Dy vite para shpalljes së Pavarësisë, një nga firmëtarët e saj, Lef Nosi dha shkëndijën në katër anët e Shqipërisë dhe ndezi “n’çdo vend zjarmin e livizjes kombëtare” duke nxjerrë të përkohshmen “Tomorri”, viti 1910 – 11 numra të së cilës ekzistojnë si antikuare në Bibliotekën Kombëtare. Përballja e editorisë politike me fundin e perandorisë osmane, si dhe gjendja e Shqipërisë në raport me fqinjët, shënojnë në këtë gazetë kulmin, me kryeartikullin “Besëlidhja Balkanike”, shoqëruar dhe në ditët në vazhdim, ku hidhet poshtë një nga projektet më të rrezikshme të sllavëve, në dëm të shqiptarëve, e lajmëruar se mund të ndizte një luftë të paimagjinuar në Ballkan
nga VIOLETA MURATI
Kutia prej kartoni me treguesin bibliotekar Arg 2/A2 , Tomorri, Elbasan Nr, 1-4, 6-8, 10-13 shfaqin një alternativë të periodikut shqiptar më të hershëm, që lidhet me emrin e Lef Nosit, si drejtues, viti 1910. Në katin e dytë të bibliotekës Kombëtare është një fond i rezervuar për lexuesit, që nuk lejohet, as të fotokopjohet dhe as të lexohet në sallën e madhe.
Pse? Heqja e kapakut për të hyrë në atmosferën e Tomorrit të 100- viteve më parë na shfaq fije- fije, në dyshe gazetën. Gjurma e së verdhës, tregon jo vetëm vjetërsinë, por dhe mosmbatjen në kushte. Gazeta eshtë e ngrënë në anësore, dhe duket se i është bërë “një lloj restaurimi”, ngjitur mbi fashë të bardhë në anësore. Janë ngjitur copat e gazetës si kanë mundur.
Nga gjithë kjo “përkujdesje” mund të thuhet se gazeta 110- vjeçare (10 mars 2020 u shënua përvjetor i plotë, nga dalja e numrit të parë të gazetës në Elbasan) edhe pak ditë mund të rrojë. Delikatesa për ta shfletuar nuk mjafton më. Ky është alarmi i parë. “Tomorri” i Lef Nosit, ende pa hyrë në përmbajtjen e saj, por konsideruar vetëm nga historia mbi 100- vjeçare e publikimit mund të mos jetë nesër. Ndërkohë, që domosdoshmëria për ta studiuar dhe kuptuar atmosferën e historisë sonë, dhe të këtij personaliteti të gjithanshëm do të ketë nevojë për “transkriptues vjetërsirash”. Gjë që nuk ndryshon gjë nga mentaliteti ynë, për të mos mirëmbajtur e konsideruar të dorës së parë, pasuri të tilla kulturore.
***
Në 11 numra të “Tomorrit”, të ndodhura aktualisht në Bibliotekën Kombëtare, gazeta vjen në vështrimin e sotëm, si një sprovë e rëndësishme e kontributit intelektual të kohës në fushën e dijes, arsimit e kulturës kombëtare.
Me një numër modest faqesh, katër, gazeta ka një fillim të vrullshëm politik. Nisur që nga programi i parashikuar në krye të daljes së numrit të parë, lexohet qëndrimi politik dhe misioni që drejtuesi i saj Lef Nosi merr përsipër; mbrojtja e konstitucionit më të rëndësishëm të shqiptarëve, gjuha. Kombi dhe gjuha janë shtyllat ku bazohet nisja e gazetës. Por me sa shihet nga artikujt, për të siguruar jetën e “Tomorrit” artikujt që botohen në numra të saj mbi zhvillimet e lëvizjes kombëtare, nuk kalojnë politikisht jashtë ombrellës së Perandorisë Osmane. Duket sikur kjo ishte një stradegji konjukturale, ndaj osmanëve që mund t’i jetë imponuar Lef Nosit. Duke pasur parasysh kohën, ndoshta nga më “intrigantet” sa u përket politikës së fqinjëve, dhe trysninë e fuqive të mëdha për ta mbajtur Ballkanin në kontrollin e “paqes” së rremë, gazeta “Tomorri” lëshon zërin, jo pa hezitim dhe jo pa forcë intelektuale, për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.
Artikujt e përkthyer të botuar dhe të marrë nga dy gazetat franceze “Koha” dhe “Turqia”: “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike”, “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme”, kanë tone politike të forta për kohën, duke guxuar përtej nënshtrimin qindravjeçar turk, duke u bërë shkak për burgosjen e internimin në Brusa të Anadollit, të botuesit Lef Nosi. Për nga tematika dhe problematika të lë përshtypjen, jo thjesht të një gazete lokale. Ndonëse, arsimi në këtë kohë kishte në epiqendër Elbasanin, me hapjen e shkollës “Normale”, gazeta “Tomorri” në politikën e editorisë kalon këto territore me kalimin në politikat rajonale, ballkanike deri në një paraqitje të situatës Evropiane.
Por pavarësisht nga këto ngjarje, gazeta pasqyroi pa hezitim luftën për të drejtat politike të vendit, arsim dhe kulturë kombëtare duke iu kundërvënë hapur politikës së xhonturqve, deri në ironi, e cila nuk i mbajti premtimet ndaj shqiptarëve e duke punuar në dëm të tyre. Angazhimi i drejtpërdrejt në çështjen kombëtare në këmbënguljen e konstitucionit shqiptar, gazeta në editorinë e saj tërheq vëmendjen me problematikë të studiuar, jo vetëm në shërbim të çështjes kombëtare por dhe në ngritjen shpirtërore, kulturimin intelektual, ndriçimin e mendjes për t’ju larguar fanatizmit religjioz dhe prapambetjes me aspiratën e një kombi të zhvilluar e përparuar. Krahas artikujve me të dhëna të karakterit historik, kulturor, gjuhësor, shkencor, janë botuar dhe kryeartikuj apo artikuj që ngrinin probleme të rëndësishme të rrafshit kombëtar, por në një spektër të gjerë ballkanik dhe evropian si: “Konstitucioni dhe të drejtat e shqyptarve”, “Trazimet e Shqipërisë” etj.
