Mëkatarët 2/ Një histori dëshmuese se si funksiononte Sigurimi i Shtetit. Më poshtë nga kapitulli “Gjueti shtrigash” në gazetari
Nazif Bezhani
Nga fundi i vitit 1997, kur kishin filluar të vërshonin kërkesat nga dikasteret e ndryshme për kontrollin e figurës së punonjësve të tyre, filluan të më adresoheshin edhe kërkesa nga redaksi të ndryshme të organeve të shtypit, të radios dhe televizionit, me listat e gjata të punonjësve të tyre që duhej të kontrolloheshin sipas ligjit. Disa nga drejtuesit e këtyre organeve ishin të shqetësuar për background-in e gazetarëve të tyre dhe kërkonin të bëhej sa më parë kontrolli i figurës së tyre, për të zbuluar spiunët e Sigurimit të Shtetit që vazhdonin të punonin në ato organe. I pari që e çeli këtë rrugë ishte kryeredaktori i një gazete të djathtë, të cilin e njihja dhe personalisht. Fillimisht biseduam për probleme të ndryshme të shtypit, si dhe për problemet që kishte përballuar Komisioni, ndërsa pastaj ai më dorëzoi një listë me emrat e disa gazetarëve që punonin në gazetën e tij, duke më thënë:
-Ju e kuptoni vetë, zoti Kryetar, gazeta jonë është e spektrit të djathtë, prandaj duhet t’i kemi të kulluar njerëzit tanë, të painkriminuar me të kaluarën, prandaj ju lutem t’i verifikoni me kujdesin e nevojshëm dhe të na ktheni përgjigje.
E mora listë, i hodhi një sy kalimthi dhe e pieta:
-Çfarë tirazhi ka aktualisht gazeta juaj, ju lutem?
-Gjatë gjashtë mujori të parë kemi patur 2500 kopje, kurse këto ditë kam informacion se ka arritur në 2800 kopje.
Edhe pse m’u duk një kërkesë e motivuar, nuk kisha bazën ligjore për t’ia plotësuar, prandaj ju përgjigja me dashamirësi:
-Meqenëse kemi të bëjmë me një kërkesë zyrtare, po e mbajmë, por do t’u përgjigjem negativisht, ne nuk mund ta bëjmë një kontroll të tillë.
Ai më shikoi me habi dhe më pyeti:
-Nuk mund ta bëni kontrollin e listës sime?! Përse?
I nxora ligjin nr. 8043 dt.30/11.1995, ku ishte parashikuar penalizimi i ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në organet e shtypit, të radios dhe televizionit dhe lexova:
Neni 1 gërma i: Në RTSH, si drejtues dhe redaktor,
Neni 1 gërma j: gazetarë dhe punonjës në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje.
-Siç e shifni, i nderuar Kryeredaktor, gazeta juaj është akoma nën nivelin e parashikuar në ligj.
-Më duket e padrejtë, zoti Kryetar – u përgjigj ai me një ton më të diferencuar dhe, duke shprehur pakënaqësinë e tij, vazhdoi: Më duket pa logjikë një arsyetim i tillë për gazetarët dhe për gazetat. Si është e mundur të quash një ish-bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit të ligjshëm dhe ta lejosh të ushtrojë profesionin e gazetarit në një gazetë me një tirazh deri në 3000 kopje, ndërsa të njëjtin bashkëpuntor e quan të paligjshëm dhe e penalizon kur ushtron profesionin e gazetarit në një gazetë që ka një tirazh prej 3001 kopje? A nuk është ky një ligj absurd?
