Publiku i ulur në sallën e kinemasë u ngritën të terrorizuar, ndërsa në ekranin e madh u shfaq treni gjigand, që dukej se do të çante bezen e bardhë. Ishte viti 1895 dhe filmi pa zë, i realizuar nga vëllezërit Lumiere “Mbërritja e një treni në stacionin Ciotat”.
Nga vitet e çmendura tek Nouvelle Vague, nga epoka e artë e filmit pa zë deri në ardhjen e televizionit, kinemaja bëhet kështu një fenomen i vërtetë i civilizimit. Arti popullor dhe universal që prish mënyrat e perceptimit, simbol i modernizmit dhe simptomë e progresit të paparë shoqëror, vektor i vizioneve të reja të botës, krijues i mitologjive kolektive….
Përtej të qenët një formë arti, kinemaja është një dokumentues i mirë i civilizimit.Bashkë, më 2020-n, i bën edicioni i parë i “Dardan Fest”-festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar që mbahet në Tiranë nga 27 deri më 30 tetor.Tema nëpër të cilën sillet ky festival është “Urbanizimi, Mobilizimi, Qytetërimi”.
Janë 270 filmat pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga ShBA, Europa dhe Azia. Juria e këtij festivali janë emra të njohur nga bota e kinematografisë dhe arkitekturës.
Ana Rebichia, presidentja e jurisë, është ekzekutive filmash dhe dizajnere produksionesh, si edhe arkitekte e licencuar. John Grossman është producent me bazë në Nju Jork, i njohur për bashkëpunimet e tij në filma si “ “Hidden Assassin” apo “A Snake Gives Birth To A Snake”.
Një tjetër anëtar i jurisë është kineasti shqiptar Spartak Papadhimitri, karriera e të cilit si drejtor fotografie shtrihet në katër dekada. Sihana Nebiu vjen nga fusha e të Drejtave të Njeriut, ndërsa Nevin Bilali është një arkitekte e njohur dhe urbaniste, e përfshirë në një sërë programesh të lidhura me peizazhin në ndryshim të jetës urbane të Tiranës.
Sipas drejtorit të Festivalit, Agim Poçari tematika e filmave pjesëmarrësh është e larmishme dhe e gjerë.“Vihet re një tendencë më e madhe filmash ku temat sociale dhe teknologjia të mbizotërojnë subjektet kryesore sidomos në vendet si Irani, Franca, Bulgara, Amerika dhe Kanadaja. Ndërsa Spanja dhe Maqedonia kane një mëshim në stil jetese dhe problematikë urbane. Ndërsa nga Shqipëria një nga tendencat për dokumentarin prek bashkëjetesën fetare, një specifike kjo e vendit tonë dhe tolerancës shqiptarë, një vlerë që po promovohet, me të drejte”, është shprehur Poçari.
Sipas producentes dhe bashkëthemelueses së Festivalit, Raelva Shabanaj, synimi është informimi rreth urbanizimit si pjesë e zhvillimit të paevitueshem të qyteteve në mbarë botën. “Edukimi nëpërmjet kinematografisë, sepse urbanizim nuk do të thotë betonim dhe mbytje e hapësirave të gjelbra, përkundrazi, ka shumë anë pozitive. Urbanizimi ka filluar qysh në vitet 4000-3000 p.e.s. për t’ju përshtatur rritjes së popullsisë, për të ngritur standardin e jetesës, për të bërë me të aksesueshme për këdo privilegjet që vetëm qendrat urbane i kanë, si shërbim më të mirë shkollor, mjekësor, mundësi biznesi të mëdha etj.”, ka shpjeguar Shabanaj.
Sipas hipotezës së filozofit gjerman, Theodor Adorno, studimet historike dhe ato të qytetërimeve mund të përfitojnë nga njohja e artit.“Dardan Fest 2020” do të shërbejë si një platformë për të gjithë kineastët për të rrëfyer histori interesante, që pasqyron kryesisht betejën për emancipim përmes artit të filmit…
Sipas drejtorit Poçari, ky festival do të jetë një shans promovimi për studentët dhe autorët profesionistë.“Shkëmbimi i mësimdhënies dhe metodave të rritjes së krijimtarisë midis studentëve shqiptarë dhe të huaj që marrin pjesë në festival është tjetër element i rëndësishëm, si edhe shkëmbimi i përvojave përmes forumeve dhe workshop-eve të organizuara së bashku me festivalin midis autorëve vendas dhe të huaj. Krijimi i mundësive për bashkëpunim dhe bashkëprodhim midis krijuesve vendas dhe të huaj. Bërja evidente dhe promovimi i artit kinematografik shqiptar përmes autorëve nga pjesëmarrësit e huaj në festival. Të gjitha këto mendoj që janë të rëndësishme në zhanrin e filmit, sidomos për të rinjtë që do të kenë përparësi”, ka thënë Poçari.