Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit për herë të parë sjell para publikut dokumente arkivore që dëshmojnë veprimtarinë kriminale të regjimit diktatorial mbi fëmijët. Të vendosur në një ekspozitë, në sheshin Skënderbej, prej ditës së djeshme “Fëmijët pas telave me gjemba” është një akt dhe homazh për fëmijët në Ditët e Kujtesës, të cilët vuajtën dhunën dhe persekutimin, pas burgosjes apo ekzekutimit të familjarëve të tyre. Drejtori i ISKK, Çelo Hoxha ne fjalën e tij, tha se “dokumentet në këtë ekspozitë e vërtetojnë se në periudhën 1945-1990 ka pasur mungesë ligji, dhe se, në terma ligjore, ajo që quhet internim ka qenë kufizim i paligjshëm i lirisë nga institucionet e regjimit komunist”.
E shoqëruar me dokumente autentike, ekspozita ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si dhe të trupave diplomatikë e përfaqësuesve të parlamentit prezentë në ceremoninë e perurimit duke u njohur me pjesën më të errët, dhe të dhimbshme të represionit komunist edhe mbi fëmijët e pafajshëm.
Me ide të ish drejtores së ISKK, Luljeta Lleshanaku, dhe kurim të studiueses Brisejda Lala, qëllimi i ekspozitës është të hedhë dritë në një pjesë të rëndësishme dhe të pa studiuar të historisë së Shqipërisë, e cila lidhet me një nga anët më të errëta të veprimtarisë kriminale që u krye në emër të shtetit shqiptar.
Ekspozita sjell për herë të parë aspekte të rëndësishme që lidhen me jetën e fëmijëve në internim dhe persekutimin e tyre. Nëpërmjet dokumenteve arkivore dhe fotove, vijnë para publikut informacione të panjohura lidhur me burgosjen e minorenëve dhe dërgimin e tyre në kampe pune. Dokumentet dhe historiku shoqërohen me skica të ish përndjekurit politik z.. Musa Çapani; ndërsa grafikat e tjera të përshtatura me historitë personale të marra nga vëllimet e “Zërave të Kujtesës”, janë realizuar nga piktorja Neraida Dado.
Dokumentet e ekspozuara zbulojnë që internimi i fëmijëve ishte një proces i pabazuar ligjërisht, duke ofruar fakte mbi jetën e fëmijëve në kampe internimi, të rrethuar me tela, siç ishte Kampi i Tepelenës; jetën e fëmijëve në vende internimi në mungesë të kushteve më minimale të jetesës gjë që binte në kundërshtim me propagandën e kohës dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.
Këtu janë ekspozuar dhe dokumente të kohës që pasqyrojnë numrin e fëmijëve në kampe dhe vende internimi; dëshmitë e kohës i japin zë historive personale të përjetuara prej tyre.
Ekspozita është e fokusuar tek persekutimi i fëmijëve dhe vuajtjet e tyre gjatë regjimit komunist, pavarësisht mungesës së theksuar të dokumenteve zyrtare dhe të dhënave lidhur me këtë fenomen. Përpos kontributit në Ditët e Kujtesës, ekspozita shënon nje prej ngjarjeve, më me rëndësi në kuadër të veprimtarisë vjetore të ISKK, duke përfshirë edhe botimin e kolanës 2022, promovimi i të cilëve mbahet nesër, në orën 10.00, në mjediset e Hotel Internacional Tirana, me prezencë të autorëve, ish të përndjekur dhe studiues.
***
Gjatë regjimit diktatorial në vend nuk u kursye represioni as ndaj të miturve. Pavarësisht se kodi penal nuk e lejonte burgosjen e tyre, por rehabilitimin në qendra riedukimi, shumë të mitur vuajtën dënimin në burgjet më famëkeqe, të ngritur nga regjimi komunist.
Tortura niste që në hetuesi ku, për të pranuar fajin, ose nën presionin e bashkëpunimit me Sigurimin shumë të mitur, thonë se janë dhunuar.
Pas procesit gjyqësor ata dërgoheshin të punonin në kampet e punës të ngritura në vitet e para të pasluftës si në kampin e Maliqit, atë të Rinasit etj.. Nuk kanë munguar rastet kur të miturit janë dërguar në burgun e Spaçit apo në Qafë Bar, ku iu është kërkuar të plotësojnë normën e punës sikundër të rriturit. Në rastet kur ata nuk mund të punonin, ose kundërshtonin, atëherë i dërgonin në dhomat e izolimit.