Një pjesë e mirë e artikujve u kushtohet edhe ngjarjeve të Kosovës: “Një vështrim mbi ngjarjet e Kosovës”, “Turbullimet e Kosovës në parlament” etj., të cilët japin një tablo politike, duke u ndalur e analizuar situatën në Kosovë, por dhe duke e kritikuar qeverinë osmane, për rrugën e gabuar që ajo ndjek, për t’iu kundërvënë popullsisë së saj. Zhvillimet e Kosovës pasqyrohen në faqet e shtypit për rëndësinë e madhe ,që ato paraqisnin në rrafshin mbarëkombëtar, por në të njëjtën kohë duhet theksuar, se Elbasani në këtë periudhë konsiderohej si një qendër e rëndësishme e lëvizjes politike, arsimore e kulturore në vend.
Gazeta një vëmendje të veçantë i kushton Shkollës Normale, problemeve që lidhen me mbarëvajtjen, shqetësimet, ardhmërinë e saj etj. Numra të veçantë e pasqyrojnë atë që nga momenti i hapjes e deri në mbarim të vitit shkollor. Programuar si e përkohshme politike e letrare, ajo shfaq intensitet informacioni, por dhe konkretizon dinamikën e brendshme përmes lëndës letare, përkthimeve, si dhe përshtatjet në shqip si “Vorr i dashnorëve” nga S.Shuteriqi si dhe “Gjahu i malësorëve” i K.Kristoforidhit si dhe një fragment i botuar nga” Meshari” i Buzukut që duhet të jetë nga njoftimet e para të dhëna në Z.Skiroi.
Duket se vlerë gazetës i dhanë dhe personalitetet që bashkëpunuan,ata janë të spikatur në fushë të gjuhës e letrave shqipe, të cilët ishin të përhershëm si: A.Xhuvani, L.Gurakuqi, K.Dako etj.
Ka një marrëdhënie interesante mes gazetës dhe bashkëpuntorëve duke tërhequr vëmendjen lajmërimi që qëndron përherë në krye të faqes së dytë:
Lajmërim
“Tomorri dëshiron të ketë bashkëpunotë të zotët e pendës nga çdo anë e Shqipëris qi të mundi së bashku me ta të vejë në praktikë qëllimet qi ka. Ata qi kanë dëshirë të hynë në këtë shërbim le të merren vesht sa më parë me dreqtorin
Artikujt priten në të dy alfabetet qi vendosi kongresi Kombëtar i Monastirit, më 7/20 vjeet e tretë 1908. Artikut qi i vijnë se përkohsmes edhe në mos u botofshin s’i këthehehn ma të zotit
Bashkëpuntorët qi dëshirojën të përdorin emen, pendë, duhet të bashkë me artikullin e para ti tregojnë edhe emenëin e vërtetë dreqtories.
Bashkëpuntërovet u dërgohet e përkohshmeja pa të holla
Kuptohet se gjithëpëfshirja dhe angazhimi i intelektualëve në gazetë e shtyn drejtuesin e saj Lef Nosin në një konceptim mbi përhapjen në një aspekt më të gjerë se rrethinat e Elbasanit.
Siç e thamë më lart, nisja e numrave të parë të gazetës ka qenë e vrullshme, sa i takon qëndrimit apo editorisë politike mbi çështje të kombit e të gjuhës, por gjithnjë në hije të perandorisë, pa kërkuar në asnjë rresht të “Tomorrit” çlirimin apo daljen në pavarësi. Vetëm në një rast, në numrin e tretë të gazetës kur vihen përballë politika e xhon turqve në dëm të shqiptarëve, duke favorizuar fqinjët zëri i “Tomorrit” merr tone të larta, deri në kërcënim për kryengritje. Ky mund të jetë kulmi që zgjon vetëdijen, duke parapërgatitur shqiptarët mbi nevojën e një lëvizje kombëtare. Por pa artikulim të qartë. Megjithatë nga ngjarjet e mëvonshme që rezulton me fatin dramatik të vetë drejteusit të gazetës, Lef Nosit, editoria politike si dhe fatet kombëtare e zbehin gjuhën. Faqet e para të gazetës në numrat e fundit nuk e zë më protesta apo rebelimi, por politika zbehet duke rënë nga hovet e para. Shihet se tani, faqet mbushen me tepër me shkrime të natyrës historike, cilët janë shqiptarët dhe botime lajmesh, çfarë po ndodh nëpër Shqipëri. Ka një lloj heshtje pas numrave të parë si dhe rënie entuziasmi.
Megjithatë në aq numra sa doli, e kemi sot në dorë, “Tomorri” duket se u projektua nga Lef Nosi me një vizion afatgjatë; ajo dha shkëndija në katër anët e Shqipërisë dhe ndezi “n’çdo vend zjarmin e livizjes kombëtare”…duhet konsideruar si një gazetë pararendëse e lëvizjes sonë kombëtare, kur dy vjet më vonë edhe u shpall pavarsia!
Më poshtë kemi bërë një përpjekje në pasqyrimin e editorisë së “Tomorrit”, duke sjellë fragmente nga artikujt e gazetës, si dhe tekste të plota për të kuptuar më nga afër gjithë atmosferën e kohës e pasqyruar në një format modest, por që i dha historisë një emër kontribues duke paraprirë lëvizjen kombëtare, por dhe mënyrën e zgjimit të vetëdijes shqiptare për konstitucionet e veta shpirtërore; gjuha dhe besimi. Në këtë pasqyrim, kemi ruajtur gjuhën e kohës, në përjashtim të gërmave të transkriptuar sipas alfabetit të sotëm të shqipes, ndërkohë që në shumë artikuj janë përdorur disa gërma nga alfabeti grek.
