Intervistoi: Anila Dedaj

Drama “Natën, má” e Marsha Norman, fituese e çmimit “Pulitzier”, ka qenë ndër më tronditëset për gati dy sezone në kryeqytet, Tiranë. Nën regjinë e Ema Andreas, dy aktore – Ilire Vinca nga Kosova në rolin e nënës dhe Egla Ceno në skenë si e bija, – kanë përshkuar tensionin psikologjik që shkakton depresioni dhe pas tij, ideja e vetëvrasjes. Nëna përballë së bijës nuk mundën të ndryshojnë fatin e njëra-tjetrës, përpos të realizojnë një tablo të hapur, mbi ç’ndodh brenda qenies në këto pëshpërima vdekjeprurëse të fjalës. Interpretim me forcë e thellësi psikologjike prej të dyja aktoreve. Por për publikun shqiptar është e rrallë të shihet profili i një aktoreje me fibra artistike aq të kuruara sa tek Ilire Vinca. Me përvojën e skenës së teatrit, por edhe në kinema, Vinca sjell këtë rrëfim:

Zonja Vinca, 25 vjet karrierë në kinema dhe në teatër. Nëse kthehemi në retrospektivë, si lindi dëshira për t’u marrë me aktrim?

Një histori që zanafillën e ka shumë të herët dhe që ndoshta tek unë ka lindur në atë fazë kur njeriu ende nuk mund të vetëdijesohet për të ardhmen e tij, para se të artikuloja mendimet. Diçka e tillë ndoshta ka ndodhur, pasi unë jam rritur mes poezisë, artit e këngës, falë edhe babait tim, i cili është poet dhe studiues i letërsisë. Nuk mund ta mohoj se kur erdhi momenti që unë duhet të vendosja, të zgjidhja profesionin, kam pasur shumë dilema, sepse isha e tërhequr nga fusha të tjera të artit krahas aktrimit, si muzika dhe piktura. Mirëpo ndonjëherë në jetë vijnë disa momente që, në njëfarë mënyre, të përcaktojnë fatin. Për mua ndodhi kur duhet të bëja regjistrimin, për koincidencë u hap dega e Arteve Dramatike në Prishtinë (1989). Mirëpo ndodhi që u pajisa me dy indekse: nga njëra anë, nëna donte të më siguronte një profesion më të sigurt, si mjekësia, nga ana tjetër, babai nuk hoqi asnjëherë dorë dhe gjithmonë e përforcoi edhe më shumë dëshirën time për t’u marrë me art. Kështu i ndoqa të dyja deri në vitin e tretë, deri në kohën kur shkollat shqipe u mbyllën (1990-1991) dhe ne dolëm nga objektet shkollore. Pra, gjeografikisht, u bë e pamundur që t’i ndiqja të dyja degët, por nuk ishte vetëm kjo… Unë ndodhesha në një pikë që isha pjekur mjaftueshëm sa për të vendosur përfundimisht drejtimin që doja të merrja. Pra, duhet të jepja maksimumin tim në një prej tyre dhe profesioni, në njëfarë mënyre, të më përmbushte. Kështu zgjodha artin! Qe një zgjedhje e bërë me shumë lehtësi. Nuk pata asnjë dilemë, e dija se duhet të isha një aktore më shumë dhe jo një mjeke më shumë. Më dukej sikur mjeke kishte mjaftueshëm.