-Ju kuptoj, por ky është një ligj dhe duhet zbatuar ashtu siç është, me të mirat e të metat e që ka. Personalisht mendoj se formulimi i konceptit të tij për gazetarët, krijon një problem tjetër, shumë më serioz, që ka të bëjë me kufizimin e të drejtave të njeriut dhe në vecanti të të drejtave legjitime të gazetarëve, të njohura nga e drejta ndërkombëtare dhe nga dispozitat e Kushtetutës shqiptare, sidomos në nenet 5,22, 27 dhe 29. Kur lexon dhe i kupton këto dispozita kushtetuese, si dhe Kartat apo Konventat ndërkombëtare, dhe i krahason ato me dispozitat e ligjit 8943 dt.30/11/1995, të krijohet pa dashur një ndjenjë dyshimi për qëllimet e mbrapshta që mund të kenë ndikuar në miratimin e këtij ligji. Duhet pranuar se në këtë ligj ka shkelje shumë të rënda të të drejtave të njeriut, që do të thotë mospërfillje e Kartës së Kombeve të Bashkuara, e Kartës së Helsinkit, e Konventës Evropiane të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut dhe të vetë dispozitave kushtetuese të Shqipërisë. I hiqet e drejta për të ushtruar profesionin e gazetarit një personi vetëm për shkak se ai ka qenë dëshmitar në një proces penal dhe ka deklaruar ato që ka parë apo dëgjuar. I hiqet e drejta për të qenë gazetar një personi që ka mbaruar shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pavarësisht nëse ka punuar në organet e Sigurimit të Shtetit apo jo, ose pavarësisht nëse ka kryer apo nuk ka kryer vepra antiligjore.
Do të thosha se kemi të bëjmë me një antiligj, por duhet zbatuar deri sa vazhdon të jetë në fuqi.
Pas kërkesës që bëri redaksia e kësaj gazete, nxituan të kërkonin kontrollin e figurës së punonjësve të atyre, dhe disa organe të tjera . Ndër kërkesat më të rëndësishme dhe më interesante, ishin ato të paraqitura nga Televizioni Shqiptar dhe Radio-Tirana, të cilat i sollënpersonalisht drejtorët përkatës. Oficeri i Rojës më njoftoi se ata po prisnin jashtë portës, për shkak se atë ditë Kryeministri kishte urdhëruar që të mos lejohej njeri të hynte në Kryeministri. Në këto kushte dola personalisht për t’i takuar. Ndonëse ishin emra të mirënjohur, i shikoja për herë të parë. Sa hapa derën, ata m’u drejtuan dhe më zgjatën dorën duke më thënë emrat e tyre. Drejtori i Televizionit Shqiptar, bëri një hyrje të shkurtër të qëllimit për këtë vizitë të tij dhe më dorëzoi zarfin e madh të mbushur me listat e punonjësve të institucionit, duke mu lutur që të bëja sa më parë kontrollin e figurës së punonjësve të tij, për shkak se ishin para një organizimi dhe reformimi të institucionit. Të njëjtën kërkesë dhe dëshirë më shfaqi edhe drejtori i Radio-Tiranës. I mora kërkesat e tyre pa bërë ndonjë premtim, për shkak se e shihja tepërabsurd që kontrolli i figurës të shtrihej edhe mbi gazetarët e thjeshtë. Në propozimet amenduese që kisha paraqitur Kuvendit, ishte edhe heqja e penalizimeve për gazetarët dhe isha i bindur se këto propozime do të miratoheshin. Prandaj, kontrolli i këtyre listave do të mbahej në proces pa i paraqitur Komisionit të analizën e kontrollit të ushtruar për marrjen e vendimeve përkatëse. Për këto mendime nuk i shfaqa para tyre, përkundrazi, i falënderova për veprimin e tyre dhe, me zarfet në duar, u nisa të futesha përsëri brenda. Kur hapa portën, dëgjova zërin e Drejtorit të Radio –Tiranës që më thirri nga larg:
-Zoti Kryetar, një minutë të lutem. Në listën time do të shikosh disa emra gazetarësh që i kam spostuar anash me stilolaps. Në organizimin e ri të Radios këta persona duhet të shkurtohen, prandaj, do t’ju jem shumë mirënjohës në rast se do të gjeni ndonjë shkak ligjor për t’ilargyar pa problem…
-Do të zbatoj ligjin!- i thashë prerë duke u ndarë prej tij me një përshtypje jo aq të këndshme.
Kur shkova në zyrë dhe hapa zarfet, pashë se ishin vënë shumë spontime, midis të cilave ishte dhe “Eva”, një zonjë nga një familje e persekutuar. E kisha njohur në vitin 1996. Ajo kishtelexuar librin tim “I mallkuari i Noes”, dhe më kërkoi në telefon. Më një zë emocional e të përzemërt, më uroi për librin dhe më tha se për të kishte dëshirë të bënte një emision të zgjeruar, por dëshironte ta shoqëronte edhe me një intervistë nga ana ime. I thash se e prisja me kënaqësi një intervistë të tillë. Ajo menjëherë më falënderoi dhe caktuam orën 18 për t’u takuar para portës së Radio Tiranës.
