Një ese nga Sami Rrepishti, shkëputur nga libri publicistik “Në kërkim të ditëve frymëzuese”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, 2020
Sami Rrepishti
Gjashtëdhjetë vjet ma parë, në qytetin e Shkodrës, u arrestova për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit” nga organet e Sigurimit të Shtetit komunist. U lirova dhjetë vjet ma vonë, pak kohë para shpërthimit të Revolucionit hungarez te tetorit 1956. Ashtë ironike që dy ditë ma parë mora nji kerkesë nga VOA për nji intervistë pikërisht me datën 22 tetor 2006. Unë pranova. Data 22 tetor ashtë për mue nji ditë meditimi dhe heshtje që më imponojnë kujtimet e së kaluemes së hidhun, shgënjimi i së tashmës shqetësuese, e frika e së ardhmes -që duket e zbehtë- për vëllaznit e motrat e mia shqiptare.
Për ma tepër, intervista ime do të përqëndrohej mbi subjektin pothuej sakral për shumicën dërmuese të popullit shqiptar: përgjegjsinë kolektive dhe individuale për krimet e kryeme gjatë regjimit gjysëm-shekullor komunist, të udhëheqësve dhe përkrahësve të tij, qoftë me ndërgjegje qoftë nga frika e madhe primordiale që gozhdoi tre-katër miljonë shqiptarë për 46 vjet me rradhë. Në këte intervistë theksova domosdoshmëninë e dokumentimit të krimeve komuniste në Shqipëni, dhe nevojën urgjente për ndihmë viktimave që akoma jetojnë në vorfëni. Këtë kërkon edhe Këshilli i Europës! Kujtimi i ditës së arrestimit më sjellë me forcë para syve të mi pasqyrën e gjendjes së tmerrshme fizike e psikologjike të popullit dhe vendit tim të lindjes, Shqipërisë sime, të prindëve, gjyshëve dhe stërgjyshëve të mij shqiptarë. Më kujtohet arrestimi dhe ajo ditë shiu të parreshtun për disa ditë (si shiu i Shkodrës!), rrugët e mbushuna me ujë, lumejt e frymë, Drini, Buna e sidomos Kiri që shpesh vërshon mbi qytet, dhe frika e qytetarëve nga inondacioni. Por atë ditë, frika e arrestimit dhe hymja në qelitë e Sigurimit ishte për mue mbizotënuese.
Më kujtohen konditat e qelive përdhese ose nëntokësore, lagështia, të ftohtit dhe era e qelbët që mbushte ajrin e pamjaftueshëm në ato “varre të gjalla” për ne, të rij e të vjetër, që kishim gjetë guximin me i thanë: Jo! murtajës së kuqe. Me kujtohen fatzezët e arrestuem para meje, zanet e tyne të mekuna, dënesat e pafund, thirrjet që i bajshin rojeve, shamjet dhe mallkimet. Mandej vinte heshtja e plotë. Sikur të rifillonte me nji urdhën misterioz, kori mortor i atyne që i kërcënonte vdekja, mbushte këte qendër lotësh dhe gjaku të derdhun pa faj.
Mbas nji séance dy orësh në torturë, më vendosën në nji korridor të errët, gjatë të cilit dy nevojtore të vogla sherbejshin si qeli për të burgosun. Zane të dobta memzi vijshin në veshin tim, zane të mekuna nga lodhja, pagjumësia, ose smundja e që unë nuk isha në gjendje me i dallue. Ma në fund ndigjova nji pyetje:
“Kush je ti?”
U trondita! Pyetja u përsërit. Nuk pata guxim me përgjegjë. Tronditja e fortë e arrestimit dhe e torturës së parë me mbante me gojë të mbyllun. Përsëri nuk përgjegja. Mbas pak minutash zani i mekun që vinte nga errësina e fundit të derës së nevojtores tha: “Unë jam Kolë Prela…deputet i Dukagjinit!” Zani që erdhi sikur te ishte nga varri, dhe emni i të burgosunit që foli, më gozhdoi në vend. Emni i Prof. Kolë Prelës për mue ishte ma shumë se nji titull zyrtar. Ai kishte qenë profesori im i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Liceun e Shkodrës, e nji nga edukatorët ma të respektuem për bindjet e tij si anti-fashist.
