Nga Bujar Hudhri

Një ndjenjë të paprovuar gëzimi mund të përjetosh nëse i viziton libraritë në Kosovë këto ditë. Të duket gati e pabesueshme që mund të gjendesh në ato librari gjigante me dy apo me tre kate, ku flitet shqip dhe janë të tejmbushura me libra shqip. Në qendra tregtare, në qendra qytetesh, kioska prej druri në pedonalen pranë Hotel Grandit, të ndërtuara nga Komuna e Prishtinës. Si në një stafetë ka ndodhur çuditërisht mbyllja, zvogëlimi, i tyre në Shqipëri dhe hapja, zmadhimi, i tyre në Kosovë. Nuk ndodhi brenda një dite, por për një periudhë prej gati pesë vjetësh. Në të dyja vendet.

Librari Buzuku, Albi Mall, Prishtinë

Librarët në Shqipëri e kanë pasur shumë të vështirë, në mos të pamundur, për të hapur librari të mëdha. Dhe mbeten po të vogla, ku në disa prej tyre nuk ka vend as për librarin vetë. Si mund të jetë e mbarë, tërheqëse apo e përshtatshme për lexuesit të futen në këto hapësira të ngushta? Dhe përfytyroni lexuesin e sotëm nëpër qendra tregtare me dyqane luksoze dhe hapësira gjigante, në kafene apo rrjete kafenesh si në Paris, që kanë pushtuar pikat më të përshtatshme për biznes, ku askush nuk mund t’i rezistojë frekuentimit të tyre. Hapësirat e ngushta të librarive sjellin një dëm shumë të madh. Nuk mund të kenë të gjithë titujt e botuar, natyrisht, edhe ngjasojnë kështu me minimarketet poshtë banesave tona. Librari të tilla luftojnë për mbijetesë, ndaj janë të detyruara të futin, me të drejtë, mallra të tjera. Por që e ngushtojnë edhe më shumë hapësirën e librit.

Mendoj që janë dy faktorë që kanë ndikuar në këtë situatë: kujdesi i shtetit dhe interesi i biznesit për kulturën në përgjithësi dhe librin në veçanti.

Librari Dukagjini, Bulevardi Nënë Tereza, Prishtinë

Që shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë për librin, kjo duket që me tjetërsimin e librarive shtetërore, duke u lënë dorë të lirë blerësve që të ndryshonin destinacionin e tyre. Me dhjetëra librari dinjitoze që trashëgoi ky vend nga e kaluara, vit pas viti u shndërruan në kafene, lojëra fati, biznese fitimprurëse. Sepse edhe nëpunësi i shtetit, për të përfituar për vete, ka ndihmuar që të mos ua vonojë letrat. Dhe jemi në këtë situatë, ku shteti vetë shpall me bujë që një milion shqiptarë nuk lexojnë.

Ndërkohë që po vetë shteti, prej të paktën gjashtë vjetësh, nuk ka bërë asnjë blerje librash për bibliotekat, por i dha goditjen përfundimtare duke aplikuar TVSH për librin nga 0 % që ishte në 6 %.

Le të ndalemi pak te kjo shifër që në dukje s’është kushedi, mund të mendohet nga ata që e aplikuan. Së pari, solli një detyrim për botuesit dhe librarët që të lëshohet mes tyre faturë TVSH-je, qoftë edhe për një libër. Por ç’është më e keqja, solli një fenomen të panjohur mes librarëve e botuesve, por që nuk e përmend askush. Tani, jo vetëm shitësit me pakicë, por edhe ata shpërndarës me shumicë që kishim, marrin 1 libër, 2 libra, 3 libra! Nuk marrin më libra me kredi prej botuesit, si dikur merrnin 10 deri 100 kopje, apo më shumë. Pse ndodh kjo? Sepse shteti atyre ua njeh sikur i kanë të shitur tashmë librat; atyre u rritet xhiroja fiktivisht, pas një viti ua rrisin taksën. Dhe ata e kanë gjetur zgjidhjen: marrin aq libra sa u kërkon ndonjë blerës që e di se ky libër ekziston, apo kur e shohin në vitrinën e librit në TV. Prandaj, është urgjente që shteti ta heqë këtë taksë, prej së cilës ndikimi në buxhet është pothuajse 0 %, por për librin, sikundër po dëshmohet, po sjell vetëm dëm.

Kisha menduar se biznesi shqiptar do të bënte për librin shumë më tepër sesa shteti. Nuk i mungojnë Shqipërisë shembujt të sjelljes fisnike të pasanikëve shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore, se çfarë kanë bërë ata për shkollimin e të rinjve në Europë, hapjen e librarive, bibliotekave, kinemave etj.

Por ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Merrni të gjithë listën e pasanikëve shqiptarë që kanë supermarkete, grataçela, resorte, hotele, hidrocentrale, fabrika, karburante, dhe t’u bëjmë një pyetje fare të thjeshtë: çfarë kanë bërë ata për kulturën e këtij vendi? Në qindra e mijëra ndërtime të tyre a është kujtuar ndokush të hapë një librari, qoftë modeste? T’i dhurojnë një bibliotekë qytetit ku kanë lindur, shkollës ku kanë mësuar, universitetit ku janë diplomuar? Mbase pyetja mund të bëhej më troç: zotëri, a keni blerë ndonjë libër, a keni dhuruar ndonjë libër? E përfytyroj vështrim e tyre ironik, nëse do t’i lexojnë këto radhë.

Ndërsa Kosova, që ka përjetuar drama të tmerrshme, ka ditur të ngrihet me dinjitet në fushë të kulturës, veçanërisht të librit. Sepse çdo vit shteti blen libra për bibliotekat e çdo komune, qyteti apo shkolle. Sepse botuesit dhe autorët ndihmohen me programet e tyre. Por e veçanta në Kosovë është investimi që biznesi vendas po bën për librin dhe libraritë, sikundër i përmendën në hapje të këtij shkrimi.

Shteti i Kosovës dhe biznesmenët e saj i kanë dhënë një leksion Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}