Të miturit, të cilët zakonisht vinin nga familjet që konsideroheshin me “biografi të keqe”, akuzoheshin për krime të ndryshme, ku akuza më e përhapur ishte “Agjitacion dhe Propagandë”. Megjithatë nuk kanë munguar rastet kur një grup të rinjsh u akuzuan për shpërndarje traktesh kundër regjimit dhe krijimin e organizatave antipartiake që synonin rrëzimin e pushtetit.
Gjithashtu shumë të mitur konsideroheshin element të rrezikshëm për shoqërinë dhe ishin objekt i vazhdueshëm i përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit.
Të shumta kanë qenë edhe rastet, kur në moshën e adoleshencës shumë prej tyre janë munduar të largohen nga vendi, gjë që konsiderohej shkelje të ligjeve të kohës dhe përbënte “tradhëti ndaj atdheut”.
Për të miturit ligjet parashikonin gjysmën e dënimit të të rriturve, për të njëjtën vepër penale.
DËBIMI DHE INTERNIMI
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri u shoqërua me dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre.
Ndër masat kryesore ndëshkuese ishin edhe dëbimi e internimi. Masat ndëshkuese ishin penale dhe administrative.
Masa penale jepej nga gjykata, masa administrative nga një komision i posaçëm.
Në periudhën 28 nëntor 1944-10 janar 1949, dëbimet administrative nuk ishin të bazuara në ligj.
Në periudhën 28 nëntor 1944-2 gusht 1954, internimet administrative nuk ishin të bazuara në ligj.
Sipas dekretit nr. 1906, 2 gusht 1954, internimi dhe dëbimi ishin masa administrative që merreshin “kundër personave që paraqesin rrezikshmëri shoqërore”.
Këto masa mund të merreshin dhe ndaj pjesëtarëve të familjes së një personi të arratisur jashtë ose brenda vendit. Pjesëtarë të familjes konsideroheshin personat që bashkëjetonin me të arratisurin: bashkëshorti/ja, fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat, si dhe persona të tjerë në ngarkim të tij/saj.
Shumë persona vuajtën dëbim dhe internim që nga vendosja e regjimit komunist deri në rënien e tij, për katër dekada e gjysmë. Në shumë raste, të dëbuarit ose internuarit vazhdonin vuajtjen për vite, edhe pse i arratisuri, i cili ishte bërë shkak për dënimin e tyre, nuk jetonte më.
Zoi Xoxa, ish-deputet dhe botues gazete, u dëbua nga Tirana familjarisht, në ditët e para të vendosjes së regjimit komunist. Ditën që shkuan për ta dëbuar, atij i kishte vdekur djali 14 vjeç. Përfaqësuesit e regjimit që shkuan për të realizuar dëbimin e familjes, nuk e lejuan familjen të kryente varrimin e djalit, por e detyruan ta merrte kufomën me vete në Fier, aty ku ishte caktuar vendi i ri i banimit. ———– Katriot Dervishi, Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste (Tiranë: ISKK, 2015), 8. |
Familja Petrela Fadil Petrela, bashkë me bashkëshorten, vajza e Abaz Kupit, dhe 4 djemtë e tyre, të internuar në Berat, u transferuan në Tepelenë, më 1949. Gjatë rrugës, diku përgjatë Grykës së Këlcyrës, kamioni ku ishin ngarkuar rrëshqiti dhe ra në lumë. Të prindërit, Fadili dhe Xhumaja, humbën jetën, ndërsa fëmijët mbijetuan. Të internuarit e tjerë kujtojnë që fëmijët ulërisnin. Skena, e rikujtuar nga Qamil Merlika (2015), ishte kjo: “Dy kufoma dhe fëmijët e vegjël që shihnin babë e nënë, të vdekur para syve.” Sipas kujtimeve të Z. Qamil Merlika, Z. Azis Ndreu, Znj. Asije Habili, të mbijetuar nga kampi i Tepelenës. |
FËMIJËT E MITUR, STATISTIKA
Statistikat për fëmijët e internuar nuk janë të plota, pavarësisht përpjekjes, të bërë pas rënies së regjimit komunist.
