Ekspozita e 17-të ndërkombëtare e arkitekturës që mbahet çdo vit në Venecia, e njohur “La Biennale di Venezia” prej vitesh pret dy kombe të së njëjtës etni, Shqipërinë dhe Kosovën. I përmendëm të dy vendet, për të vëzhguar më lehtë se sa e çliruar është organizimi artistik në Kosovë, dhe sa i kompleksuar nga mendësia është ky, në Shqipëri. Nga kjo arsye shpjegohet inkoherenca e palës shqiptare, edhe pse nuk mund ta quajmë të tillë, koshiencën mbi nostalgjinë dhe qëllimin për të prodhuar ekzibicion mbi vlera të rrezikshme të realizmit socialist.
nga Violeta Murati
Ekspozita e 17-të ndërkombëtare e arkitekturës që mbahet çdo vit në Venecia, e njohur “La Biennale di Venezia” prej vitesh pret dy kombe të së njëjtës etni, Shqipërinë dhe Kosovën. I përmendem të dy vendet, për të vëzhguar më lehtë se sa e çliruar është organizimi artistik në Kosovë, dhe sa i kompleksuar nga mendësia është ky, në Shqipëri.
Nga kjo arsye shpjegohet inkoherenca e palës shqiptare, edhe pse nuk mund ta quajmë të tillë, koshiencën mbi nostalgjinë dhe qëllimin për të prodhuar ekzibicion mbi vlera të rrezikshme të realizmit socialist.
Bienalja ka përcaktuar këtë vit, thelbin çfarë udhëhoqi gjithë botën në një vit pandemie, apo botën e përplasur prej kulturave nga emigrimet, po ashtu si ndahen e përdoren hapesirat publike etj., duke reflektuar në këtë edicion me temën “Si të jetojmë së bashku”. Çuditërisht, në Shqipëri kjo është përkthyer në formën më foshnjërake, përmes refleksionit: “Njih fqinjin”. Për këtë ka marrë hua titullin e filmit “Në shtëpinë tonë”, të regjisorit, emblematik të produksionit kinematografik në diktaturë, Dhimitër Anagnostit, që i përket vitit 1979.
Është përcaktuar tashmë, edhe pse jo zyrtarisht, pra me ndonjë rrugë ligjore, por në një debat konfliktual se, këto produksione kanë qenë instrument dhe propagandë e kulluar, për të mbajtur sistemin diktatorial në këmbë. Regjisorët dhe, gjithë industria e kinemasë u ndërtua dhe u vu në shërbim të këtij pushteti. Pra, që këtu ndeshim kontradiksionin e qartë mbi ekzistencën artistike mbi këto produksione, ngado të ulërasin dhe të brohorasin ata që u bënë instrumente për fuqizimin e diktaturës, pra regjisorët, aktorët etj.
Po, qe se në Bienalen e Venecias konteksti do t’i përmbahej këtij reflektimi, pra, se si komunizmi deformoi njeriun, shoqërinë dhe gjithë vlerat e saj – Ministria jonë e Kulturës, me në krye Margaritin, do kishin bërë një shërbim artistik siç duhet. Por, urdhëresat për të paraqitur këto produksion si imazhe për të treguar “komshiun e diktaturës”, këtu jemi në një kryqëzim të rrezikshëm për konceptet e artit, duke mos dëshmuar gjë tjetër, veçse inkoherencën dhe vuajtjen mendore të pushtetit të sotëm. Që, si dy pika ujë, krijon përmes kësaj performance zgjatimin e rafinuar se komunizmi, si mendësi e praktikë mbahet, e vazhdon nga pasardhës.
Ky pavion shqiptar s’do mund të quhej gjë tjetër, veçse pavioni i çmendurisë së pambarimtë. Për Margaritin ky është konsideruar si një përfaqësim të konceptit të traditës tipike shqiptare, ku kontradiksioni apo keqkuptimi, ose nga injoranca, ose nga funksione të errëta të ndërgjegjes, e çon Shqipërinë në Venecia në një dështim.
Margariti tha fjalë për fjalë: ”Pjesëmarrja në këtë Bienale pa dyshim që është një mesazh shprese sidomos prej pandemisë çka tregon edhe luftën tonë për të ardhur me një temë që vazhdon aktuale “Si do të jetojmë së bashku. Kjo ishte një temë për të cilën ne nuk patëm sforco dhe bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare. Ne nuk kemi pasur një shtëpi sepse shtëpia jonë ishte bashkëjetesa dhe fqinjësia. Ky pavijon vendos në filozofinë dhe themelin e tij rikthimin e fqinjësisë sidomos gjatë pandemisë që na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër”.
Naivitetin më të madh e ka shfaqur e reja, anonime në fushë të artit, Fiona Mali duke mos shkuar më tej për “fqinjësinë”, se sa servilizmi ndaj pushtetit, kur thotë se “falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës u krijua mundësia që ne të merrnim pjesë në mënyrë dinjitoze në këtë event kaq të rëndësishëm”. Për Malin si mund të jetë një shqetësim “të njohim fqinjin”?! Është një argument i paarsyshëm, qoftë në llogjikë, qoftë korrekt politikisht, e më tej, në thelb i paarritshëm artistikisht.
