Në librin “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, botimi i kolanës 2021, nga ISKK, – me rrëfime, fletë ditari e letërkëmbim, – ish i dënuari politik, Kaso Hoxha, ndër të tjera, kur është arratisur i është drejtuar shtypit grek përmes një letre ku tregon gjendjen e Shqipërisë në diktaturën e Enver Hoxhës, si dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. Në letër, edhe pse dihej nga organizmat e huaja ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, se çfarë po ndodhte në Shqipëri, Kaso Hoxha me informacionet që dha, bëri të njohur botërisht terrorin e dhunën, burgjet dhe kampet e internimit që deri atëherë nuk ishin të njohura në kaq detaje dhe ton rebelues nga vuatjet. Libri përfshin kujtime, fletë ditari, rrëfime, duke u shtuar dhe vjershat, të gjitha të shkruara gjatë një dekade e gjysmë, që nga 1970 e deri në 1985. Më poshtë, botojmë të plotë letrën e Kaso Hoxhës, si dhe një fragment të situatës ku u gjend pas arratisjes…

Në librin “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”, botimi i kolanës 2021, nga ISKK, – me rrëfime, fletë ditari e letërkëmbim, – ish i dënuari politik, Kaso Hoxha, ndër të tjera, kur është arratisur i është drejtuar shtypit grek përmes një letre ku tregon gjendjen e Shqipërisë në diktaturën e Enver Hoxhës, si dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. Në letër, edhe pse dihej nga organizmat e huaja ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, se çfarë po ndodhte në Shqipëri, Kaso Hoxha me informacionet që dha, bëri të njohur botërisht terrorin e dhunën, burgjet dhe kampet e internimit që deri atëherë nuk ishin të njohura në kaq detaje dhe ton rebelues nga vuatjet. Libri përfshin kujtime, fletë ditari, rrëfime, duke u shtuar dhe vjershat, të gjitha të shkruara gjatë një dekade e gjysmë, që nga 1970 e deri në 1985. Më poshtë, botojmë të plotë letrën e Kaso Hoxhës, si dhe një fragment të situatës ku u gjend pas arratisjes…

***

Nga Kaso Hoxha

Unë, ende, nuk isha jashtë rrezikut. E dija fare mirë se, qeveria e re e Tiranës, e kryesuar tani nga Ramiz Alia, i cili u betua se do t’i qëndronte besnik Enver Hoxhës, do të bënte të pamundurën të mundur të më eleminonte fizikisht. Regjimit komunist të Tiranës i dhembi arratisja ime. Ata e kishin të qartë se, unë, do të denoncoja në shtypin botëror burgjet dhe kampet e shfarosjes në Shqipëri.

Reporterët prisnin në Athinë. Unë bëra denoncimin. I ruaja gazetat greke, që shkruanin në faqet e para: “Në Shqipëri kullon gjak”, “Në tokën shqiptare njeriu për njeriun është ujk”, “Spaç 303”, etj. shumë artikuj të tjerë. I ndjeja tërbimin Tiranës.

Menjëherë pas këtyre botimeve, udhëheqësi i ri i Partisë, Ramiz Alia, erdhi në Leskovik pranë kufirit grek, për t’i mbushur mendjen popullit shqiptar se, ato që thuhen në televizionin dhe në shtypin grek, nuk janë të vërteta, por shpifje dhe gënjeshtra të disa armiqve të popullit, tradhëtarë që lanë familjet e tyre të vuanin e që i shërbejnë shovinistëve grekë. Këtu, Ramiz Alia e kishte fjalën për mua dhe aktivistin vorioepirot Ilia Leka, i cili luftonte për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

Sigurimi i Punëve të Brendshme u hodh me të gjitha forcat e tij, të agjentëve që kishin nëpër botë, që të mbysnin zërin tim, mundësisht të më zhduknin fizikisht.

Pak ditë pas arratisjes sime, u hodh në Greqi një i arratisur tjetër, ushtar, e quanin Emin Methasani. Dhe ai kërkoi strehim politik. Që të ishte në kontakt me mua në kampin e refugjatëve Lavrio? Ndoshta isha gabim, por përvoja e burgut më bënte të dyshoja. Nëqoftëse hapen dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mund të zbulohet nëse, ai, ishte me mision apo jo. Ky djalë ishte i shoqërueshëm dhe tregohej i dashur.

* * *

Markaqotët dhe e gjithë bota e morën vesh për arratisjen time nga shtypi grek. Kushërinjtë e mi, nga SHBA, bënë një përpjekje që të viheshin në kontakt me mua në telefon. Ishte tepër emocionale kur fola me Rexhepin dhe Selfo Hoxhën. Ata nuk e besonin se, vërtet ishte Kaso Hoxha, ai që po u fliste.

U gëzuan sa s’thuhet dhe në të njëjtën kohë u hidhëruan nga lajmet e hidhura që dëgjuan. Ata më këshilluan të mos flisja, nuk e di se, pse. Mos vallë ishin trembur nga agjentët e Tiranës, te cilët ishin kudo?! A mos vallë u shërbenin këtyre? I pyeta për Bilal Xhaferrin se, si ishte. Përgjigja e Selfos ishte tronditëse. Ai më tha: “Mos më pyet për atë… Do të llafosemi kur të vish!”.

