nga Julia Vrapi
E njohur si ndërtesa e Shkollës së Parë Shqipe dhe Mësonjëtores, Muzeu i Arsimit në Korçë ka rihapur dyert për vizitorët pas një procesi restaurimi. Edhe pse disa ditë më parë ministrja e Kulturës u shpreh se nga një godinë e harruar është shndërruar në një muze bashkëkohor që i flet brezave, specialistë të ndryshëm të fushës së trashëgimisë kulturore shprehen me kritika. Arkitekt restaurator dr. Reshat Gega shprehet se Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte konceptuar si muze, i cili respektonte mjaft mirë frymën e asaj ngjarje për të cilën u destinua. Sipas tij, përfaqësonte mjaft bukur e thjesht idenë kryesore për të cilën u vu në shërbim, dhe thjesht dhe qartë jepte mesazhin e zgjimit kulturor, ashtu sikundër ishin mundësitë dhe mjetet e asaj kohe. Por për arkitektin restaurator dr. Reshat Gega me çfarë është bërë tani e tjetërsuan. “Me çfarë sajuan e tjetërsuan, së fundmi, nuk kanë bërë tjetër veç një përdhosje, si të asaj që quhet frymë dhe mesazh i historisë, e paraqitur në brendinë e ndërtesës, por edhe elementet e instalacionit në eksterier, të cilat ishin vlerë më vete. Ka ardhur një kohë kur ata që vërsulen për të bërë gjoja mrekullira, nuk bëjnë gjë tjetër veç sajesa aventureske me shpërfillje të theksuar të vërtetësisë historike si dhe me injorim prej injorantësh të kontributit të atyre që e konceptuan që në fillim këtë muze me mjaft vlerë”, shprehet mes të tjerave dr. Gega. Gjatë këtyre ditëve zëra të ndryshëm të fushës së trashëgimisë kulturore janë shprehur me kritika për çfarë ndodhi në Muzeun e Arsimit në Korë, ku dhe sipas arkitektit restaurator dr. Reshat Gega ky fenomen, prishja dhe ribërja, deformimi dhe përdhosja, fshirja e origjinales dhe “zbukurimi” me lojëra 3d e lajle lule, është një proces që ka kohë që ka përfshirë zinxhir trashëgiminë kulturore. “Lista e shkatërrimit me ndërhyrje gjoja rivlerësuese e restauruese të muzeve e monumenteve është ethshëm e gjatë. Ka kohë që kam denoncuar dhe po në të njëjtën llogore ka qenë edhe i ndjeri miku im Kliti”, vijon më tej dr. Gega.
Një zinxhir ngjarjesh
Arkitekt restaurator dr. Reshat Gega ashtu si dhe të tjerë specialistë shprehet me kritika për çfarë ndodhi me ndërhyrjen që u bë në Muzeun e Arsimit në Korçë, por sipas tij ajo që ndodhi nuk është rastësi apo episod i izoluar. “Kemi të bëjmë me një zinxhir ngjarjesh, të cilat së bashku nxjerrin në pah një situatë katastrofike, e cila pjell vazhdimisht negativitet kulturor në emër të gjoja kontributit kulturor”, vijon mes të tjerave në reagimin e tij arkitekti restaurator. Zërave të specialistëve të trashëgimisë kulturore i bashkohet edhe piktori Rakip Shabani. Ai thotë se Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë për çfarë ndodh me monumentet e kulturës dhe muzetë kombëtar në vendin tonë. “E pashë që kishin bërë restaurim në Muzeun e Arsimit, por veç të tjerave kishin lëvizur edhe shkronjat A B, C, që ishin parë. Me atë që i kanë bërë Mësonjëtores nuk i kanë sjellë ndonjë gjë që ta ndihmojnë, qoftë atdhedashurie apo qoftë për kulturën. Kur ti i heq shkronjat që ishin aty, i ke marrë gjithë emocionet dhe kjo është antikulturë. Ministria e Kulturës po prish kulturën”, thotë piktori Shabani. Muzeu i Arsimit në Korçë ndodhet në ndërtesën e Shkollës së Parë Shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri. Nga viti 1973 është shpallur edhe monument kulture.