“Ky element përmban histori të jashtëzakonshme. Gjithashtu duke shfrytëzuar kinematografinë shqiptare me 20 filma ne çojmë në Venecia jo vetëm fqinjësinë por edhe kinematografinë shqiptare. “Të njohim fqinjin” është një shqetësim, ndaj edhe ne vendosëm ta sillnim në fokus ditët e sotme ku mënyra e jetesës në mënyrë individuale është kthyer në një tjetër pandemi”, tha Mali. Kush e ka “mësuar”, zonjën Mali që jetesa në mënyrë individuale qenka një tjetër pandemi?! Çfarë qenka kjo individualja, që dashka ta zhdukë pushteti aktual, duke e identifikuar me kolektiven ashtu si në diktaturë edhe sot në demokraci?!
Mendja e Margaritit dhe kuratores me mbiemrin Mali nuk arrijnë të tejkalojnë rekomandimet që ju kanë dhënë, duke përfaqësuar për turp Shqipërinë në një raport që nuk lidh asgjë “thesarit” që kanë dërguar me thelbin që lidh Bienalen e Venecias, pa adresuar asnjë çështje të ngjashme veç dehumanizmit përmes produksioneve të komprementuara moralisht, e ideologjikisht në diktaturë.
Këtë vit, Bienalja e Venecias analizon se, si arkitektura mund të adresojë çështje globale si polarizimi politik dhe fetar apo dhe bashkëpunimi i thjesht human. E parë gjerësisht si një vend neutral, Bienalja e Venecias ofron hapësirë dhe kohë për dialog.
Për të kuptuar vonesën mendore të kulturës së Ministres në Shqipëri, sjellim një panoramë çfarë gjen në Bienale të Venecias. Arkitekti kilian Alejandro Aravena, i cili ka qenë kuratori Bienales në 2016, ka krijuar një hapësirë ku shpreson se kilianët dhe populli indigjen Mapuche mund të takohen e të diskutojnë mbi konfliktet e tyre shumëvjeçare mbi territorin. Arkitektura, e sjellë në jetë nga studio e tij “Elemental” përmbush kriteret e traditës së popullit Mapuche: që të jetë në formë rrethore me orientim nga lindja, të jetë e ndërtuar me dru në formën vertikale. Ajo u ndërtua në krah të kanalit Arsenale, qendra më e madhe e prodhimit në periudhën para industrializimit në Venecia, me shpresën se kilianët dhe indigjenët të udhëtonin drejt Venecias për të debatuar, një traditë e vjetër negocimi mes dy palëve.
Por pandemia ka sjell pasiguri nëse kjo do të mund të realizohet.
Në projektin “Jeta Përtej Tokës” shfaqet një fshat që ndodhet në hënë që tejkalon kufizimet e klimës ekstreme duke përdorur teknologjinë që iu ndodhet ose në zhvillim e sipër.
Projekti i “Skidmore, Oëings & Merrill” Agjencisë Europiane të Hapësirës synon të tregojë se bashkëpunimi botëror midis kombeve dhe partnerë për të ndarë me njëri-tjetrin ekspertizën e tyre kundrejt objektivave të përbashkëta është në të vërtetë i arritshëm.
Ata parashikojnë se Fshati i Hënës mund të krijohet në një hark kohor prej vetëm pesë vitesh.
“Unë jam optimist me zemër, Bienalja është organizuar me optimizëm, rreth pyetjes sesi do të bashkëjetojmë”, thotë Colin Koop nga Skidmore, Oëings & Merrill.
“Ajo çka duam të të bëjmë me këtë pjesë të ekspozitës është të tregojmë se është e mundur që të ndërtojmë një të ardhme bashkëpunuese që është e fokusuar mbi të gjitha ata vlerat dhe shqetësimet e përbashkëta për planetin, një formë njohurie që ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë – biologjikisht, kulturalisht dhe politikisht. Këto mund t’i shprehim në një lloj të ri mjedisi jetese, një lloj vendbanimi i ri”. Por përpara nisjes drejt Hënës, pavijoni britanik ka vendosur të eksplorojë sesi do të bashkëjetojmë me privatizimin në rritje të hapësirave publike. Projekti titulluar “Kopshti i Mrekullive të Privatizuara” e ka transformuar pavijonin në një seri hapësirash publike të rrezikuara që mund të rimendohen dhe ringjallen.
Një tjetër projekt britanik tregon sesi komunitetet myslimane kanë qenë të afta të përdorin hapësirat për të ndërtuar xhami. Tri Xhamitë Britanikë” shfaqin tri xhami të cilat janë ngritur në ambientet ku më parë ka qenë një kishë, një sinagogë dhe një pab.
Kështu hapësirat e konceptimit të të qënit së bashku, në Bienalen e Venecias mund të merren si modele të shoqërive të lira, dhe sado të lira gjejnë reflektime kritike për ta ridimensionuar lirinë. Ndërsa Shqipëria polarizon ekzistencën arkitekturore, brenda një koncepti të dyshimtë politik, që nuk ofron asnjë reflektim artistik, veçse falsitetin e mungesës së lirisë së ridimensionuar, të propagandës së realizmit socialist, duke përcjellë një fakt artistik të rremë, dhe të me të drejtë të konsideruar të rrezikshme.V.M