—
Elbasan, e mërkurë, 10- 23 mars, 1910 -1326
Pronar: Lef Nosi
(Qypërie) ELBASAN
————–
Directeur Propretaire
Lef Nosi
(Albanie) ELBASSANE
Tomorri
—– E përkohshme politike e letrare
Del 3 herë ndë muaj
PAJTIME –ABONNEMENTS
—————-
Ndë Turqie: për 1 vjetë 4 Grosh
“6 muaj 25”
Jashtë Turqiës për 1 vjetë ….fr.8
A Petrarger pour 1 an….fr.8
Programma e “Tomorrit”
1) e përkoheshmeja “Tomorri” do të përpiqet për përmbajtjen e forcimin e konstitucionit, edhe do të luftojë rrebet çdo njiri a ….( nuk kuptohet) qi punon t’a rruzojë ose të shkeli të dreqtat qi na ep.
2) së bashku me simotrat e veta do të përpiqet për të zgjuarit e ndjenjavet kombëtare të shqiptarëvet, e për të qytetëruarit e tyne, nden hien e Perandories Osmane.
3) Pasi qyteti i ynë pati atë fat të ketë në gji shkollën Normale, “Tomorri” do të merret …me nevojat e mbrodhsien e sajë.
4) Çashtjet personale qi s’kanë të bajnë a pak me lëvizjen kombëtare, janë kurdoherë të çporruna nga shtyllat e “Tomorrit”.
Botimi i atyne çashtjeve të cilat ndonse personale po i përkasin… (është e grisur, nuk kuptohet) kombëtare, mbetet në vullnet të dreqtorit.
***
Shkëputëm paragrafin më lart, nga fleta e parë e gazetës “Tomorri” , siç na njoftohet ka drejtues Lef Nosin, si edhe pronar të saj, – pra në numrin e parë të kësaj gazete, në krye jepet platforma, koncepti apo siç është shënuar programi që do të ndjekë kjo gazetë.
Janë katër shtylla, të konsideruar të tilla prej vetë Nosit, ku do të mbështetet gazeta si organ politiko-kulturor.
Interesi i parë mbi të cilën është themeluar gazeta lidhet me interesat kombëtare, për të ruajtur të drejtat konstuticionale të shqiptarëve. Pse ky theksim qysh në pikën e parë të programit? Siç shihet nga viti i themelimit Shqipëria, e siç dihet tashmë nga historia, jemi nën perandorinë osmane. Çështjet politike për të cilat flet Nosi qysh në katër shtyllat e të përkohshmes “Tomorri” lidhet me thelbin e qeverimit shqiptar, zgjimin e vetëdijes së ndjenjave kombëtare të shqiptarëve e qytetërimin e tyre “ndën hien e Perandorisë Osmane”!!
Kjo linjë e qëndrimit të pastër politik ndiqet në të gjithë numrat e “Tomorrit”, ku editorialistët, shpesh me pseudonime, shqyrtojnë historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve në raport me ngarjet, trashgiminë dhe mbijetesën.
– “Si janë sjellë dhe si sillen Tyrqit kundrejt shqiptarëvet”, editoriali i parë për “Tomorrin” shkruar me pseudonimin “Kokumeisha”, sjell një trajtesë historike që kur Shqipëria u bashkua me Perandorinë osmane, në shtrirjen e një biografie historike të vendosjes së shqiptarëve në këtë hartë të interesave krahasura me pjesën lindore të Evropës.
Po japim një fragment të shkëputur nga origjinali i gazetës:
”Që kur Shqipërija u bashkua me imperatorinë Ottomane Shqiptarët e kupëtuan se interesat e tynë janë të lidhuna me interesat e kësaj mbretënie ç’në përandej lëftuanë me atë mënyrë që ishte nevojë sa herë interesat e Osmanit ishin ndë rrezik. Le të vërtetoj këtë gjë me disa tregime prej historisë së tanishme.
Duke lëftuar Turqia me Rusinë të bashkuar me Romaninë më 1877 e humbi luftën; po tërë bota e qytetërumun thonë se këjo ishte një humbë me nder; dhe ata qi i dhanë nder ….( është e grisur nuk kuptohet por mendoj të jetë kundërshtarit)
Ottoman janë Shqiptarët.
Më shumë, shqipëtarët janë ata, që shtërnguanë Europën që të bëhet një i dytë …(e grisur nuk kuptohet), pasi i ati të San Stefanit dhe të zvogëlohen çpërblimet, që i kishte dhënë ky kongres Slavëvet mundës. Përsëri, shqiptarët janë ata që duke parë se as kongresi i Berlinit- me gjithë vogëlonte çpërblimet që u jepeshin Slavëvet ndër San-Stefan – nukë ngrinte rezikun e rojtjes Turqisë ndë Europë, organizonë Ligën e Prizrenit dhe shpëtuan nga thonjë e armikëvet të gjitha ato vise pa të cilat –sikundër thamë- Turqia s’mund të ronte as pak ndë Europë. Gjith kështu ndë luftën që pa Turqia me Greqinë më 1897 Shqiptarët janë ata, që sulen kundrejt grekëvet, dyke këndumun, kangën (mendoj të jetë këngë, por fjala nuk ekzisotn është e grisur në asnësore) kufinë dhe fitojnë luftën.
