Nga Namir Lapardhaja*

Agimi zë e feks rrezet e para mbi qytet. Luginën e Osumit e lëmë në të majtë dhe udhëtojmë prapa në kohë. Heshtja e maleve është dëshmia e vetme e ekzistencës së tjetërfartë të një natyre të egër. Larg prej Beratit shfaqet Tërpani. Për ironi, ka mbetur një tabelë që tregon toponiminë orientuese të fshatit të boshatisur. Gjatë rrugës, jemi shkëmbyer vetëm me një makinë. Njerëz që zbresin në qytet për të dëshmuar jetën. Prej këtej, duket qyteti, përjetësisht i shenjuar nga bardhësia, iluzor dhe që mbart në vete dashurinë e vendlindjes.

Shmangim aksin tradicional të bërë të famshëm prej udhëtimit të Duçes, duke mos vijuar për Rehovë. Kthehemi për në Ujë të Zi. Ndjekim gjurmët e hershme të karvaneve që lidhnin dikur Beratin dhe Skraparin me Korçën. Në sfond shfaqet panorama e mrekullueshme e Tomorrit të zymtë, i cili ka zhveshur gunën e bardhë të borës dhe ka hedhur velin e reve mbi krye. Jemi duke e lënë pas. Na ndjek i heshtur. Rrugën na e tregon inercia e çakullit dhe baltës. Shoqëri na bën rrënimi dhe braktisja.

Gomat e foristradës e ngrenë ujin në xhamat anësor. Shoferi e maksimalizon shpejtësinë sa herë që sheh gjurmë uji në rrugë. Balta është futur në makinë. Kap disa toptha të vegjël dhe i nxjerr jashtë. Disa shkronja të gdhendura mbi një pllakë që qëndron në murin e një ndërtese, gjysmë të lyer me bojë dhe gjysmë me gëlqere, na informojnë se është shkolla 9-vjeçare “Ferit Vokopola”. Pak më tej një ndërtesë e braktisur, e rrethuar nga ferrat dhe mollët e egra. Është xhamia e rrënuar e një fshati të braktisur. Jemi në Vokopolë, vendlindjen e një prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Koha ka ndalur. Disa kuaj kullosin në qendër të fshatit. Nuk duket asnjë njeri. Miqtë fillojnë shpotitjen për shenjat e pashlyeshme të qytetërimit osman mes maleve dhe qyteteve tona. Xhamia dhe Ura e Kasabashit i kanë rrezistuar shekujve.

Rruga gjarpëron dhe shoqëri na bën vetëm  mungesa e jetës. A jetojnë njerëz në këto vende? A lindin fëmijë në këto fshatra? A shkollohen, edukohen, rriten, martohen? A vdesin njerëzit e këtyre zonave?

Ajri kundërmon aromë të athët dhenësh. Një qen shfaqet anës nesh. Trembemi dhe fillon humori. Është miqësor. Tundja e bishtit e nxjerr zbuluar.

Nëse nuk do të kishim lënë në kohë Buzin dhe të zbrisnim në rrugën e asfaltë të Ballabanit, perëndimi do të na kishte kapur peizazhit të kuqerremtë ndër male.

Defekti i makinës së parë është i pranueshëm, krahasimisht me atë të së dytës në ditën pasardhëse. Ndalojmë gjatë në Urën e Dragotit dhe pas disa orësh nisem me dy prej miqve të mi në këmbë për në Urën e Leklit, ku pak kilometër më tej qëndrojmë në Ujin e Ftohtë të Tepelenës. Pjesës tjetër të grupit i ka ardhur në ndihmë Dini, i cili na bashkohet me automjetin e tij për të na shoqëruar atë ditë dhe të nesërmen në një udhëtim të paharrueshëm mes malesh. Dini Mosho është një personazh që mund të gjendet vetëm në shënimet e udhëtarëve. Ai nuk është vetëm pedagog i letërsisë anglo-amerikane në Universitetin e Gjirokastrës, guidë shoqëruese me eksperiencë dhe me një bagazh të admirueshëm njohurish, por, mbi të gjitha, ai na shfaq disa cilësi të rralla njerëzore që dalin vetëm në lartësitë e maleve. Afria me qiellin i skalit njeriut urtësinë dhe njerinë. Dita e parë e udhëtimit perëndon në “kodrën e kuajve” në “Asim Zenel”. Ndriçimi i fshatrave në Malin e Gjerë rrezaton larg dhe prej aty troket vetëm magjia e dritave. Mbrëmja e ka zhytur qytetin pa njerëz të Gjirokastrës në shkëlqim.

