nga Kastriot Marku

Historia e arsimit dhe shkollës shqipe një moshë më shumë se tre shekujsh e jo sikurse na e ka mësuar gjer më tash historiografia komuniste. Sikur të mos mjaftonte ky keqkuptim i themeluar gjatë periudhës së regjimit komunist (1945-1990), mbi parime dhe kritere thuajse tërësisht ideologjike, kësaj gjendjeje studimore iu shtua edhe liberalizmi dhe papërgjegjshmëria jashtë çdo përfytyrimi i cili në kuadër të lirisë studimore dhe rishkrimit të historisë (1990-2014), përpos disa risive solli po ashtu edhe mjaft amatorizëm. Lidhur me historinë e arsimit (shkollimit) në gjuhën shqipe ka shkruar “kros e i perdhos” këto vitet e fundit. Dashamirësia vullnetmirë, amatorizmi dhe përpjekja prej diletantësh për të marrë një farë protagonizmi studimor në këtë disiplinë, kanë krijuar një dyzinë autorësh, shkrimesh dhe artikujsh që në të shumtën e herëve rezultojnë një përzierje kopjimesh/plagjiaturash të ndryshme, marrje e rimarrje datash, shkollash dhe mësuesisht që përmenden gjithandej dhe tek-tuk edhe nëpër dokumente, pa gërmuar drejtpërsëdrejti në mënyrë të thelluar dhe shterrueshëm në dokumentet parësore të cilat japin qoftë njoftimet fillestare qoftë ato të vijueshme lidhur me këtë argument.

Kjo mënyrë pune ka bërë që mospërputhjet kronologjike të shkollave të para shqipe vjelë e stërvjellë nga autorë të tillë, të cilët më së shumti i kanë marrë të dhënat nga artikujt e njëri-tjetrit e kanë hallakatur problematikën në atë farë mënyre sa e kanë bërë të vështirë jo vetëm për lexuesin e thjeshtë dhe atë të kultivuar, por për këdo që i duhet të merret me këtë tematike që të besojë atë se çfarë shkruhet në “studimet” e sipërthëna. Prej kësaj hallakatje dhe paqartësie puna e parë që i bie të bëjë historiani i arsimit shqip, i cili natyrisht që i ka lexuar të gjitha shkrimet e mëparshme, qoftë edhe kësodore rreth këtij argumenti, është të shkëputet krejtësisht prej këtyre informatave duke nisur rishtas shkrimin e kësaj historie, bazuar në dokumentet parësore që provojnë me fakte praninë e shkollimit në gjuhën shqipe në trojet shqiptare. Vetëm mbasi të jetë kryer ky operacion hulumtues “de visu”, mendoj se duhet të rilexohen shkrimet/studimet e kryera deri më tani, në mënyrë që ndërpritet kjo lloj “metologji pune” e cila nëse do të ishte bazuar dinjitetshëm dhe profesionalisht vetvetes, parimisht nuk duhej të shmangej, por nisur nga kushtet dhe rezultatet e mbërritura deri tani, mbetet më e udhës të ndiqet rendi i përkundërt; për të tëharrur më në fund ndonjë përputhje dokumentare, kronologjike apo përfundim të arritur i cili mund të meritojë të integrohet sikurse e meriton nderi i punës kërkimore shkencore. Shumica e shkollave të para shqipe të datuara të hapura në shekullin XVI-XVII-XVIII, përgjithësisht kanë qenë shkolla katekistike të doktrinës së krishterë në mjediset e popullsisë katolike, ndaj ndjekja e këtij intinerari kërkon para së gjithash një njohje të mirë të funksionimit të modelit të këtyre shkollave sipas udhëzimeve të dhëna nga Konçili i Trent-os. Është kjo arsyeja se në gjendjen e dritashmë të studimit historia e shkollimit në gjuhën shqipe nis pikërisht në famullitë, qelat, kuvendet dhe mjediset e selive ipeshkvore. Mendoj se është i pafalshëm kualifikimi i këtyre shkollave me terma të tillë si: “shkolla fetare”, “shkolla klerikale”, “shkolla arbërore” apo më keq ende si “shkolla të mesjetës” etj., terma këta krejt të panevojshëm dhe madje jashtë kontekstit historik dhe terminologjik, kur kjo gjë mund të bëhej dhe bëhet fare lehtë me terminologjinë e duhur që ofron historiografia përkatëse, natyrisht e vendosur dhe e mbështetur kjo në kontekstin dhe specifikat shqiptare. Institucioni shkollor më i rëndësishëm në territorin e sotëm të shtetit shqiptar prej fillimeve të shkollimit në gjuhën shqipe e deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, saktësisht deri kur hapet Seminari Papnor në Shkodër (1859), Shkolla Françeskane (1861) dhe “Mësonjëtorja” e Korçës (1887), qe shkolla e Kurbinit (1632), e krijuar dhe e financuar nga Kongregata e Shenjtë e Propagandës Fide. (Pjese e nje studimi te plote. Mars, 2014).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Letërkëmbimi i panjohur me Androkli Kostallarin/ Një vit para pushkatimit, Genc Leka kërkoi të bëhet bashkëpunëtor në Institutin e Gjuhësisë, por…
In memoriam – Remzi Pernaska, gjuhëtari i shquar, mësuesi e pedagogu i përkushtuar i shqipes e kulturës shqiptare
Eseja dhe eseizmi
Konica në 1897: Ingledhé dhe jo Angli!
Biografi: Sotir Papahristo
Studiuesja gjeorgjiane: Ngjashmëri intriguese midis shqipes dhe armenishtes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}