Jam thjesht ky që jam

Nga Redaksia 7 Dhjetor, 2020  Filozofi, Humanitete

nga Henry Thoreau
Përktheu nga frëngjishtja: Anila Xhekaliu

Jam i lumtur që mësoj se disa prej fjalëve të mia, ndonëse i kam mbajtur ka kohë sa nuk e njoh veten si autor të tyre, ju kanë prekur. Kjo më fal kënaqësi, kështu që kam arsye të mendoj se kam folur për atë që u intereson njerëzve, dhe se njeriu nuk i drejtohet kurrë kot njeriut. Kjo është merita e letërsisë. Por ato ditë janë të largëta, në kuptimin e plotë të fjalës, sa më duhet ta lexoj këtë faqe për të parë cili ishte kuptimi i mendimeve të mia asokohë. Sidoqoftë, ky shkrim ka vlerë për mua, në mos ngaqë ka origjinë letrën tuaj.
Besoj fort se jeta e jashtme dhe jeta e brendshme janë të lidhura. Nëse një njeri ia del të bëjë një jetë më të fisme, të tjerët do ta flaknin; ndryshimi përfton largësinë. Të rrekesh të jetosh një jetë të vërtetë, do të thotë të ndërmarrësh një udhëtim në një vis të largët, të gjendesh pareshtur i rrethuar nga dekore të reja dhe njerëz të rinj. Por për sa kohë më rrethon bota e vjetër, e di që nuk bëj, në kuptimin e vërtetë të fjalës, një jetë të re apo më të mirë. Jeta e jashtme është vetëm pasqyrim i asaj të brendshmes. Njerëzit nuk fshihen nga zakonet e tyre, por zbulohen prej tyre: janë rrobat e tyre të vërteta. Arsyet e veçanta që do të ishin të zotët t`i jepnin, për të shpjeguar përse u përshtaten janë pa farë vlere për sytë e mi. Jeta nuk është as e ngurtë as e palakueshme, por zakonet tona, ato, janë. Priremi ndonjëherë të flasim kot, sikur një jetë hyjnore do të ndërtohet mbi të tashmen tonë si mbi themele të forta. Kjo do të ishte e mundur vetëm nëse do ta ndërtonim në të vërtetë mbi jetën tonë të vjetër, pa e çarë kokën për afshin e ndjenjave tona, dhe duke e lënë të kalbet të shkuarën tonë. Mullibardha e ndërton folenë mbi vezët e qyqes para se të bëjë të vetat dhe kështu, nuk ngroh vetëm këto të fundit; por fakti që ne – kështu i bie – çelim të gjitha vezët dhe ato të qyqes gjithmonë një ditë më herët se të tjerat, në mënyrë që ky zog të dëbojë mullibardhat e reja të folesë. Jo! Shkatërrojeni vezën e qyqes, ose ndërtoni një fole të re.


