Vëzhgim/Analizë: Prej disa javësh, e gjithë politika, shoqëria civile, por edhe profesorë e akademikë e njerëz të artit e kulturës janë përfshirë në një debat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe pikëpyetjet nëse kjo godinë 81-vjeçare ishte apo jo pjesë e trashëgimisë kulturore. Por, i gjithë ky debat i përqendruar në Tiranë, ka lënë në harresë degradimin e monumenteve shekullore të kulturës në qytetet e vogla të vendit, për të cilat qeveritë njëra pas tjetrës as që janë kujtuar ndër vite. Porta Vendore bëri një vëzhgim për monumentet e kulturës në disa qytete të Shqipërisë së Mesme…
Prej disa javësh, e gjithë politika, shoqëria civile, por edhe profesorë e akademikë e njerëz të artit e kulturës janë përfshirë në një debat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe pikëpyetjet nëse kjo godinë 81-vjeçare ishte apo jo pjesë e trashëgimisë kulturore. Por, i gjithë ky debat i përqendruar në Tiranë, ka lënë në harresë degradimin e monumenteve shekullore të kulturës në qytetet e vogla të vendit, për të cilat qeveritë njëra pas tjetrës as që janë kujtuar ndër vite. Porta Vendore bëri një vëzhgim për monumentet e kulturës në disa qytete të Shqipërisë së Mesme dhe ajo që konstatoi është mungesa e investimit si nga bashkitë ashtu edhe nga qeveria, që mund të rrezikojë këto trashëgimi shekullore të kulturës sonë.
Kalaja e Peqinit
Kjo që shihni në foto është kalaja e Peqinit, një qytet i vjetër vetëm 1 orë larg Tiranës (ku gëlon debati për teatrin) ku siç shihet ky monument kulture është kthyer në një vend ku hidhen plehrat, ‘parkohen’ kuajt dhe makinat.
Themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia” dhe më pas është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit turk. Muret e kalasë, që mban edhe emrin e vendbanimit ilir të Klodianës kanë pasur një lartësi prej rreth 12 metrash. Pra është një monument kulture shekullor, por banorët e këtij qyteti thonë se asnjëherë nuk është restauruar.
Kujtimi 67-vjeçar, i cili ka lindur dhe jetuar gjithë jetën në Peqin, thotë për Portën Vendore se nuk mban mend që shteti ta ketë restauruar ndonjëherë kalanë e këtij qyteti.
“Shiko kjo kala nuk ka qenë gjithmonë kështu. Njëherë e një kohe njerëzit bënin aktivitete këtu. Nxënësit e shkollave zhvillonin piknikë, ose aktivitete të ndryshme. Por tani është degraduar. Për fat të keq asnjëherë nuk është investuar. Nuk ka ardhur asnjë nga qeveria që ta shohë nëse ka nevojë për meremetim se janë mure shumë të vjetra dhe kanë nevojë herë pas herë që të përforcohen. Por edhe të shihet mundësia që kjo kala t’i kthehet qytetit në plot kuptimin e fjalës. Të kthehet në një vend atraksioni për qytetarët”, shprehet Kujtimi.
Edhe Jolanda kujton se kur ishte nxënëse shkolle vinin shpesh në kala dhe organizonin lojëra popullore ose piknikë. “Tani është kthyer si vend ku bëhet pazar, e hidhen plehra. Por më parë ka kam qenë e vogël ne vinim shpesh këtej dhe organizoheshin aktivitete shkollore. Bashkia dhe qeveria duhet ta rregullojnë, ta bëjnë si park siç kanë qytetet e mëdha, të kujtohen edhe për ne”, thotë ajo gjithë indinjatë.
Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë së Peqinit dhe përgjigja që mori është se kjo bashki bën vetëm pastrimin e kalasë, dhe për shkak se ky objekt është monument kulture është Ministria e Kulturës ajo që merret me restaurimin. Por pavarësisht kërkesave të përsëritura prej më shumë se 20 vitesh, nuk është bërë asnjë lloj investimi në këtë kala.
