Shënime mbi prozën e shkurtër të Ramiz Gjinit

nga Ervin Nezha

Ramiz Gjini është një nga tregimtarët më të kompletuar bashkëkohorë të letrave shqipe, ndërsa proza e tij e shkurtër, ndoshta nga më të nënvlerësuarat. Këtë pohim, e mbështes me faktin, se edhe personalisht, prozën Ramizit, unë e kam zbuluar rastësisht, falë kritikut Agim Baçi. Për të dalluar klasin, mrekullinë dhe stekën e lartë, të poetikës së Ramiz Gjinit do të mjaftonte një tregim i vetëm i përzgjedhur fare rastësisht, ndërsa për të bërë një analizë të thellë, do të duhej që vepra e tij të studiohej e plotë dhe në rend, për hir të ca specifikave që do mundohemi t’i rëndisim ashtu siç duhet. Në prerje tërthore, tregimet e Ramiz Gjinit, mund të klasifikohen në disa kategori, sipas strukturës, motiveve, projeksioneve, por, në vështrimin tim, më saktë dhe më lehtë do qe një klasifikim sipas fazave të krijimtarisë së tij. Ato janë tre, madje e treta ende në proces prodhimi. Duhet të kuptojmë se këto tre faza nuk janë betonite të ngulura, pasi kapërcime motivesh ka dhe janë të pranishme në krijimtarinë e çdo autori serioz.

Vështërsia jonë e komentit mbi tregimin qëndron në faktin e rrokjes së zemrekut të tyre, pa i grumbulluar mekanikisht në emërues të përbashkët, çka do të prodhonte një shkrim shterp, dhe me ecejake të parëndësishme. Në fazën e parë të krijimtarisë futen tregime të tilla, si “Rrëfenja e Bariut”, “Një histori Dembelësh”, “ Isaku vëllaçkoja ynë i vogël”, apo edhe “Kthimi i dajës Alem” etj. Këto tregime, të cilat edhe përse të krijuara në ambjentin e ngushtë të vendlindjes, rreken të prekin edhe tematika universale. Karakteristikë mbetet rrëfimi plot humor, i cili hera-herës shndërrohet në sarkazëm e humor të zi. Mjedisi, të cilin Ramizi e etiketon shpesh si Bibolli, është një projekson në miniaturë jo vetëm i katundeve të Dibrës, por i Shqipërisë në dy sisteme. Një metamorfozë këmbimi identitetesh, mendësish e situatash. Komunisti më i betuar ndërron qyrkun dhe bëhet demokrati ma i zellshëm. Dembeli i pashoq brenda natës “gdhin” si punëtori më i dalluar. Hajduti më i paskrupullt papritmas vjen si i ndershmi më i devotshëm. Ramizi e di si duket, se kushtet më të mira për këmbime identitetesh, janë atëhere kur ndodhin rrëmuja dhe tranzicionet më të mëdha, sepse personazhet kanë mundësi t’i shpëtojnë syrit të botës, e të rikthehen me pamje tjetër, e atëherë kur të qetēsohet stuhia, ata “shkaktarët” e viktimat e saj njëherësh, marrin pamjen e heroit.

Por pavarësisht se ky shndërrim në gjykimin e tyre ka ndodhur në kushte perfekte, ata duhet të përligjin me veprime metamorfozën e tyre dhe kështu që nuk i shpëtojnë syrit të pamëshirshëm të autorit, i cili rrëfen bëmat e tyre për t’i telendisur dhe shkërmoqur, në vëzhgimin e lexuesit.

