nga Julia Vrapi
Filmi shqiptar “Vdekja e kalit” prodhim i vitit 1992 me regji nga Saimir Kumbaro do të jetë pjesë e “Sezonit klasik të filmave”. Lajmi për filmin bëhet me dije nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. AQSHF, i cili vitin e kaluar u bë anëtar i Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE) këtë vit do të marrë pjesë në “Season of classic films” (Sezoni i filmave klasikë).
Filmi me skenar nga Nexhati Tafa dhe regji nga Saimir Kumbaro do të shfaqet në “Sezonin e filmave klasikë”, në versionin e restauruar. Lajmi u bë me dije në Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive 2020, nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSH), ku sipas njoftimit mes 50 filmave klasikë evropianë që do të shfaqen nga dhjetor i vitit 2020 deri në qershor të 2021 do të jetë edhe versioni i restauruar i filmit shqiptar “Vdekja e kalit”. Iniciativa e “Sezonit të filmave klasikë” mbështetet financiarisht nga programi i Bashkimit Europian “Creative Europe” dhe koordinohet nga Shoqata des Cinematheques Evropeennes (ACE). “Season of classic films” është një seri shfaqjesh falas të planifikuara nga dhjetori i këtij viti deri në qershor 2021 në të gjithë Evropën për të rritur ndërgjegjësimin për punën e arkivave evropiane të filmave kombëtar dhe rajonal, veçanërisht tek të rinjtë. Sipas njoftimit, shumica e filmave janë restaurime të reja digjitale. Me 22 institucione pjesëmarrëse, nisma synon gjithashtu të mbështesë rihapjen e arkivave europianë të filmit, të gjithë të prekur nga kriza Covid-19.
Filmi shqiptar
Filmi “Vdekja e kalit” me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar Nexhati Tafa ka në role aktorë të njohur. Në faqen e AQSHF janë publikuar ngjarjet e filmit si dhe bashkëpunimi me të tjerrë artistë i regjisori Kumbaro për realizimin e tij. Aktorë në film janë Timo Flloko, Raimonda Bulku, Niko Kanxheri, Fitim Makashi, Luan Qerimi, Tinka Kurti, Bedri Jashari, Harilla Vjero, Ferdinand Radi, Xhemal Koçi, Agron Mema, Darling Çapeli, Lutfi Zyko, Luljeta Sallaku. AQSHF shkruan se me rolin në këtë film Timo Flloko u shpall aktori më i mirë i Festivalit të X të Filmit Artistik, që u zhvillua në maj të vitit 1995 dhe u nderua me kupën e festivalit për rolin e Agronit. Regjisori dhe piktori i filmit respektivisht Saimir Kumbaro dhe Arben Basha u nderuan me madaljonin e festivalit. Muzika e filmit është realizuar nga Rene Aubry. Në 1975, një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili kishte ngritur fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Pas dënimit të të gjithë të implikuarve në grushtin e shtetit, kalohet në zhdukjen e çdo lloj vepre për të cilën mund të mbajnë meritë “puçistët”. Kjo shënon fillimin e ekzekutimit të kuajve. Bëhet fjalë për kuajt e racës Arba. Agroni (protagonisti) shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Pas kësaj jeta e tij fillon të copëtohet. E shoqja, nën presionin e prindërve dhe motrës, kërkon divorcin dhe aborton fëmijën që priste. Për pasojë vdes nga një hemorragji, pasi aborti ishte kryer në mënyrë klandestine. Mbas përmbysjes së sistemit, të dënuarit politikë lirohen dhe Agroni, të cilin nuk e pret askush te dera e burgut, kërkon prindërit në shtëpinë ku banonin, por mëson se i kanë internuar menjëherë pas dënimit të tij. Më në fund takon “xhelatin” e tij, që në sistemin e ri ka bërë përsëri karrierë dhe është zgjedhur deputet. Filmi mbyllet me protagonistin në rrugë të madhe dhe antagonistin duke ngjitur shkallët. Sipas kritikës, ky është filmi i parë shqiptar që vë në dukje anët negative të sistemit komunist për shoqërinë shqiptare. Ngjarjet e këtij filmi janë zhvilluar në Shkodër dhe në Tiranë.