“Përsa i përket rehabilitimit të Kalasë së Peqinit , e cila është një nga më të lashtat në Shqipëri, ne nuk disponojmë projekt për të. Ky objekt është pjesë e trashëgimisë kulturore e administruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe pothuajse përreth 20 vjet në këtë objekt nuk është kryer asnjë lloj investimi nga ky institucion. Nga ana jone herë pas here kryhet pastrimi i brendshëm nga barërat dhe ndotjet”, bën të ditur Bashkia e Peqinit .
Porta Vendore u interesua pranë ministrisë së Kulturës dhe përgjigja që na erdhi nga Instituti i Monumenteve të Kulturës pohon se Kalaja e Peqinit është një objekt në risk, ndërsa bën të ditur se ka një projekt të miratuar për restaurimin e saj që në vitin 2013.
“Projekt ‘Gërmim arkeologjik dhe restaurimi i kalasë së Peqinit’ miratuar me Vendim KKR Nr. 20 datë 10.05.2013, hartuar nga IMK”, shprehet Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili shton më tej se “IKTK është i gatshëm për bashkëpunim me cilindo institucion apo palë të treta që ofron kontribut për mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore”. Por Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk sqaron më tej se përse ekziston projekti që në vitin 2013, dhe që nga ai vit e deri më sot ky projekt nuk është zbatuar.
Gradishta e Belshit
Ashtu si Peqini, Bashkia e Belshit ka në mbrojtje të saj disa monumente të kulturës, siç është Gradishta e Belshit që dikur mbante popullsi të fisit ilir të Parthinëve. Në Gradishtë është gjetur varri i një princi Ilir, i quajtur Princi i Belshit. Princi ishte varrosur me nderime të mëdha rreth viti 350 para Krishtit, me rreth 70 objekte arkeologjike, që sot gjenden të ekspozuara në muzeun historik të lashtësisë dhe antikitetit të landit të Austrisë së sipërme në Asparm. Gjithashtu, në Gradishtë, nga gërmimet arkeologjike janë gjendur edhe shumë objekte të tjera balte, portrete të ndryshme në terrakotë si dhe enë për pije me figurën e Afërditës etj. Faltorja e Afërditës ndodhet jo larg liqenit të Seferanit, në të cilin hidheshin enë, terrakota si dhurata për perëndinë në ushtrimin e kultit të saj. Qeramika me kokën e Afërditës zinte vend të veçantë në kultin e banorëve të qytetit ilir të Belshit.
Porta Vendore u interesua pranë Bashkisë së Belshit dhe ata pohuan njëlloj si Bashkia e Peqinit se nuk kanë marrë asnjë investim nga ana e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e disa monumenteve që ndodhen në këtë bashki.
Por, për banorët e Belshit, Mali i Gradishtës është vend ku njerëzit mblidhen dhe organizojnë piknikë. “Mali i Gradishtës është shumë i lashtë, dhe dikur ka qenë qytet i kohës së ilirëve thonë. Madje këtu ka pasur edhe kala. Po të gërmohet mund të dalin gurë të mëdhenj që tregojnë se ka pasur kala. Vijmë shpesh këtu, organizojnë piknikë, për ditën e verës, apo ditën e balonave”, thotë Armandi një banor i zonës. Në Belsh gjithashtu gjenden rrënojat antike në Pellaz të Uruçajve, Kisha mbi çezmën e Belshit si dhe Tumat në perëndim të Kajanit. “Deri më sot këto monumente kulture s’kanë marrë asnjë lloj investimi për restaurimin dhe mbrojtjen e tyre. Nuk ka projekte as nga ana e Ministrisë së Kulturës për financimin e këtyre monumenteve”, thotë për Portën Vendore në një përgjigje zyrtare të kërkesës për informacion, Bashkia e Belshit.
