nga ERVIN NEZHA

-Sintezë-

Realizmi Magjik si drejtim letrar u shfaq aty nga vitet 1960-70-të, në Amerikën Latine, si një qasje avangardë e cila mori hov dhe u lëvrua në mënyrë të izoluar nga bota, për shkaqe jashtletrare. Të gjitha veprat që u krijuan gjatë kësaj kohe, qenë të pangjashme me ato europiane, qoftë në formë ashtu edhe në përmbajtje. Tipar dallues i këtij drejtimi, qe gërshetimi i realitetit politiko-social me elementin magjik, i cili u jepte këtyre veprave një dimension tjetër universal, sepse krijonte botë hipotetike, ku kufiri ndërmjet të mundshmes dhe të pamundshmes thuajse rrafshohej. Duke mos arritur të indentifikohej dot as me ngjarjen as me personazhin, ajo që mbetej në kokën e lexuesit ishte vetëm parashikimi mbi ngjarjen dhe personazhin. Nga ana tjetër tipar dallues i kësaj letërsie ishte mosmbajtja e një qëndrimi ndaj asaj që emërtohet “magjike” , e shpeshherë, kjo arrihej duke e ngritur ngjarjen në nivel supozimi, pra duke eleminuar rrëfimin subjektiv në dobi të rrëfimit objektiv. Pas përkthimit të disa prej autorëve më në zë të këtij drejtimi si Huan Rulfo, G.G Markez, L. Borghes që shkaktuan mahnitje te lexuesi ynë “i velur” me letërsi soc realiste, qarkullon një mendim, i cili sa vjen e zgjerohet se edhe Mitrush Kuteli, meriton të klasifikohet si një autor i “Realizmit Magjik”, madje pararendës, për faktin se vepra e tij u lëvrua të paktën tridhjetë vite para se të lindte vetë Realizmi Magjik. Kjo në fakt është totalisht e gabur për disa arsye që do përpiqemi t’i radhisim. Së pari, duhet pranuar fakti se termi Realizëm Magjik nuk është i qartë dhe madje për disa studiues të letërsisë nuk duhet të ekzistoj fare, për faktin se vetë letërsia ( vepra letrare) është një botë e trilluar, e cila nuk ka ngjashmëri me botën reale, për arsye se udhëhiqet nga ligje të tjera komplet të pavarura. Dhe së dyti, “Bota e trilluar” është një botë vetëm e vëzhguar, ndërsa bota reale është e vëzhguar dhe e përjetuar, çka do të thotë se duke qënë vetëm e vëzhguar, trilli është elementi i saj bazë, e nëse ne pranojmë këtë, atëhere “magjikja” është mëse e mundëshme në “botën e trilluar”, madje e domosdoshme dhe “realizmi magjik” vetëvetiu bëhet një emërtim i panevojshëm. Nga ana tjetër edhe po të pranojmë pohimin e Aristotelit, sipas të cilit “Botët e trilluara” janë imitime të realitetit, sërish logjika na thotë se “Realizmi Magjik” është një term i cili nuk pi ujë, për arsye se duke qënë se realiteti ( bota e njëmendësisë) e pranon të mbinatyrshmen si “mrekulli” (përjashtim) dhe jo si prishje të ligjeve të saj, atëherë e mbinatyrjashmja “magjikja” në momentin që bëhet ligj e humbet esencë e mahnitjes (mrekullisë) dhe ia faturon atë pikërisht të zakonshmes ( reales). Te Kuteli, pikërisht, në veprën më përfaqësuese të tij, ku magjikja zë vendin të dukshëm, sërish ajo vihet në shërbim të shpjegimit të realiteteve dhe jo për të krijuar realitete magjike. Nga ky vështrim i shpejtë “facebukjan” përjashtohen njëmbëdhjetë tregimet (Tregimet e Moçme Shqiptare ) që janë përpunim i përrallave dhe legjendave të vjetra, sepse ato janë të rishkruara nga Kuteli racionalisht dhe jo me imagjinatë, pra ato vetëm janë risjellë dhe mbeten në thelb krijime të imagjinatës kolektive dhe jo të imagjinatës autoriale. Dhe duke qënë përralla dhe legjenda, ato dihet se kanë në thelb magjiken, pra “magjikja” aty kthehet në ligj që udhëheq botën e trilluar si në përrallat më të zakonshme të ç’do gjuhe. Kështu që hulumtimi më serioz që na mbetet, për të provuar gjurmët e “Realizmit Magjik” te Kuteli, është novela e famshme “ E madhe gjëma e mëkatit”. Mendimi im është se Kuteli ka dashur të rrëfejë një histori të vjetër, sigurisht të stolisur edhe nga imagjinata e tij. Ndoshta në mënyrë rastësore por shumë interesante ai ka vendosur, përballë njëra- tjetrës “ vdekjen e beftë “ të Kalies ( realitet probal) përballë pavdeksisë së Tat Tanushit ( Realitet magjik). Sigurisht që pavdeksia është një element i theksuar magjik, mirpo Kuteli këtu jo vetëm që nuk e shpall pavdeksinë si një privilegj, ashtu siç përpiqen të na e paraqesin alkimistët e mesjetës e ndoshta më vonë autorët amerikanolatinë, por e etiketon atë një mallkim. Kjo e afron Kutelin me realitetin sepse elementi magjik bëhet pengesë për bëmat e heroit dhe jo një “mbimjet” që zgjidh konfliktin e tij artificialisht. Nga ana tjetër Kuteli, pavdekësinë e Tat Tanushit e paraqet të palegjitimuar, që dmth se ajo patjetër nuk është një “pavdeksi” fizike, por një pavdeksi metafizike, sepse realizohet me dy mënyra, e para personazhi shëndrohet në qënie fizikisht transparente, sepse bije ne zjarr dhe nuk digjet, bie ne ujë nuk mbytet dhe e dyta duke shkëputur marrëdhëniet e tij me botën e cila, në thelb e konsumon njeriun. Dhe së fundi, autori qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, e shpjegon “pavdeksinë” e Tat Tanushit. Ai ia atribuon atë një autoriteti, me fuqi të mbinatyrshme që ne e kemi quajtur zot. Dhe në shoqëritë tradicionale, ku besimi vjen si detyrim prej sëjashtëmi dhe ka fuqi të pranohet nga individi pa u përpunuar racionalisht, por me gadishmëri të plotë, atëherë këtu s’kemi të bëjmë më me diçka të jashtëzakonshëm (mrekulli), por me diçka krejt të zakonshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}