Frika avulloi pa ditë as unë se si, e nji ndjenjë dhembshurie për profesorin më mbuloi. Pranë meje nji viktimë e pafajshme e terrorit të kuq përpiqej me dalë jashtë varrit ku e kishin ndrye, me marrë kontakt me botën jashtë rrethit vdeksor ku ende jetohej. Për mue, ky kontakt i papritun, pothuejse jashtë-tokësor, më tërhoqi akoma ma poshtë në botnë e nëndheshme të ferrit. Nji ndërlidhje e pa imagjinueshme vetëm nji çast ma parë u ba, si për mrekulli, lidhja e ime e parë dhe ma e thellë, larg shoqënisë njerëzore që, pak kohë ma parë, më rrethonte e ushqente si pjesëtar i saj. Me nji za hezitues, por me bindje të plotë se në atë çast po i shtrijsha dorën e jetës asaj krijese të nëntokës, po ofrojsha nji urë ndërlidhëse me jetën që kishte lanë mbas dore atë vend të zi si nata e fundit të ferrit, u përgjigja:
“Profesor, jam S.R. studenti i juej në lice. A ju kujtohet?”
Nji heshtje e shkurtë, e ai:
“Mos thuej… O fatzi, edhe ti këtu në Sigurim?…Pse të kanë arrestue?”
U përpoqa të spjegoi gjendjen e Shkodrës në ato ditë. I tregova për 28 katundarët e Postribës që u vrane pa gjyq publikisht, për dhjetra të tjerë që u ekzekutuen para familjarëve të tyne, për të arrestuemët në masë në qytet e në rrethet, për shtëpiat e katundeve të djeguna, tymi i të cilave shihej prej qytetit, për tmerin që mbretnonte mbi popullsinë shkodrane e mbetun krejtësisht pa mbrojtje e në mëshirën e valës së terbueme të komunistëve shqipfolës, që frymëzoheshin dhe veprojshin simbas urdhënave të “shokëve” jugosllavë, dhe sidomos për katastrofën e pandalëshme që ra mbi kokën e klerit katolik shqiptar dhe klasës intelektuale shkodrane të edukueme në Perëndim, të dënuem me shkatërrim. Më dukej sikur të gjithë ishin arrestue, torturue, e ishin në pritje të ekzekutimit, ose të nji periudhe të gjatë burgimi…
As unë vetë nuk e dijsha pse fola kaq shumë. Nga frika kalova në nji gjendje shpirt-nore të re ku nevoja me folë, e me folë pa pushim, më dominoi. Ishte mesnatë! Kisha kalue provën e parë të torturës dhe e kisha të qartë se çfarë më priste nesër, mbasnesër, dhe në muejt e ardhshëm. Flitsha pa ndërpremje nga frika që kisha se diçka mund të më pengonte ma vonë, ashtu siç ngjau me izolimin tim të plotë.
Profesori viktimë nuk më ndërpreu. Herë mbas herë fshante sikur donte me thanë: “Të mjerët ne çka na ka gjetë…!”, pa fuqi me shqiptue fjalën.
Mbandej ra heshtja! Unë u struka në qoshën e murit të korridorit. Profesori priti pak kohë…nji eternitet në atë gjendje…dhe ma në fund shqiptoi fjalët që u ngulën për jetë në kujtesën time:
“Sami, nuk më vjen keq për vehte sepse kam ndihmue ardhjen e këtij regjimi. Zoti e din sa kam dashtë lirinë e popullit, e sidomos të Dukagjinit tim të vorfën…Po kështu si morën punët e ndiej vehten përgjegjës për të gjitha viktimët…edhe për ty, studenti im i pafajshëm…Edhe unë jam i pafaj, por peshën e përgjegjsisë së përkrahjes së Lëvizjes në Dukagjin gjatë luftës kundër okupatorit nuk mund ta shkarkoj…ajo më mbetet në kurriz për sa kohë që jetoj…Por ju, more të mjerë, ju t’rinjt e pafaj, viktima të këtij sistemi të pashpirtë, të pa Zot…ju pse të vueni?”
Ai heshti. Unë nuk përgjegja. Por heshtja nga të dy anët e derës së mbyllun randoi aq shumë mbi mue sa nuk isha në gjendje me e durue ma gjatë.