Të dhënat për të internuarit gjatë regjimit komunist janë tejet të mangëta. Për regjistra me emrat nominalisht as që bëhet fjalë. Kampi i Krujës dhe Beratit u hapën që më 1945, të dhënat e para që zotërojmë janë të vitit 1947.
Në shtator 1947, në kampin e Krujës dhe të Beratit ndodheshin 895 të internuar, prej të cilëve 193 burra, 324 gra dhe 372 fëmijë. Në vitin 1948 ishin gjithësej 714 persona, prej të cilëve 230 fëmijë.
Në kampet me tela me gjemba mbizotëronte numri i fëmijëve. Sipas dokumenteve zyrtare, më 1949, në 1430 persona të internuar, 652 ishin fëmijë, 241 burra dhe 537 gra.
Në kampin e Tepelenës, në janar të vitit 1950, kishte gjithsej 460 fëmijë, nëmuajin qershor 547, ndërsa në dhjetor të këtij viti 164 të mitur. Në kampin e Valiasit numri i fëmijëve varion nga 239 në janar 1950 në 275 në dhjetor të këtij viti. Kampi i Porto Palermos, në kulmin e tij ka patur 37 të mitur, në vitin 1950.
Në vitin 1952 në kampin e Tepelenës rezultojnë të jenë internuar 110-124 fëmijë.
Në vitin 1969 autoritetet pohonin se, nga të dhënat që dispononin, numri i fëmijëve nën 16 vjeç arrin mbi 830 vetë. Në vitin 1985, rreth 821 persona të internuar i përkisnin grupmoshës 14-30 vjeç.
FAMILJA HABILI Familja e Ramë Habilit, nga Kavaja, humbi 3 fëmijë në internim. Në kalanë e Beratit humbi jetën Nexhmija, 3 vjeç, nga kequshqyerja. Në kalanë e Beratit u sëmur edhe Mukadesi (Desi), e cila kishte një problem me veshkat. Ndërkohë familja njoftohet që do të transferohet ne Tepelenë dhe nuk pati mundësi ta shtronte në spital. Doktori kishte porositur që ajo të mos hante ushqime të kripura, por në kampin e Tepelenës ishte e pamundur të përzgjidhje ushqimin. Kur vdiq, Desi ishte 8 vjeçe. Në kampin e Tepelenës kjo familje humbi dhe një djalë, Xhevatin, 13 vjeç. Sipas dëshmisë së znj. Asije Habili, motra e tre viktimave, e mbijetuar e kampit të Tepelenës. |
KAMPET E INTERNIMIT
Familjarët e kundërshtarëve politikë në arrati, brenda ose jashtë Shqipërisë, u izoluan në qendra të caktuara, të cilat quheshin kampe internimi.
Kampet e para ishin në Krujë, Berat, Kamëz, Valias, etj.. Strategjia e regjimit ishte që, banorët e jugut t’i internonin në veri (Krujë, Kamëz), ndërsa të veriut në jug (Berat, Tepelenë) me qëllim që të ishin sa më larg zonave ku jetonin në arrati të afërmit e tyre.
Në kampe, kushtet e jetesës ishin të vështira. Në dy raste, u përdorën si kampe internimi dy kala, në Berat (1945-1949) dhe Porto Palermo (1949-1950). Dëshmitarë tregojnë se shumë prej personave të internuar në Porto Palermo, kur dolën nga galeritë e kalasë u verbuan, pasi kishin jetuar një kohë të gjatë në errësirë të plotë. Ky kamp u mbyll shpejt meqë konsiderohej si i lehtë për t’u arratisur.
Një kategori tjetër e vendeve të internimit ishin kampet rrethuara me tela me gjemba. Rasti më tipik është kampi i Tepelenës, i cili funksionoi deri në vitin 1953.
Kushtet e vështira në kampin e Tepelenës janë bërë të publike nga dëshmitarët. Dokumentet për këtë kamp janë minimale.
Të internuarit u futën në kazermat e ushtrisë, pa ndarje. Autoritetet e kohës në dokumentet e tyre referojnë që gjendja e të internuarve në këto kampe ishte tejet e keqe në çdo pikëpamje; mungonte uji, shtrojet, zjarri dhe kushtet higjenike linin për të dëshiruar.
Ministria e Shëndëtësisë referonte përhapjen e sëmundjeve epidemike në kampe, gjë që iu mori jetën shumë fëmijëve.
Kampet me tela u mbyllën në fund të vitit 1953.
