Kastriot Dervishi
Studiuesi dhe arkivisti, Kastriot Dervishi ka publikuar sot, një statistikë të tmerreve në diktaturë, ku shikon se në grahmat e fundit, agresiviteti i regjimit kishte arritur në zenit duke kryer vrasje masive në kufi, dhe arrestime arbitrare. Vetëm një vështrim nga arkivat, rezulton se në muajin maj ka pasur rekord të të arratisurve në vitin 1990, gjë që tregon se shqiptarët ishin në kufinjtë e fundit të jetës. Ky shpërthim i ikjeve kulmoi më pas me ngjarjet e largimit përmes ambasadave dhe anijeve.
***
-Më 19.5.1990, rreth orës 22.00 në sektorin e postës kufitare Velipojë, u vra Vat Beqi. U plagos dhe u arrestua i vëllai, Gjek.
-Më 23.5.1990, rreth orës 22.00, në sektorin e postës kufitare Starje u vra në vijë të kufirit, 18 vjeçari Sokol Lika, nxënës në shkollën e mesme gjeologjike dhe u arrestua shoku i tij Besim Qose. “Zumë pozicion dhe vazhdonim të qëllonim” -pohonte njëri nga kufitarët. Qëlluan nga disa drejtime.
-Më 25.5.1990, rreth orës 23.50, në sektorin e postës kufitare Rehovë, rreth 200 metra larg kufirit, u vra 24 vjeçari Sami Qamil Daja, teknolog në kombinatin metalurgjik Elbasan dhe u arrestua Mezan Alush Sulkja.
-Më 28.5.1990, rreth orës 5.00, rreth 800 metra larg kufiri, në pikën kufitare Sutaj në Rrajcë, u vra 35 vjeçari Kujtim Xhaja nga Tirana. Më pas u arrestuan: Hamdi Çullhaj, Agim Sula, Petro Mishtari, Imir Seriani, Haxhi Sula dhe Arben Sula, të gjithë nga qyteti i Tiranës.
-Më 30.5.1990, rreth orës 1.00, rreth 300 metra larg kufirit, në pikën kufitare Kapshticë, u vra 33 vjeçari Bujar Osmani nga Korça.
Nisur nga përdorimi masiv i armëve në kufi dhe rritja e numrit të vrasjeve, me shkresën e datës 28.5.1990 Hetuesia e Përgjithshme i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshme ndryshimin e rregullores së ruajtjes së kufirit, veprim që do të çonte në minimizimin e përdorimit të armëve të zjarrit në kufi. Vërehej se nga hetimet kish dalë se përdorimi i armëve nuk kishte qenë bindës dhe “vrasjet e kryera kanë tërhequr vëmendjen e opinionit shoqëror”. Megjithatë, asgjë nuk u ndryshua. Vrasjet në kufi vijuan të rriten muajt në vazhdim.