Të nesërmen ngrihemi herët. Shohim shtëpitë e vjetra të familjes fisnike të Zenebishëve. Si një fantazmë mitike, në këtë qytet gjallon vetëm guri. Të dielën jeta zgjohet vonë. Rrugicat e tij më fusin thellë në letërsi. I kujtoj miqve një fragment nga “Darka e gabuar”, ku shoqja Ganimete nis gjahun ndaj zonjave të qytetit dhe brenda një dite hedh të vdekura mbi kalldrëm Zonjën Fico, Zonjën Turtulli, Zonjën Kokalari dhe Zonjën Çoçoli. I thërret “shoqe” dhe ato plandosen pa jetë në kalldrëm. Më ngjan sikur po kaloj bash në të njëjtin vend.

Ndërsa bisedat marrin rrugë, përpara na shfaqet Çajupi. Hija e malit vezullon mbi kokat tona. Retë janë shndërruar në kurorë të bardhë prej drite. Në Çajup, na tregon udhërrëfyesi ynë, i përjeton të gjitha ciklet atmosferike në shumë pak kohë. Bora, shiu dhe dielli ia lënë radhën njëri-tjetrit sa hap e mbyll sytë. Shkurret e murrizit janë rritur dhe kanë lëshuar kokrra. Ndalojmë dhe, sapo shoqëruesi na flet për vetitë kurative, fillojmë i këpusim.

Pasi ke ngjitur lartësinë e malit, të shfaqet një luginë e jeshiltë dhe një rrafshnaltë e pafundme vezullon ëmbël, ku dielli ka nisur të zhytet thellë mes flokëve të reve.

Kreshtat e kristalta të Çajupit shfaqen si frone zanash. Koha aty merr trajtë ireale dhe je zhytur një bote fantastike. Lugina vijon mes maleve, kurse shkëmbinjtë formësojnë trajta të ndryshme, të cilat duket sikur janë skalitur nga një mjeshtër i kujdesshëm i punimeve të gurit. Horizonti është konstant malor dhe rruga gjarpëron mes disa pirgje gurësh me shkopinj mbi sipër. Arsyet duhet të jenë tek domosdoshmëria e shenjave për të treguar rrugën barinjve gjatë periudhës së vështirë të dimrit me borë.

Rrafshnaltat e mëdha shtrihen në pafundësi dhe përpara shfaqen disa shtëpi karakteristike të një arkitekture tradicionale të mirëmbajtur, ngjashëm me atë të qytetit jugor. Në skajin e largët të fshatit dallohet një kishëzë, zhytur mes pyllit të dendur si ujëvarë në të gjithë këto vise.

Kemi mbërritur me shumë vonesë në Poliçan. Udhëtimi biblik është shoqëruar jo pa andralla. Por shoqëria dhe embëlsia e miqësisë kanë bërë të harrohet gjithçka.

Pas një dreke plot shije, horizonti fillon e ndryshon me të shpejtë. Mugëtira ka hedhur velin dhe nis e zbret pa u kuptuar. Ajri fillon dhe rëndohet. Muzgu ka zbritur me parashutë mbi Zagori dhe derdh mbi luginë një përndritje ngjyrash. Po zbresim.

Me zbritjen nga malet, zbret brenda nesh edhe një kënaqësi shpirtërore. Dalim në rrugën kryesore për të kapur kohën. Rrjedha e së cilës derdhet mbi asfaltin e rrugës automobilistike. Ora shënon 20:30 dhe na duhet të kthehemi në Berat me një furgon të linjës urbane, të faturuar në momentet e fundit. Mes maleve, jeta merr tjetër vlerë. Ajo përqëndrohet në sensin e kundërt dhe ka ligjësi të tjera. Janë dritat e makinave  që na kujtojnë se ka nisur rrjedha normale. E nesërmja gdhin e hënë.

E shtunë-e diel, 10-11 tetor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Shifrat tronditëse në diktaturë/Fëmijët pas telave më gjemba
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Në homazh/ Intervista e rrallë me Prof. Dr. Peter BARTL: “Kam ardh me anije deri në Durrës…kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj bukuritë, por Shqipërinë nuk e gjeta si e kam paramenduar…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}