Ura e Kamares në Librazhd
Bashkia e Librazhdit pohon se në këtë qytet, monument kulture i veçantë është Ura e Kamares. Kjo është një urë mbi lumin Shkumbin që ndodhet në fshatin Mirakë të Librazhdit. Ajo është ndërtuar rreth vitit 1600 dhe është një urë strategjike, pasi ndodhet në një degëzim të udhës antike Egnatia. Edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës pohon se Ura e Kamarës është në listën e objekteve të shpallur në risk për të cilën IMK ka të hartuar një projekt restaurimi që në vitin 2018. “Projekt ‘Restaurimi i Urës së Kamarës’ Fshati Mirakë, Polis, Librazhd, miratuar me Vendim KKR nr. 269 datë 31.5.2018, hartuar nga IMK”, njofton IMK, pa bërë të ditur se kur do zbatohet ky projekt. Gjithashtu Bashkia e Librazhdit njofton se që prej vitit 1997, muzeumi i qytetit është mbyllur dhe që prej asaj kohe vijon të jetë ende i mbyllur, pasi godina është e degraduar dhe përbën rrezik për banorët. “Muzeumi i qytetit që deri në vitin 1997, ka qenë plotësisht funksional, por ngjarjet e asaj kohe shkaktuan dëme në godinë. Gjithashtu, amortizimi i vazhdueshëm e kushtet fizike goxha të rënduara gjatë viteve, bënë që muzeu të mbyllej provizorisht, pasi nuk mund të rrezikohej siguria e vizitorëve dhe e materialeve. Nga muzeu, janë magazinuar mbi 800 artikuj etnografikë të llojit tekstile (veshje tradicionale), punime në metal, në gur dhe dru, relike të ndryshme. Bashkia Librazhd, në bashkëpunim me instancat përkatëse dhe Ministrinë, kanë hartuar projekte afatgjata për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e këtyre trashëgimive dhe po punojnë me qëllim përthithjen e investimeve cilësore, që këto pasuri të ruajnë vlerat historike , duke menduar dhe për brezat e ardhshëm”, njofton Bashkia e Librazhdit.
Elbasani, me 133 monumente kulture
Bashkia e Elbasanit refuzoi të kthejë një përgjigje për interesimin e Portën Vendore për masat e marra për monumentet e kulturës në këtë qytetet. Pavarësisht debatit që gëlon në Tiranë për monumentet e Kulturës, në Elbasan duket që kjo është një çështje larg vëmendjes së institucioneve. Megjithëse Instituti i Monumenteve të Kulturës ka të listuara si objekte risku një sërë monumente kulture në Elbasan, siç është Kalaja e qytetit, Bazilika Pelokristiane, Kisha e Shën Premtes Valsh, këmbët e urës antike, etj. Sipas IMK në qarkun e Elbasanit janë jo pak por 133 objekte të shpallura monumente kulture, për të cilat IMK ka miratuar projekte për restaurimin e tyre. “Qarku i Elbasanit në të cilën përfshihen 7 (shtatë) bashki (Belsh, Cërrik, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Peqin) ka të shpallura 133 objekte me status monument kulture kategoria e I-rë dhe e II-të. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore përgjegjëse harton dhe përditëson kartelat e pasurive kulturore për objektet nën administrimin territorial të saj. Në këto kartela paraqitet dhe gjendja e monumentit dhe mbi bazën e tyre përditësohet dhe lista e monumenteve në risk”, thanë zyrtarët e Instituti i Monumenteve të Kulturës për Portën Vendore.
Megjithatë e pyetur nga Porta Vendore, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore nuk ka një numër të turistëve që kanë vizituar këto monumente në nivel qarku ose në qytetin e Elbasanit gjatë vitit 2019. “Në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe një grup pune të ngritur enkas për këtë qëllim po punohet për hartimin e një studimi për rijetëzimin e Kalasë së qytetit Elbasan dhe të Monumenteve të rëndësishme të ndodhura në këtë lagje dhe përreth saj. Një tjetër projekt i rëndësishëm të cilin e kemi nisur vitin e kaluar dhe është në proces, është dhe hartimi i projektit të Sinjalistikës Turistike të Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Elbasan. Ky projekt ka disa partnerë shqiptare dhe franceze ku përfshihet dhe D.R.T.K. Korçë – Sektori Elbasan. Me qellim rivitalizimin e Monumenteve të Kulturës është përgatitur dhe një plan pune për organizimin e aktiviteteve me karakter kulturor, artistik dhe edukativ në ambientet e Monumenteve të Kulturës. Këto aktivitete janë zhvilluar dhe do të vijojnë të zhvillohen gjatë të gjithë vitit në bashkëpunim me partnerë si: Bashkia Elbasan, ZA Elbasan, Shkolla të ndryshme të qytetit, Muzeu Etnografik Elbasan, Biblioteka publike “Qemal Baholli”, etj”, thuhet në përgjigjen e D.R.T.K. Korçë, sektori Elbasan.