Ajo kishte dalë dhe më priste para portës. E para herë që e takoja, ndonëse e kisha parë edhe herë tjetër, por shumë kohë më parë. U përshëndetëm përzemërsisht dhe ngjitëm shkallët për në studion e incizimeve. Në pritje të teknikut, që ende nuk kishte ardhë, patëm rast të shkëmbenim fjalë të lira, veçanërisht përshtypjet e thella që kishte lënë asaj libri im. Më tha se e kishte lexuar dy herë dhe kishte mbetur e ngashëryer mbi të. Filloi të më fliste për kapitujt e librit, që i mbante mend me hollësi, duke i analizuar me një ndjenjë shumë të eksituar. Vura re se, ndërsa po komentonte pjesë të librit, i rrëshqitën edhe lot në faqet e saj.
Në këtë libër, zoti Bezhani, nuk është vetëm historia e jetës tuaj, por edhe e qindra apo mijëra familjeve të tjera. Pikërisht në këtë libër gjeta edhe jetën e familjes time. I gjori baba, ç’ka vuajtur ai- dhe filloi të qante përsëri, këtë herë me dënesë.
Kur emri i “Evës” më doli në listë i spontuar me stilolaps nga drejtori i Radio-Tiranës, çka do të thoshte se ishte njëra nga kandidatet e dëshiruara për t’u hequr nga puna, ndonse ishte e persekutuar familjarisht gjatë sistemit monist, më erdhi shumë keq. M’u krijua përshtypja sikur kisha të bëja me njerëz-snobë, që ndiejnë kënaqësi t’i shohin të tjerët duke vuajtur. Por isha i sigurtë se ajo nuk do të pësonte asgjë nga ana ime, jo për ato ndjenja njerëzore që m’u krijuan gjatë njohjes me të, por për shkak se isha i bindur që nuk mund të kishte qenë kurrë bashkëpuntore e Sigurimit të Shtetit. Por edhe sikur të kishte qenë e tillë, ajo nuk do të penalizohej, sepse isha i vendosur për të mbajtur në proces kontrollin e listës deri sat ë dilte ligji i përjashtimit të penalizimit për gazetarët.
Kisha kuriozitet për të parë në tërësi gjendjen e Radio-Tiranës, duke bërë formalisht një kontroll të përciptë, vetëm nëpërmjet kompjuterave. Nga eksperienca e disa muajve veprimtari në kontrollin e figurave, nuk pata asnjë rast penalizues për femra, sigurisht jo për shkak se nuk patur femra bashkëpuntore të Sigurimit të Shtetit, por për shkak se aktualisht kishte shumë pak femra në funksione drejtuese të Shtetit, ku ligji parashikonte kontrollin e figurës. Edhe kur kishte rastisur të shikoja në ekran ndonjë grua të njohur, ish bashkëpuntore të Sigurimit të Shtetit, padashur më krijohej një paranojë me ndjenja e antipatisë dhe të dyshimit për personalitetin e saj, ndonëse logjika më thoshte se ajo e kishte pranuar atë detyrë nga nevoja për të ushqyer fëmijën, se ajo ka ruajtur nderin dhe dinjitetin e saj, se ajo nuk ka bërë kurrë vepra në kundërshtim me ligjin dhe me normat e moralit shoqëror, por prapëseprapë e shikoja me dyshim. Një grua spiune duket si një aktore që, ndonëse mendon e vepron ndryshe, luan bukur rolin e saj në planin negative. Por hajde e gjeje të vërtetën se cila është! Në raste të tilla të rrëmbejnë pasionet dhe krijon vizione të gabuara që të nxitinpër vendime të pabazuara. Përshtypja që më krijoi lista e gazetarëve të Radio-Tiranës dhe Televizionit shqiptar. Gjatë kontrollit të tyre, krahas me meshkujt, mu shfaqen para syve edhe shumë emra femrash që kishin qenë bashkëpuntore të Sigurimit të Shtetit. Kishte gra e vajza që unë i njihja familjarisht dhe nuk besoja kurrë që ato të kishin qenë të tilla. Një nga këto gra ishte edhe “Eva”, vajza e një personaliteti të lartë të Partisë së Punës dhe të nderuar për opinionin publik…
…Por në Radio-Tirana kishte edhe bashkëpuntorë të tjerë të Sigurimit të Shtetit, me një stazh të gjatë veprimtarie. Një nga ata ishte “Tomi”, i cili e kishte filluar karrierën si bashkëpuntor, ishte marrë në shërbim si oficer drejtimi dhe pastaj ishte shkarkuar nga detyra. Pikërisht në këtë kohë fillon punë provizore në Radio-Tirana, më vonë e pranuan ta emrojnëdefinitivisht dhe fill pas kësaj i vjen lidhja e vjetër si bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit. Ai u çudit për këtë dhe i rezidentit:
-E ke gabim, byrazer. Vërtetë kam bashkëpunuar me Sigurimin, por ajo kohë ka mbaruar, unë u bëra edhe oficer. Prapë u dashka të filloj nga e para?
