“Në botën e arbëreshëve të Italisë” ka qenë i pari libër që bleva gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri. Gjatë atij udhëtimi do të blija të tjerë libra, por ky qe i pari. Ishte fundi i verës së vitit 1987 dhe bëja pjesë në një grup studentësh arbëreshë që ndiqte kursin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Nga Matteo Mandala


“Në botën e arbëreshëve të Italisë” ka qenë i pari libër që bleva gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri. Gjatë atij udhëtimi do të blija të tjerë libra, por ky qe i pari. Ishte fundi i verës së vitit 1987 dhe bëja pjesë në një grup studentësh arbëreshë që ndiqte kursin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Mbaj mend sesi kureshtja e natyrshme e arbëreshit që për herë të parë vizitonte atdheun mitik të të parëve përplasej dhunshëm me realitetin e një vendi që na u shfaq qysh në fillim në tërë zymtësinë, trishtimin dhe prapambetjen e thellë ekonomike. Nga ai udhëtim prisja të zgjeroja njohuritë e mia, çka ndodhi vërtet, por nuk prisja të përjetoja ato përshtypje që më lanë mbresa të thella.
Në vend që të na vendosnin në Tiranë, sikurse ka kishin premtuar, na degdisën, “për arsye sigurie”, në një hotel të plazhit të Durrësit: ato ditë ambasada italiane ishte e rrethuar nga policia sepse brenda mureve të saj ndodhej familja Popa që kishte kërkuar strehim politik. Mund të merret me mend gjendja që u krijua mes ankimeve tona të drejta për izolim dhe sikletit të shoqëruesve që përpiqeshin me çdo mënyrë të na kënaqnin sa mundeshin. Një ditë fundi shtatori u organizua një ekskursion. Rrugës për në Berat, ndërsa përshkonim qytetin e Lushnjës me një autobus të vjetër, më zuri syri librari. Kërkova dhe m’u dha leja ta vizitoj. Zbrita me nxitim nga autobusi dhe iu afrova shitëses, e cila po ngjiste në derë një fletë ku kishte shkruar: “me raport mjekësor”. “Jemi mbyllur, shok!”, më tha duke me treguar fletën. Mirëpo ato çaste mbërriti një djalosh me një pako me libra dhe shitësja u detyrua ta hapte derën. Rrëmbeva librin e parë nga pakoja e sapohapur mbi banak dhe pa lexuar as titullin pagova dhe dola jashtë. Më në fund kisha në duar një libër të botuar në Shqipëri! Sapo hipa në autobus lexova kopertinën: Eqrem Çabej, Në botën e Arbëreshëve të Italisë. Ishte si një shenjë ogurmirë! Ai titull më bëri aq shumë përshtypje sa fshiu si me magji absurditetin e situatës ku gjendeshim dhe më ngrohu zemrën, duke më dhënë kurajën për ta vazhduar deri në fund atë udhëtim të çuditshëm.
Në parathënien e shkruar nga një tjetër studiues i shquar, prof. Mahir Domi, lexova shprehje që më kanë mbetur në kujtesë dhe që i përsëris sa herë më bie rasti t’u shpjegoj shqiptarëve rolin që lozën historikisht arbëreshët në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të formimit të lëmenjve të ndryshëm që përbëjnë albanologjinë e sotme. Mahir Domi vinte në pah njohjen e thellë dhe vlerësimin e Çabejt për atë rol, duke e mbyllur parathënien me fjalët: “Botimi i kësaj përmbledhjeje do t’i shërbejë shumë jetës sonë shkencore e kulturore, do të bëjë të njohura në rrethe të gjera aspekte me interes të historisë së kulturës shqiptare, të pasurive shpirtërore të popullit tonë, studime këto me vlerë të një figure të shquar të shkencës sonë”.
Sot për hir të së vërtetës nuk kam të dhëna të sakta mbi efektet dhe ndikimin që ushtroi ky libër ndër lexuesit dhe studiuesit shqiptarë. Mund të flas vetëm për ndikimin që ushtroi tek unë, asokohe student i ri, që hidhja hapat e parë në botën magjepsëse të albanologjisë. Leximi i asaj përmbledhjeje studimesh ngjalli tek unë një nderim të menjëhershëm për nivelin shkencor të Eqrem Çabejt, nderim që gjatë viteve në vijim u konsolidua e u shndërrua në një vlerësim objektiv të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në lëmin e studimeve arbëreshe. Udhëzimet e vyera metodologjike të Çabejt, interesi i sinqertë dhe ndjenjat e tij miqësore për arbëreshët që rrezatonin faqet e atij libri mund të them se përcaktuan zgjedhjen time për t’iu përkushtuar kërkimeve albanologjike. Edhe për këtë arsye fjalët e Mahir Domit e ruajnë ende sot të njëjtin vitalitet që më trazoi asokohe ndërgjegjen.Angazhimi i gjuhëtarit dhe filologut që e kishte zënë fillin me studimet vjeneze, u konkretizua me studime të shumta që u botuan gjatë periudhës mes viteve ’30-’50. Po t’i shohim këto studime nga një pikëpamje globale, do të vëmë re se metoda e zbatuar nga Çabej mbante gjurmët e mësimeve të profesorit të tij të madh, Norbert Joklit, dhe të veprës së tij Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (1923), vepër që kishte përuruar – sikurse thoshte Carlo Tagliavini – një «model të historisë gjuhësore-kulturore një një fushë veçanërisht të vështirë» si ajo e albanologjisë. Veç kësaj, disa shqyrtime të tjera krahasuese mbi punimet rinore të Çabejt më lejuan të evidentoj karakterin thellësisht shkencor të sistemit të tij hermeneutik.