Në periudhën e parë, vihen re batica e zbatica , ende nuk është kondesuar stili letrar, por, të jemi të sinqertë, edhe aty ku hasim mungesa estetike, plotësimi vjen nga fabula e fortë e tërheqëse, aty ku fabula zbehet përqëndrimi estetik rritet. Një shembull tipik i kësaj periudhe është tregimi i mrekullueshem “Turmë”, i cili ngjason me disa tregime shumë të mevonshme si “Karvani” apo “Qeveritarët” , ku në këto botë të trilluara, të R. Gjinit, mund të themi se pozicioni i rrëfimit të autorit mbërrinë atë pikën kulmore, duke mos i dhënë asnjë sugjerim lexuesit për t’u indentifikuar me personazhet. E duke mos mbajtur autori as qëndrim për këto vëzhgime të jashtme, ajo çfarë mbetet është parashikueshmëria e asaj që do të ndodhi.Në fazën e dytë bie në sy një prirje deduktive, e mënyrës së ndërtimit të tregimeve. Ikja nga tregime të tilla, që nisin me një rast të përgjithshëm që ilustrohej fill me një rast të veçantë, e që shpeshherë kanë karakter arti lustrativ. Në ketë fazë, ndikon edhe largimi i autorit nga atdheu. Vëzhgimi i situatave të tjera, njohja e botës së madhe, braktisja e tematikave të kufizuara. Në tregime të tilla, si “Frika”, “Gruaja e huej”, “Ara e pakorrur”, apo në sagën e tregimeve “Rrefenjat e një kujdestari” , vërtet ndërtimet bëhen ashtu si herën e parë, pra me shpalljen e një parimi të përgjithshëm, por duke ndërtuar finale mbresëlënëse, të cilat u përgjigjen vetëm një numri shumë të kufizuar rastesh për të mos thënë një të vetmi të përkundërt, saqë inteligjenca që provokon ky rast, e zbeh propogandën dhe e eleminon ilustrativizmin. Mendimi i autorit këtu, arrin thellësi të mëdha, falë besueshmërisë që ai ngjall me përdorimin e fjalës dhe gjuhës.

Tregimet e kësaj faze, janë tipike të një arti post modernist, ku situatat dhe motivi i lëvizjes, ndodhin vetëm së jashtmi. Personazhet e humbasin atë karakterin e tyre psikologjik, dhe ajo që ka më të rëndësishme, u vëzhgohet së jashtmi. Prandaj, me të drejtë prof. Agron Tufa, konstaton se personazhet e R. Gjinit, nuk e mbyllin asnjëherë tregimin me të njëjtin vetëbesim, ato udhës shkërmoqen, tradhëtohen, frikësohen dhe e humbasin përmbajtjen. Në fazën e tretë, të cilën unë kam pasur mundësi ta lexoj në dorëshkrime, pasi Ramizi akoma nuk e ka botuar në libër, mund të rendisim tregime të tilla si “Katundi mes malesh “ , “Asgjë e keqe nuk vjen prej muzikës”, “Kapriçot e fatit” etj, ku ndoshta vihet re jo vetëm kulmi i pjekurisë estetike të autorit, por edhe një mënyrë eksperimentale e të shkruarit, çka dëshmon për një mjeshtëri të rrallë. Kjo dëshmon se sa të lehtë e ka Ramizi, ndërtimin e situatave të aksionit, ai përshtat stilin e tij për të rrefyer fabulën dhe nuk pershtat fabulën për të nxjerrë në pah stilin. Prandaj, herë vjen me tregime të ndërtuara induktivisht alla Çehov, e herë i ekonomizuar në forma si Buxati e Kalvino, herë lirik e plot ngjyra ashtu si autorët amerikano-latinë, ku personazhet dhe aventurat e tyre shërbejnë për të njohur botën duke abstenuar lidhjen me shoqërinë. Kjo bën që lexuesi të mos fokusohet tek marrëdhëniet midis vetë personazheve, por te karakteri estetik, i marrëdhënies së rrëfyesit e personazheve si dhe njëherazi rrëfyesit e publikut. Duke qenë se ky shkrim mbetet në vazhdën e ca shënimeve personale, nuk e gjykoj të arsyeshme ta shtjelloj më teper, por vetem të sjell në vëmendje një tregimtar të rrallë, i cili për të shpalosur madhështinë e tij, ka nevojë vetëm të lexohet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}