Shemsedin Mulosmani Kampi i Tepelenës ishte vendosur në ish-kazermat e ushtrisë italiane, territori përreth tyre kishte qenë i minuar. Me rrezikun që përfaqësonin minat lidhet një nga historitë më të trishta të atij kampi. Tre fëmijë të familjes Mulosmanaj nga Tropoja, ishin internuar të vetëm: Emineja, 13 vjeç, Ermira, 12, dhe Shemsedini, 9. Prindërit e tyre dhe vëllezërit në moshë madhore ishin arratisur në Jugosllavi. Tre minorenët, që prindërit i lanë pas me bindjen se autoritetet nuk do t’i preknin, u internuan nga regjimi. Duke luajtur, Shemsedini hasi në një nga minat e mbetura. Motra e tij e madhe, edhe ajo e mitur, varrosi çfarë kishte mbetur prej vëllait nga shpërthimi i minës dhe e ruajti gjithë jetën një çorape të tij. Rrëfyer nga Emine Mulosmanaj. |
VENDET E INTERNIMIT
Pas kampeve me tela me gjemba, në vende internimi u kthyen edhe shumë fshatra nëpër Shqipëri.
Regjimi komunist internoi njerëz më shumë sesa kishte mundësi t’i menaxhonte. Ai nuk u ofronte as kushtet më minimale. Strehimi ishte një problem serioz; sipërfaqa e banimit për të internuarit ishte jashtë çdo norme.
Të dhënat zyrtare të vitit 1959, flasin për familje që jetonin së bashku në stalla, depo e baraka të pabanueshme.
Familje të tëra, me 7-10 anëtarë, flinin në një dhomë. Për shkak të mungesës së hapësirës, gjatë verës të internuarit flinin në qiell të hapur.
Rekordet zyrtare regjistrojnë të dhëna të tilla: një familje me 18 anëtarë, me 6 kurora (çifte), jetonte, prej 8 vitesh, në një kasolle kashte e ndarë në dy dhoma; më 1984, një familje me 13 anëtarë jetonte në një dhomë, në Shënkoll, Tiranë.
Shumë familje, shpesh dhe pa lidhje fisnore, jetonin në hapësira të ngushta të ngjashme, ndarë mjete rrethanore si kompesato.
Në shumicën e rasteve, barakat ku jetonin të internuarit ishin pa dyer, pa dritare, me tavanë të shkatërruar, ose mure që paraqisnin rrezik shembje.
Për banesat, në një raport zyrtar thuhej se janë “të papërshtatshme nga pikpamja shëndetësore, si ç’është rasti në fshatin Savër të Lushnjës ku janë futur në stallën e lopëve me dritare pa xhama ose si në rrethin e Fierit ku në gjysmën e sallës banojnë individët dhe në gjysmën tjetër lopët. Vazhdon raporti: Mbi krevatet dyshe, qëndrojnë të varura ushqime, rroba, këpucë etj. Atje flejnë, hajnë dhe gatuajnë. Nuk ka pastërti, dhe nuk administrohet si vende banimi kolektive.
Në këto vendet e internimit mungonin kushtet minimale higjeno-sanitare dhe kanalizimet; gropat e zeza ishin të pasistemuara, dezifektimet nuk kryheshin dhe uji i pijshëm nuk ishte i pastër. Gjendja ishte e përshtatshme për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme dhe vdekshmëria foshnjore shumë e lartë.
Dokumentet flasin dhe për neglizhencën e institucioneve në përmirësimin e gjendjes së të internuarve, të cilët jetuan në këto kushte deri në rënien e regjimit.
Rudina Dema “Në atë kohë, pati një dyndje karkalecësh në Berat. Qeveria nuk kishte mjete për t’i asgjësuar karkalecët që po prishnin të mbjellat, dhe nxori të internuarit që të spastronin vendin. Nëna, Vera, Aliu dhe të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë, bënin këtë punë. Nëna, mua që isha një foshnjë diku rreth dhjetë a njëmbëdhjetë muajshe, u detyrua të më linte vetëm në shtëpi… Pra, më mbyllnin brenda. Po a lihet një fëmijë i mbyllur në shtëpi, vetëm për dymbëdhjetë orë, pa një njeri që të kujdeset për të?! Por nuk kishin nga t’ia mbanin. Ishin të detyruar ta bënin këtë. Dhe kjo situatë ishte për të gjitha nënat.” Nga kujtimet e Rudina Demës. |
JETA NË INTERNIM
Personat e internuar jetonin në liri të kufizuar, ata nuk mund të largoheshin nga vendi i internimit pa leje nga organet e policisë apo autoritetet lokale përgjegjëse.