Po si ja çpërbelu Hamidi Shqiptarëvet këto shërbime të paçmuara? ….(e grisur gazeta, nuk kuptohet)…armiqvet kombësisë t’onë, grekëvet, bulgarëvet, dhe Serbëvet të drejta që të punojnë ndë viset e Shqipërisë për dëmin t’onë; duke bamun ret (syrgjyn) të gjithë ata shqiparë, që kërkonin të qytetërohen me ndihmën e gjuhës së vet; duke burgosur të gjithë ata, që kuxonin të thoshnin e janë Shqiptarë!!…”
Janë nota proteste të “autorit anonim” në faqe të parë të editorialit, që lidhet me të drejtën kombëtare, gjuhën shqipe dhe trajtimin që po bëhet shqiptarëve nga “xhon- tyrqit” të cilëve ju kërkohet hesap për politikën që po ndjekin dëm të Shqipërisë. Nga ana tjetër edhe pse kërkohet e drejta shqiptare, përballë fqinjëve, autori jep vizionin e asaj çfarë do ndiqte historinë më pas. Ardhja e Turqisë fare pranë portës së “Evropës plakë”, dhe ndërhyrjen e kësaj të fundit për të dobësuar fuqinë e perandorisë osmane paralajmërohet si “rrezik”! Ja si përmbyllet kjo protestë që zbulon dhe të vërteta politike të kohës, duke rikujtuar historinë jo drejtpërdrejt, por tërthorazi se shqiptarët janë gati të derdhin prapë gjak për shkronjat shqip, gjuhën nëse vazhdon të ndiqet nga xhon –turqit politika kundra:
“Përsëri u pyes, pa më thoni or zotërinj, pse qeverija xhon-turke njef dhe u ndihmon jo vetëm moralisht, po dhe me të holla shkollavet bullgare, greke dhe serbe, që ndë Shqipëri, edhe më ato vise të Shqipërisë ku as fare Bulgari, Greku ose Serbi gjëndet: kur shkollat shqiptarçe as i njef as i ndihmon?
Përgjigja e këtyre pyetjeve me dy tri fjalë është këjo: sepse qeverija e xhon-tyrqvet nuku ka kuptuar se Shqipëtarët nga interesat e bashkëta që kanë me turqinë është i vetëmi komb ndë imperatori të Turqisë që dëshiron me të vërtetë rojtjen për përparimin dhe fatbardhësinë e imperatorisë Ottomane; me tjatrë anë, sepse qeverija e hxon-Tyrqvet nuku është në qeveri patriotike. Me të vërtetë, po të mbanjë qeverija këtë politikë që ka rokur, dyke ndjekur kombin më të math dhe më besnik të imperatorisë Ottomane do të sjellin turbullime, jo si ato të Bulgarëvet, dhe të Grekëvet, po më të mëdha. Telegramet që ju dërguan qeverisë nga ana e klubevet Shqipëtare, me anën të së cilavet i thoshnim do të mbrojnë shkronjat kombëtare të gjuhës shqip dhe me gjak, është në aber që i nepet mbretërisë.
Mjerë xhon-tyrqit ndë mbajçin këtë politikë që kanë zënë! Sepse, këjo pa dyshim, do të sjellë sikundrë thomë turbullime të përjashta dhe kështu xhon-turqit, do të i japin portën Europës që të përzihet përsëri ndë çështjet e brëndshme të Turqisë,; fundi kësisoj të përzeme të Europës plakë ndë punën të Turqisë do të jetë pa dyshim më e rrezikshme, se ay i Reval-it. Pra, u thomi: apni sytë e ja u hapin”- Kokumeisha
E shtunë 20 mars 1930-1326
Besëlidhja Balkanike – autori anonim, shënohet Lex Gruda. Ky numër i gazetës është në gjendje fizike shumë të rëndë, totalisht i grisur në anësore, dhe faqja e parë, e ngjitur në mes, në mënyrë primitive.
Fragment: “…ndë këto vjetët e fundit ishim mësuarë të kishim vit për vit ndonjë trazim më ta math e më të vogël si të ndothte. Porsa afrohej behari rrinim e vështronim se ku po çfaqej flaka, ku po ndizej zarri, ku po pëlciste kruengritja; era e barutit ndodhej e përhapurë për ajrin t’onë tymi i dyfëkut mbulonte qiellin e vrërët, vrasjet e tmerimet ishin bërë një zakon për vise te mjera të gadishullit të Balkanit..”
Ky paragrafi i dytë i editorialit “Beslidhja Ballkanike”, një atmosferë politike e pasigurtë në Ballkan, ku luftrat janë në prag, gati për t’u ndezur. Është pjesë e legjendës tashmë të njohur të “Ballkanit si fuçi baroti”, që dallon qartë në këtë artikull të Tomorrit, që zë faqen e parë dhe të fundit të gazetës. Një trajtesë historiko-politike, përballje e fakteve dhe e qëndrimit të Fuqive të Mëdha ndaj këtij rajoni, vështruar gijthë kohën në rrezik të afërt, dhe në vullnete politike herë herë të pafuqishme se si “të shuanin zjarrin, po të prapsura e të përndara nga zilia nga nakari mbi shoqe-shoqen, nuk gjinin mënyrën as barin të shëronte një herë e përgjithonë plagën e helmosunë. Kërkonin e përpiqeshin pra vetëm si të fitonin kohë e të përmbanin vetëm për një herë rrëmyjën e ngjarjevevet tyke u mbështetur mbi statu-quo-n a, të thomi më mirë, tyke i lënë punët ashtu siç ishin nga frika që të mos çfaqeshin trubullime më të mbëdha”. Në çkushte gjendej Shqipëria, dhe cfarë faktori ishte në gjithë këtë rrëmujë ballkanike në artikull kursehet më shumë qëndrimi i Europës, por githmonë me frikën e artikullshkruesit (referuar parahistorisë dhe të tashmes) se situata mund të degjenerojë në dëmin e shqiptarëve.
Ky artikull është nga më interesantët për të parë, se si vlonte atmosfera politike dhe se sa të rrezikuar ndiheshin territoret ballkanike, nga babëzia për shtrirje. Për t’ju afruar këtij shqyrtimi, duket më e lehtë për autorin e “Besëlidhjes ballkanike” duke afruar jo vetëm qartësinë e politikës nga jashtë dhe brenda ballkanit, por dhe përpjekjen vizionet si mund të trajtohet e zgjidhen çështjet e ballkanit.