Karakterizoheni gjithashtu nga mirënjohja, edhe kur flisni për pedagogun tuaj Faruk Begollin…

Të thuash se Begolli ishte një profesor i mirë, është pak. Ishte i jashtëzakonshëm. Nuk është kujdesur vetëm për edukimin tonë përmes leksioneve të aktrimit, por ka ndikuar te secili prej nesh, për sa i përket orientimit tonë si qenie njerëzore. Gjithmonë duke mbjellë dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, duke kultivuar disiplinën e punës. Përpiqej që të evidentonte pikat tona të forta si aktorë, karakteristikat specifike. Sepse, edhe pse ne mund të jemi të gjithë aktorë, asnjë nuk del nga shkolla i njëjtë si tjetri. Ai ka bërë të mundur që çdokush nga ne të dalë nga shkolla e të bëjë atë që di të bëjë më së miri. Ishte shumë i afërt dhe njëherazi, shumë i rreptë. Një kombinim i përsosur! Kur ne festonim deri në orët e vona ndonjë premierë, e dinim se duhet të ishim fiks në kohë në prova të nesërmen, pasi nuk kishte asnjë tolerancë.

është kujdesur vetëm për edukimin tonë përmes leksioneve të aktrimit, por ka ndikuar te secili prej nesh, për sa i përket orientimit tonë si qenie njerëzore. Gjithmonë duke mbjellë dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, duke kultivuar disiplinën e punës. Përpiqej që të evidentonte pikat tona të forta si aktorë, karakteristikat specifike. Sepse, edhe pse ne mund të jemi të gjithë aktorë, asnjë nuk del nga shkolla i njëjtë si tjetri. Ai ka bërë të mundur që çdokush nga ne të dalë nga shkolla e të bëjë atë që di të bëjë më së miri. Ishte shumë i afërt dhe njëherazi, shumë i rreptë. Një kombinim i përsosur! Kur ne festonim deri në orët e vona ndonjë premierë, e dinim se duhet të ishim fiks në kohë në prova të nesërmen, pasi nuk kishte asnjë tolerancë.

Keni prekur suksese si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Si e ruani balancën mes ekranit dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun? Si ka ndryshuar Ilirja gjatë këtyre viteve, duke bërë që regjisorët ta përzgjedhin si protagonisten e shfaqjeve/ filmave të tyre?

Ka edhe të tjerë kolegë që janë aktorë si në teatër ashtu edhe në kinematografi. Mendoj se kjo balancë nuk është shumë e vështirë për t’u mbajtur, mjafton të krijosh një shenjë dhe të kuptosh si duhet të luash në skenë e si në shesh të xhirimit. Ndoshta të tjerët mund të flasin më mirë për atë që shohin tek unë. Ajo që unë mund të them me siguri, është se e dua punën që bëj dhe është pikërisht ky starti i gjithçkaje.

Në momentin që ju pranoni një rol, si futeni në petkat e personazhit?

Fillimisht, është leximi i parë i pjesës, që mandej të perceptoj përshtypjet e mia të para dhe t’i shkruaj, pasi janë shumë të rëndësishme. Mandej duhet të jesh shumë i durueshëm për të zbuluar çdo shtresë të personazhit dhe kjo duhet bërë pa rënë në grackën e demonstrimit, por duke mbetur te përjetimi. Pra, duhet të veshësh të gjitha karakteristikat që personazhi ka, jo vetëm një aspekt. Të arrish një dimension brenda kontekstit, që t’i afrohet sa më shumë spektatorit me të gjitha dilemat, pyetjet që mund t’i zgjohen pas asaj shfaqjeje. Do të ishte mirë që pas atij roli, ndonjëherë të ketë edhe debate në publik, që ishte apo nuk ishte kështu. Pra, duhet të sjellësh diçka që t’i ngacmojë dhe t’u afrohet sa më shumë.

Ndër rolet që keni interpretuar, a ka ndonjë prej tyre ku ndoshta e keni gjetur më shumë veten?

Secili prej roleve të mia ka diçka të ngjashme me mua, sepse vjen prej meje, buron nga unë. Çdokush nga ne ka një botë të tijën emocionale, një mënyrë specifike se si i qaset punës, se si e shohim një personazh. Jam e bindur se rolet e mia mund t’i luajë shumë bukur edhe një tjetër aktore. Nuk është se e kam zbuluar unë Telmën dhe asnjë Telmë tjetër nuk do të funksiononte. Ka shumë Telma në botë, po aq sa ka edhe aktore, dhe mendoj se secila prej tyre do ta zbulonte më të bukurën nga vetja brenda një roli. Kështu që mendoj se rolet e mia kanë pak Ilire, por njëherazi rolet janë edhe një vulë, një gjurmë tek Ilirja. Këtë e shikoj po ashtu si një kombinim shumë të bukur.

