Nga Mitrush Kuteli

Kuteli: Parafjalë ose bisedime me katër fëmijët e mi dhe me vetveten rreth këtij libërthi, botohet sipas daktiloshkrimit

Vështirë e ka sot përralltari shqiptar; fëmijët tanë kërkojnë gjithnjë më shumë përralla.

Dhe nuk i duan sido-kudo, po të reja, të padëgjuara, të palexuara.  Dhe domosdo të bukura, me thelb, me kuptim.

Dëgjoni ç’më ndodh mua.

Kur më shohin pak më të ngeshëm, ata të katër “rebelët” e mi (kështu u them unë, sepse janë edhe të qetë, po edhe të zhurmshëm; të urtë, po edhe kryeneçe; të shtruar po edhe… rebelë), më rrethojnë, më heqin për mënge, më hetojnë:

-E le punën, baba?

-E lashë.

-Tani ç’do të bësh?

-Do të çlodhem.

-Mirë, çlodhu e rrëfena një përrallë.

Këto fjalë kumbojnë më fort si urdhër se sa si lutje. Unë bëj buzën në gaz, sepse më kujtohet ajo e thëna e popullit: “Rri që rri, na shkruaj një hajmali”.

Po s’kam ç’bëj: i nënështrohem urdhrit.

Mirëpo me të filluar përrallën e parë që më vjen në mendje, hidhet njëri e ma pret pothuaj me përbuzje:

-E dimë!

Dhe aty për aty nis e ma tregon shkurt, si një plan mësimor, me pikat kryesore: ku vajti ariu, ç’i tha dheplpra, ç’bëri lepurushi..Të gjitha!

Dhe fundja ma këput: – Këto përrallat me dhelpra dhe arinj u bënë bajate, s’na pëlqejnë më! Si folka dheplpra e ariu? Si folka gjarpëri e gargulli? Ata s’kanë gojë. Jo, gojë kanë, po jo për të folur. Më parë i besonim, tani nuk i besojmë më. Janë për të vegjëlit fare. Ja, për këtë…

Dhe më tregojnë me përbuzje të motrën e vogël, Doruntinën flokëgëshenjtë, që i shikon e fyer me ata sytë e kaltër, tërë dritë, dhe ment ia kris të qarit. Mua më vjen keq, po s’kam ç’bëj: shumica fiton! Së voglës, do t’i tregoj një herë tjetër, veçan, ndonjë përrallë me arinj, lepuj, dhelpra apo me zogj. Mbase këtë përrallë do t’ia tregojnë ata vetë, më të mëdhenjtë, kur t’iu shkrepet, që ta qetësojnë.

Pra  nis një tjetër, herë me mbret e mbretëreshë, me bij mbreti, me vrastarë thikë mëdhenj e sa të tjera. Po shpejt e shpejt hidhet e ma pret i dyti:

-Edhe këtë e dimë!

Dhë përsëri ato pikat kryesore të planit mësimor: ra e vdiq mbretëresha dhe la dy jetimë, të vegjël, të urtë, të bukur, po të mjerë. Mbreti përdrodhi mustaqet, i ngriti përpjetë, u martua së dyti. Njerka –piperka nuk i deshi të thjeshtërit, donte t’ua fshinte skotën, sepse do të bënte fëmijë nga barku i saj e t’u linte këtyre fronin, mbretërinë e gjithë të mirat. Pra i nisi e dërgoi në mal, që t’i hajë ujku. Atje, në mal…Pra iku edhe e dyta, duhet të filloj të tretën. Sapo e nis këtë, kërcen numuri tre e thotë…

*fragment nga parathënia “Tregimet e moçme shqiptare”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}