E pyeta se, si ishte dajkua im Zeqo Kola. Përsëri përgjigja e tij ishte tronditëse. Ai më tha: “Zequa është në spital. Ka një muaj tani dhe nuk dihet nëse do të rrojë. Dhëndri i tij, një djalë nga Korça, që e quajnë Ali, para pak kohësh u arratis nga Shqipëria. Ishte ushtar. Skënder Shuaipi i bëri garancitë dhe e solli këtu, duke e martuar me vajzën e Zeqos. Në shënjestër të parin kishte vënë Skënderin, por ai shpëtoi e doli jashtë, atëherë ky u kthye me revolen e tij, qëlloi Zeqon, djalin e Zeqos Isufin, dhe gruan e tij që ishte shtatzanë, Havanë. Një tragjedi e madhe. Do të llafosemi kur të vish këtu”.

Ky lajm më hidhëroi. Menjëherë më erdhi ndërmend Kipe Avdiu, në Spaç. Në një bisedë më kishte thënë se, markaqotët me në krye Skënder Shuapin dhe Bilal Xhaferrin nuk e kanë të gjatë. Kipe Avdiu dinte diçka. Ai kishte futur në varr gruan e tij, fëmijën, dhe gjithë ata njerëz, të cilët e ndihmuan të kishte një jetë të mirë në botën e lirë. Menjëherë m’u shtua dyshimi për ushtarin e arratisur Emin Methasani, që ndodhej me mua në Lavrio. Unë nuk besoja më…

Megjithë këshillat e Selfos dhe të Rexhepit, unë nuk heshta duke i dhënë përgjigje Ramiz Alisë në një denoncim, më tepër një thirrje, që bëra për televizionin grek.

DENONCIM

Të dashur nëna, baballarë, vëllezër, motra, të rinj e të reja!…

S’jam as armik, as tradhëtar, siç kërkojnë të më paraqesin xhelatët e Tiranës. Unë jam ai njeri që ngrita zërin kundër skllavërisë dhe genocidit të regjimit diktatorial 40 vjeçar të Enver Hoxhës, ngrita zërin për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat tuaja, të popullit të thjeshtë fukara. Babai im ka qenë një fshatar i thjeshtë që e ka fituar jetën me djersë, una jam bir i tij dhe i popullit tim të thjeshtë, për të cilin do të luftoj sa të fitojë lirinë, deri sa të thyejë përfundimisht vargonjtë e skllavërisë më të egër që mund të ketë njohur historia e njerëzimit.

Të dashur vëllezër!

E kuptoni se çdo të thotë socializëm i Enver Hoxhës? E kam të qartë që e kuptoni, por s’keni guxim të ngrini zërin.

Epoka e Enver Hoxhës ka qenë epoka e diktaturës, e dhunës, e terrorit, e gjakut, e burgjeve, e urisë, e degjenerimit moral dhe politik të njerëzve.

Gjithçka e mbështeti mbi gënjeshtrën, ku vëllanë e hodhi kundër vëllait, ku njëri s’ka besim te tjetri, ku njeriu ha njeriun, jo mishin, por e shet për të fituar ndonjë privilegj. Socializëm i Enver Hoxhës do të thotë “Të lindësh në rresht dhe të vdesësh në rresht”.

Populli shqiptar e ka harruar fjalën “liri”; ata nuk e dijnë se çdo të thotë demokraci dhe i janë nënshtruar një shfrytëzimi prej skllavi.

Deri kur do ta pranojë populli shqiptar një gjendje të tillë? Deri kur brezi i ri nuk do të zgjohet nga gjumi? Pse qeveria e re e Tiranës u pajtua duke u betuar se do t’i qëndrojë besnik Enver Hoxhës?

Enver Hoxha dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij janë kriminelët dhe xhelatët e kombit. Ata degraduan një komb të tërë, e tani po rritet një brez dështakësh.

Enver Hoxha e ktheu Shqipërinë në një burg popujsh, duke rrethuar me tela me gjemba 28 mijë km katrorë, ku populli ndërtoi me duart e veta burgjet dhe kampet e shfarosjes.

Të dashur vëllezër!