Dhatë në skenën e teatrit në Tiranë “Natën, Má”, një shfaqje e fortë dramatike, ku ju sillni emocione tronditëse të një nëne. Si e keni përjetuar këtë rol si aktore, por edhe në një aspekt më personal, si nënë e tri vajzave?

Është një rol, një proces shumë kompleks. Kjo, pikësëpari falë tekstit fantastik, pastaj edhe për bashkëpunimin që arrihet. E ndaj fatin e nënës dhe së bijës me një aktore si Egla Ceno, në një mënyrë shumë të bukur, që përcjell ndjeshmëri të lartë. Mandej Ema është e jashtëzakonshme dhe i kushton vëmendje maksimale çdo nuance që ne duhet të kërkojmë dhe të nxjerrim nga vetja. Kjo pjesë më ka bërë që jo vetëm si nënë e tri vajzave të kthej sytë nga vetja, ta vëzhgoj veten, duke pyetur: A ka pasur një moment që unë kam qenë kështu, që kam reaguar në këtë mënyrë?! Pastaj jam kthyer edhe më në kohë, si bija e një nëne, duke pyetur përsëri veten: A kam qenë kështu ndonjëherë? Si jam sjellë me “nanën” e si ajo me mua. Kështu pyetje pas pyetjeje reflektimi është shumë i bukur, kaq personal dhe profesional në të njëjtën kohë. I gjithë ky proces i ka dhënë një dimension më shumë shfaqjes, sepse është një përjetim i ndjerë, i bukur. Është i tillë ndoshta edhe sepse nuk ka përgjigje. Për aq sa zgjat shfaqja, ne prekim, gërmojmë, përjetojmë, zbulojmë, por nuk arrijmë të zgjidhim asgjë. Pra, është një proces, një vorbull nëpër të cilën kalojnë të gjithë njerëzit.

Është një komunikim, siç e thatë edhe ju, shumë kompleks nënë e bijë ai i Telmës me Xhesin. Sa e vështirë është të arrihet kjo urë dialogimi mes palëve në jetën reale, të kuptohesh, të kuptosh dhe të bësh një zgjedhje?

Është e vërtetë, në këtë shfaqje shkojmë drejt komunikimit me një vështirësi të madhe. Diçka që unë nuk e has gjithmonë me vajzat. Pra, si prind, duke dashur të bësh më të mirën, nuk e di se cilën rrugë të zgjedhësh. Nëse duhet të thuash “Po”, apo “Jo”. Mandej janë dilemat se deri ku duhet ta nxitësh. Dilema të mëdha e komplekse që vijnë me shumë ngjyrë. Në shfaqje ndodh komunikimi nën një presion shumë të madh. Ndërsa unë me vajzat kemi një marrëdhënie shumë të afërt dhe dialogojmë lehtë. Kemi punuar shumë të dyja palët në këtë aspekt, i jam dedikuar shumë kësaj pjese.

Ju jeni gjithashtu pedagoge për artet në Prishtinë. Si e shikoni ecurinë e aktorëve të rinj? A ka mes tyre talente?