Përfundimet e mia nxirrnin në pah jo vetëm rolin e rëndësishëm që luajti Çabej qysh në fillim të viteve ’50 për t’i hedhur themele të forta shkencore ngrehinës së filologjisë shqipe, por edhe përpjekjet e tij titanike në përvijimin e kufijve të rinj epistemologjikë të Albanologjisë, a thënë ndryshe, të asaj shkence ndërdisiplinore që ai parapëlqente ta quante “Albanistikë”, duke zgjedhur një term të traditës perëndimore dhe evropiane, në vend të asaj sovjetike.
Në fakt, Çabej ishte ndër të paktët studiues që vinin në qendër të vëmendjes tekstin, problemet dhe strukturën e tij, – në radhë të parë gjuhën, por edhe stilin, pra, formën dhe shkrimin, – pa lënë mënjanë edhe gjithçka që rrethonte tekstin (autorin, kontekstin historiko-kulturor, diakroninë tekstore). Ai nuk iu nënshtrua kurrë prirjeve ideologjike të pedagogjisë popullore, e cila i kërkonte shkencës t’u përshtatej me çdo kusht nevojave divulgative dhe propagandistike të regjimit. Qëndrimet e tij, të karakterizuara nga maturia, takti dhe thellësia e mendimit sot marrin vlerë të veçantë dhe na japin përmasat moderne të shkencës së albanologjisë nëse i shohim në tërësinë e tyre, pleksur bashkë aspektet gjuhësore me ato kulturore, pra, qoftë kontributet organike dhe sistematike, si botimi kritik i “Mesharit”, qoftë edhe studimet me frymëmarrje të gjerë historiko-kulturore si ato që përfshihen “Në botën e arbëreshëve të Italisë”.
Nga ky kënd vështrimi hulumtimet e tij në botën arbëreshe marrin një vlerë të jashtëzakonshme, do të thosha strategjike për fatet e ardhme të albanologjisë. Me anë të tyre Çabej shpërndau mjegullën e dendur që kishte rrethuar historinë, gjuhën, letërsinë, kulturën dhe etnografinë arbëreshe dhe u rrëfeu udhën studiuesve të rinj për një qasje epistemologjike më moderne e organike ndaj studimit të çështjeve ende të hapura të botës sonë arbëreshe. Jo rastësisht, Çabej i konsideroi arbëreshët si një burim të pashtershëm për njohjen dhe studimin e historisë së gjuhës shqipe si edhe të përmasave të saj antropologjike e kulturore, duke u njohur atyre një rol që për fat të keq ende sot nënvlerësohet: “Nga këto vatra të shkëputura, nga ky “gjaku ynë i shprishur”, si shprehet Jeronim De Rada, ato të Italisë nga pikëpamja kulturale zënë vendin e parë. Bijtë e shquar që kanë dalë prej këtyre vatrave të andejdetit kanë vënë një gur themeltar në ndërtesën e një kulture shqiptare”.
Nëse gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit albanologët arbëreshë kanë sjellë dëshmi të reja që konfirmojnë përfundimet ku mbërriti Eqrem Çabej, merita për këtë i shkon edhe atij që në kohë të vështira, falë kontributeve të shumta dhe refleksioneve stimuluese, diti të çelë shtegun dhe të tregojë udhën për t’u ndjekur. Asnjë gur, sado i lashtë, nuk ka gojë të dëshmojë për historinë po nuk e bëri të flasë arkeologu i ditur. Eqrem Çabej i dha gojë historisë së arbëreshëve dhe rolit të tyre në kulturën kombëtare e për këtë arbëreshët do t’i jenë përjetë mirënjohës.
(Marrë me shkurtime nga libri i M. Mandalà-së me titull “Studime albanologjike”, botimet “Naimi”, Tiranë 2018, botuar se pari ne ExLibris)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}