“Profesor!” i thashë. “Ju nuk keni faj…keni ndihmue rezistencën…edhe ju jeni viktimë …Kush e mendoi kështu?”
“Jo, jo,” u përgjegj. “Dikush ashtë fajtor për të gjitha këto…unë kam qenë pranë tyne, u gënjeva premtimeve…sikur të më kishte marrë Zoti mendët…”
Më pyeti për vëllaun, Markun, që unë nuk e njihsha. Më tregoi se në “nevojtorën-qeli”, pranë ishte Riza Dani, deputet i Shkodrës, që herë mbas here shpërthente me thirrje të nalta e shamje që shuheshin menjiherë nga rojet e kuqe e shkopi i tyne mbi kurrizin e shtatëdhjetë vjeçarit demokrat.
Rrëfimi para vdekjes i profesorit tim pasunoi ndërgjegjen time me nji dimension të ri, të jashtëzakonshëm, pothuejse shenjtënor: atë të sinqeritetit të plotë, të zanit të ndërgjegjes pa njollë, atë të nji pastërtie shpirtnore që arrijnë vetëm zemrat e hapuna para vehtes dhe para Krijuesit. Unë pata përshtypjen se profesori im ishte “zgjidhë” e rrëfehej para Zotit e përulej para Tij si shpirt i dalun nga trupi që e mbyllë, pata përshtypjen që ai po përgatitej për Gjykimin e Fundit, jo si nji i denuem me vdekje që vajton fatin e jetës mbi tokë, por si nji sakrificë e ndërgjegjshme e rolit tij mbi tokë, me frikën që kishte tradhëtue këte rol e që ai nuk e duronte, …e megjithate, për lehtësim shpirtnor, e pranonte.
I ri, i papërgatitun për skena kaq tragjike, u dërmova plotësisht në shpirt. Me dukej se rreth e rrotull meje sillej vdekja që merrte pa pyetë, e korrte pa mëshirë qeniet e pafajshme të mbetuna në dorën e nji fati të egër që nuk e meritojshin …si profesori i im që nuk e pashë ma, e që u ekzekutue gjashtë muej ma vonë e gropue në nji varr pa shenj! (Deputetët Kolë Prela e Riza Dani u pushkatuen në vitin 1947)
***
Kush urdhënoi, kush zbatoi, kush përkrahu dhe kush duertrokiti krimet komuniste në kurriz të popullit shqiptar, mbrenda dhe jashtë burgjeve? Kjo pyetje ngrihet sot në Shqipëni dhe ka mbushë edhe sallat e Kuvendit të Shqipënisë.
Ashtë e natyrshme, por shumë e vonueme! Ajo që nuk ashtë e natyrshme sot ashtë dalja në skenë e nji klase të shëmtueme ish funksjonarësh komunistë shqiptarë, servilë të regjimit të hunit e të litarit, xhelatë të pamëshirshëm të kasaphanës që ndërtoi “diktatura e proletariatit”, dhe kalemxhij që i thurën hymne diktaturës, e diktatorit, Neron i Shqipërisë, ndërsa vendi digjej flakë – e që mohojnë gjenocidin gjysëm shekullor.
Ky turp i elementëve sadistë shqipfolës ashtë aq i randë dhe aq i ulët sa që vulosë nji njollë të zezë mbi të gjithë shoqëninë e sotme shqiptare.
Të mohosh diktaturën fashiste dhe krimet e saja në Afrikë, Spanjë dhe Ballkan; të mohosh kampet e çfarosjes hitleriane në Aushvic, Belsen, Treblinka, Majdanek, Mathausen etj., e sidomos fenomenin e Holokaustit; të mohosh burgjet dhe gulagët, ekzekutimet masive në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore, luftën kundër kulakëve, urinë e Ukrainës, dimnët e Siberisë për të internuemët, jo vetëm që ashtë nji monstruozitet moral me përpjestime të pashembullta në historinë e njerëzimit, por ashtë edhe prova ma e qarte e shkallës së degjenerimit ku kanë ra sot “mohuesët” në Shqipëni. “Mohimi” ashtë manifestimi ma i theksuem i degradimit tonë mendor, moral e shoqënor, ashte vertetimi ma i pakundërshtueshëm se “mohuesët” janë robotë pa shpirt, pa zemër, që kanë dalë jashtë kufijve të natyrës njerëzore, e të shoqënisë ku jeton njeriu që quen tjetrin vëlla e motër. Me të drejtë, Simone de Beauvoir shkruente: “Hakmarrja nuk ka kuptim; por, ama, ka disa individë që nuk meritojnë me jetue në mesin tonë e në shoqëninë që po ndërtojmë”.