Po shkëpusim një fragment nga ky editorial që mban brenda dhe ironinë e zyrtarëve të politikës, ministrave që dëshmojnë se sa pa ujë, e pa vlerë ishin bërë takimet diplomatike në Evropë si reflektohej kjo në psikikën e politikës së brishtë shqiptare, shpesh herë shpëtuar nga fati e rastësia, qoftë për ironinë e të qënit edhe nën perandorinë osmane. Kjo e fundit më tepër një fakt historik:
“… Mbretër e ministër vit për vit ndë nisje të beharit bënin udhëtime e piqeshin njëri me t’jatrin; qëllimi i kuvendevet të tyre ishte kurdoherë çështja e Ballkanit, e lajmet e gazetavet, që na tregonin marrëveshjet e tyre, ishin për ne, herë si dallëndysha, ëqna kallzonin se erth prëntvera, herë is kukuvaja fatzeza, që na rrëfenin se po afrohej rrebeshi. Kështu nga marrëveshja e Murzsteg-ut ndë mest t’Austrsë e të Rusisë, arrijmë gjer te pjekja e Reval-it ndë mest të Carti e t’Edoardit VII e cila, me anë të vendimevet të saja, të sjellura vetëm kundrë nesh, i dha shkak kryngritjes s’ushtrijës othomane, e cila sidomos në ndihmën e shqyptarëve, na solli lirinë me të bashkë konstitucjonin.
***
Kujtuam për një herë se vullkani u shua; menduam se mbi tokën t’onë, të zbariturë e të larë me gjak, do të binin lila e trëndafille, po, mjerish nuk ndodhi kështu. Si tërmete t’janë shënjje kataklismevet të vjetra e na rrëfejnë se shtretet e përmbrendshme të dheut nuk kanë zënë vend akoma e qëndrim, ashtu edhe trazimet e përkohëshme që po ngjajnë me radhë herë këtu herë aty, na tregojnë sheshit se edhe çështja balkanike nukë ka marrë akoma fund, e se kundrështimet e armiqësitë ndë mest t ëkombevet të ndrysme, që rrojnë ndë gadishullin t’onë, nuk janë shuarë po ditë për ditë çfaqen nën fytyra t’jera e bëhen shkak trazimesh e trubullimesh, që janë një rrezik i math për paqën e përgjithshme.
Ngjarjet Bosnjë- Hercegovinës e Bullgaritës, kryengritja reaksionare e ushtëriës së Stambolit, çështja e gjirit, trubullimet e greqisë, lëvizja gjaksore e çetavet ndë Maqedhonitë, zihjet e parpera ndë mest t’ushtrivet turke e Bullgare ndë kufi janë çështe mjaft të njohura nga rëndësia e tyre , e tepër t’afërme që t’i harrojmë. Edhe ne vetë çuditemi kurë mëndojmë se të gjitha këto ndodhje u shdrodhën ndë më pakë se dy vjetë, e lypset t’i shëkojmë me frikë eme dyshim pas qe dijmë e zjarri i tyre nukë është shuar po vetëm pakës hi i ka rënë për sipri.
***
Shkaket më të para për të cilat paqa e qetësia nukë mund të lëshojnë rrënjë të thella e nukë mund të themelohen e të shigorhen mirë ndë Gadishullin Balkanit janë këto: lufta ndë mest të panslavismës e të pangjermanismës për sipërsundimin (predominio) mbi këtë pjesë t’Europës, e zihja ndë mest të kombësivet të ndryshme, të lira e të bashkuara me Mbretërinë othomane, të cilat kërkojnë të shtojnë fuqinë e vetë njëra me dëm të tjatrës.
***
Një tjatër barrë që thohet se munt të shëronjtë të ligat e Balkanit e munt të sjellë paqën e dëshiruar ndë mest të kombvet të ‘sja aështë shumë e përmenduara Besëlidhja Balkanike , e cila është andrra, jo vetëm e Cerep Spiridoviçit e panslavistavet të terë, por edhe e të gjithë popujve slavë, përse dihet mirë se vetëm për fitimin e tyre do të behej e do të punonte.
Sot më fort se kurrë Besëlidhja Balkanike po zihet ndë gojë e shumë thonë edhe se vetëm këjo është shkaku i udhëtimevet që krerët e kuroruarë të Balkanit po bëjnë këto ditë, më parë ndë Petërsburg e pastaj ndë Stamboll,.
Një Lidhje të tillë, ne nukë e zëmë besë, e si Shqiptarë nukë e dëshirojmë përse do t’u shtonte fuqinë Sllavëvet, me dënimin t’ënë.
Qe mos t’a zëmë besë, përveç arsyevet të tjera, na shtërngon edhe në fjalë tjatrë, që po ndëgjohet ndë këto ditë, dua të thom të përpjekurit e Austrisë me Rusinë për një marrëveshje ndë mest të tyne, e një marrëveshje e tillë është domosdo kundrë Lidhjes Ballkanike, e cila munt të bëhet vetëm kurë Austria me Rusinë të jenë të ndara.
Po sa për këto dy punë mos të kemi frikë pse as njëra nukë do të mbarohet me të vërtetë; si për njërën si për tratrën shpresat e mira po pakësohen dita me ditën, e ngjarjet e paskëtajme do të na apin arsye edhe me tepër.
E me të vërtetë Beslidhja Balkanike ca ditë përpara numërohe si punë e mbaruarër; thohej se Car Ferdinandi do të shkonte ndë Stamboll vetëm për të marr nënshkrimin e Sulltanit e për t’i kërkuar këtij disa të drejta për Maqedhoninë . Po tani po marrim vesh se , përpara se të vente Cari ndë Stamboll, Turqia lypi ndë kuvendet ndë mest të Sulltanit e të Ferdinandit I, mos të përmendet fare as emri i Maqedhonisë.
Ashtu edhe për marrëveshjen austro-ruse disa thoshin se pritet vetëm të çpallurit e saj..
( tre katër rreshta në gazetë janë të grisura nuk kuptohet ç’ështe shkruar)…
Vetëm një flakë prej kashte do të jetë pra mbarimi e fundi i gjithë kësa buje që u bë gjer me sot; as Beselidhja Balkanike, as marrëveshje austro-ruse, nukë do të kemi, po vetëm do të shohim ato Fuqi, që kanë ndë rështje, të i kërkojnë besë njëra tjatrës që për një kohë më pakë a më shumë të gjatë, mos të trazohen sheshit ndë punë të Balkanit: pastaj trazimet e trubullizmet do të këthejnë përsëri.
