Kisha e Shën Vlashit shënohet si e vetmja kishë e vjetër në Skuraj e cila qëndron akoma në këmbë pasi shumë kisha të tjera tashmë janë kthyer në rrënoja. Fillesat e kësaj kishe mendohet të jenë rreth shek. XIII-XIV. Me pushtimin e trojeve të Arbërisë nga Perandoria osmane kjo kishë u shkatërrua nga themelet dhe për shumë shekuj mbeti gërmadhe. Ndërtesa që është, sot, në këmbë është rindërtuar në vitin 1859 me fondet personale të Sulltanit…Por në komunizëm, si gjithë monumentet e kultit u kthye në stallë bagëtish, duke vazhduar e injoruar nga shteti edhe në demokraci. Kjo histori sapo është finalizuar me rindërtimin e kishës nga vetë banorët e zonës, me punë vullnetare…

Nga Edmond Brozi/ Kurbin

Kisha e Shën Vlashit në Skuraj, Kurbin tashmë është restauruar. Jo nga ndjeshmëria e shtetit, por e banorëve të zonës. Prej gati një viti punë vullnetare, kisha është kthyer në identetit. Kisha e Shën Vlashit gjendet në fshatin Skuraj në një lartësi rreth 500 m, mbi nivelin e detit në një fushë të rrethuar me gjelbërim ku veçohen frashërat gjigandë ku për shkak të madhësisë, lashtësisë dhe bukurisë së tyre janë shpallur monument natyre.

Konsulli austro-hungarez, Teodor Ipen në një udhëtim të tij nëpër Kurbin, në vitin 1901 e përshkruan këtë vend: “Fusha e Skurajt është një lëndinë me lule shumëngjyrëshe ku tek sa shkel në të është më e bukur se sa një qilim Izmiri”. Kjo bukuri qëndron sot e kësaj dite në këmbë, por për fat të keq, mungon infrastruktura për ta vizituar këtë vend, pasi pamjet që ofrohen janë piktoreske, dhe do ishtë një zonë tërheqëse për turistë të huaj dhe vendas nëse do merrte vëmendjen e shtetit. Këtu ka qenë i vendosur dhe fshati i vjetër i Skurajt.  Kjo zonë mendohet ta ketë marre emrin nga familja fisnike e Skurajt, e cila ishte ndër familjet më të shquara feudale në periudhën e mesjetës ku zotërimet e saj shtriheshin në gjithë Shqipërinë e mesme madje, deri në Oher. Kjo familje kishte stemën e saj, një ujk ngritur në këmbët e para dhe një zambak me tre fletë. Stema u gjet në Lezhë, në oborrin e kishës së Zojës Nunciate, në një pllakë të madhe guri nga Teodor Ipen dhe ruhet në Muzeun historik kombëtar, në Tiranë. Me stemën e Skurajt identifikohet edhe bashkia e Kurbinit, ndërkohë që është përshtatur dhe si stemë e bashkisë së Tiranës sëbashku me kullene e sahatit.

Duke iu kthyer kishës së Shën Vlashit ajo shënohet si e vetmja kishë e vjetër në këtë fshat e cila qëndron akoma në këmbë pasi shumë kisha të tjera tashmë janë vetëm në gjendje rrënojash.

Fillesat e kësaj kishe mendohet të jenë rreth shek. XIII-XIV. Me pushtimin e trojeve të Arbërisë nga Perandoria osmane kjo kishë u shkatërrua nga themelet dhe për shumë shekuj mbeti gërmadhe. Ndërtesa që është, sot, në këmbë është rindërtuar në vitin 1859 me fondet personale të Sulltanit (asokohe Sulltan Abdulmexhiti I ). Në një dorshkrim të tij që mban datën 31 maj 1859, Arqipeshkvi i Durresit, Imzot Raffael D’Ambrosio shkruan: “Unë Arqipeshkev Raffaeli bekova me shumë madhështi kishën e re të rindërtuar nga themelet me shpenzimet e Sulltanit të madh i cili dha dhjetë mijë piastra”. Pra, duket disi e çuditshme pasi kjo, me sa dimë është e vetmja kishë në Shqipëri e rindërtuar nga perandoria osmane. Kjo si formë dëmshpërblimi e asaj çfarë kishin bërë Sulltanët paraardhës por, dhe e një “armëpushimi ” me banorët vendas të cilët, herë pas here refuzonin pagesat e taksave dhe organizonin kryengritje. Kryengritje që në fakt vazhduan deri në shpalljen e pavarsisë.

Me ndalimin e fesë shumë objekte kulti u shkatërruan dhe u fyen në mënyrën më të paimagjinueshme, dhe kjo kishë nuk bëri përjashtim, u bë stallë e qeve të kooperativës.

Restaurimi i saj filloi para një viti me nismën e Famullitarit Giovanni Nitti, me kontributin e pushtetit vendor, World Vision etj. të cilët kontribuan në sigurimin e materialeve të ndërtimit. Por, ajo që nuk ka çmim është puna vullnetare e banorëve të zonës të cilët kanë punuar për ditë të tëra duke udhëtuar me orë në këmbë, në një kohë jo të zakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit covid 19.

Eshtë rast për t’u marrë shembull se si kur njerëzit bëhen bashkë falë punës, përkushtimit dhe besimit arrijnë gjëra të paimagjinueshme. Falë këtyre njerëzve të mirë kjo kishë dhe monument i trashëgimisë sonë kulturore i ardhur deri në ditet tona dhe qe banorët e kësaj zone kanë me të, jo vetem një lidhje shpirtërore por, dhe historike  që do të vazhdojë të jetë e gjallë e të flasë dhe për shumë breza të tjerë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}