si një magazinë evidencash, por si një surprizues të jashtëzakonshëm. Siç thoshte Pasolini: “Non trovo mai la natura naturale”, që shqip mund të tingëllojë: “Nuk e shoh kurrë natyrën si të natyrshme”, që don me thanë se realiteti mundet me të zgjue fantazi, por edhe me të befasue me prurje që as fantazia nuk mund t’i arrijë.

Si e shikoni skenën e artit pamor në Shqipëri?

Skena e artit në Shqipni ka shumë nevoja, por unë nuk e shoh atë në depresion në krahasim me dhjetë vite ma parë. Sigurisht, ka nevojë për një strukturim ma të mirë të mendimit dhe diskursit kritik, ka nevojë për njerëz që e mbështesin në mënyrë të pavarun nga shteti, koleksionistë apo mecenatë, ka nevojë për mbështetje ma të madhe shtetnore e për politika kulturore vizionare, por kryesisht mendoj që ka nevojë për një frymë bashkëpunimi e mbështetjeje nga vetë artistët.

Dhe e fundit, është gjithmonë një moment i vështirë të kuptosh lirinë e njeriut dhe ta vendosësh atë në kryqin e jetës. Dedikuar një rasti të tillë shpesh ndodh lufta mes mitit e antimitit, si përpjekje njerëzore për t’u zhveshur në raport me veten. Nuk e dimë nëse kjo aksiomë ka shërbyer për ju si artist?

Lirinë e njeriut nuk e shoh si një territor që ti e zapton njëherë e mirë, por si një horizont drejt të cilit e mban hapin në një rrugëtim kompleks sa jashtë vetes aq edhe mbrenda vetes. Në këtë rrugëtim je i shoqnuem sa nga fantazmat e së kaluemes aq edhe nga mirazhet e së ardhmes, nga kufizimet e realitetit që të rrethon po aq sa nga fantazitë dhe dëshirat që gjenerohen mbrenda teje. Gjithsecili e përjeton këtë tension simbas mënyrës së vet dhe e përthyen në shprehje e gjeste që kthehen edhe ato në dëshmitare të këtij rrugëtimi, por edhe në shenja që e identifikojnë duke ia kufizue lirinë. Në këtë kuptim gjuha shprehëse bahet për një artist sa territori i shprehjes së lirisë së tij aq edhe barriera që ai vetë ndërton. Mandej gjuha nuk asht kurrë një prodhim vetëm individual e si e tillë asht shprehje e një kushtëzimi e konstelacioni shoqnor e kulturor me të cilin liria e artistit asht e detyrueme me i ba hesapet. Dëshira për të përtejmen, për të cilën folëm edhe ma parë, ndërtohet në ballafaqim të vazhdueshëm me këto limite e nuk mendoj se asht suksesi i fitores mbi to, por intensiteti i këtij ballafaqimi ai që i jep vlerë gjestit artistik.

Ky ballafaqim veçse nuk ka asgja heroike apo pompoze, por ushqehet nga një vitalitet që vibron ndër intuita të holla e përshkohet në kanale të nëndheshme. Në këtë kuptim një artist, si çdo njeri tjetër, nuk ba asgja përveçse të tentojë vazhdimisht me u ofrue gjanave një tjetër mundësi., (ExLibris)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Aleksandër Morfov/”Nëse këtu më dëgjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit”
TË RUASH FRYMËN E AKUARELIT
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Në homazh/ Intervista e rrallë me Prof. Dr. Peter BARTL: “Kam ardh me anije deri në Durrës…kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj bukuritë, por Shqipërinë nuk e gjeta si e kam paramenduar…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}