Arkitektura në komunizëm – kjo është lënda bazë mbi të cilën u ndërtua ideja e një dokumentari, shfaqur në edicionin e VII të Ditëve të Kujteses, mbajtur në Tiranë, si projekt i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Eshtë udhëtim nëpër kryeqytet, ku njehemi me trashëgiminë arkitekturore dhe planifikimin urban të periudhës komuniste.
Ky dokumentar konsiston në fillimin e tre tureve udhëtimi me autobus të nxënësve të shkollave të mesme nëpër qytetin e Tiranës, të udhëhequr nga historiani i artit, Eled Fagu dhe sociologu Ergys Mërtiti. Tirana zgjidhet si qyteti ku u investua më shumë në aspektin estetik si propagandë, por edhe ku kjo trashëgimi arkitekturore është ruajtur më mirë.
Gjatë këtij udhëtimi, historiani i artit na njeh me gjurmët dhe historikun e arkitekturës komuniste, me influencat e huaja ideologjike në arkitekturë, planifikimin urban dhe në veprat monumentale të trashëguara nga ajo kohë; ai shpjegon se si regjimi prodhoi Tiranën e vet, duke u imponuar qytetarëve shijet, dinamikën dhe mënyrën e vet të jetesës, duke filluar nga objektet e kultit të propagandës komuniste si ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, krenaria e mitit të industrializmit shfaqur tek Kombinati i Tekstileve, e deri tek uniformiteti zymtë i shtëpive-blloqe të banimit.
Ndërsa sociologu Ergys Mërtiri, gjatë këtij udhëtimi ofron atë që fshihet përtej pamjes: jetën në komunizëm dhe ndikimin psiko-social të këtij mjedisi estetik tek individi dhe gjithë shoqëria.
Dokumentari, që është ide e Ergys Mërtirit, bazohet mbi episode e filmuara të këtij udhëtimi dhe mbi materiale audiovizuale nga arkivat.
Njohja me arkitekturën komuniste përmes tureve të tilla të ngjashme me një “muze lëvizës”, është aplikuar për herë të parë në projektin ndërkombëtar “Në kërkim të gjurmëve të komunizmit në Shqipëri” (“Following the traces of Communism in Albania”) në vitin 2017, të realizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” në Shqipëri, me ideatore Luljeta Lleshanakun dhe Klaudja Zervën.
Me linkun e meposhtem traileri i dokumentarit:
https://www.facebook.com/ergys.mertiri/videos/677029457068692