nga Alban Tufa

Kam lexuar shumë libra me poezi, poetë nga e gjithë bota, dhe të jem sinqertë (aq sa mund të jetë dikush me veten) nuk është se kam bërë ndonjë kushedi se çfarë gjëje madhështore. Po ashtu kam lexuar shumë romane, libra memuaristikë, tregime, sidomos tregime, më të mirët e botës. Sigurisht, kam lexuar edhe shumë e shumë libra gazetarie, marrëdhëniesh publike, marketingu, dhe libra të tjerë që lidhen me shkencat e komunikimit (këto pak, ose aspak të lexueshëm me kënaqësi, por sigurisht me detyrim). Doemos kam shkruar, kam shkruar artikuj gazetarie, reportazhe, tregime, ese, dhe poezi, sidomos poezi, jo se kam shkruar shumë-shumë, por gjithsesi kam shkruar, mbi 500-600. Madje edhe kam fituar disa çmime, mendoj, jo i kam fituar, por m’i kanë dhuruar. Çmime në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Më falni! Po vjen kamerieri të më sjellë kafenë (prisni një çikëz, sa t’i hedh sheqerin). Ky njeri ma ndërpret përherë mendimin, ngaqë nuk më sjell gotë dhe ujin ma shërben veç me shishen e vet. Ndjesë!

Po thosha (unë po shkruaja në fakt në ekran të celularit dhe ju po lexonit në fakt po në ekran të pajisjes suaj elektronike) që kam shkruar, dhe kam postuar shumë prej atyre shkrimeve (fjalë shumë trap-e, nëse jam i saktë leksikisht). Vini re! Thash kam postuar jo botuar. Kam postuar në facebook, e nga aty me o pa leje, njerëzit i kanë shpërndarë nëpër profile dhe faqe të tjera. Sa mirë kanë bërë! Por akoma nuk kam botuar, e jo më të më botojnë kështu, beftë, si dhuratë, si nderim (pfff) dhe më e keqja, ose më e mira, se di në apo kur do botoj. A doni t’i dini arsyet? Jo? S’ka hiç gjë. Aq më bën. Unë po i shkruan, ju, sigurisht që do i lexoni, madje duke iu brerë ndërgjegjëzka juaj. Mos e rritni kuriozitetin, arsyeja e parë është e thjeshtë: nuk kam pasur lekë. Thonë s’e duhen rreth një milionë. Si mund t’i bëjë njeriu gjëmën vetes duke paguar për të, madje edhe plotë një milionë lekë, që sado të jenë “të vjetra”, janë shumë gjithsesi shumë?!

Arsyeja e dytë, është disi utopike, dhe mbart pak habi aty brenda nëpër të. Sa e sa herë e pyes veten, po si more, nuk të doli as edhe një botues, që të të thotë, ose më sakt të të shkruaj, grahi se do të të botoj unë?! Kjo arsye më mërzit më shumë se e para.

Arsyeja e tretë, që fare mirë mund të ishte arsyeja e parë, më mungon ajo vetëdije, ose e kam me tepri atë vetëdije për atë çfarë shkruaj, gjë e cila më shndërrohet herë pas here në frikë. Shpesh frikë nga vetja, më shpesh frikë nga të tjerët. Çudi

Arsyeja e katërt, kjo është më sakt, aftësi më shumë se sa arsye. Sërisht nën zë do pyes dikush nga ju, (se njëri do pyes sidoqoftë), për çfarë na qenke i aftë zotrote? Dhe atij i them që jam i aftë të dalloj poezinë e keqe, dhe sidomos tregimin e keq, për të mos përmendur romanin. Të treja bëjnë muuu, sidomos poezia. Nuk jam i aftë për të analizuar letërsinë e mirë, e di këtë, po asaj të keqes, i thej kokën, ose jo ia thej, por ia gdhend, ashtu siç do doja t’ia gdhendja atij që e ka shkruar. Ja t’u tregoj një histori (ndodhi) të shkurtër. Para një viti isha bashk me mikun tim Behar Jacaj në një festival poezi, diku në trojet tona amë. Po lexoheshin poezi. Anjëra s’po më pëlqente, derisa i erdh rradha këtij mikut tim. S’e kisha lexuar më parë poezinë që lexoi. E shijova fort. Shkruan mirë, ose shumë mirë. Edhe pse nuk e njohin. As mua, dmth të dyve pak na njohin. Kur u kthye ia kërkova të ma niste në mesenxher poezinë që lexoi. E shijova ndryshe kësaj here, me kënaqësinë që ta jep veç leximi, sidomos leximi i poezisë. Pastaj vazhdoi radha, brram-e-brrum duke lexuar poeziçka dhe vjershëza, deri situata (për mua) u bë e padurueshme. Këtu e pyes Beharin:

-A e di se cila është gjëja më e keqe ndër gjërat e këqija?

Më sheh me habi, dhe pasi vë buzën në gaz më përgjigjet:

-Jo. (E dinte i poshtri po hë)

-Gjëja më e keqe ndër më të këqijat, është poezia e shkruar keq.

Qeshim të dy, me të madhe. (Këtu e zbulova që e dinte)

Pikërisht kjo është aftësia, arsyeja dhe mangësia njëherësh: mosdakordësia me letërsinë time si të mirë.

Ndërkohë bota e letërsisë më anë tjetër gëlon nga botimet, romane, poezi, ese, tregime, madje edhe libra me kujtime. Të rinj që nuk kanë mbushur 25 vjeç kanë shkruar disa romane, disa vëllime me poezi, madje dhe eseistikë, ose mos o Zo’ ma keq, edhe kujtime. Po, po. Kujtime, veçse kujtime nga fëmijëria. Ja kështu gëlon bota jonë letrare, si një vullkan. Letërsia po na zëvendëson edhe bukën, sidomos në facebook (që rimon me bukën) dhe në instagram. Por jo një bukë dosido, veçse një bukë dingas me maja, me një brendi të fryrë, që jo vetëm nuk të ngop, por të bën dëm, dëm të madh, deri në tmerr.

Tani më duhet ta mbyll, jo se nuk kam ç’të shkruaj më, por nuk kam kohë. Më duhet edhe të punoj, sidomos të punoj, për të jetuar disi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}