Kafshët e Miguel Torga-s është një univers i skicuar në katërmbëdhjetë  tregime, ku njerëz e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën

Kafshë, është ajo që jemi të gjithë, kafshë!

Mushkë, bretkosë, dem, gjel, qen, harabel, korb, gjinkallë, mëllenjë… të gjithë ne, gra e burra. Me emra të ndryshëm, por të gjithë kafshë.

Me fuqinë  e fjalës dhe shkëlqimin prej poeti, autori portugez Miguel Torga thirri disa syresh, u dha identitet dhe rrethana dhe i futi në letërsi.

Sjellë në shqip nga Botimet PEGI, si i pari libër i koleksionit “Skandal”  Kafshët e Miguel Torga-s është një univers i skicuar në katërmbëdhjetë  tregime, ku njerëz e kafshë bashkëndajnë karakteristikat, si edhe peripecitë e jetës, duke ngritur pyetje thelbësore mbi shoqërinë dhe vetë ekzistencën.

Ky klasik i letërsisë portugeze, u botua për herë të parë më 1940-n. Secili nga 14 tregimet ka një personazh: një kafshë të humanizuar apo një njeri që është thuajse kafshë dhe të gjithë jetojnë në luftë me natyrën, Zotin apo me veten.

Të ndryshëm në  veçantitë e tyre, këto “bishëza”, kafshë e njerëz, janë të gjithë në të njëjtën “Arkë të Noes”, toka amë, të vëllazëruar në një luftë të njëllojtë për jetën e për lirinë. Historitë e tyre, i bëjnë thirrje interpretimit sepse përfaqësojnë dilema shumë njerëzore, por të ndarë si  për njerëzit, ashtu edhe për kafshët. Njeriu është, në këtë libër, një kafshëz më shumë mes të tjerëve e nuk zë një vend të privilegjuar në krijim.

Për  Miguel Torga-n, evolucioni e largoi Njeriun nga natyra, duke e dënuar me humbje dhe udhëton me “Kafshëzat” në kërkim të  thelbit të tij të pazbutur, të pastërtisë së instinktit, duke vendosur në pikëpyetje Zotin, lirinë, shoqërinë dhe marrëdhënien e individit me to.

“Të lidhur kështu, në jetë dhe në vdekje, është gjë e mirë që rasti e solli të të pëlqejnë këto Kafshë. Të vësh bast me shkrim për të ardhmen është lojë e bukur, por është lojë e atyre që tashmë janë dorëzuar, duke humbur të tashmen”, shkruan autori në parathënien e librit.

Kafshët dhe njerëzit që Torga servir në këtë lexim shpesh këmbëjnë tipare dhe instinkte dhe bashkëndajnë.

Libri nis me  Neronin, një qen i vjetër gjuetie. Është  Magoja, macja e dënuar me dashurinë e Dona Saneias, i cili ka këmbyer instinktet dhe lirinë dhe rehatinë e shtëpisë. Madalena është rezistenca e një gruaje e rrëfyer përmes kalvarit të dhimbjeve të lindjes.

Morgadoja, mushka të cilit i bën padrejtësi i zoti; Bamboja është bretku që njeh  shkencën e jetës; Tenorio, një gjel i torturuar nga dilemat; Jezusi, i Biri i Zotit në çdo mrekulli jete; Çiçikallja, një gjinkallë në ndërtimin e vetes; Ladino, harabeli tinëzar; Ramiro, natyrshmëria e dhunës; Farrusko, mëllenja gazmore; Miura, demi me madhështi morale; zoti Nikolau, njeriu-insekt mes insekteve dhe Visente, korbi në përballje me Krijuesin.

Si në një fabul, në të gjithë veprën Kafshët, autori kërkon të fokusojë personazhet – kafshë, emri i të cilëve do i japë trup secilit prej tregimeve, si një qenie njerëzore, me aftësinë e veprimit dhe reagimit, përmes dinakërive që karakterizojnë Njeriun.

Harabeli Ladino, gjeli Tenorio, macja Mago, korbi Visente, etj, marrin kështu sjellje, momente dinakërie, maçoizmi, rehatie, revolte, duke shprehur ndjenjat dhe emocionet të ngjashme me atë që janë veti e sjelljes njerëzore.

Në tregimin “Madalena”,  autori ka bërë zoomorfikimin e personazhit. Ajo përballet e vetme me realitetin e ashpër dhe hera- herës e gjejmë të ndjekë instinkte kafshërore, që nxjerrin në pah zoomorfikimin e saj. Në këtë perspektivë,  hasim një grua të pavarur që vendos e vetme mbi jetën e saj, pozicionohet kundër asaj që i është imponuar nga shoqëria dhe fiton mbijetesën.

