Dom Ndre Mjeda, At Vincens Prenushi dhe At Pjetër Mashkalla në dy variante përkthimi “Ti zbret nga yjet” dhe “Natë e qetë”, këngë himn e Krishtlindjes; versionet vijnë nga gjuha gjermane dhe angleze në dialektin gegë prej klerikëve, – prej kohës së përkthimit, gati një shekull, këndohet edhe sot në kishën françeskane

Ti ulesh prej parrizit

Përktheu: Ndre Mjeda

Ti ulesh prej parrizit,

O Zot e mbret madhnije.

E në tokë vjen m’u bâ nieri

Vetëm prej dashtënije:

Aq i dashtun jé për né

Qi në nji shpellë ti vjen me lé!

O Zot i lum,

Un s’e kam ditë se ti

Né të shkretët na don kaq shum!

Për ty qi rruzullimin

Gjithmbarë e ké krijue,

S’jânë gjetë as shpí as petka,

E zjermi të ka mungue.

Tash âsht dimen, akull, borë,

Me qindrue njashtu â zór.

O djalë i shkretë!

Prei së ftofti ti po dridhe,

Po dridhe e po bertet!

O Biri i të naltit Zot.

Ti pate gjith lumnín,

Por deshtas e ké lanun

E kapë e ké vorfninë.

Pra pse kján e pse gjimon,

Kerkush tý nuk po t’ankon:

Ti do me më msue

Se pa durim nuk mundet

Kerkush m’u shelbue.

Ne disha gja ti fshân

E kján, o bukuri,

Perse, si duhet, nieri

S’t’a din gjith at dashtëní;

Vesht e mora un i ngrati

Se at mundim t’a nep ty mkati;

O mkat mallkue!

Por ti, o Zot, më fal!

Më fal se jam pendue!

Ti flęn përmbi at grazhd,

O i lumi djalë plot hír.

Por zęmers me mârrë gjum

I del fort pun’e fshtír.

Zęmra e jote pse po lngon!

Natë e ditë shka po mendon?

Un tjeter s’po mendoj

Veçse me dekë per njerin.

Me dekë qi ta shelboj!

Me lé e me dekë për mue

Dashtnija të ka shtërnguemun:

E vetë pa të dashtë, o Jezu,

Si mundemi me rrnuemun?

Shpnesa e ęme, o Virgjin Mrí,

Me dashtë Krishtin se nuk di,

Tý të kjosha true:

Më mso gjithmonë me e dashtun,

Me e dashtë e me e lëvdue!

Shënim:

Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet”. E lehtë për t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës, duke u bërë së bashku me “Stille Nacht” një tjetër himn i solemnitetit të Lindjes së Krishtit. Ishte kompozitori Xhuzepe Verdi, i cili i frymëzuar prej dëshirës së Shën Alfonsit i dha muzikën tekstit. Kënga u përthye shpejt edhe në gjuhën shqipe nga meshtari dhe poeti Dom Ndre Mjeda me të njëjtën dëshirë për predikimin e Ungjillit.

O natë e qetë

Përktheu: At Vinçens Prennushi

Flej, o Qielluer,

Zojës në krahnuer.

Flej, mos kjáj,

ndale at’ váj.

Gjumi t’vjen,

por ty s’t’bahet me fjetë,

pse n’do kashta

t’rrin trupi Ty p’shtetë.

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve.

Ty Zoja Mri,

Ty gjithë dashtëni,

rrin tuj t’ruejtë,

ambël prujtë,

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;

Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve!

Shënim

Fjalët e këngës “Natë e qetë” janë shkruar në mbrëmjen e Krishtlindjes së vitit 1818 nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë u muzikua nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mohr-it, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mohr-i e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.Kjo këngë mbërriti edhe ndër shqiptarë, në fillim të ‘900-ës, kur At Vinçenc Prenushi, françeskan përktheu “O e qeta natë”, që u këndua për herë të parë në kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes në vitin 1920.

O natë e qetë

Përkthyeu: At Pjetër Mëshkalla

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Krishti i lum sot ka le;

Shih si qeshet e bukura f’tyr’,

Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’

Flej, o i bukuri, flej

Flej, se shpresa je Ti.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë

Krishti f’mijë i Zoj’s Mari

Qe, në prehen sa mir’ po i rri,

Ejt’këndojnë me brohori:

Erdh i lumi Mesi

Erdh i lumi Mesi.

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Me shpejti vijnë barijt

Me shikue k’te bukuri,

Me adhrue njik’te fëmijë

Krishti plot dashuni,

Krishti plot dashuni!

Shënim

Është një version i përkthimit nga gjermanishtja e tekstit “O natë e qetë”, nga jezuiti At Pjetër Mashkalla, i cili ka qëndruar besnik tekstit nga gjermanishtja, kur nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë ku këndohet edhe sot.

Fotoja kryesore: Adoration of the Magi, tablo nga piktori italian Botticelli, qe ruhet ne Uffizi Gallery, Firence

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Rexhep Ferri: Tani po më tërheqin vetëm gabimet e bukura…
Unë “bir i armikut”!
Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}