Mendoni tani si duhet të quhen ata që jo vetëm mohojnë pushkatimet masive në Veri e Jug të Shqipënisë, burgimet e panumërta, kampet e Vloçishtit, Bedenit, Lushnjes, Fierit, Spaçit, Qafe-Barit, Ballshit e dhjetra tjerë, dëbimin e mijëra familjeve nga shtëpitë e tyne, poshtënimin e grave e vajzave nen presionin e “pashallarëve të kuq”, mohimin e arsimit dhe banimit në qendrat urbane të qytetarëve, por edhe sot akoma ngrejnë në piedestal veprat e Partise, krimet e Sigurimit, vorfëninë e tejskajshme, indoktrinimin e rinisë, dhe përqafimin e urrejtjes, gënjeshtrës, dhe hakmarrjes si “ideale” frymëzuese të punës së tyne të ndyrë…! Mbeturina ultra-toksike të komunizmit? Ashtë pak…!
Në Shqipëni po krijohet nji kulturë mohimi të përhershëm. Dhe kjo ashtë vdekja morale e nji populli!
Heshtja kundrejt krimit, për mendimin tim, ashtë “vrasja e dytë e viktimës”.
Heshtja para krimit për cilindo nga ne, individualisht, ashtë edhe vetëvrasje morale. Shqipënia sot ka përqafue heshtjen që vret, që përfaqëson errësinen, padrejtësinë, dhe mohon denoncimin e krimit e të kriminelit. Me këtë heshtje, shqiptarët po zhyten në moçalin e mëkatit që refuzojmë të njohim dhe që na turpnon…!
Në parim, ky ashtë qëllimi i debateve parlamentare në lidhje me “problemin e dosjeve” sekrete në Shqiperi – me thye heshtjen që mbytë ndërgjegjen tonë e që përgatisin për ne sot mbeturinat ultra-toksike të komunizmit.
Me 18 shtator 2006, i drejtova nji Peticion Presidentit Alfred Moisiu, me të cilin kërkova themelimin e nji Qendre Shqiptare për Dokumentimin e Krimeve Komuniste në Shqipëni, si hap i parë, si etikë themelore, dhe si preventivë, si fillim i rindërtimit moral të shoqënisë shqiptare sot të tronditun thellë.
Kjo ashtë hera e tretë qe jam drejtue presidentit për këte domosdoshmëni. Asnji përgjegje, asnji fjalë inkurajuese, asnji shenj se ai, Presidenti i Shqipërisë, i sheh dhe aq ma pak i kupton nevojët ekzistenciale të nji shoqënie shqiptare që vuen akoma nga pesha e randë e krimit komunist.
Kjo ashtë Shqipëria sot, vend i shkujdesjes imorale dhe i shthurjes shoqënore!
Ka shqiptarë që e quejnë zbardhjen e krimit komunist në Shqipeni si “të panevojshme”, si nji “tregim historik” i vjetruem, démodé, dhe si nji përpjekje me heqë vemendjen e popullsisë shqiptare nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet sot vendi i ynë. Nji tjetër grup ashtë i mendimit se krimi në Shqipëni nuk ka arrijtë përpjestimet e regjimit të Pol Potit në Kambodia, dhe se tani ashte koha të nxjerrim në dritë krimet serbe në Kosovë, e jo ato të “enverizmit”. Kjo taktikë perfide që synon mënjanimin e dënimit të krimit komunist në Shqipëni, por tregohet e prekun thellë me krimet në Kambodia dhe në Kosovë, asht jo vetëm absurde, por edhe thellësisht hipokrite, imorale. Në Kambodia, OKB-ja po organizon gjykatat për dënimin e krimeve të kryeme. Krimet serbe po hetohen dhe dokumentohen. Kriminelët kryesorë janë sot në Gjyqin e Hagës. Gjykatat serbe kanë denue oficerë serbë për krime kundër shqiptarëve, siç ashtë rasti i tre vëllazënve Bytyqi. Edhe në Kosovë, gjykatësit ndërkombëtarë kanë denue shqiptarët për krime gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Vetëm në Shqipëni ka heshtje, dhe përsëri heshtje…dhe tallje me viktimat!