Tregimi i fundit i librit, Visente, na vendos përballë një personazhi luftarak dhe guximtar që, për të ruajtur lirinë e tij, ishte i aftë të  përballej me vetë Zotin.

Në fakt, korbi Visente, duke mos iu bindur disiplinës së Arkës së Noes, gjatë përmbytjes universale dhe i  paaftë të qëndrojë i mbyllur, zgjedh lirinë, duke u kthyer autonom dhe i pavarur nga Krijuesi i tij, që do t’i japë flatra për të fluturuar lirisht. Nuk ka dyshim që, si pranëvendosje e personazheve të këtij libri, kjo na vë përpara sjelljes njerëzore duke përfaqësuar rebelizmin e njeriut dhe vullnetin e tij për të luftuar për lirinë vetjake, si një e drejtë e qenësishme.

Për disa kritikë të letërsisë portugeze,  prania e kafshëve është në vetvete e pamjaftueshme që këto tregime të kategorizohen si fabula.

Suadela Balliu, perkthyese e librit me tregime “Kafshet”, botimet Pegi

“Fakti që është vetë kafsha, e cila pikas sjelljen frikacake të njeriut dhe habitet, i jep një peshë të veçantë akuzës dhe tezës së mizorisë së qenies njerëzore. Njerëzit, në fund, sado që i atribuojnë vetes krenarinë e “epërsisë” së njerëzimit, shpesh sillen si kafshë, siç edhe janë: madje në shumicën e rasteve, sillen në mënyrë shumë më pak “humane” sesa kafshët, aq sa edhe vetë këto të fundit ndiejnë neveri”, shkruan  Prof. Joao Camilo dos Santos, Universiteti i Kalifornisë  për librin “Kafshët”.

Autori i shënjuar thellë nga mjedisi i fëmijërisë dhe adoleshencës dhe me imagjinatën dhe kulturën e Trás-os-Montes,- provincës ku u lind dhe u rrit dhe në të cilën i ka vendosur ngjarjet e këtij libri- si një moment thelbësor në kujtesën e tij.

“Kafshët” përbën  një “lexim” të autorit, të vendlindjes së tij, të kohës së tij dhe ka të nënvetëdijshme e dëshirën që vjen me ndryshimin, duke u kthyer në një vend të ndryshëm. Sa i përket personazheve, bishat-kafshë dhe bishat-njerëz  ndajnë karakteristika, askush nuk është ekskluzivisht ai që duket se është: bisha-kafshë ka dimension njerëzor, brendësi personaliteti është filani a fisteku që lexuesi njeh; në bishën-njeri, autori vendos në pah dimensionin kafshë, që bashkohet me atë që e bën individ.

Torga u lind në São Martinho da Anta, Trás-os-Montes më 12 gusht  1907, me emrin  Adolfo Correia da Rocha. Ndoqi një seminar, por mungesa e vokacionit  dhe mosmarrëveshja me Zotin e çuan në Brazil,  ku punoi në arën e një ungji. Ky, si shpërblim, i pagoi kursin e mjekësisë në Coimbra dhe ndodhi mes mjekësisë dhe letërsisë që Adolfo Correia da Rocha e ndau jetën e tij.

Mori pseudonimin Miguel Torga me  1934, duke rritur një lidhje të thellë mes perspnalitetit të tij dhe produktit letrar. “Miguel” emri i krye engjëllit, por edhe i  ngelo-s, Cervantes-it dhe e Unamuno-s, humanistë për të cilët kishte admirim dhe me të cilët identifikohej  për pavarësinë dhe moskonformizmin.

Shkroi poezi, teatër dhe romanca. Qe kritik i Estado Novo,  regjimi korporatist i instaluar në Portugali më 1933-shin, duke paguar për rebelimin e tij me burg dhe duke i parë librat e tij të censuruar. Është nominuar për Çmimin Nobel në Letërsi, vdiq më 17 janar të 1995-s.

Toka, Kafshët dhe Njeriu të vëllazëruar në të njëjtën luftë: Jeta. Kjo vepër është e përshtatur edhe për fëmijë, të rinj e të rritur bashkëpunëtorë në misterin e cikleve të përjetësimit të natyrës së jetës

“Një tregim i shkurtër që të ka pëlqyer, ka gjasë t’u pëlqejë edhe nipërve e

mbesave të tua”, shkruan Torga në hyrje të këtij libri. Në fund, qofshim njerëz a kafshë, qofshim qenie të lira!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}