***
–Nga ky fragment “Beselidhja e Balkanit”, mund të konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të trajtuar në editorinë e “Tomorrit”. Është një projekt i sllavëve për dominimin ballkanik, por që për shumë rrethana politike mbetet në sirtar. Është vizioni dhe kthejlltësia intelektuale, gjithashtu dhe guximi duke shkuar në një përfytyrim të shpejtë, por të gjallë për lexuesit për çëshjet e Ballkanit, që marrin sipas autorit një rëndësi të madhe për Mbretërinë otomane. Shtjellimi gjen sigurisht arsye për të shkuar më tej, pasi duke u gjendur nën perandorinë osmane kjo çështje lidhet drejtpërdrejt edhe me ne shqiptarët, “po thua më tepër se të tjerëvet” – pasi autori sheh se Shqipëria ka kundër dhe është e ndodhur vazhdimisht nën lakminë e të huajve, por edhe si shtet nën zgjedhë:
….”ne shqiptarët ndodhemi pastaj ndë një shtet të keq edhe nën një pikëpamje tjatrë; do të thom gjëndemi ndë një shkallë më të poshtme se kombet e tjera të mbretërisë othomane, kështu që vuajmë edhe nga zgjedhja e këtyre. Ne nga qeveria nukë na njihen zyrtarisht as gjuha as kombësia; edhe ndë punë bese nuk do të na lënë të lirë sikundrë u tha tjatrën herë ndë Parlament kurë po flitej mbi kishat Maqedhonisë, ku u njohën vetëm grekër e bullgarë…”
Ideja e një Shqipërie të lirë, konstitucionale vazhdon të lëvizë në këtë atmsoferë të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria osmane. Pa pesimizëm, por me diagnostikimin e problemit shqiptar, e duke zbuluar synimet kundër Shqipërisë nga fqinjët mbyllet fati i Shqipërisë, i përparimit të saj.
“Si pamë për sipri, për ne shqiptarët rreziqet si të mbrendëshme, si të jashtme janë tepër të “mbëdha”; lypset pra fuqië e kurajo vetëm me bashkimin e me përdorimin e mirë e t’arsyeshëm të të drejtavet t’ona munt t’i fitojmë”- Lex Gruda.
Duke e konsideruar këtë qëndrim politik, apo pozicion në gjeo-politikën ballkanike të Shqipërisë, ky editorial nuk jep arsyen e ndarjes nga Perandoria, megjithëse kuptohen rrethanat e vullneti për t’u shkëputur, por zgjidhja shihet si ide, lëvizje të arsyes po brenda perandorisë. Gati një përjashtim apo heqje dorë të vullnetshme nga lufta, duke u agrumentuar me gjithë rrethanat që shoqërojnë arealin politik në këtë kohë Shqipërinë.
***
E mërkurë 31 mars 1910-1326
Anmiqtë e shkronj kombëtare janë anmiqt e Konstitucionit; letër drejtuar Lef Nosit, që mban në fund shënimin: Tiranë, 2-IV-10, Mat’ i Bardhë
“Ky popull i fanatikosun sot po gërthet: “Nuk duam shkronjat latine, nuk duam shqipe se na bajnë kaurë”: po nesër ka për t’vajt ma tutje e plot me furii ka për t’gërthitë: “nuk duam konstitucion, nuk duam hyriet se dhe këta na bajnë kaurë”. E atë herë a kan për t’muajt këta burra t’i dalin zot konstitucionit sikurse duhet kundra egërcimit t’popullit? Ah! Me t’vërtetë se intrigan t’këtillë janë anëmiqt e Mbretënisë ma t’damshmit, janë gjarpinj plot helm qi Mbretnija ushqen n’gjii t’saij, janë trathëtorë e reaksionerë për t’u dënu nji orë e ma parë pas nomit. …
E qysh praa i lanë t’bredhin këta anëmiq t’zez pas mirakandej s’tyne? A s’e dinë se shpëtimi i Perandorisë sot varet vetëm nga konstitucioni? Lypset pra qi Qeveria Otomane n’mos për mernjojten naj Kombin shqiptarë i cili ka qenë kurdoherë shtylla e Perandorisë, nemose për interesin e përbashkët t’mbahet n’kambë konstitucioni e me të dhe Perandorija, lypset po themi qi t’i ndëshkokë rrebet këta njerëz t’rrezikshëm qi përpiqen t’sjellën ndalime zhvillimit e lulëzimit të gjuhës shqipe…Këta njerëz m’i anë duket sikur punojnë për t’mirën e Perandorisë otomane, por t’i shikojn punët hollë, e do t’shofin se nuk bajnë tjetër veç hapin plagë t’përmotshme Perandorisë s’mjerë; perse, sikurë thosha ma sypri dyke fanatikosur popullin kundra gjuhës atdhetare, po e fanatikosin jo vetëm kundra gjuhës, por kundra çdo përparimi e qytetnimit, e ma tepër kundra konstitucionit i cili asht mprojësi i gjithë këtyre sendeve. Duhet pra që qeveria otomane t’marri masa t’rrebta kundra këtyne intrigan’t poshtër e fillëzez t’mejtohen pak se përveç damit qi i banë Perandorisë me sjelljen e tyne t’ligë e fare t’paudhët, kurrë s’kanë për ta shumun, por madje kan për ta shumun n’zemër t’shqiptarëvet t’vërtetë flakën e atdhetarizmit; përse shqiptari e ka ruejt trimërisht gjuhën e kombësinë e vet n’kohë ma t’vishtira, e qyshë po humb sot qi jemi n’shekull t’fillollogjisë e t’kombësive? Sot qi prej Zotit kimi saa e saa shqipëtarë t’kuptueshëm e t’ndezun qi po përpiqen natë e ditë mbrenda e ajshtë me trimni t’rrallë e me durim t’çudiçëm për lulëzimin e zgjimin e Shqiptarisë? Sot qi kem saa gazeta shqip, fjalët e t’cilave fluturonjë posi shkëndija n’katrë anët e Shqipërinisë dyke ndezun n’çdo vend zjarmin e livizjes kombëtare”…
