Report TV/Gjatë prezantimit të analizës së performancës katërvjeçare nga Zana Çela, ministrja e Kulturës Elva Margariti ka propozuar që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të shkëputet nga varësia nga shteti. Ajo shprehet, se ky institucion i saporikonstruktuar le të jetë i pari që do t’i jap jetë kësaj konkurrence në vend
nga Valeria Dedaj
Takimi i para pak ditëve me dyer të mbyllura mes ministres së Kulturës, Elva Margariti, drejtoreshës së Teatrit të Operës Zana Çela dhe stafit artistik në godinën e restauruar për performancën të TKOB-së, analizën katërvjeçare e pati vetëm si justifikim. Si çdo vendim që ndryshon fatet e institucioneve të kulturës, edhe kësaj here propozimi i për shkëputjen e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore nga Ministria e Kulturës u tha mes rreshtave, si të qe se po i lihej për menaxhim kostumi i “Madame Butterfly” ndonjë fondacioni.
“TKOB, siç tha dhe drejtoresha Zana Çela, duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie nga shteti. Në asnjë vend tjetër, jo vetëm në Europë, por dhe në kontinente të tjera nuk gjejmë formula të tilla. Besoj se është momenti me një investim të tillë, që ka bërë qeveria shqiptare, me një rrugë tashmë të hapur dhe infrastrukturë të shtuar që të fillojë dhe të ndryshojë totalisht mendësia e konkurrencës në të gjithë territorin kombëtar dhe kjo pse jo le të jetë shtëpia e parë, që kjo konkurrencë të nis dhe të marr jetë”, shprehet gjatë këtij takimi Elva Margariti, ministrja e Kulturës.
Me mungesën e mirëmenduar të medieve, nën justifikimin e pandemisë Covid 19, dhe me shtrirjen e diskutimit veç mes drejtoreshës dhe ministres së kulturës, artistët në pamundësinë për të shtruar pyetje, mbeten të shqetësuar për të ardhmen e tyre artistike.
“ReportTv” ka kontaktuar drejtoreshën e TOB-it për të kuptuar se nga kush erdhi ky propozim dhe kush e shkaktoi ngërçin e prishjes së binomit MK-TKOB, edhe çfarë synon konkretisht ky propozim? Por, nuk ka asnjë përgjigje.
Ndonëse drejtoreshës me mandat të përfunduar nuk dihet ende nëse i është rinovuar kontrata, në kushte të tilla pritet që për të ardhmen e këtij institucioni të restauruar nga taksapaguesit shqiptarë me më shumë se 1.2 miliardë lekë, që ka qenë në varësi të shtetit për rreth 65 vjet, me buxhet-vjetor rreth 295 milionë lekë, edhe ku ushtrojnë artin e tyre 250 persona (artistë edhe administrata), fjalën e tij në të ardhmen, pse jo ta thotë dhe privati.