-Ju kini firmuar deklaratën dhe ajo nuk ka përcaktuar kohë. Edhe kur nuk ke aktivitet, kjo kohë quhet “e fjetur”, dhe ti je i detyruar ta fillosh aktivitetin kur t’ju kërkojnë, pra, kur të kenë nevojë.
Dhe kështu, “Tomi” ishte future përsëri në rrjet. Dosja e tij kishte shumë pak aktivitet në Radio-Tirana, por më nxitën disa kuriozitete që kishte në karakteristikën e tij dhe e thirra në zyrë. Erdhi në orën e caktuar me një pamje krejt të qetë. U ul në karrige dhe nuk më la t’i thosha asnjë fjalë. E mori vet fjalën duke më thënë:
E di, përse më ke thirrë. Ajo kohë kërkonte atë shërbim që unë të mbaja familjen. Më kupton? Po të them hapët se pot ë vijë përsëri ajo kohë, përsëri ashtu do të bëj, nuk kam pishmanllëk. Tani po të pyes ty, zoti Kryetar: Mos kërkon që unë të lë Radio-Tiranën? Jam gati të jap dorëheqjen, jam gati të iki sot. Nuk kam bërë asnjë faj, i jam përgjigjur kohës! Dhe më në fund do t’ju lutem të mos më bëni asnjë pyetje për të kaluarën time, nuk u përgjigjem!
Më befasoi qëndrimi i tij kaq i çiltërt, dhe kaq krenar. Ishte e para herë që ndeshja një bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit që e mbante kokën përpjetë për veprimtarinë e tij dhe refuzonte të përgjigjej. Por këtë vendosmëri të tij duhej ta thyeja, natyrisht në rrugë ligjore. Provova të isha më pranë ndjenjave të tij duke i thënë:
-Dakord me ju. Në fakt unë nuk kam nevojë t’ju pyes juve, sepse materialet janë të gjitha në dosje, të gjitha të qarta dhe të firmuara nga ju. Por më ka bërë përshtypje një karakteristikë që ju kanë bërë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit me motivin e shkarkimit tuaj, për mos zbatim të urdhërit që u ishte dhënë për internimin e familjes të QakoBulkës. E kam patur mik atë dhe vëllain e tij, Nondën. Do të mbetesha i kënaqur nga ju po të kishte mundësi të më thonjë shkakun përse nuk pranuat ta zbatonit urdhërin e internimit të tij?
Ndjeva se ja arrita qëllimit menjëherë. Fytyra e tij u bë më e çiltërt dhe gjuha e tij filloi të flasë:
-Për Qakon, zoti Kryetar, nuk isha unë i pari që kam kundërshtuar. Urdhëri për internimin e tij u dha një oficeri të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit të Shtetit, por ai refuzoi duke thënë: “Unë nuk mund ta bëj një gjë të tillë, për shkak se djali i tyre, Pirua, që u arratis, ka qenë shoku im i ngushtë, me të kam hyrë e kam dalë me dhjetra herë në shtëpinë e Qakos, kurse tani më duhet të shkoj për ta internuar?!! Jo! Nuk e bëj dot një veprim të tillë, është e pamoralshme. Por këtij oficeri nuk i bënë asgjë se kishte miq të fortë. Për ta hequr qafe çështjen u urdhërua Drejtoria e Tiranës që të zbatonte vendimin. Ajo më caktoi mua. E si mund ta zbatoja unë një urdhër të tillë, kur babai im rrinte gjithë ditën me Qakon, kur ai hante dreka e darka në shtëpinë e tij, kur shtëpia jonë ishte e hapët për Qakon në çdo orë? Kështu pra, e kundërshtova dhe unë urdhërin, por unë e pësova, se nuk kisha miq.
