Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten në Uashington atë që është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme mes dy shteteve deri më sot. Thelbi i marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së është se tashmë Kosova dhe Serbia pajtohen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe angazhohen të bëhen pjesë e një projekti të lëvizjes së lirë të modelit ‘mini-schengen’.

Çështja më e nxehtë, ajo e njohjes reciproke, është lënë mënjanë, me vetëdijen se një hap i tillë do të kërkojë ende kohë. Por, marrëveshja në thelb përfaqëson një shembull sesi pragmatizmi mbi interesat reciproke ekonomike mund të dalë mbi plagët historike dhe ndjeshmëritë e forta nacionaliste, që vështirësojnë marrëdhëniet normale mes dy vendeve. Përfitimet e prekshme ekonomike ndoshta mund ta bëjnë më të lehtë pajtimin dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në modelin e Europës së pasluftës së Dytë Botërore.

Por, kundrejt këtij modeli dhe aspiratave europiane që ushqejnë vendet e rajonit, ajo që tingëllon ironike është se sërish Europa e tregoi veten të dobët për të diktuar konsensus në Ballkanin Perëndimor dhe kompromisi u arrit nën kujdesin dhe ndërmjetësinë e SHBA-së.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova ranë dakord që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë si “një tjetër angazhim historik”.

“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen. Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh,” tha Trump.

Pjesë e kompromisit është që Kosova do të pezullojë për një vit kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Në këndvështrimin politik, një nga arritjet kryesore të marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Izraeli. Kryeministri Hoti dhe homologu izraelit Netanjahu ranë dakord për vendosjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike. Marrëveshja me Izraelin vjen pas një periudhe trevjeçare stanjacioni në arritjen e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Në konferencën pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti detajoi pikat kryesore ekonomike të marrëveshjes. Ajo parashikon financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë dhe një skemë të mbështetjes së madhe financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, të dy palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fisibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të detit të thellë në Adriatik.

Sipas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, marrëveshja përfshin gjithashtu investime të rëndësishme në energjetikë, që parashikojnë sjelljen e një linje të gazit natyror në Kosovë dhe ndërtimit të termocentralit me gaz. Projektet prekin shumën e një miliardë eurove dhe do të finacohen nga SHBA përmes institucioneve të ndryshme të zhvillimit, me angazhimin për nisjen e zbatimit të tyre brenda këtij viti.

Të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energjinë, për studim fisibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji.

Një ndër pikat e marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka të bëjë me pajtimin për të bashkëpunuar me zhvillues të besueshëm të rrjeteve për gjeneratën e ardhshme të komunikimeve të lëvizshme, 5G.   “Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë tashmë të pranishme, të dy palët do të angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në mënyrën e duhur”, thuhet në marrëveshje.

Pas kësaj marrëveshjeje historike një erë e re po fryn në Ballkan. Ky është një hap përpara për të zbutur tensionet në rajon dhe për avancimin e komunikimit me dy vendeve dhe jo vetëm. Ndoshta dhe Shqipëria e Kosova, që prej vitesh po përpiqen pa shumë sukses të krijojnë urë ekonomike duhet të “kërkojnë ndihmën” e presidentit Trump që të tentojë edhe një marrëveshje mes dy vendeve që flasin të njëjtën gjuhë, me synim rritjen e nivelit të komunikimit ekonomik. Qoftë edhe për të hequr traun tek tuneli, që krijon radhë kilometrike për shtetasit e Kosovës. (Monitor)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Rezultati i sundimit sovjetik në Ukrainë
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
Forumi: Të dhëna personale të qytetarëve në rrezik dhe diktatura
Tmerri i Prishtinës, tmerri i Ballcës dhe tmerri i dështimit tonë politik
Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}