nga Albana Tali/ Nju Jork

Të gjithë ne para se të hyjmë në një marrëdhënie kemi pritshmëri mbi atë si do jetë jeta jonë në çift. Bazuar në perceptimet personale, disa kane pritshmëri reale; disa jo dhe aq.

Disa kanë pritshmëri jo reale të cilat ngrenë mure dhe bëhen pengesë për një marrëdhënie të shëndetshme. Nëse nuk ndërgjegjësohemi e  fillojmë t’i shohim për atë që janë, ato kthehen në një Kalë Troje, duke e shkatërruar marrëdhënien pak nga pak.

Ndodh të futemi në marrëdhënie me pritshmeri të larta romantike, (pritshmëri të ngritura sa një mal ndonjëherë,) si pasojë të ekspozimit ndaj rrjeteve sociale.

Shpesh harrojmë që jo çdo gjë e postuar është përditshmëria e tyre. Fasada që jeta e postimeve nëpër rrjete ka krijuar sot, është larg asaj jetë që jetohet çdo ditë mes familjes, punës, fëmijëve, shoqërisë – sfidave e problemeve që shoqërojnë çdo paralele të këtyre marrëdhëniesh.

Kur ti vendos lentet e realitetit dhe bëhesh e ndërgjegjshme mbi këtë, atëhere pritshmëritë e tua do jenë të shëndetshme, shumë afer asaj reales.

Përpos kësaj, ecim në marrëdhënie duke qëndruar vetem në pozicion pritës, dhe harrojmë që përjetimi i një momemti romantik është njëlloj shpërblyes, kur iniciativën e marrim vetë.

Hyjmë në marrëdhënie duke besuar shprehjen sa të vjetër aq dhe të pavërtetë: “ Do ndryshojë me kohën”.

Kjo është pritshmëria që vret më shumë. Vret besimin tek personi tjeter dhe tek vetja jonë.

Vret komunikimin e shëndetshem ku, nisur nga pritshmëria jonë dhe zhgënjimi kthehemi në akuzues, duke e bërë tjetrin të kalojë në pozicion mbrojtës “Ti kështu më ke njohur”. E gjithë kjo  përforcon akoma më shumë mendimin se gjërat janë kështu si janë dhe asgjë nuk mund të përmirësohet..

Nëse ne nuk do futeshim në marrëdhënie me këto pritshmëri, por do e pranonim tjetrin me tërë difektet e tij, gjendja jonë emocionale nuk do ishte e ngarkuar nëse do të donim të komunikonim diçka që nuk na pëlqen ose nuk na bën të ndihemi mirë.

Kur pranohemi siç jemi nga të dashurit tanë, e kemi më të lehtë të pranojmë dhe të hedhim hapa të vegjël drejt ndryshimit që nevojitet në marrëdhënie. Nëse ndihemi të gjykuar dhe nën presionin që duhet të ndryshojmë patjetër në mënyrë që të meritojmë dashurinë e partnerit, kjo na ngurtëson, duke ngritur kështu mure në komunikim.

Një tjetër pritshmëri jo reale të cilën duam ta besojmë fort, është që, ne, jemi gjëja e vetme më e rëndësishme për të. Deri diku kjo është dhe duhet të jetë e vërtetë, pasi personi me të cilin vendosim të lidhim jetën bëhet më i afërti dhe më i dashuri për ne.

Por ky mendim duhet vënë në ekuilibër me faktin, që para se të na njihte ne, partneri jetonte, kishte dashuri për njerëz dhe gjëra të tjera veç nesh. Të kërkosh që ai të lere pas dore çdo gjë vetëm që, ti, të ndjehesh e vlerësuar është egoiste dhe e vret marrëdhënien.

Marrëdhënia në çift ka mjaft sfida, prandaj nuk është e shëndetshme t’i shtojmë dhe peshën e këtyre pritshmërive jo reale.

Kjo nuk do të thotë aspak që duhet të pranojmë çdo gjë që na serviret në marrëdhënie, por ndërgjegjsimi mbi atë çfarë është reale dhe jo është një pikë kyçe për ndërtimin e një marrëdhënie të shëndoshë. Mbajini pritshmëritë tuaja sa më afër realitetit, duke shtruar kështu udhën për një marrëdhënie të shëndetshme e të lumtur.

*Autorja është psikologe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

A po na e dikton media jetën, sot?
Si t’i japim stresit krahë që të fluturojë jashtë dritares tonë?!
“Të biem dalort që nuk jemi dakort” – fjalët që mbushin hendekun e të menduarit ndryshe
Krizat janë bekimi më i madh për njerëzit dhe kombet
Kur është momenti që duhet të konsiderojmë të shohim një terapist?
Si të lundrojmë pa dallgë në detin e martesës – 4 principe që duhet të përqafoni!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}