Ishin urdhëra absurd, zoti Kryetar. E përse duhej internuar familja e mrekullueshme e QakoBulkës? Në qoftë se u arratis djali i tyre, Pirua,ç’faj ka patur familja e tij? Absurditete! Por duhet të flasim drejt, të tilla absurditete i ke edhe sot. Ligji që ju zbatoni është po aq absurd sa dhe ligjet e monizmit. Ai na penalizon neve që kemi punuar për bukën e gojës dhe kemi zbatuar urdhërat e tyre, kurse peshqit e mëdhenj kanë shpëtuar. Mos ma merrni për të keq, zoti Kryetar, por dua të lutem të gjykosh drejt një citat të Enver Hoxhës, për organet e Punëve të Brendshme: “Janë syri dhe veshi i Partisë!” E shikon, pra? Truri, mendja, zemra, mëlçia dhe të gjitha të tjerat i mbeten Partisë. Ja, pra, se ç’bën truri dhe mendja, na bëri neve kurban e shpëtoi vetë. Shpëtoi Partia se i “duhej” demokracisë! Të gjorës demokraci! Më kujtohen si sot ca ngjarje të paharruara, kur Sigurimin e udhëhiqte Partia. Edhe ju besoj i dini, se i kini kaluar ato vite. E kam fjalën për festat e 1 Majit, 28 e 29 nëntorit, për vizita të rëndësishme, e për raste të jashtëzakonshme, Komiteti i Partisë thërriste sekretarët e organizatave bazë dhe u jepte udhëzimet përkatëse, se kush duhet të marrë pjesë në parakalim, kush duhet të ruhet, kush duhet të urdhërohet të mos dalë në derë e kush duhet larguar nga qyteti. Të gjitha këto i bënin sekretarët e Partisë. Edhe kur ne duhet të mirrnim ndonjë masë sigurimi, duhej patjetër të miratohej nga Sekretari i Organizatës Bazë të Partisë. Po cili nga kjo ushtri me sekretarë partie u penalizua? Asnjë! Partia ishte truri dhe mbeti e tillë. Me ligjin që bëri na e “rrasi” neve, shërbëtorëve.
Vura re se midis nesh ishte krijuar një mirëbesim që mund të më lejonte të bëja edhe ndonjë pyetje për aktivitetin e tij në Radio- Tirana. E fillova përsëri me pyetje të tërthortë:
-Dosja juaj, zoti “Tomi”, është shumë e qartë, por nuk tregon rezidentin ku i dorëzoje informacionet. U bëra kurajoz të dija nëse ju kishit lidhje direkte me operativin apo nëpërmjet rezidentit?
-E çfarë ju duhet me hollësi e tillë? Kur kini ujkun përpara, përse kërkoni gjurmët? – këmbënguli ai.
-Besoj se është në interesin tuaj! – ja ktheva unë. Ndoshta edhe më shumë. Është fjala për verifikimin e një informacioni në karakteristikë. Është dhënë nga një resident apo bashkëpuntor me pseudonimin “Lisi”.
-Ashtu? Jo, unë nuk kam dijeni se kush e ka patur këtë pseudonim të tillë, por rezidentin e njoh mirë se punonim bashkë, e kishte emrin Stefan Gjika.
-Si?!!- u çudita unë, Stefan Gjikën ke patur rezident?!!
-Po, Stefanin, por vetëm për dy vjet, se më vonë e pushuan nga puna për mashtrim.
“Tomi” filloi të zbrazte thesin me veprimtaritë e tij interesante, por mendja ime u ngulit te rezident Stefan Gjika, me të cilin më ka lidhe një nga periudhat më të vështira të jetës sime. Dhe me aq, falënderova “Tomin” për bisedën e sinqertë dhe e përcolla deri te dera e zyrës time. Pastaj u ktheva në tavolinë me dëshirën për të punuar, por para syve dhe në mendje kisha Stefanin, një nga ato mostra njerëzish të pamoralshëm që kishte krijuar ai regjim.
