Frika

Nga Redaksia 7 Shtator, 2020  Fletore Letrare

Tregim

nga RAMIZ GJINI

Kur barbarët u dhanë në portën e madhe të oborrit të Lef Kukës, ky i fundit doli nga dera e pasme dhe arriti të futej e të fshihej në qilar.
Qilari qe ndërtuar ngjit me ahurin e bagëtive dhe hyrjen e kishte disi sekret. Kur hapej dera e ahurit, fleta e derës bllokonte atë të qilarit.
Për të hyrë në qilar, duhej të hyje pikësëpari në ahur, pastaj të mbyllje derën. Por edhe atëherë, për njerëz që nuk e dinin, qe vështirë ta gjenin hyrjen, pasi brenda ishte gjithmonë errësirë e plotë. Për ta mbrojtur ahurin nga hajdutët, dy dritaret qenë zënë me plitharë dhe nëse dera ishte e mbyllur, asnjë rreze drite nuk depërtonte aty brenda.
Lef Kuka u struk i fshehur në qoshen më të errët, prapa një vozi vere. Sipër vozit gjendej lëkura e tharë e një lepuri të madh, të cilin ai e pati vrarë vite të shkuara. Asokohe, – kishte qenë e premte si sot, – ai qe kthyer nga kodrinat me gjahun mbi sup, e kishte ulur në tokë mu në sheshin e katundit dhe ua kishte treguar të gjithëve sa u ndodhen aty, duke demonstruar një krenari prej gjuetari me zotësi të madhe. Dhe kishte hak: askush në katund nuk pati mundur të vriste një lepur kaq të madh sa ai që vrau Lefi.
Tashmë, i fshehur prapa vozit, ia ndjeu asaj lëkure erën e gjakut të tharë dhe i erdhi për të vjellë. Kurse nga jashtë atij i kapi veshi britmat e çjerra të Danjushës, nuses së vëllait, para së cilës barbarët shkonin në thikë të shoqin e saj, Gjegjën, – vëllain e vogël të Lefit.

-Jam në vatanin tim, – u thoshte Gjegja të huajve. – Në shtëpinë time…
Në vend që të dilte, Lefi u rras edhe më tepër në skutën e errët dhe ra në një gabim fatal, për të cilin, jo në këtë jetë, por në atë tjetrën, do të pendohej rëndë: iu lut Zotit që të mos hapej dera e qilarit.
Pastaj zëri i të vëllait erdh’ e u shua derisa shpirti i tij u ngrit në qiell.
Atë çast, dikush e pështyu në kokë Lefin.
Kur ktheu sytë lartë të shikonte kush qëndronte mbi trarët e tavanit, një tjetër pështymë i ra në fytyrë.
Jashtë binte shi dhe çatia pikonte.
Baptima e hapave të një njeriu që afrohej drejt ahurit, teksa tërhiqte zhakthi një tjetër, e bëri Lefin t’i rrihte më fort zemra. Pastaj, kur dera e ahurit u hap duke bllokuar atë të qilarit, ai ndjeu dihatjen e rëndë të një mashkulli, kërcënimet e tij si dhe të qarën e mbytur të Danjushës, teksa i lutej të huajit që, për hatër të Zotit, ta falte.
Vetëm një metër larg, matanë murit që i ndante, i huaj shfryu gjer në fund epshin e tij mbi nusen e të vëllait.
Lef Kukës erdh’ e iu rëndua aq fort zemra, sa iu bë si gur i thyer varri. Kurse frika, gjithnjë e më tepër, si një merimangë e madhe skutash të errëta vazhdonte ta mbështillte me fije të holla e të forta, derisa ai e pa veten të mbyllur si krimbi brenda pezhishkës.
Pastaj barbarët i nxorën nga ahuri të gjitha bagëtitë: kalin, dy qetë, lopën si dhe tufën e deleve.
Pak nga pak, zërat e tyre urdhërues dhe klithmat e banorëve të pafajshëm erdhën duke u fashitur. Atëherë atij iu ndez një shpresë që Zoti vërtet ia kishte dëgjuar lutjen dhe dera e qilarit nuk do të hapej.
Kur nata iku bashkë me tmerret, ia behu mëngjesi. I paqtë e me një diell të shndritshëm, që i bëri gjallesat të zhurmonin hareshëm. Jeta gëloi natyrshëm si rrjedha e një uji të ëmbël që del nga nëntoka për t’iu kthyer edhe njëherë bimësisë nga rrënja në gjethe.
Lef Kuka provoi të lëvizte, por kurrsesi nuk mundi. Nuk kishte as këmbë, as dorë, madje as edhe një muskul në trup që të mund ta vinte në lëvizje.
Sa shumë deshi atë botë Lef Kuka që të vinin ta gjenin.
Kushedi sa herë ai dëgjoi hapa dhe zëra njerëzish që i njihte. Madje, në një rast ata hynë edhe në ahur për të parë mos kishte mbetur aty ndonjë bagëti, por as që e morën mundimin për të hapur derën që të fuste në qilar.
I dërrmuar shpirtërisht, atij iu pak aq shumë fryma brenda pezhishkës, sa nuk mundi të nxirrte as edhe një tingull nga goja.
Dhe kur koha rrodhi e zërat erdhën duke u dëgjuar gjithnjë rrallë e më rrallë, vetëm atëherë ai u kujtua që i ishte lutur Zotit të mos hapej ajo derë.
Dhe mbylli sytë që të vdiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}