“Disâ të huaj, edhe fort pak shqiptar, janë mar me përshkrimin e ndonjë kohës ose ndonjë pamjes qe i përket historisë shqiptare. Këta tregimet shëmbëllejn disa shkëmbënjve që janë përhapur në detin e harrimit, në të cilin ësht fundosur historia e jonë. Mëndësia e shqiptarit, e themeluar krejt mbi fitimet e hëpêrhëshêm edhe lëndorë nuk ka lejuar veçanrisht të merret me çështje – të kota – të vdekura, që nuk paraqisnin as një interes për të. Urija edhe nakari e kanë ndaluar mbas asaj shqiptarin, të vërë në dukje ngjarje që mund të shkaktonin çquarjen e njerzvet që ishin ende të gjall në far e fisîn e vet ose në kujtimin e popullit. Më së fundi edhe injoranca ka kontribuar në mungesën e aktevet qe i përkasin historisë shqiptare: i kanë grisur, i kanë humbur, sepse nuk dinin fare ti këndonin.“
***
Në serinë “Kuvend letrash me miqtë”, në librin e tretë krijohet një mozaik problematikash, ide, dhe argumente që nipi i Mustafa Krujës, Eugjen Merlika e ka cilësuar si “saga shqiptare e mërgimit”. Përmes letërkëmbimit të Krujës me personazhë të njohur të politikës krijohet historia tjetër e panjohur e mërgatës shqiptare mbas Luftës së Dytë Botërore, të cilët kundërshtuan në mënyra të ndryshme sistemin stalinist të instaluar në Shqipëri.
“Të mërguarit, që arritën të shpëtojnë nga kthetrat e diktaturës, u përballuan në kohët e para me një qëndrim mosbesues të fituesve të luftës, për pasojë me kushte të vështira jetese… para asaj klase politike, që kishte mundur të shpëtonte lëkurën e ishte shpërndarë në të katër anët e globit, në luftë për mbijetesën ekonomike, këndvështrimet e interpretimit të ngjarjeve dhe objektivat e synimet, në raport me kërkesat kombëtare, duhej të ndryshonin katërcipërisht. Goditja e marrë ishte marramendëse dhe detyra që vihej para saj ishte e një përmase aq të madhe sa që bëhej praktikisht e pamundur. Duhej riorganizuar mërgata, duke arkivuar të gjitha paragjykimet e parapëlqimet që kishin përcaktuar qëndrime që, nëse ishin të justifikuara deri diku në kuadrin e Shqipërisë së pushtuar në luftën e dytë botërore, tashmë ishin të pavend, madje të dëmshme në një botë të ndryshuar krejtësisht e për një gjëndje që detyronte objektiva të tjera”, shkruan Merlika në parathënien e këtij botimi, ku përfshihen letërkëmbimi të viteve ’48-’50 me familjen Mbretërore, Ekrem Bej Vlorës, Tahir Kolgjinit, Baba Rexhepit dhe Abaz Kupin.
***
Romë, 24 Qershor 1952
I ndershmi mik,
Fletorja “L’Albanie Libre” Ju falënderon me zemër për bashkëpunimin t’uaj të vlefshëm. Artikujt që Zotrija e Juaj i ka dërguar kësaj fletoreje kanë patur pëlqimin e gjithë lexonjësavet të saj, prandaj kjo ësht një arësye më tepër për të kërkuar edhe shkrime të tjera nga ana e Z. s’uaj. Do t’u ishim mirënjohtës, pra, sikur mos të na e kursenit bashkëpunimin t’uaj të çmuar.
Jemi të sigurt se ndjeshmënis s’uaj s’do t’i shpëtojë gjendja e mjerë e Atdheut t’onë dhe rreziku i humbjes së asaj pasurije letrare, historike e shoqërore, që vetëm me shkrimtarë si Ju mund të shpëtohet. Duke Ju falënderuar qysh tash për ndihmën që shpresojmë se do na jepni duke na dërguar, sikurse edhe më parë, bashkëpunimin t’uaj të vlefshmë, Ju lutem të pranoni nderimet dhe përshëndetjet t’ona mê të çquara.