Disa ditë më parë kisha gjetur edhe emrin e tij në një listë me emrat e punonjësve të Ministrisë së Kulturës, të dërguar për të bërë kontrollin e figurës, por atë listë e kisha quajtur më pak të rëndësishme dhe akoma nuk e kisha përcjellë për kontrollin paraprak, që zakonisht bëhej me anën e kompjuterave. Por emri i tij më ktheu shumë kohë prapa, në nostalgjinë e viteve të zeza, kur në çdo hap më ndiqte hija e terrorit të diktaturës. E njoha Stefanin pikërisht në ditë të tilla, kur përjetoja çastet më të vështira të jetës. I kisha dhënë disa herë material shkencore për t’i transmetuar dhe ishim takuar e biseduar shpesh herë. Punoja në N.SH.R.A.K, shofer me një skodëvetshkarkuese, ku ishte drejtor MediAxhemit. E ndjeja veten të lumtur që më në fund m’u dha mundësia të ushqej fëmijët. Ditën punoja me makinë dhe pasdite shkoja në bibliotekën shkencore. Por kjo lumturi zgjati shumë pak. Nuk i kisha mbushur akoma të 6 muajt, kur në Ndërmarrje erdhi shefi i Autoinspektoratit dhe më mori patentën. I kërkova arsyen, por ai u përgjigj shkurt:
-Këtë e kanë vendosur të tjerë, por kuptohet: si mund të punojë shofer një avokat me goxha shkollë? Apo mos e bën për të diskretituar Partinë?
-Jepja!- më tha Mediu. Patentat venë e vijnë, por nderi dhe dinjiteti të mbeten në vend. Kjo është e rëndësishme.
Kur doli nga zyra kryeinspektori, Mediu më tha në konfidencë: “mos u mërzit për patentën. Ata janë të detyruar ta bëjë këtë, për shkak se makinat janë objekte me rrezik të shtuar dhe kushedi se ç’mund të ndodhë. Unë që të besova makinën, formova bindje për ndershmërinë dhe korrektësinë tuaj, por hajde e bindi edhe ata, që mendojnë se ti je armik e nesër mund të të mbushet mendja apo të të errësohen sytë dhe hedhësh në greminë dikë…më vjen shumë keq që nuk mund t’ju siguroj vend tjetër, jo se s’kam, por se s’mundem, më kupton. S’mundem!
Mbeta pa punë për një kohë shumë të gjatë. E kaloja kohën në bibliotekë për të gjetur ndonjë material e për ta botuar pa emër. Por edhe kjo formë jetese më ishte vështirësuar shumë. Me urdhër të organeve më të larta, ishin porositur të gjitha organet që të mos botonin asgjë nga unë. Isha para një bllokade absolute. Në këtë situatë më jepet rast të takoj Liri Çelin, ish një ndër kuadrot e rëndësishme në Radio-Tirana. I shpjegova asaj për shumë material interesante që kisha gjetur në Bibliotekën shkencore dhe e pieta nëse mund t’i botonte pa të drejtën e firmës, me qëllimin e vetëm, që të siguroja të ardhura për familjen. Liria, me dashamirësi e zgjidhi problemin në një formë të pranueshme për të dy palët: më tha të përgatisja emisionin “udhëtim nëpër botë”, emision që transmetohet për 30 minuta çdo të diel, me kuriozitete për kombe e shtete të ndryshëm, natyrisht të panjohur. Një emision i tillë shpërblehej mbi 1000 lekë, çka do të thoshte 4000 lekë në muaj, që për atë kohë ishte një rrogë e vogël, por shumë e nevojshme për mua. Por ajo që kishte më shumë rëndësi ishte fakti se këto emisione nuk transmetoheshin me emrin e autorit, kështu që do të isha më i sigurt. Fillova të përgatisja emisionin e parë “mbi Kuvajtin”, një shtet shumë i ri, por nga më të pasurit në botë. U pëlqye shumë nga Redaksia dhe u transmetua. Përgatita emisionine dytë për Vatikanin, shtetin më të vogël, një emision interesant. Vazhdova me emisione të tjera, mbi shtete e kombe të ndryshëm. Por gjatë përdorimit të materialeve të ndryshme në bibliotekën shkencore, më lindi ideja për të shkruar një cikël emisionesh me temën: Nomadët e Ballkanit. Kisha grumbulluar një fond të pasur për historinë e vllehëve, për gabelët, jevgjit etj. Dhe fillova të shkruaj për ta. U konsultova edhe me Liri Çelin, e cila e pëlqeu këtë ide. Ishte një material shumë interesant, i përmbledhur në 150 faqe, me historinë e tyre, gjendjen e tyre në Shqipëri, dhe përhapja në vendet e tjera të Ballkanit, zakonet dhe doket e tyre, kultura, arsimi, gjendja ekonomike, shpërndarja në rrethe të ndryshme të gabelëve e jevgjve, të quajtur sedentare e nomad, përpjekje e dështuar e pushtetit për të ndërhyrë në jetën e tyre, prirjet e tyre natyrale, sidomos në muzikë e në fusha të tjera të kulturës etj.