Kjo mbyllje e letrës dërguar redaksisë së “TOMORR”-it është artikulim i qartë i jetës së brendshme shqiptare. Fanatizimi fetar, dhe izolimi i gjuhës shqipe, për ta mësuar e lexuar nëpër gazeta e libra – janë dy problematika që ndeshen, që tashmë konsiderohen shpesh nga historianët, si faktor frenues i nxitjes së vetëdijes kombëtare. Pavarsëisht se, në anën e historisë gjithmonë janë rreshtuar personalitete që me kontributin e tyre politik e pazgjidhshmërisht kulturor, kanë mbajtur në këmbë e në alarm të vazhdueshëm debatet mbi fatet e kombit, dhe gjuhës shqipe. Ky rast i sipërpërmendur është, fragment që e shkëputëm nga letra e një anonimi dërguar nga Mati, që nga gjuha e artikuluar duket se poseidon kulture politike për të perceptuar e dhënë vizionin e kohës. Dalja e gazetave në shqip, përfshi “Tomorri” si letër vetëdijeje, duket se ka ndeshur në mur të fortë të fanatizimit shqiptar, si psikologji përballë izolimit të gjatë të Shqipërisë nën perandorinë osmane. Tërheq vëmendjen fakti i përpjekjes shqiptare për t’u çliruar nga kjo errësirë, izolim e fanatizëm, duke nisur së pari te sensibiliteti për gjuhën shqipe, si një nga konstitucionet bazë prej nga vjen zgjimi i ndërgjegjes, dhe më pas të marrëdhënia e brendshme për ta konsideruar si lëvizje kombëtare përparimin e Shqipërisë, dalja nga prapambetja. Duket sikur në këto numra të parë, pikërisht kjo është artikulimi më i qartë i qëndrimi politik për një vetëdije kombëtare të shqiptarëve nga njëra anë, por edhe nevojën e një lëvizje të brendshme për t’u afruar dijes e në këtë arsye kuptimit të thelbit të kombësisë, si një tjetër konsititucion, tashmë shpirtëror që kalon religjionin. Në ato kushte udhëheqja drejt ndërtimit të këtyre konstitcioneve nuk duket pak, por nga ana tjetër arritja drejt tyre duket se ka paqartësi për ta perceptuar si shkëputje nga perandoria osmane. Ndjehet në qëndrime gati një lloj frike, servilizmi, por dhe ardhje tërthorazi karshi qeverisë së perandorisë osmane. Është një ndrydhje që merret vesh qartë, se vjen nga kushtet gjeopolitike në të cilat ndodhet Shqipëria, në një Ballkan të trazuar, rrethuar nga fqinjë që punojnë në dëm të saj. Në ombrellën e turqve duket sikur lufta për lëvizje kombëtare bëhet me “e qetë”, si arsye dhe mbërritja drejt qëllimit për gjuhën shqipe e përparimin e vendit.
***
E shtunë 10 Prill 1910-1326
Udhëtimi i Mbretit të Serbisë në Stamboll- shkruar nga Lek Gurda
Vënia në faqe të parë të gazetës” Tomorri”i lajmit të udhëtimit të pazakontë të Mbretit Serb, dhe pritja entuziaste që ju bë nga gjitha vendet e Ballkanit, për autorin ngre disa pikëpyetje politike, në një kohë që Serbia ndodhej në rrethana të pafavorshme ekonomiko- politike.
Ideja e hedhur dhe përpjekja e vazhdueshme e vendeve sllave për të realizuar projektin e Besëlidhjes Ballkanike, është arsyeja e udhëtimit të mbretit serb.
Editoriali i këtij numri qartëson politikën që po ndjekin serbët, por dhe si po vlon ky projekt në Ballkan, si një ëndërr e parealizueshme.
Po sjellim për këtë një fragment nga editoriali që jep këtë atmosferë dhe synimet serbe:
“…Ç’ndë numur të dytë të Tomorrit e kisha rrëfyer sheshit mos besimin t’im mbi të kryemit e kësaj ideje; sot kam gëzimin të shton se falët e mia dualën të vërteta e se në këtë mendim janë të gjithë ata që shëkojnë me sy të paanshëm punët e Balkanit”.
Referohet këtu, një kryeartikulli të botuar në Paris, në gazetën “Temps”, ku ndër të tjera thuhet:
“ Ndë mest të ëndrravet politike duhet të futim edhe idenë e një Besëlidhjeje ballkanike. Na e kemi thanë sa e sa herë se, sot për sot, çdo mundim për të kryemit e një ideje të tillë do të shkaktonte, mjerisht në ndezjen e një zjarm të përgjithshëm… sidomos pse tani, tani për tani, nderashtjet janë kaqë kundra njena me tjetrën në të gjitha pikëpamjet që tue dashun t’i afrojmë, pa pas ardhun koha, do t’i vinim domosdo ndë një kundrështim ma të rrezikshëm…”
***
“Sa herë që do të flitet për “Tomorrin”, gazeta nuk mund të ndahet nga Lef Nosi, ashtu sikurse edhe veprimtari të tjera që lidhen drejtpërdrejt me atë që ai i përkushtoi gjithë jetën, duke u bërë pjesë e programit dhe e luftës politiko-shoqërore të rilindjes e pavarësisë sonë kombëtare”, e mbyllim me mendim të Kujtim Bevapit, profesorit nga Elbasani, në një shkrim në rastin e përvjetorit të 100 të gazetës, mars 2010-ën.
