Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque”, në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore zhvilloi një koncert në Tiranë. Salla e ikonave në Muzeun Historik Kombëtar ishte përzgjedhur si vendi, ku zhvillua koncerti. Një koncert në edicionin e shtatë të festivalit, që u mirëprit nga të pranishmit ku interpretuan tre artistë të njohur. Pjesë e Ansamblit të Muzikës Baroke, sopranoja Ulpiana Aliaj, kitaristi Denis Bizhga dhe Jusuf Beshiri në klaviçembal me interpretimin e tyre sollën koncertin e parë në Tiranë një mjedis të mbyllur, ku nuk munguan edhe vepra që u luajtën për herë në parë në vendin tonë. Në koncert përmendim autorë si Atnonio Valente me “Tenore del passo e mezo con sei mutanze, Juan Cabaniles me “Corrente italiana”, etj, apo dhe një pjesë e kompozuar nga piktori i njohur Leonardo Da Vinçi, titulluar “Tre rebus muzikali”. Themeluesi i festivalit ndërkombëtar të muzikës baroke “Vox Baroque”, Jusuf Beshiri u shpreh se koncerti bëhet në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore. “Ne pikërisht kemi zgjedhur një nga perlat që ne kemi në Shqipëri, pavionin e ikonave në Muzeun Historik Kombëtar. Sa i përket programit jemi munduar, që të përshtatemi dhe pak me kohën e me periudhën kur janë ikonat, sigurisht me periudhën baroke, por dhe më përpara që në ‘500 siç disa nga ikonat tona shqiptare kanë prejardhje dhe nuk janë të gjitha të ‘600-‘700, pasi ka dhe të ‘500. Në këtë rast në repertor ishte një vepër, që luhet për herë të parë në Shqipëri e Leonardo Da Vinçit, i cili përveçse ishte një piktor i jashtëzakonshëm, arkitekt, shkencëtar, shumë pak njerëz e dinin që ai ishte dhe kompozitor, shkruante dhe interpretonte vetë”, tregon Beshiri, për “Tre rebus muzikali”, që për herë të parë u luajt në Shqipëri.
Festivali “Vox Baroque”
Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Duke folur për këtë koncert që u përcoll me mjaft interes nga të pranishmit themeluesi i festivalit Jusuf Beshiri shton më tej se programi ishte menduar, që të prekte shtetet ku shkëlqeu muzika baroke. “Programi ishte me kompozitorë të ndryshëm dhe ne kemi prekur disa shtete, kemi muzikën franceze, muzikën italiane që është shumë e njohur, muzikën spanjolle dhe muzikën gjermane. Kemi prekur gjithë shtetet më të fuqishme, ku shkëlqente barok në të vërtetë në periudhën e 1600-1700-tës”, pohon Beshiri. Tingujt e muzikës baroke u mirëpritën nga publiku kryeqytetas në një mbrëmje në Tiranë, por si themelues i këtij festivali artisti i njohur Jusuf Beshiri thotë se me rëndësi ka dhe që të mbahet gjallë kultura këtë kohë të vështirë. “Ky koncert është në kuadër të festivalit “Vox Baroque” që është viti i shtatë dhe po mundohemi me të gjithë vështirësitë e pandemisë të japim një ndihmëse ose një kurajo te të gjithë muzikantët. Dalëngadalë do të fillojmë të punojmë me pak njerëz si fillim që ta mbajmë kulturën gjallë, që është e rëndësishme për të gjithë ne”, pohon ai për koncertin në mbrëmjen e 21 shatorit. Pas Tiranës, kalaja e Gjirokastrës do të jetë destinacioni tjetër i rrugëtimit të këtij festivali të njohur, ku koncerti do të zhvillohet më datë 25 shtator. Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque”, që mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit antik rigorozisht të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe inciativavës alternative promovuese të atyre artifakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.J.V