Veç kufizimit të lirisë, fëmijët në internim nuk kishin as kushtet minimale të jetesës. Sipas burimeve zyrtare (1950), “ushqimi që u jepej të internuarve ishte krejt pa vitamina për fëmijët”.
Fëmijët e internuar diskriminoheshin që në moshë të vogël. Ata mënjanoheshin nga fëmijët e tjerë në veprimtari kolektive, si festa etj.
Shkollimi i fëmijëve të internuar mbaronte përgjithësisht në klasë të tetë. Ata nuk lejoheshin të vazhdonin në nivelet më të larta, edhe kur kishin rezultate të larta në mësime.
Për mungesë të shkollave, në fshatrat e internimit, shumë fëmijë nuk shkonin dot në shkollën e fshatit tjetër, sepse personat madhorë të familjes nuk i shoqëronin dot.
Kur shkonin në punë, shpesh herë nënat detyroheshin që fëmijët e vegjël t’i linin vetëm në shtëpi pasi në shumë fshatra internimi s’kishte kopësht dhe as çerdhe.
Ka pasur raste kur familjet i kanë lënë fëmijët në vendlindje, pa asnjë mbikqyrje, vetëm që t’u kursenin vuajtjet në internim.
Në këto raste, autoritetet e kohës nuk i siguronin as mjetet e jetesës apo një konvikt për të vazhduar shkollën këta fëmijë.
Në disa vende internimi nuk kishte shërbim shëndetësor dhe komunal (mjek, rrobaqepës, kovaç, dyqane, etj). Shpesh fëmijët nuk mjekoheshin në kohën e duhur.
Ligjet dhe konventat ndërkombëtare, të njohura nga shteti shqiptar, e ndalonin punësimin e të miturve, megjithatë shumica e fëmijëve në internim punonin për të ndihmuar familjet.
ALMA LIÇO Ishte e diel. Do votoja për herë të parë. Prej mëse një muaji, nëpër muret e shtëpive dhe dyqaneve ishin ngjitur postera me zhgarravina parullash në të cilat shkruhej: “Votat tona plumb për armikun!” I lexoja me pështjellim, dhe natyrshëm më lindte pyetja: “Vallë kush ishte armiku?” Dhe po aq e qartë ishte përgjigja: “Sigurisht isha unë, ishin prindërit e mi, ishin të internuarit e tjerë… hëmmm… Me pak fjalë, vota ime ishte plumb kundër vetes sime! Qesharake dhe cinike njëkohësisht. Alma Liço- Mirakaj, Krahë të këputur II, ISKK, Tiranë, 2018. fq. 82. |
LARGIMI NGA SHQIPËRIA
Jeta e fëmijëve në Shqipërinë komuniste ishte aq e vështirë sa shumë prej tyre u përpoqën të arratiseshin për në vende të tjera. Kalimi i paligjshëm i kufirit klasfikohej krim kundër shtetit dhe dënohej me burg, jo më pak se 10 vjet, ose me vdekje dhe kurdoherë me konfiskimin e pasurisë. Për të miturit nuk jepej dënimi me vdekje, për ndëshkimet e tjera jepej gjysma e dënimit.
Tentativat për të kaluar kufirin nuk ishin, gjithmonë, të suksesshme. Gjergj Hani, 16 vjeç, u mundua të kalonte kufirin nëpërmjet liqenit të Ohrit. Ai u arrestua nga autoritetet dhe u dënua me 5 vite burg, me akuzën: “tentativë arratisje”.
Kalimi i kufirit pa leje, si vepër penale, u abrogua më 8 maj 1990.
Ka pasur raste kur arratisja e të miturve të pa shoqëruar ka qenë e sukseshme.
