Qendra kulturore “Tek Bunkeri”, së fundi ka realizuar një projekt jo të zakontë; 49 portrete dhe rrëfime të ish të të përndjekurve politikë, të cilët kanë vuajtur në burgun e Spaçit, janë vendosur në ish burgun e Spaçit. Ekspozita është quajtur “E kaluara e tashme”, dhe synonin nxitjen e pushtetit për ta shndërruar këtë vend në muze, ku do përjetësohen me maskat e tyre, ish të burgosurit, që janë ende gjallë, e të lënë në harresë.

Ish të burgosurit e burgut famëkeq të Spaçit u rikthyen këtë fundjavë për të përjetësuar në art kalvarin e vuajtjeve gjatë sistemit monist. Deri të shtunën që lamë pas, në burgun e Spaçit, përveç godinave të rrënuara dhe vizatimeve në mur të ish të dënuarve nuk kishte asnjë dëshmi mbi torturat, përjetimet dhe historitë. Por që nga 13 prilli, në ambientet e këtij burgu u hap ekspozita audiovizuale “E kaluara, e tashme” për të qëndruar aty përgjithmonë. Kushdo tani do mund të shohë 49 portretet në allçi të ish të burgosurve politikë, që janë ende në jetë, por dhe do mund të dëgjojnë në kufje intervistat e tyre.

Pamje nga ekspozita audiovizuale “E kaluara, e tashme”

“Do mbetet si pjesë e trashëgimisë kulturore përgjithmonë aty ku i takon” – tha për Citizens një nga organizatorët e ekspozitës, Arnen Sula.

Ne foto: Arnen Sula

Ndryshe nga Arneni, i cili nxitjen për nisjen e kësaj ekspozite e pati nga mungesa e fakteve dhe dëshmive, skulptori dhe kuratori Kristian Zara e lidh me arsye më personale.

“Gjyshi im ka qenë këtu, nga të parët që kanë qenë në Spaç, edhe kam një lloj ndjesie vazhdimisht sikur të ishte gjallë do më thoshte që diçka është ba, të paktën nga nipi i tij” – rrëfen Kristian Zara.

Organizatorët theksojnë se përveç nxitjes që brezi i ri të njohë sa më shumë historinë është edhe nxitja e institucioneve përkatëse për kthimin e objektit në muze.

“Jemi 33 vite me vonesë tanimë për ta bërë këtë gjë. Duhet të ishte bërë shumë më përpara, por megjithatë uroj që sa më shpejt të rikonstruktohet si objekt, sepse është pjesë e pandashme e historisë sonë” – analizon Arnen Sula.

Por maskat e allçiut u prekën dhe u vizituan jo vetëm nga të rinjtë, por edhe vetë personazhet që inspiruan dhe bënë të mundur këtë instilacion, ish –të burgosurit e Spaçit.

Të emocionuar teksa gjenin maskën që i përkiste ata ndanë disa rrëfime nga vitet e torturës për Citizens.

Demir Abazi, me origjinë nga Dibra u dënua për shkak se u arratis në Shkup, ku qëndroj katër muaj dhe pasi u kthye bëri gjashtë muaj izolim. Ai ka vuajtur dënimin prej 10 vitesh në Spaç.

“Kurrë nuk kam mendu që dal gjallë prej këtu! Të largohet edhe mendimi për shtëpinë, duket sikur s’ke njeri, veç kur të vinte familja që të binte dy trajse atje në fillim të rrugës” – rrëfen Abazi.

Pamje nga ekspozita audiovizuale “E kaluara, e tashme”

Velemin Ranxha, një tjetër ish i burgosur tregon se vetëm për shkak të sharjeve ndaj ish diktatorit Enver Hoxha, përgjatë qëndrimit në Spac, ai u dërgua në një biruc me temperaturë minus 30 gradë për një muaj.

“Tani është kopësht me lule, në krahasim me atë që ka qenë kur isha unë këtu”- kujton Ndoc Çulaj.

Çulaj përfundon se duhet të realizohet ajo që është premtuar, pasi ish të burgosurit edhe në demokraci nuk kanë përfituar dëmshpërblimet.(citizens.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}