Për shkak se punimi doli goxha i gjatë dhe unë nuk kisha makinë shkrimi, e dorëzova materialin në dorëshkrim. Liria urdhëroi shtypjen e materialit dhe në të njëjtën kohë transmetoi në Radio njoftimin: Duke filluar nga e diela e ardhshme, emisioni “Udhëtim nëpër botë do të vazhdojë me serialin“Nomadët e Ballkanit”! Ishte një lajm shumë i gëzuar. Isha shumë optimist, i bindur se njerëzit do të prisnin me padurim transmetimin e këtij materiali. Por përsëri më brente dyshimi dhe frika. “Djalli” i mban sytë hapur dhe gjen çdo çelës. Atë ditë Liria mori lejen e zakonshme dhe u largua nga Tirana, por ajo më siguroi se materiali kishte mbetur në duar të “sigurta” të Stefanti, i cili ishte porositur të tregonte gjithë vëmendjen e nevojshme, dhe veçanërisht të mos tregonte autorin.
Ishte një kënaqësi e madhe për mua kur të dielën filloi të transmetohej seria e parë e punimit. E dëgjoja në radio familjarisht. Në atë kohë, çdo sukses të jepte zemër, të dukej sikur triumfojë ndaj të keqes, sikur fitojë një betejë, sado të vogël me diktaturën. Por gëzimi nuk zgjati me shumë se 30 minuta. Në fund të transmetimit, spikeri, me zërin e tij tingëllues, tha: “transmetuam pjesën e parë të serialit “Nomadët e Ballkanit”, të autorit NafizBezhani. O zot!Çfarë terrori shpirtëror na krijoi emri im në ato çaste. Gjithçka na u errësua. Ishte e para herë që emri bëhej persekutor, që ngjallte dyshim, frikë, pasiguri. Ishim të bindur se ai emër ishte vënë qëllimisht në fund të atij transmetimi, për të lajmëruar dikë për rrugën e tërthortë dhe formën klandestine që ndiqej për të siguruar mbijetesën e familjes. Në një regjim të tillë, çdo njeri ishte i kontrolluar dhe çdo veprim i tij duhej sigluar, duhej të kishte një sigël nga persona të caktuar…
…Erdhi edhe e diela tjetër. Qëndrova pa shpresa e me zemër të ftohtë pranë radios. Filloi emisioni “udhëtim nëpër botë” me një material tjetër dhe çuditërisht pa dhënë asnjë shpjegim për ndërprerjen e ciklit të paraqitur nga unë: “Nomadët e Ballkanit”. Tani, e rëndësishme për mua ishte të mirrja materialin e dorëzuar. Po mendoja: do të ma jepnin vallë? Përse të mos ma japin? Me këto dyshime në mendje prita ditën e hënë dhe shkova për të kërkuar shokun Stefan. Më doli ballëpërballë fare rastësisht. Ishte e pamundur të më dredhonte dhe desh s’desh më zgjati dorën. Nisi të thoshte diçka, por unë nuk kisha nevojë për justifikimet e tij dhe i rashë shkurt:
-Ju, shoku Stefan, e kini të qartë sa shumë kam punuar unë për atë cikël. Nuk kërkoj motivin e heqjes nga transmetimi, por kërkoj të më ktheni materialin. …
Stafni qëndroi paksa i heshtur, pa e kundërshtuar kërkesën, por pa dhënë ndonjë premtim të saktë. Pastaj u përgjegj me një angazhim jo të saktë:
-Përsa më përket mua, shoku Nafiz, ti e di që dua t’ju ndihmoj, por nuk është në dorën time. Do të përpiqem. Ktheu edhe një herë tjetër, ditën e enjte. Shpresoj se do të bëj diçka. U ktheva të enjten, e prita me orë, por nuk më doli në takim. I shkova edhe të nesërmen.Portjeri e mori në telefon, por ai i tha se ishte në mbledhje. Po kështu ndodhi edhe të shtunën. Atëherë vendosa të shkoj herët në mengjes, dh eta pres para se të hyjë në zyrë. E pashë që po vinte dhe e lash deri sa u afrua. Ishim përballë njeri me tjetrin. Ai mbajti një qëndrim tepër serioz dhe pa më dhënë dorën më tha me ton të prerë:
-Për raste të tilla ka një ligj që thotë se autorit nuk i kthehet materiali i dërguar për botim. Ju jeni vet jurist dhe i dini mirë ligjet. Nuk dalim dot mbi ligjin!
