nga Valbona Nathanaili

Botuesja Mariana Ymeri kishte postuar që: “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) ka marrë nismën për krijimin e Urdhrit të përkthyesit”. Personalisht ulem me dëshirë për të përkthyer një libër dhe respektoj pamasë të gjithë ata që e ushtrojnë përkthimin, si pasion apo profesion. Në rrjedhojë, ndjek çdo lajm që vjen nga kjo fushë. Duhet të theksoj, që pjesa më e madhe e atyre që merren me përkthimin e librave (artistikë dhe akoma më shumë të librave që i përkasin një profesioni të caktuar) në Shqipëri, sot dhe në të kaluarën, kanë qenë përkthyes jo profesionistë, kam parasysh që nuk kanë mbaruar shkollën për këtë punë dhe aq më pak të kenë pasur ndonjëherë një çertifikatë.

Por, le të kthehemi te QKLL. Së pari, është agjenci shtetërore, si e tillë, rregulli numër një për institucionet brenda shtetit është ndarja e kompetencave. Po shpjegoj: Të gjitha institucionet shtetërore që kërkojnë përkthyes, kanë rregullat dhe protokollet e tyre për licencim, për shkak të njohurive shumë specifike që kërkohen, kështu të tjera njohuri kërkohen nga një përkthyes ligjor dhe të tjera nga një që përkthen shkencë. Deri tani kështu ka funksionuar (për shembull, ministria e drejtësisë certifikon përkthyesit e saj, por pa guxuar të krijojë urdhrin e përkthyesit, pikërisht sepse kupton absurditetin e rastit). Për të mos u shkelur ky parim, i bie që QKLL të licensojë përkthyesit e librit artistik. Këtu fillon gjithë paradoksi dhe edhe argumenti i dytë.

Të krijosh Urdhrin e Përkthyesve, është njësoj si të krijosh “Urdhrin e Autorit”, “Urdhrin e redaktorit” ose “Urdhrin e lexuesit”! As në kohën e komunizmit, që duhet thënë se kishin shumë fantazi kur binte fjala për urdhra e organizime, nuk i ka vajtur njeriu në mend ta krijojë. Po shpjegoj: kur kemi Urdhër, të gjithë anëtarët e tij duhet të zbatojnë normat e standardet e vendosura me ligj nga ministri nga varen (në këtë rast nga ministri i kulturës). Për të mos përmendur faktin që pjesëmarrja në urdhër kërkon edhe kuotizacion! Por e rëndësishme është që përkthimi i librit artistik është i lirë, që do të thotë se standardet që do vendosen nga Urdhëri, të detyrueshme për t’u zbatuar nëpërmjet ligjit përkatës, do jenë kaq të përgjithshme, sa mund të shndërrohen në qesharake. Po ashtu edhe vetë ligji. Për shembull, misioni i këtij urdhri mund të jetë: “Urdhri i Përkthyesit ka si mision ruajtjen e standardeve të miratuara nga Ministri i Kulturës, në ushtrimin e profesionit përkthyes, si dhe të mbrojtjes së lexuesit dhe të publikut nga kequshtrimi i profesionit të përkthyesit”

Nuk e di ku e kanë parë një përvojë të tillë? Ajo çfarë kemi dëgjuar dhe dimë, është që përkthyesit e librave krijojnë shoqatat e tyre, që lobojnë për mbrojtjen e interesave dhe promovimin e punës që bëjnë!

Këto shoqata mund të japin edhe çertifikata përkthimi, që në vetvete janë një lloj rekomandimi se ai që e ka fituar mund të hyjë në garë, por asnjëherë në formën e detyrimit. QKLL jo vetëm është në kundërshtim me praktikën e përgjithshme, por edhe me logjikën!Nëse QKLL ka dy lekë, le t’i shpenzojë në mënyrë të mençur!

Kam shkruar që përkthyesi mund të quhet kuazi-autor i veprës që përkthen dhe kam lobuar fort që emri i përkthyesit të shkruhet në kopertinë. Por, nuk e mendoja kurrë që Nolit që ka përkthyer Shekspirin t’i duhej një licencë përkthyesi! Asnjë botues nuk të merr për të përkthyer një libër, jo një licencë të kesh, por dhjetë, nëse nuk bindet vetë për punën e kryer. Hajde të nxjerrësh edhe këtë gur që hodhi QKLL në lumë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}