Për “L’ALBANIE LIBRE”
EKREM VLORA
Të ndershmit Zotni
Mustafà Kruja Merlika
Egjypt, Aleksandri
2, rue Eglise Grecque
Schutz, Ramlech
P.S. Ndigjuam që keni botuar me anë të radjos “Free Europe” një mesazh për popullin shqiptar. Nëse është e vërtet, kemi dëshirë të njohim tekstin dhe datën që ësht transmetuar. Me nderime vëllaznore
Përherë i juaj
Ekrem Vlora
Romë më 9 korrik 1953
Fort i dashuri mik
Përfitoj nga rasti, qe po këthehet në Misir miku i përbashkët Z. Ago Agaj, për me ju çue këtë letër. Shpresoj e uroj, që do ju gjej me shëndet të plot e me zëmbër të gëzuar. Kanë kaluar mjaft kohë qe nuk kemi patur ndonjë çkëmbim letrash. Me gjith këtë, besomni, nuk kalon ditë pa ju përmendur; jo vetëm për kujtimet e përbashkët që na lidhin, por edhe për çmimin e lart që u japim. Shpesh herë na keni nderuar me dërgimin e ndonjë artikullit për gazetën t’onë. Ky bashkpunim ka qënë për neve jo vetëm një mjetë çmallje, por edhe një përfitim i vlershëm. Nga këta artikujt kuptova që merreni me stydime historike. Edhe pikrisht ky fakti është, që më shtyti t’ju shkroj këtë letrën, me një përmbajtje – pak të çuditshme –.
Më falni pra, që po ju bezdis:
Ju e dini, ma mirë se unë, që populli shqiptar nuk ka ende nji historië të shkruar. Disâ të huaj, edhe fort pak shqiptar, janë mar me përshkrimin e ndonjë kohës ose ndonjë pamjes qe i përket historisë shqiptare. Këta tregimet shëmbëllejn disa shkëmbënjve që janë përhapur në detin e harrimit, në të cilin ësht fundosur historia e jonë. Mëndësia e shqiptarit, e themeluar krejt mbi fitimet e hëpêrhëshêm edhe lëndorë nuk ka lejuar veçanrisht të merret me çështje – të kota – të vdekura, që nuk paraqisnin as një interes për të. Urija edhe nakari e kanë ndaluar mbas asaj shqiptarin, të vërë në dukje ngjarje që mund të shkaktonin çquarjen e njerzvet që ishin ende të gjall në far e fisîn e vet ose në kujtimin e popullit. Më së fundi edhe injoranca ka kontribuar në mungesën e aktevet qe i përkasin historisë shqiptare: i kanë grisur, i kanë humbur, sepse nuk dinin fare ti këndonin.
Kështu; kurse ësht shkruar diç’ka mbi historinë shqiptare, kjo ka dalë në dritë shum shum vjet mbas ngjarjes, nga pend e ndonjë të huaji, që nuk mund të dinte as mëndësinë e popullit t’onë, as jetën e tij, as edhe rrethanat, lidhjet me të kaluarën, që i përkisnin njeriut ose njerzve që përmendeshin në këto ngjarjet.
Por të huajt, për sa i përket disa pjesave të historisë shqiptare që kanë trajtuar, kanë patur disa burime: akte, letra, shënime etj. etj. që patën shkruar disa të huaj të tjerë. Edhe ju, i dashuri mik, jeni tue stydjuar historinë shqiptare, mbi këto mbeturinat. (Acta-t e Thallocy-t, Jeriçekut etj.) janë një provë për shërbimin qe kanë bërë të huajt në këtë lamë. Ata na e mblodhën nji thesar, sado të mangët, e ua lanë si dhurat; por edhe si shëmbëll edhe si mbësim se si duhet të veprojm.
Ju e dini, që pjesa më e errët e më e panjohur prej shqiptarëvet në historinë e tyre i përket pikrisht kohës më të afërt = sundimit të perandorisë otomane. Mjerisht, kam ndigjuar nga shum = intelektual = shqiptar, që kjo koha në të cilën kanë vepruar = në dëm të popullit shqipo! = disa Pashallar tyrk, nuk intereson dòt = shqiptarët atdhedashës =
Më falni që përsërit të tilla = budallallëke. Por tregojn moskuptimin e esencës, e nevojës të historisë; kjo shkaktoj harrimin e saj tek neve, prandaj i përmënd.