Ishte e kotë të kundërshtoje apo të kërkoje të drejtën…
(Fragment nga libri “Mëkatarët”)
Mëkatarët e Nazif Bezhanit, libri që theu heshtjen e spiunëve
Libri më i bujshëm në këto 30 vite të demokracisë, pas rënies së regjimit komunist, padyshim është ai i NafizBezhanit, “Mëkatarë:Në labirintet e dosjeve sekrete të Sigurimit”, botimet “Toena”, 2002. Ashtu siç shënon autori vetë, në parathënie, ky është libri i dytë i tij, brenda vitit 2002, që u ribotua brenda dy muajve dhe u shpall si një nga librat më të shitur. Autori ka treguar se “Mëkatarë 2”, një fragment të së cilës botojmë, sot, bën të mundur sqarimin e shumë enigmave që për mungesë të materialit arkivor, mbeten të paqarta nga libri i parë. Lexuesi njihet me ngjarje të tjera agjenturore, interesante, të zhvilluara realisht gjatë periudhës së diktaturës, duke ruajtur të pacenuar figurën e personazheve reale, kërkesë kjo e sanksionuar në ligj, ku janë përdorur emra dhe pseudonime të ndryshme. Në këtë libër, autori ka ndarë mendimin se sa absurd ishte ligji nr.8043, dt.30.11.1995, sidomos për gazetarinë, por edhe vlerësime të përgjithshme për përmbajtjen jo profesionale, ndoshta sipas Bezhanit edhe tendencioze apo qëllimkeqe të disa dispozitave që, në fakt, kishin larguar vëmendjen nga fajtorët e vërtetë që duheshin penalizuar. “Kur agjenti apo polici zbaton një urdhër të kundërligjshëm, fajësia e tij nuk mund të jetë kurrë e barabartë me atë të urdhër-dhënësit, i cili paraqet rrezikshmëri të theksuar qoftë për funksionin, qoftë edhe për veprimtarinë e ndërgjegjshme, qoftë për motivet e kësaj vepre të paligjshme”. Ligji, thotë Bezhani, çuditërisht i kishte harruar fajtorët kryesore, ndoshta jo pa qëllim. “Ata po i lajnë mëkatet e tyre duke sakrifikuar ca ekzekutorë. Ligji nuk i zinte në gojë kryetarët e degëve dhe drejtorët e Sigurimit. Por jo vetëm këta, ligji nuk bënte fjalë as për sekretarët e Partisë së Punës që udhëhiqnin të gjithë veprimtarinë e organeve të diktaturës”. Ishin sekretarët e Partisë që miratonin çdo internim, arrestim apo dënim të të ashtuquajturve kundërshtarë të regjimit. “Në këtë vështrim roli i organeve të Sigurimit të Shtetit nuk ka qenë parësor, edhe pse veprimet e tyre të kundërligjshme janë të penalizueshme. Për ta kuptuar më mirë këtë le t’i referohemi përkufizimit të bërë nga vetë Enver Hoxha: Sigurimi i Shtetit është syri dhe veshi i Partisë”. Kjo do të thotë, sipas Bezhanit, se truri dhe zemra është vetë Partia, pikërisht ajo që nuk u penalizua në sistemin demokratik, ndoshta për rolin e madh që i ishte ngarkuar në këtë proces. Përgatiti: V.Murati