Biografi
Lef Nosi i përket atij brezi patriotësh që jetoi dhe veproi gjatë Rilindjes e Pavarësisë kombëtare me aspiratat për liri, pavarësi, dije e përparim. U lind në Elbasan më 9 prill 1877, në lagjen “Kala” dhe ishte djali më i vogël i Siljanit dhe Anës. Vëllezërit Nosi qenë të përmendur në Elbasan si tregtarë që me kapitalet dhe pronat e tyre kishin një peshë të konsiderueshme, që nga mesi i shekullit XIX, fillimi i shekullit XX e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Veprimtarinë e tij patriotike, shoqërore e politike, e nis në fund të shekullit XIX. Për këtë veprimtari e arrestojnë në 1902. Dëshmi të kësaj burgosjeje janë aktet hetimore të Prokurorisë së Elbasanit dërguar prokurorisë së Gjykatës së Apelit të vilajetit Selanik. Në 1909 zgjidhet kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po këtë vit themelon shoqërinë kulturore “Afërdita” të këtij qyteti, ndërsa në vitin 1910 themelon dhe drejton gazetën e parë të Elbasanit të cilën e titullon “Tomorri”. Dhjetëvjeçari i parë i shek. XX e deri në shpalljen e Pavarësisë kombëtare për Lef Nosin ka qenë mjaft i vrullshëm, por dhe i trazuar me shpërngulje të shpeshta dhe shtegtime të gjata në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Një letërkëmbim i dendur do të bëhet pjesë e jetës së tij me figura si Fan Noli, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Sotir Koleja, Sotir Peci etj., por dhe me të huajt, si: T. Erikson, A. Herbert, M. Hasluk etj.
Në shërbim të çështjes shqiptare, arsimit dhe kulturës kombëtare Lef Nosi, ndërmerr një udhëtim në SHBA, Filadelfia, në maj 1908. Ndodhemi para ngjarjes me rëndësi kombëtare, si Kongresi i Manastirit, Kongresi i Elbasanit dhe Shkolla Normale, çelja e saj si e para shkollë e mesme shqiptare. Veçohen sidomos takimet që ai pati me Nolin gjatë qëndrimit të tij në Amerikë. Duke pasur si model veprën e Kostandin Kristoforidhit Elbasanit, ai punoi njëherësh në lëmin e kulturës dhe të patriotizmit, i vetëm dhe me energji të pashoqe. Prandaj nuk është rastësi që shtypi i kohës do ta cilësojë atë si “i famshmi atdhetar”, apo “atdhetari i shkëlqyer”. Nuk është gjithashtu rastësi themelimi, drejtimi, financimi i gazetës së parë të Elbasanit “Tomorri”, ngritja e shoqërive kulturore, drejtimi dhe ideimi i Kongresit të Elbasanit, i çeljes së Normales, i pritjes dhe i përcjelljes së nxënësve kosovarë në këtë shkollë, të cilën shtypi i kohës e quan si “Instituti i parë pedagogjik shqiptar”. Shkurt, mund të përmblidhet me fjalë i kudondodhuri Lef Nosi.
Por të gjitha këto nuk mund të ishin pa pasojë për të. Shkak u bënë dy artikuj të gjatë, të përkthyer e të botuar në gazetën “Tomorri”, të marra nga gazetat e Parisit “Temps”, “La Turqie”. Artikujt janë “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike” dhe tjetri “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme”, në numrin shtatë të kësaj gazete. Artikujt binin ndesh, me interesat xhonturke dhe shkaktuan reagim të madh tek ta. Ndaj drejtuesit të gazetës jepet dënim kapital, me vdekje. Vetëm ndërhyrjet dhe protestat e patriotëve shqiptarë, bënë që ky dënim të kthehet në internim në Brusë, të Anadollit. Mbas qëndrimit prej disa muajsh dhe pas mbylljes së Shkollës “Normale” Lef Nosi lirohet dhe kthehet në Elbasan. Në maj 1911 A.Xhuvani do t’i shkruajë atij nga Kajroja se duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe nëse do të merret me gazetën “Tomorri” duhet të largohet nga Elbasani. Por, Lef Nosi nuk tërhiqet nga rruga e nisur. Me forca të reja i hyn punës së tij fisnike të mbledhjes, gjurmimit të dokumenteve historike, antikave, koleksioneve të rralla, filatelisë, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike dhe ballkanologjike. Në mënyrë të veçantë mbledh një material të pasur folklorik, si Cikli i Kreshnikëve, këngët legjendare, baladat etj.
Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Post-Telegrafës shqiptare. Më pas jep ndihmësen dhe është një nga drejtuesit e revistës “Kopshti letrar”. Në harkun kohor 1919-1920 është anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, ndërsa gjatë periudhës 1920-1924 zhvillon një veprimtari të vrullshme në lëvizjen demokratike të atyre viteve. Në këto kohë realizon edhe botimin “Dokumentet historike…”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tetor 1943, zgjidhet anëtar i regjencës dhe në vitin 1945 arrestohet. Dënohet me vdekje dhe në mars të vitit 1946 ekzekutohet nga diktatura komuniste si tradhtar e bashkëpunëtor me pushtuesin. Por, Lef Nosi gjurmoi dhe u la trashëgim brezave dorëshkrimin e Anonimit të Elbasanit, material ky që lidhet drejtpërdrejt me historinë e shqipes së shkruar. Biblioteka e tij numëronte mbi 10.000 vëllime me vlera albanologjike dhe ballkanologjike. Një material të gjerë gjuhësor mblodhi duke e ruajtur në skeda të veçanta.
*Për këtë biografi referenca është një shkrim i botuar në “Standard” nga prof.dr. Kujtim Bevapi
Ky shkrim eshte nje material i vlefshem qe duhet ta kene parasysh autoret e tekstit te ri “Histori e Shqiperise”, qe po hartojne Prof. Muharrem Dezhgiu me shoke me synimin per te vleresuar sa me objektivisht te kaluaren e popullit tone. Figura si Lef Nosi, Mustafa Merlika etj duhen vleresuar per kontributin qe sollen gjatejetes se tyre ne levizjen kombetare dhe te mos nenvleresohen per gabimin disamujorsh qe bene duke bashkepunuar me pushtuesit italo-gjermane per te shpetuar c’mund te shpetohej ne kohe pushtimi.