Gramshi
Në territorin e Bashkisë Gramsh ka në total 9 monumente kulture ku ndër më të spikaturat janë : Fortifikimi Mesjetar, Kalaja e Galigatit, Kalaja e Grabovës së Poshtme, Kalaja e Irmajt, Kisha e Shën Kollit (Grabovë e Sipërme) etj. Megjithatë ato janë pak të aksesueshme për shkak të terrenit të vështirë kodrino-malor si dhe bimësisë që në shumicën e rasteve e bëjnë të pamundur depërtimin në këto site kulturore e arkeologjike. Ndërsa Bashkia Gramsh e pyetur nga Porta Vendore mbi masat që ka ndërmarr ose do të ndërmarrë për shpërfaqjen e këtyre monumenteve të kategorisë së parë, nuk dha një përgjigje lidhur me sa më sipër.
Porta Vendore kërkoi një prononcim mbi masat e marra për pastrimin e hapësirave të këtyre monumenteve edhe nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, për qarkun Elbasan tha se: “Të gjithë monumentet e shpallura janë me rëndësi të jashtëzakonshme për trashëgiminë tonë materiale dhe për këtë arsye të gjithë mbeten në vëmendjen dhe kujdesin e D.R.T.K.Korçë, por në mënyrë të veçante rëndësi i kemi kushtuar monumenteve të vizitueshëm dhe atyre në risk dëmtimi apo shembjeje. Për rijetëzimin e Monumenteve të Kulturës është i rëndësishëm dhe përmirësimi i gjendjes fizike të këtyre objekteve, si mirëmbajtja, konservimi dhe restaurimi i tyre. Për këtë arsye institucioni ynë ka hartuar një liste-risku për vitin 2019, duke klasifikuar monumentet sipas gjendjes së tyre aktuale fizike”, tha në shkresën zyrtare D.R.T.K.Korçë-Sektori Elbasan, ndërsa thekson se pas periudhës së pandemisë po vijon puna me pastrimet e monumenteve sipas planifikimit vjetor. “Këtu përfshihen monumente të vizitueshëm dhe jo të vizitueshëm. Gjatë pastrimit sipërfaqet e territoreve të monumenteve trajtohen dhe me herbicide për vegjetacionin”. Por shumica e arkeologëve janë në një mendje kur flitet për pluhurin e harresës që këto monumente kulture kanë zënë. Ndërsa sipas tyre edhe kur ndodh ndonjë restaurim tek-tuk ai bëhet shkel e shko. “Janë disa monumente në qarkun e Elbasanit, siç është kalaja e Elbasanit, kalaja e Peqinit, rruga Egnatia. Të gjitha këto janë lënë në harresë. Vetëm 10 minuta larg Elbasanit në Shelcan ndodhet një kishë që është pikturuar nga Onufri. Këta e kanë lyer me gëlqere dhe kur bie shi i del boja. S’e nuk bëhet ashtu restaurimi”, tha arkeologu Neritan Ceka për Portën Vendore duke numëruar kështu një sërë monumentesh të tjera, ku sipas tij ato që rezultojnë si më interesantet janë monumentet që përfshijnë zonën e Peqinit dhe të Elbasanit.
“Është edhe kisha në Valas që është prapë e Onufrit. Është rruga Egnatia që kalon nga Peqini dhe për të fatkeqësisht nuk ka asnjë studim, jo më ti vihet në përdorim të turistëve. Zona e Peqinit dhe e Elbasanit është një nga më të pastudiuarat në Shqipëri. Rruga Egnatia është shumë e rëndësishme, nuk ka njeri në Europë që nuk e njeh. Duhet të mirëmbahen urat e vjetra që janë pjesë traseje. Siç është stacioni i vijës Egnatia që ne e kemi zbuluar bashkë me Lazër Papajanin që e kemi restauruar. Por që tani nuk është vënë më dorë”, vijon Ceka.
