Nikolai V. Gogol është një nga shkrimtarët më të njohur rusë e jo vetëm, vepra e të cilit, ndonëse është shkruar në shekullin XIX, ka fituar vlera të përjetshme.
Komedia “Revizori”, e njohur edhe me titullin “Inspektori nga Qeveria”, shfaqet në skenë më 1836, një komedi në të cilën Gogoli satirizoi shoqërinë ruse në mjediset burokratike të carit Nikolla 1. Nëpërmjet një keqkuptimi, Gogoli arrin të portretizojë disa zyrtarë tipikë të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde. Shkrimtari Alexander Pushkin (1799-1834) ishte jo vetëm bashkëkohës, por edhe një nga miqtë më të ngushtë të Gogolit. Është Pushkini ai që në një bisedë në vitin 1835 i tregon një histori të vërtetë, ku atë vetë, në një qytet të vogël, e kishin ngatërruar me një zyrtar të lartë, histori të cilën ai më pas do ta kthente në një komedi me pesë akte “djallëzisht qesharake”,të njohur si “Revizori”.
Premiera u dha në skenën e Alexandrinski Theater në St. Petersburg, më 19 prill 1836. Perandori Nicholas 1, i cili ishte i pranishëm në shfaqje, pasi e pa, tha: “Në këtë komedi të djallëzuar ka për të gjithë ne dhe secili prej nesh ka diçka të vetën aty. Unë ndoshta më shumë se të tjerët!”
Kjo komedi satirë pati reagime të ndryshme nga kritika e kohës: disa e mirëpritën, disa e quajtën si një situatë të pamundur dhe vulgare, dhe disa reaguan ashpër ndaj saj. Pati nga ata që i cilësuan personazhet “si monstra çnjerëzorë dhe absurdë”. Gogol tejet i shqetësuar nga këto reagime largohet nga vendi dhe i shkruan një mikut të tij: “…ata janë të gjithë kundër meje, abuzojnë me veprën time dhe prapë shkojnë ta shohin…” Duke vazhduar: “Një profet asnjëherë nuk nderohet në vendin e tij.”
Megjithatë, asgjë nga këto nuk e ndaloi “Revizori”-n që të kthehet në një nga komeditë më të njohura ruse, e cila vihet e rivihet vazhdimisht. Gjatë dy shekujve komedia është vënë mjaft herë dhe po aq ka variante për të, opera, balet dhe film.
Kritika e sotme pothuaj universalisht bie dakord për gjenialitetin e komikes dhe dramatikes së përdorur te “Revizori” dhe e etiketon një kryevepër komike, madje një nga komeditë më të mëdha të shkruara ndonjëherë në skenën ruse. Shkrimtari Vladimir Nabokov e vlerëson këtë pjesë si një komedi që nis me “një vetëtime verbuese dhe mbaron me një bubullimë”.
Gogoli është cilësuar si babai i realizmit rus dhe “Revizori”prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasur parasysh dhe natyralizmin e asaj kohe.
Revizori hyn në vetë thelbin eTeatrit, i cili konsiston në të bërët shfaqje të gjalla të ngjarjeve të ndodhura apo të trilluara ndërmjet qenieve njerëzore, duke i parë nga një këndvështrim zbavitës.
Me anë të teatrit mund të dënosh me mijëra vese që gjykata mund t’i tolerojë dhe të lartësosh mijëra virtyte që kjo e fundit mund t’i kalojë pa shumë komente. Veset dënohen më fort në komedi e satira, të cilat trajtojnë tema nga jeta e përditshme.
Për sa mund të tingëllojë e tejkaluar, nuk duhet të harrojmë që misioni i artistit profesionist është përsosja e njeriut dhe shoqërisë, ku edhe humori dhe satira shërbejnë për të treguar hapur fenomene dhe fenomenin, në këtë rast korrupsioni, e për ta sjellë aq të vërtetë sa njerëzit të distancohen e vetvetiu të kërkojnë për ndryshim.
Kjo komedi është një komedi karakteresh dhe situatash dhe krijon “të qeshurën përmes lotëve”, tipike gogoliane, ku përzihet ironia, humori dhe groteskja.
“Revizori” vjen si një komedi që nuk njeh kohë, një satirë e administratave të korruptuara të çdo kohe, një komedi keqkuptimesh që nxjerr në pah babëzinë njerëzore, hipokrizinë dhe mediokritetin dhe siç thotë edhe vetë: “Sa më gjatë e me vëmendje ta shohim një histori qesharake, aq më e trishtëbëhet ajo! Gogol.”
Subjekti është mjaft lexueshëm që flet mbi korrupsionin dhe kalbësinë e një sistemi.
Ai vendoset enkas në një qytet të vogël, disi të humbur, ku kryetari i tij është i zhytur në korrupsion, po ashtu edhe ata që vijnë pas tij. Gogoli, gjithsesi, nuk i jep një zgjidhje kësaj situate, duke ua vënë fajin individëve dhe jo kushteve, pasi janë ata vetë që i ndërtojnë kushtet dhe enkas vendos në fillim të pjesës një fjalë të urtë: “Nuk ta ka fajin pasqyra në e paç surratin e shtrembër.” Kjo fjalë kthehet, në fakt, në vetë mesazhin e veprës: njerëzit shpesh kërkojnë dikë për ta fajësuar, ndërkohë që janë ata vetë problemi.
Administrata që na paraqitet në pjesë është tërësisht e kalbur: ata gënjejnë, shpërdorojnë fonde, kërkojnë ryshfete në mënyrë të paturpshme, nuk i kryejnë detyrat e tyre, e shtypin popullin, e mbajnë peng atë dhe shqetësohen vetëm për veten dhe mirëqenien e tyre. Kjo thënie përkthehet konkretisht në fund të shfaqjes, në të cilën aktorët ndërrojnë vendin me spektatorët. Aktorët e shohin publikun në sy, duke lënë të kuptohet që, në fakt, ata (aktorët) janë thjesht pasqyra ku reflektohen ata (publiku).
Një nga batutat që mbyll shfaqjen i drejtohet publikut, enkas nga autori për ta bërë publikun të kthejë sytë nga vetja: “Me kë po qeshni, hë? Po qeshni me veten tuaj, me asnjë tjetër!”