ZEJNEP MULOSMANAJ Kur ishte 3 vjeçe, prindërit dhe vëllezërit e rritur të Zejnep Mulosmanaj (1945) u arratisën nga Shqipëria, duke lënë pas dhe katër fëmijë të tjerë. Motrat dhe vëllai i saj u dërguan në Tepelenë ku vëllai humbi jetën (shiko posetr nr. 4). Zejnepen e mbajti motra e saj që ishte e martuar. Në moshën 13-vjeçare, Zejnepja u nis për te prindërit. Kufirin e kaloi më 3 maj 1958, ushtarët jugosllavë e kapën në Gjakovë. Ajo u bashkua me prindërit, ndërsa motrat e saj vazhduan jetën në Shqipëri. ——- Zërat e Kujtesës Vëllimi II, fq. 273. Kujtime nga Zejnep Mulosmanaj |
TË DREJTAT E FËMIJËVE NË KONVENTAT NDËRKOMBËTARE
Historiku i të Drejtave të Fëmijëve:
Në fillim të shekullit XX nuk kishte standarte ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.
Më 1924, Lidhja e Kombeve miratoi Deklaratën e Gjenevës për të Drejtat e Fëmijëve, hartuar nga Eglantyne Jebb, themeluese e fondit Save the Children.
Sipas Deklaratës, fëmijëve duhej t’u njihej e drejta për sigurimin e mjeteve për zhvillimin e tyre, ndihmë e veçantë në rast nevoje; prioritet për lehtësim; liria ekonomike; mbrojtja nga shfrytëzimi; dhe një edukim që rrënjoste ndërgjegjen dhe përgjegjësinë shoqërore.
Më 1946, OKB themeloi Fondin Ndërkombëtar të Emergjencave të Fëmijëve, UNICEF, me fokus fëmijët në mbarë botën.
Më 1948 u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila u jepte të drejtë nënave dhe fëmijëve për “kujdes dhe ndihmë të veçantë” dhe “mbrojtje sociale” (neni 25).
Më 1959 u miratua Deklarata e të Drejtave të Fëmijës, e cila, ndër të tjera, njohu të drejtat e fëmijëve për arsimim, lojë, mjedis mbështetës dhe kujdes shëndetësor.
Më 1966 shtetet anëtare të OKB- së premtuan të mbështesnin të drejta të barabarta – përfshirë arsimin dhe mbrojtjen – për të gjithë fëmijët.
Më 1973, Organizata Ndërkombëtare e Punës miratoi Konventën 138, e cila përcakton moshën 18 vjeç si moshën minimale për të ndërmarrë një punë që mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, sigurinë ose moralin e një personi.
Më 1974, për të siguruar gratë dhe fëmijët në raste emergjencash dhe konfliktesh të armatosura, Asambleja e OKB bëri thirrje të ndaloheshin sulmet kundër ose burgosjen e grave dhe fëmijëve civilë, dhe mbështet shenjtërinë e të drejtave të grave dhe fëmijëve gjatë konfliktit të armatosur.
Më 1989, OKB miratoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila vlerësohet gjerësisht si një arritje historike për të Drejtat e Njeriut, duke njohur rolet e fëmijëve si aktorë socialë, ekonomikë, politikë, civilë dhe kulturorë.
Shqipëria u pranua anëtare e OKB më 1955. Regjimi komunist konformohej publikisht me OKB në qëndrimet ndaj fëmijëve, ndërsa në realitet nuk bënte gjë. Për shembull, më 1979, i shpallur nga OKB si Viti Ndërkombëtar i Fëmijës, regjimi i Tiranës shpalli që vdekshmëria foshnjore në Shqipëri ishte zero. Në realitet, më 1979 vdiqën 4520 foshnja. Në periudhën 1946-1979 kishin vdekur 180.724 foshnja dhe vijuan në vitet në vazhdim.
DJALI I LIDHUR Qamil Merlika kujton që, kur ishte 6 vjeç, rojet e kampit e ndëshkuan, bashkë me Sokol Mirakën, se mbushi ujë te çesma e komandës. I lidhën me tel pas trungut prej betoni të çesmës, nga ana e mbrapme, me fytyrë nga zyrat e komandës. Çesma pikonte në gropë. Sa ishte ditë, Qamili kujton se nuk pati frikë, por kur u err dhe u ndezën dritat, stërpikjet e ujit reflektonin si ar, dhe ai thërriste: “O nanë moj, shihe si hap shtriga krahët me ardh me më marrë! Shihe, i ka hapur krahët e artë!“ Nëna dhe dy motrat rrinin te telat, e merrnin me të mirë, për t’i hequr frikën. E zgjidhën, kur i ra të fikët. “Zërat e Kujtesës”, Vëll. IV (ISKK,), 208-210. |