Arkeologu Ceka vë theksin tek harresa që ka kapluar këto monumente, qofshin këto edhe të kategorisë së parë, ose shumë të njohura si kalaja e Elbasanit etj. “Kurrkund nuk është vënë dorë në monumentet e kulturës. Kudo që të shkosh. Në Elbasan brenda kalasë s’kanë vënë dorë. Aty është një kishë me mozaik ashtu është lënë. Vetë lagja kala është një thesar brenda. Tani po prishen të gjitha banesat e vjetra. Nuk ka asnjë projekt, asnjë plan rregullues. Por po bien shtëpitë, janë braktisur. Elbasani është jashtë çdo plani të ministrisë. Gjëja e parë është që ministria nuk duhet të mbajë asgjë në dorë. Kjo ndodh se ministria i mban këto për tendera, në vend që të gjitha paratë që ka për monumentet në vend t’ia kalojë institutit të monumenteve ku ka pasur një traditë të arkitektëve shumë të mirë, të cilët studionin dhe bënin projektet përkatëse. Kishim edhe drejtoritë rajonale që kishin specialistë që ndërhynin. Peqinin e mbulonte atelieja e Tiranës dhe instituti i monumenteve. Tani e mbulon ministria me tendera. Kështu që nuk i vjen radha kurrë. Për shembull kalaja e Peqinit do donte 1 milion a 2 milionë lekë të vjetra që të rregullohen gjërat kryesore. Por ministria pret që të shkojë fondi tek 100 milionshi se po qe më vogël s’kanë më para për vete”, vijon ai, teksa sugjeron që monumentet duhet të kalojnë në administrimin e pushtetit vendor. “Një pjesë e monumenteve duhet t’i kalohet pushtetit vendor. Pra të jenë asete të pushtetit vendor. Për shembull kalaja e Peqinit nuk duhet të mbahet nga Tirana. Duhet ti dorëzohet bashkisë dhe bashkia duhet ta përdorë. Ta përfshijë në planin saj. T’i gjej një funksion, jo në kuptimin ta bëjë restorant apo pallat, por ta bëjë vend të vizitueshëm. Ka modele të ndryshme. Kjo është zgjidhja”, përfundon arkeologu Neritan Ceka për Portën Vendore.
Ndërsa Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, për qarkun Elbasan tha se janë disa projekte në vazhdën e realizimit, të tilla si: “Gjatë kësaj periudhe që nga fillimi i vitit 2020 deri tani, megjithë izolimin për shkak të pandemisë Covid-19, specialistët e Sektorit Elbasan kanë hartuar projektet e mirëmbajtjes, konsolidimit dhe restaurimit për disa monumente të planifikuara si: Muzeu Etnografik (restaurim i plotë), Kisha e Shën Marisë në Kala (restaurimi i podeve prej druri), Çezmat e Moisi Golemit në Bërzeshtë (restaurimi i plotë), Rilevimi dhe hartimi i projektit të Banesës së Staf Nikollë Papajanit në Kala (restaurimi i plotë). Krahas projekteve të hartuara nga D.R.T.K.Korçë – Sektori Elbasan, janë hartuar dhe miratuar dhe një sërë projektesh nga specialistet e Institutit Kombëtar të Trashegimise Kulturore si: restaurimi i Urës se Kamares – Librazhd, Restaurimi i Urës Mesjetare të Gurit në Grabovën e sipërme, Gramsh, ringritja dhe restaurimi i banesës së Xhevdet Tomës, Orenjë – Librazhd, Banesa ku u mbajt Konferenca e Labinotit, në Labinot-Mal, Bazilika Paleokristiane në qendër të qytetit, Restaurimi i pikturave murale në Kishën e Shën Kollit në Shelcan, Stacioni Romak Ad Quintum në Bradashesh, etj”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni drejtuar Portës Vendore. Eljona Ballhysa