Tash, ajo koha e turkut ka formuar – mirë a keq – at’Shqipon që krenohet sot, si populli më i çquar e më trim, e më i zoti i botës!! Neve kemi pra detyrë ta stydjojm e ta thellojm njohjen e njerzvet që kanë vepruar; jetën e popullit, rrethanat, zakonet, ngjarjet e asaj kohës. Në Shqipri’ë kemi fort pak lënd:
1) Kujtimet – gojëthanjet – këngat.
2) Gurët e varrevet.
3) Disa akte (në zyrat e Vakfit, në gykatoren e Sherisë etj.)
Por mbi Shqiprinë (e kohës otomane) kemi një burim të pambaruar – në Stamboll. –
1) Në Hazine-i Evrak të Babi Alis.
2) Në shkurtimet e Fermanevet (mexhuai – Feramin 49 vlli. – 1482 – 1917).
3) Në babi Meshikat – Hyqam defteri –
4) Në ministrinë e Vakfit (Evkaf Nezareti – Kujudat defteri)
5) Në Ministrinë e financavet (arshiv) – malije nezareti – Kujudat Shubesi – (Timar Zeamet evraki)
6) Ministria e luftës – Tarih Shubesi – jenixheri defterli –
Diçka mund të gjindet edhe në Edirne; diçka që i përket kohës të sulmimevet Tyrk mbi Shqiprinë.
Më së fundi edhe gurët e varrevet (në varrezat e Ysqydarit, Ejupit dhe Jedi Kapus) mund ti shërbejn historisë shqiptare.
Këta janë pak a shumë vëndet ku mund të mbledhim mjaft lënd që i përket historisë Shqiptare.
Në vijim të këtyre andrravet erdha në përfundim të përpiqem për të realizuar një endërr edhe më të thell. – Të gjej mjetet e nevojshme që mund ti lejojnë një grupit vogël njerzësh të shkoj në Stamboll për të mbledhur këtë lënd e për ta botuar më një libër (me fotografit e aktevet origjinale mundësisht), që ti përngjaj edhe të plotsoj aktat e Thallóczy-t etj për kohën e perandorisë otomane. Nuk ësht as një punë e leht, as edhe e lirë. Por dy tre njerz, me vullnet të mirë, me diç’ka një dijenië mbi shkrimet e ndryshëm të kohës perandorisë otomane, mund të bëjn një punë të dobijshme. Por do kohë: të paktën dy vjet. Duhet të keni parasysh që Hammeri mblodhi (edhe botoj) 5200 Fermane; ndër gjith këta – vetëm 2 – i përkasin Shqiprisë.
Çështja, për sa i përket shpenzimevet, koklavitet edhe më tepër. Për të bërë një punë të dobijshme duhen 2 veta, një segretar, një fotograf (gjithsej 4 veta). Po llogaritëm për ç’do njeriu një rrogë mujore mesatare prej 10 napolona ari bëjn 40/napol.ari në muaj. Për dy vjet bëjn lart nga 1000/napol.ari: një shpenzim pra mjaft i math që mund të shkaktoj edhe shpenzime të tjera të papritura. Por botimi i një librit që përmbledh pak a shumë gjith dokumentat që i përkasin Shqiprisë do qe një vepër themeltare për historinë t’onë. E di, nuk do bëhet dot! Me gjith këtë mbi insistimin e Agos po ja u paraqis mendimin t’im. Nëse e gjeni të pëlqyeshëm, nëse besoni që Mbreti mund – pjesrisht – të interesohet në këtë punë, (pjesën tjatër mund që na i jep – akademia del mediterraneo – ose – Istituto orientale ) paraqitjani çështjen. Tash, mjaft ju bezdisa, po i jap fund letrës t’ime tue ju lutur të pranoni çfaqjen e nderimevet më miqsore.
I juaji përherë
Ekrem Vlora