nga: Prof. dr. Valter Memisha / Prof. dr. Tomorr Plangarica
Është tejet e dhimbshme në çdo rast humbja e largimi nga jeta e një njeriu të afërt, e një shoku a miku, humbje që shkakton boshllëk e trishtim për familjarët, shokët e miqtë; por kjo dhimbje fiton përmasë edhe më të madhe kur njeriu i larguar nga jeta lë një vepër në shërbim të njerëzve e kontaktet me ta i ka pas vendosur përmes veprës së tij, veprimtarisë së tij, përkushtimit dhe përmbushjes së një misioni. Rasti i studiuesve e dijetarëve, i mësimdhënësve universitarë është ndër më domethënësit e zgjerimit të kësaj dhimbjeje, sepse breza të tërë janë lidhur shpirtërisht e intelektualisht me dijetarin a mësimdhënësin, duke krijuar lidhjen e përhershme edhe pa qenë pranë me ta. E tillë është dhimbja edhe për largimin nga jeta, më 4 nëntor 2020, i prof. Remzi Përnaskës, studiuesit të devotshëm të shqipes e kulturës shqiptare, mësimdhënësit të pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë.
Profesor doktor Remzi Përnaska është gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. Fusha ku ka punuar më shumë është sintaksa e gjuhës shqipe ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike.
Ka lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960, kur u dërgua për të studiuar orientalistikë në Institutin e Gjuhëve të Lindjesnë Moskë. Më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i kreu më 1963.
Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi prej vitit 1963 deri në vitin 1974.
Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe ndoqi kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet, si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca : “Doktor Shteti”.
Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris, si edhe në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës si profesor.
Që nga viti 1975 ka qenë anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës, që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997).
Pas kthimit në atdhe më 1982, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991.
Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Studime”, “Gjurmime albanologjike” etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si “Cahiers balkaniques”, “Faits de langue”, “Travaux du cercle des linguistes de l’INALCO”, “Presses Universitaires de France”, etj.
Është autor i dy krerëve ( kundrina, rrethanori) të veprës madhore Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpëliesë.
Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë.
Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde.
Ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe në universitete të huaja si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, Sankt-Peterburg, etj.
Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar.
Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, në janar 1994, nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, në tetor 1995, në qershor 1996, në qershor 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj. Ka marrë pjesë me kumtesa në tri Konferencat Ndërkombëtare të organizuara në Sankt-Peterburg, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si edhe në shkurt 1999, në Marsejë, etj. Po ashtu, ka marrë pjesë në tubimet shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në seminaret e konferencat shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës.
Profesor Përnaska ka mbrojtur tri disertacione, dy në Francë dhe një në Shqipëri.
Në vitin 1994 paraqiti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës i dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin “Nxënës i vjetër i Sorbonës”.
Ka mbrojtur një disertacion me temën “Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe” dhe ka fituar gradën “Doktor i shkencave” në Shqipëri. Ky disertacion është botuar si libër në Kosovë (Pejë).
Ka mbrojtur një disertacion me temën “Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)” dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca : “Docteur d’Etat és lettres et sciences humaines”, si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Kjo doktoratë e mbrojtur në Departamentin e gjuhësisë teorike të Universitetit Paris VII, i dha titullin “Profesor” në Francë dhe u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe.
Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë “Professeur associé” në Ecole pratique des hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe.
Profesor Përnaska ka botuar katër libra në Francë. Ka hartuar një libër me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese ” L’Harmattan ” dhe u ribotua deri më tani tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu dy doracakë Glossaire et guide militaire de conversation français – albanais, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe Eléments de grammaire albanaise, Complément au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f.
Është autor tekstesh shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, i dhjetëra artikujve shkencorë, botuar në revistat tona shkencore dhe në ato të huaja, i dhjetëra artikujve në shtypin e përditshëm shqiptar. Bibliografia e punimeve të tij është mjaft e pasur. Në vitet 2015, 2018 ka botuar katër vëllimet e para të veprës së tij “Gjuhësi…,…gjuhësore”, të parashikuar në shtatë vëllime. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kritikës shkencore në albanologji e më gjerë.
Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Osnabruck të Gjermanisë dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali, në Zagreb e Beograd.
Ka qenë i ftuar në universitetet shqiptare të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku ka mbajtur ligjërata për çështje të gjuhësisë teorike e të shqipes së sotme; për vite me radhë mbajti edhe një kurs special të gjuhësisë teorike pranë Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, të cilit i dhuroi bibliotekën e vet albanologjike dhe të gjuhësisë teorike, me rreth 2000 vëllime.
Ka përkthyer nga frëngjishtja këta tre libra : Luan Starova, Faïk Konitza et Guillaume Apollinaire – une amitié européenne, L’Esprit des Péninsules, Paris, 1998, 239 f. ; Christian Gut, Pasco Vassa(1825 – 1892), Prishtinë, 2008, 760 f. ; Gabriel-Xavier Culioli, La terre des seigneurs, Un siècle de la vie d’une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986, 181 f.
Deri ditët e fundit të jetës ka punuar për përfundimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë, si edhe për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale Supérieure në Fontenay/Saint-Cloud.
Prej shumë vitesh profesor Përnaska ka punuar, gjithashtu, për ngritjen e një monumenti me kalë të Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër në Paris.
Është Doctor Honoris Causa i Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga presidenti i republikës më 2016, me motivacionin: “Për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në botë, si pedagog e pjesëmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.”
Përvoja e tij e gjatë në fushën e studimit dhe botimit, trajtimet e thelluara në shqyrtime, angazhimi njëherazi në probleme nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat që parashtronte dhe parashtron ngutshëm zhvillimi i mendimit gjuhësor në etapa të caktuara e, për më tepër, angazhimi në studime e botime qysh në rini e deri në moshë të mbrame, kanë përvijuar natyrshëm vendin e merituar të kontributeve të tij në fusha të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe e historisë së saj; e në këtë kontekst, vepra e tij i ka siguruar praninë në panteonin e vlerave tona shkencore.
05.11.2020