***
Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqipëri ashtë drejtësi dhe preventivë. Na nuk dimë ku jemi, cilët jemi, ku shkojmë dhe cilët do të jemi nesër, në qoftë se nuk njohim të kaluemën tonë, nga vijmë, cilët janë para-ardhësit tonë. E kaluemja jo e mirë duhet të njihet, e të studjohet që të mos përsëritet.
Kjo e kalueme nuk ashtë studjue seriozisht në Shqipëni. Edhe kur flitet për të kaluemen, ajo abstraktohet. Si çdo abstraksion, edhe ai i së kaluemes sonë përfundon në spekulime ideologjike që damtojnë randë realitetin e jetuem, dhe çvendosin boshtin e subjektit në studim. “Nganjiherë,” shkruente nji studjues amerikan tue përshkrue Holokaustin, “na mendojmë se diçka dimë, por e dimë në formë abstrakte; konkretisht, don të thotë, se na nuk e njohim fare”.
Sot, unë kam frikë se abstraktimi që shohim në trajtimin e gjenocidit komunist në Shqipëni do të mundësojë mohimin e tij të përhershëm, ose harresën “vrasjen e dytë” të viktimës. Sytë e verbuem, veshët e shurdhët, dhe heshtja e plotë në Shqipëni kanë korruptue fibrën morale të popullsisë deri në atë pikë sa nuk dallohen ma regjimet shtypse, as gjindet guximi i mjaftueshëm me shikue të ardhmen me besim.
E para, debatet e reja në Kuvendin e Shqipënisë në lidhje me këte subjekt, për mendimin tim, kanë marrë ngjyrën e politikës së ditës, dhe trajtojnë nji subjekt për të cilin duhet folë me shumë kujdes. Sot, kaq vjet mbas ramjes së turpëshme të komunizmit, kriminelët komunistë shëtisin të lirë nëpër rrugët e sheshet e qyteteve dhe katundeve tona, bajnë jetë luksoze, pasunohen jashtë çdo mase, dhe fëmijt e tyne mbajnë në dorë pushtetin ekonomik dhe politik të vendit- megjithëse shikohen si “kriminelë të padënuem” nga shumica e popullit shqiptar. Na, nuk do të arrijmë kurrë të kemi nji drejtësi të kulturueme, nëqoftëse nuk reparojmë padrejtësitë e së kaluemes.
E dyta, debatet ne Kuvendin e Shqipenise kanë të meten e madhe që shvleftëson efektin e pritun: në ato debate mungon zani i viktimës!
Unë do të dëshirojsha që në tribunën e Kuvendit të Shqipënisë të flitshin ata që janë të vdekun, të vramë me drue, të pushkatuem ose të varun në litar, e vorret e të cilëve nuk gjinden akoma.
Unë do të dëshirojsha që në tribunën e Kuvendit të Shqipënisë të flitshin ata që kanë gjunjtë, brrylat, dhambët e kockat e thyeme nga çekani i Sigurimit komunist, ata me sy të djegun me cigare, me gjuhën të preme me gërshanë që të mos tregohen tmerret e jetueme, ata që kanë mishin e premë me thikë e plagën të mbushun me kripë, ata që kanë organet gjenitale të shkatërrueme që të mos lindin ma fëmij “reaksionarë”, ata që u varen ditë e natë në litar për pemë ose për hekurat e dritareve të qelive të pista të Sigurimit, ata që panë me sytë e tyne shnderimin e grave, motrave, bijave, në zyrët e Hetuesisë komuniste, ata që për 46 vjet me rradhë nuk panë nji ditë të mirë në jetën e tyne, të torturuem nga frika, uria, puna e randë…e poshtërimi moral. Atëhere, debati i Kuvendit të Shqipënisë do të fitonte dimensionin e vet të plotë, dhe përpjestime e pakufijshme që i siguron monstruoziteti i pabesueshëm i krimeve komuniste në Shqipëni!
