Festivali i komedisë “KoKo Fest” këtë vit po zhvillon edicionin e shtatë, në qytetin e Korçës. Për shkak të pandemisë shfaqjet nuk janë në sallë të mbyllur të teatrit, por në mjedise të tjera jashtë për publikun. Mbrëmja e së mërkurës ishte me komedinë “Zona e pritjes”, me regji nga Fatos Berisha, që përmes humorit godet problemet sociale dhe u shfaq te “Hani i Elbasanit”. Teatri “Migjeni” në Shkodër erdhi në këtë festival me shfaqjen “Zona e pritjes”, vepër e autores kroate Marina Vuçiç. Pas kësaj vepre teatrore këtë mbrëmje vjen teatri “Aleksandër Moisiu”, që merr pjesë me shfaqjen “Shirli Valentina”, që do të jepet për publikun tek parku Rinia brenda të gjitha masave anti-covid. Aktorja e njohur Olta Daku është në komedinë “Shirli Valentina”, me regji nga Driada Dervishi. “Me vrap për në “Kokofest”! Me dëshirën më të madhe për të qenë përsëri “afër” publikut”, shprehej më herët aktorja Daku për komedinë në një status të saj. Shfaqja “Shirli Valentina” u dha për herë të parë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, në vitin 2017. Teatri i Durrësit shprehet se ky ishte bashkëpunimi i parë i aktores Olta Daku me këtë institucion. “Bashkëpunim, i cili u prit e vazhdon të pritet me mjaft sukses. Prej tre vitesh kjo komedi nën regjinë e Driada Dervishit qëndron në repertorin teatror e këtë vit është pjesëmarrëse në edicionin e 7-të të festivalit mbarëkombëtar të komedisë “KoKo Fest”, që zhvillohet në Korçë”, bën me dije teatri “Aleksandër Moisiu”.

Komedia dhe festivali

E vënë në shumë skena të botës vepra “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver”, si komedia më e mirë e vitit 1988. “Shirli Valentina” , që njihet si një nga veprat më të suksesshme të autorit Willy Russell qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze. Por pasi është vënë në mbi 30 vende në mbarë botës, në skenën e teatrit në Shqipëri erdhi për të përcjellë të tjera momente argëtuese. Regjisorja Driada Dervishi më herët ka treguar se roli kryesor Shirli për Olta Dakun, duket se është i shkruar për atë si aktore. Regjisorja Driada Dervishi solli për herë të parë një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell, ku “Shirli Valentina” është konceptuar në formën e një “One woman show” dhe përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Pas bashkëpunimeve të suksesshme në shfaqjet “Vanja, Sonja e Masha, etj” dhe “Sonte luajmë pa tekst”, aktorja e mirënjohur Olta Daku dhe regjisorja Driada Dervishi erdhën në bashkëpunimin e tyre të tretë me një komedi hit, që këtë mbrëmje është në Korçë. Festivali i këtij viti nis më datë 6 shtator për të përfunduar me datë 11 dhe është me pjesëmarrjen e trupave artistike nga Korça, Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Tetova. Një festival, që ka sjellë disa shfaqje teatrore deri tani dhe janë duartrokitur nga publiku. Festivali i komedisë “KoKo Fest” këtë vit mbështetet nga Bashkia e Korçës. Komedia, që hapi këtë festival në edicionin e shtatë ishte ajo me titull “Pas vdekjes”, me regji nga Hervin Çuli dhe me aktorët e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Festivalin e mbyll shfaqja e teatrit të Metropolit “Sot, 8 ditë” me regji nga Elona Hyseni, që do të luhet tek oborri i Muzeut Arkeologjik në Korçë. Ky festival nuk i ka ndryshuar rregullat për sa i përket garës dhe çmimeve, ku trupat profesioniste do të marrin vlerësime nga juria e përzgjedhur. Juria e këtij viti është me aktorët Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku, si dhe me Albert Mingën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!
“Nëna dhe djali” i Jan Fosse: Të mos humbësh kohën me modesti të rreme
Rrënojat e Urës së Bahçallëkut mbeten në lum, vera kalon pa ndërhyrje restauruese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}