E shkuara duhet fshirë. Asnjë jetë e re nuk mund të banojë në trupa të vjetër. Fishken kur ajo lind, rritet e lulëzon. Njerëzit duhet ta pranojnë dhe ta marrin përsipër, mbasi të vjetrën ta kenë lajmëruar vajtueshëm. Përse të durosh mjerimin kur mund të shkosh në qiell? Është balsamim, as më shumë as më pak. Lërini të bien melhelmet e fashat tuaja prej liri, dhe hyni në një trup të sapolinduri. Shikoni në katakombet e Egjiptit rezultatet e kësaj praktike – ky ka qenë fundi i tyre.
Besoj te thjeshtësia. Është po aq e çuditshme sa pikëlluese të shohim sa punë të rëndomta duhet të kryejë njeriu i matur çdo ditë, e sa e lë pas dore më të rëndësishmen. Kur matematicieni duhet të zgjidhë një problem të vështirë, e çliron më parë ekuacionin nga gjithçka penguese dhe e thjeshton në termat më të thjeshta. Gjithashtu, thjeshtojeni problemin e jetës, shquani të nevojshmen dhe të vërtetën. Gërmoni tokën për të shikuar ku shtrihen rrënjët tuaja. Kërkoj t`u përmbahem fakteve. Përse të mos shohim, të mos përdorim sytë tanë? Njerëzit nuk dinë pra asgjë? Njoh syresh më shumë se një që, në punët e zakonta, ndihen të sigurtë për veten, nuk u besojnë dukjeve, numërojnë paranë pa gabuar dhe dinë ta investojnë, që i quajmë të kujdesshëm dhe të mençur, e që megjithatë pjesën më të madhe të jetës do ta kalojnë prapa një tavoline, si arkëtarët në një bankë. Bëjnë jetë monotone, veniten e shuhen. Nëse dinë diçka, përse djallit e bëjnë këtë? E dinë ata se ç`është buka, për çfarë shërben? E dinë se ç`është jeta? Po të dinin vërtet diçka, nuk do të rrinin pafundësisht aty ku janë.
Jeta e respektuar e përditshme, ajo ku mbështetet plot siguri shumë fort njeriu i mirëgjykimit, anglezi i kësaj bote, e mbi të cilën qëndrojnë institucionet tona, është në fakt iluzioni më i madh, dhe do të tretet një ditë të bukur si një fantazmë pa baza.
Por kjo dritëz e dobët, kjo ngjasuese e realitetit, shkëlqen ndonjëherë ditët e vrara të njerëzve dhe zbulon diçka më të qëndrueshme e të durueshme se diamanti: gurin e qoshes së botës.
Njerëzit janë të paaftë të marrin me mend një qëllim kaq të përkryer sa të jetë i paarritshëm. A ka njeri që me ndershmëri e merr si përvojë të tij dhe e pohon? A mundim përsëri të përparojmë kur themi se ëndrrat tona janë të parakoshme? A keni dëgjuar ndonjëherë të flitet për një njeri që gjithë jetës së tij, i vetëm dhe me ndershmëri, është rrekur të arrijë një objektiv e nuk ia ka dalë? Nëse një njeri nuk resht së mikluari një ambicie, a nuk duket si i lartësuar? Kurrë nuk ka ndodhur që një njeri i përkushtuar heroizmit, zemërgjerësisë, të vërtetës e sinqeritetit, të mos ketë fituar asnjë përparësi, të ketë thënë me vete se ishte mund i kotë? Jemi në një mendje, nuk presim që parajsa jonë të jetë një kopsht. Nuk e dimë çfarë kërkojmë. Nëse i kushtohet letërsisë, njeriu ushqen gjithë kohës mendime të bukura, por shumë pak mund të formulohen! Mbetet vetëm që vizioni ynë nuk është kurrë deri në atë pikë i bukur e i paprekshëm sa talenti i pastër, shumë i vendosur, me këmbëngulje të pathyeshme, dhe mbas një mijë dështimesh, të mos ia dalë të fiksohet e gdhendet me fjalë të kulluara e jetëgjata. Nuk duhet ta harrojmë se ëndrrat tona krijojnë faktet më të forta që njohim. Por nuk po flas në të vërtetë për ëndrrat.
Çka mund të shprehet me fjalë gjendet në jetë.
Jeta ime është një fakt që nuk kam pse gëzohem, respektoj vetëm besimin dhe dëshirat e mia. Vetëm për to flas. Situata e çdo njeriu është në të vërtetë shumë e thjeshtë për t`u përshkruar. Nuk bëj asnjë betim. Nuk kam asnjë qëllim ndaj shoqërisë, natyrës apo përsëri Zotit. Jam thjesht ky që jam, a të paktën po filloj të jem. Jetoj në të tashmen. Vetëm sa e sjell në mend të shkuarën, dhe paguaj të ardhmen. Dua të jetoj, zgjedh të thjeshtoj mënyrat e saj. Nuk ekziston histori që tregon si e keqja bëhet e mirë. Besoj në diçka, dhe nuk ekziston asgjë tjetër veç kësaj. E di që jam. E di që është dikush tjetër që di më shumë se unë e interesohet për mua, që, në njëfarë mënyre, jam krijesa dhe prindi i tij. E di që ndërmarrja është e denjë. E di që gjërat ecin mirë, që nuk ka asnjë problem.
Sa i përket qëndrimit tonë – në tërësi e hollësi – cili është ai? Në kohë të mirë kur kqyrim qiellin, çfarë shohim tjetër veç kaltërsisë e diellit?
Nëse doni të bindni një njeri që vepron keq, veproni mirë. Por mos u shqetësoni ta bindni. Njerëzit besojnë atë që shohin. Atëherë, bëni ta shohin.
Ndiqni rrugën tuaj pa u ndalur, silluni rreth jetës si një qen rrotull kolltukut të të zotit. Bëni cfarë doni. Mësoni ta njihni kockën tuaj, brejeni, groposeni, nxirreni që aty e brejeni prapë. Mos jini tepër i moralshëm. Rrezikoni të privoheni nga shumë jetë. Shikoni më larg se moraliteti. Mos jini thjesht të mirë, por jini të mirë për diçka. Sigurisht, të gjitha fabulat kanë moralin e tyre, por i pafajshmi do historinë.
Mos lejoni asgjë të futet mes dritës dhe jush. Respektoni njerëzit, por vetëm si vëllezër. Po udhëtuat drejt Qytetit qiellor, nuk keni nevojë për fletëhyrje. Po trokitët në derë, kërkoni të takoni Zotin, dhe jo njërin apo tjetrin nga shërbëtorët e tij. Për çfarë ka më shumë rëndësi, mos u zini besë shokëve : dijeni se jeni i vetëm në botë.
Shkruaj kështu, si më vjen. Kam nevojë t`ju shoh, dhe besoj do ta bëj, për të ndrequr gabimet e mia. Keni mbase pista për të më dhënë.
Concord, 27 mars 1848

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}