Atëherë, ndoshta opinioni publik shqiptar do të pyeste veten: si ashtë e mundun që shqiptarët komunistë kanë ra aq poshtë në luftën e tyne të çmendun kundër vëllazënve e motrave shqiptare jo-komuniste që nuk pranuen diktaturën? Akoma ma e tanishme: si ashtë e mundun që asnjeri nuk pranoi përgjegjsi për krimet e kryeme komuniste në Shqipeni; dhe si ashtë e mundun që satrapi aziatik, kryekrimineli E.H. sot, ashtë në piedestalin e nji populli që ai vrau aq mizorisht; dhe si ashtë e mundun që ma shumë se gjysma e të përndjekunve politikë dhe ekonomikë që nuk janë shue akoma, jetojnë sot pa ndihmë, pa përkrahje, pa mirënjohje…dhe në gjendjen e mjerueshme të lypsit…?
Duhen hapë arkivat e Shtetit, të PKSH, të PPSH, të Prokurorisë së Përgjithshme, të Ministrisë së Punëve të Mbrendëshme, të Sigurimit te Shtetit, arkivat speciale të Degës II dhe Degës XVI me evidentue krimin komunist në Shqipëri…dhe duhen hapë menjiherë, sot, dhe jo nesër!
Duhen krijue Komitete ekspertësh (jo politikanë!) të shikojnë dokumentacionin sekret që përmbajnë këto arkiva…arkivole për dhjetra mijë qytetarë të pafajshëm!
Duhet të mblidhen dëshmitë okularë të të gjithë atyne që akoma jetojnë, dhe tregimet e tyne akoma të parregjistrueme. Këte duhet të bajë nji Qendër shqiptare, me fonde shtetnore, por e pavarun politikisht. Me kalimin e breznive që pësuen vuejtjet e pabesueshme, përgjegjsia e kalimit të mësimit dhe eksperiencës së jetueme, sot bie mbi shpatullat e edukatorëve në shkollat tona dhe në sallat e muzeumeve. (Qendra Shqiptare per Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Tiranë, besohet se ka filmue dhe rregjistrue mbi 42.000 dëshmi nga viktimat, dhe zotënon sot nji dokumentacion të konsiderueshëm, por jo të plotë)
Dokumentimi i plotë do të na japë nji “habeas corpus” (ja ku ashtë viktima e krimit), nga ku organet gjyqësore do të mbështeteshin për procedurat ligjore. Shoqënia shqiptare, ashtu si çdo shoqëni tjetër e kulturueme ka për detyrë të mbrojë veten; për këte, ajo legjislon ligjet të detyrueshme për të gjithë. Le të zbatohet ligji kundër krimit e kriminelit komunist në Shqipëni! Le të zbatohet ligji…sot, jo nesër!
Nji zhvillim i këtill, do të mundësonte nderimin e viktimave të komunizmit. Nji akt i këtill do të ngrente prestigjin tonë kombëtar, si vend dhe si popull i qytetnuem. Duhet çmue viktima, duhet gjetë varri i humbun, duhet përkrahë familja e tij, duhet nderue emni i tij. Sidomos duhet nxjerrë nga vuejtja e mjerimi i sotëm viktima e komunizmit që akoma përbuzet nga nji shoqëni e pandërgjegjshme, cinike, dhe mosmirënjohëse, trashëgimia e degjenerimit moral komunist. Le të mos harrojmë se me sjellë buzëqeshjen në fëtyrën e nji njeriu që vuen ashtë suksesi i jonë ma i madh në jetë. Me thye zemren e nji qenie të pafajshme ashtë deshtimi i jonë ma i plotë në jetë. Sot, Shqipënia ka shumë zemra të thyeme!
***
Shpesh herë, në ballafaqim me tragjedinë, fjala e shkrueme ashte instrumenti – ndoshta i vetëm që na mbetet – me mbrojtë ata që janë të pafuqishëm, siç janë sot t’persekutuemët politikë në Shqipëni! Manipulimi i partive politike me dosjet e krimeve komuniste në Shqipëni, dhe vuejtja e viktimave, duhen ndërpre menjiherë, dhe me çdo kusht…sot, jo nesër!
Nuk kemi nevojë për fjalime patetike e lotë krokodili. Kemi nevojë për dokumentim serioz, dhe mirëkuptim, drejtësi, e sidomos përkrahje… sot, dhe jo nesër!
5 nandor 2006 (Botue ne gazeten Illyria, New York, SHBA, nandor 2006)