Mendoj se po rritet një brez i ri artistësh shumë të talentuar. Duke punuar si pedagoge e vërej këtë, mirëpo fati i keq i tyre është se Kosova ka mbetur ende e izoluar. Është diçka të cilën ne e përjetojmë, një padrejtësi shumë e madhe që na është bërë. Një izolim i tillë nuk ka të bëjë vetëm me faktin se dikush duhet të ngjitet në avion e të shkojë në një tjetër vend, por ka të bëjë me dhunën e peshën psikologjike që njeriu e pëson kur është i izoluar dhe nuk ka mundësi për të bërë një zgjedhje të lirë. Ndikon shumë, ndikon keq nga ana psikologjike. Pra, tek të rinjtë nga ky fakt has një lloj shuarjeje të shpresës, mbyllje të vizionit. Diçka e tillë bën që motivimi për punën të bjerë, sepse ata mendojnë se ajo që bëjnë qëndron brenda një kornize, vetëm brendapërbrenda. Në këtë mënyrë, fillojnë kompromiset me veten, çka bën që ndonjëherë të mos hapen disa dyer të cilat, edhe pse mund të mos jemi të vetëdijshëm, janë aty për ne. Izolimi ndihet, është një peshë që e ndiej si pedagoge dhe profesioniste. Shpresoj që diçka e tillë të ndryshojë shumë shpejt, pasi do të ndryshonte mentalitetin dhe qasjen ndaj punës së tyre, sepse fakti që puna mbetet vetëm brenda kufijve, shpesh demoralizon. Zbeh dëshirën, ndjenjën e vetëvlerësimit të ballafaqimit jashtë kufijve. Izolimi mund të bëhet konsumues.

Dy vjet më parë u nominuat nga League of Professional Theatre Women në New York si një nga 20 aktoret më të mira në botë, ndërkohë që jeni vlerësuar me çmime të tjera të rëndësishme. Si i përjetoni të tilla suksese?

Një shprehje e mençur thotë: “Lajkat, çmimet, janë të bukura, duhet t’i shijosh, por të mos i mbash afër. Duhen lënë anash.” Pra, sado që të na gëzojnë, i konsideroj më tepër si një dëshmi se puna duhet të vazhdojë më me seriozitet, përkushtim dhe dashuri. Ndonjëherë më gëzojnë më shumë fjalët e njerëzve, mbështetja e publikut, energjia që ai më jep duke më shpërblyer punën që çdo ditë kam bërë në kinema apo teatër.

Cilat janë emocionet që përjetoni pas një shfaqjeje? A ka ndonjë moment që mund të veçonit?

Ka shumë… Çdo shfaqje, çdo publik, çdo individ që vjen në sallë, më sjell diçka me vete. Përjetimet e publikut janë të veçanta, asnjë natë nuk është njësoj. Mendoj se është kjo që e bën të bukur teatrin, që një person, aktor, i jep jetë një personazhi, duke krijuar njëherazi një audiencë të re. Kontakti me publikun është gjithmonë një komunikim i freskët që ndodh aty për aty dhe që nuk përsëritet asnjëherë njësoj. E vërtetë që i jap shumë publikut, por edhe marr shumë prej tyre.

Dikur patët mundësinë për t’u bërë mjeke, duke iu dedikuar këtij profesioni për tre vjet. Nëse do të ktheheshit pas në kohë, do të rizgjidhnit përsëri aktrimin?

Mendoj se po! Kam shumë imagjinatë dhe ndonjëherë fantazoj: po sikur të isha bërë kështu? Po sikur të kishte ndodhur kështu? Ne kemi një shans të vetëm dhe jetën nuk mund ta paramendojmë, as të kthehemi pas e të shohim se si do të kishte qenë, por unë jam shumë e kënaqur për zgjedhjen që kam bërë. Siç e thash më sipër, jap shumë nga vetja, por njëherazi marr po aq nga të tjerët. Diçka e tillë më bën një njeri shumë të lumtur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Aleksandër Morfov/”Nëse këtu më dëgjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit”
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Në homazh/ Intervista e rrallë me Prof. Dr. Peter BARTL: “Kam ardh me anije deri në Durrës…kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj bukuritë, por Shqipërinë nuk e gjeta si e kam paramenduar…”
Bardhyl Londo: Kalimi në demokraci mbetet akti më i bukur në histori, por, duke parë atë dalldi të papërsëritshme gëzimi, pata parandjenjën se njerëzit po festonin para kohe…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}