Studiuesja e Institutit të Historisë Bashkohore në Beograd, Božica SLAVKOVIĆ foli, në ditën e dytë të konferencës shkencore të organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit, mbi marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë gjatë pesëvjeçarit të parë të pasluftës. E pyetur mbi planin e përfshirjes së Shqipërisë si republikë e gjashtë, ajo pranoi se, ka pasur një interesim të tillë nga Jugosllavia. Sipas saj, Jugosllavia e shihte Shqipërinë si një vend të vogël, i interesuar për t’u mbështetur në fqinjë të fuqishëm si ajo, ndaj e ka shfrytëzuar këtë për interesat e saj kundrejt Italisë dhe Greqisë. Jugosllavia ka qenë e interesuar për ta përfshirë Shqipërinë brenda vetes. Shqipëria, sipas saj, i ishte lënë Jugosllavisë nga Stalini dhe ajo këto marrëdhënie i nisi që gjatë luftës. Por gjithashtu, ka patur edhe një tjetër ide, siç ishte ajo e një federate ballkanike, ku do të ishte e përfshirë edhe Shqipëria. Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike, pati një bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha, si bujqësi, infrastructure etj.. Marrëdhëniet u forcuan dhe planifikohej një intensifikim i tyre deri në një asistim të gjerë nëpërmjet huave dhe ekspertëve nga pala jugosllave. U planifikua madje edhe krijimi i kompanive mikse me aksione të barabarta midis dy vendeve, të cilat do të investonin në infrastrukturën e vendit.
Sipas saj, Shqipëria e shihte Jugosllavinë si një idhull dhe e kopjonte sistemin e saj politik dhe ekonomik me përpikmëri. Marrëdhëniet u forcuan dhe kulmuan me traktatin e bashkëpunimit midis dy palëve, por ato u ndërprenë pas vendosjes së marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Fjala e studiueses serbe u mbajt në ditën e dytë të konferencës shkencore, online, të organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit me temë “Ekonomia socialiste në Shqipëri (1945-1990): baza ideologjike, dështimi dhe pasojat”. Përballja dhe sfidat e ekonomisë shqiptare gjatë regjimit komunist si dhe ekonomia ngushtësisht e njerëzve kanë qenë fokusi i këtij takimi, duke vënë në dukje për herë të parë nga ana shkencore, se si ndodhi zhdukja e tregut të lirë dhe monopolizimi i tij në duart e shtetit komunist. Studiuesit, historianët, arkivistët dhe pjesëmarrësit në këtë konferencë patën mundësinë të dëgjonin trajtesat shkencore mbi ekonominë në një sistem të dështuar, siç rezultoi fundi i viteve ’90-ës, kur ekonomia shqiptare, dhe e shqiptarëve në veçanti ishte totalisht e rrënuar. Po ashtu, në konferencë u vu në dukje se në Shqipëri mungojnë studimet me karakter ekonomik për këtë periudhë dhe për rrjedhojë u ngrit edhe shqetësimi se mungon historiani me profil ekonomik.