Fshatari shqiptar është i lidhur ngushtë pas tokës ku jeton, e këtë mentalitet nuk mund ta shkulë nga ndërgjegja e fshatarit, sado ndryshime cilësore që mund të ndodhin në shoqëri. Enver Hoxha me politikën e tij, me demagogjinë e tij, që gjatë luftës u paraqit përpara popullit si shpëtimtari i kombit, duke e mashtruar bukur shumë. Sot fshatari dhe punëtori mbetën të zhgënjyer, mbetën me gisht në gojë duke i mbyllur brenda katër mureve të ahurit, ku punojnë 10-12 orë në ditë për 4-5 kg bukë të qelbur, dhe duhet të presin me orë të tëra në rresht për të marrë racionin e ushqimit. Shumë produkte të konsumit mungojnë në treg. Njerëzit e partisë (komunistët) janë bërë agallarë të rinj, njerëz të qejfeve dhe veseve më banale; ata kanë gjithçka sepse populli i thjeshtë nuk ka asgjë veç zheleve, duke bërë një luftë të ashpër klasore deri brenda në familje, duke nxitur hasmërinë për të përçarë popullin, duke e lodhur me punë të rëndë fizike për të mos i lënë fare kohë që të mendojë se kështu e ka më të lehtë ta sundojë. Rinia shqiptare nuk është e lirë edhe të dashurojë. Partia do të vendosë nëse i riu është i ligjshëm. Një vajzë me biografi të keqe s’mund të dashurojë një komunist dhe e kundërta, një djalë komunist s’mund të dashurohet me një vajzë me biografi të keqe klasore.

Rinia shqiptare jeton kohën më të zezë në epokën e Enver Hoxhës, kujtimin e të cilit mundohen ta mbajnë të gjallë dhe t’i thurin ende lavdi.

Këtë përpjekje e bën partia e Enverit dhe njerëzit e privilegjuar, të cilët jetojnë në luks, që e ndërtuan mirëqenien e tyre mbi gërmadhat e mjerimit, të djersës, të gjakut të popullit të thjeshtë.

Populli shqiptar, i zhgënjyer nga politika e diktatorit, tani ishte vonë që t’i shpëtonte skllavërisë. Enver Hoxha, për të ruajtur pozitën e tij, filloi të likuidojë fizikisht bashkëpunëtorët dhe shokët e tij të luftës, me të cilët kishte kontradikta, duke shfrytëzuar konjukturat politike të situatës gjithë konflikte brenda kampit socialist. E prishi me Titon që i dha pushtetin në qeveri dhe parti, duke u lidhur më fort pas Stalinit, të cilin jugosllavët e hodhën poshtë. Enver Hoxha ekzekutoi grupin e Koçi Xoxes, Bedri Spahiut, Teme Sejkos, Beqir Ballukut, dhe në fund atë të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, duke ua ngarkuar këtyre fajin për të gjitha dështimet në ekonomi dhe politikë. Vetëm ky është komunist i kulluar që i donte të mirën popullit. I mbetur vetëm, hodhi parrullën: “Të mbështetemi në forcat e veta për t’i bërë ballë rrethimit imperialisto-revizionist”, duke i mbyllur të gjitha portat me botën e jashtme, e këtu fillon dhe vuajtja e madhe e popullit shqiptar.

Enver Hoxha me politikën dhe demagogjinë e tij të zhurmshme i bën thirrje proletariatit botëror për revolucion, e fton botën të marrë shembull nga Shqipëria socialiste që është bërë fanar ndriçues dhe kala e pamposhtur:

Ku nuk njihet papunësia; e si mund të flitet për papunësi kur gjithë populli shqiptar janë skllevër dhe i detyron të punojnë për dy kg bukë në ditë!

Ku nuk ka asnjë lloj takse për popullin; e çfarë takse do të marrë nga populli të cilit i kanë mbetur vetëm zhelet!

Ku nuk njihet asnjë lloj krize; veç krizës së madhe të urisë!

Dokrra që bota ndoshta i ha për të vërteta.

Të dashur vëllezër!

Kjo është fytyra e vërtetë e socializmit dhe e komunizmit të Enver Hoxhës, i cili e dhunoi bukur shumë tokën dhe popullin shqiptar.

Kam besim se një ditë gjithçka do të ndryshojë, por duhet pak guxim të thyeni vargonjtë, të flakni errësirën që iu mbulon sytë, se vetëm kështu do të dilni në dritë, në liri, të cilën ua uroj nga zemra!…

Lavrio, 7 gusht 1985

* * *

Agjentëve të Tiranës, kudo ku ishin, e ndjeja, u ishte ngarkuar misioni ta mbysnin zërin tim. Isha vënë në shënjestër dhe këtë ma thanë njerëz të Asfalisë greke. Unë, duhej të largohesha nga kampi i refugjatëve në Lavrio. Bisedova me miqtë e mi në Camada, të cilët më drejtuan tek despoti i Janinës, dhe ky fundit tek kryepeshkopi i Athinës Serafin, i cili më fshehu në një manastir të quajtur Moni Petraqi.

Bisedova në telefon, shumë herë me mikun tim Spiro Rubi, i cili më ftoi të strehohesha në shtëpinë e tij. Unë shkova dhe ndenja disa javë atje. Dëshira e tij ishte që, unë, të krijoja familje. Ai më njohu me vajzën e shokut të tij të ngushtë, Katerinën, e cila u bë bashkëshortja ime e re, larg. Me të vërtetë njeri i shenjtë, me të cilën sollëm në jetë 3 fëmijë, 2 vajza dhe një djalë.

Po, le të ktehemi, ku e lamë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}