nga SHPETIM SELMANI
Mbaj mend kur si trembëdhjetë vjeçar kam hipur për të parën herë në skenën e teatrit Adriana, në Ferizaj. Entuziazmi i paskajshëm që kishim shpëtuar nga lufta dhe ishim të lirë, ishte i paanshëm. Në audicionin e atëhershëm (që udhëhiqej nga një regjisor, i diplomuar në Tiranë për aktrim) ndihesha me turp, i traumatizuar dhe rrija shtrirë në skenë për orë të tëra, duke ëndërruar për kapjen e mizave apo aromën e perdeve. Kurrë nuk do ta harroj kur në mes dy anëtarëve të fundit, që kishin mbetur për t’u përzgjedhur, ai tha emrin tim. Isha i gëzuar, i shpërfytyruar nga lumturia. I deformuar nga gëzimi dhe i shëmtuar nga hareja. Ishte fillimi i një rruge që do t’i shkoja deri në fund ndërkohë shpesh kam ndjerë përçmim e shaka të pakripa ngase isha nga fshati. U mësova me luftën. Një luftë tjetër. Por nuk kisha guximin e njërit ndër personazhet e shkrimtarit kroat (që pata rast ta takojë) Edo Popoviç, kur godet shokët e tij pa ndonjë arsye, duke u thirrur në emër të saktësimit të pozicioneve në shoqëri. Të fortit dhe të dobëtit. Të mjerët dhe egërsirat. Natyisht me kohë nisa të përshtatem dhe çdo ditë e më shumë të analizoj realitete që më shfaqeshin, bindje shoqërore dhe njerëz të bukur që kishin para tyre beteja të ashpra. Luaja në teatër në kërkim të një bote më të mirë dhe shkruaja vjersha si dëshmi që ajo ekzistonte. Bëra shumë vite në teatrin Adriana. Shumë shfaqje dhe falë teatrit dola nga Kosova për herë të parë duke humbur virgjërinë në zemrën e një qyteti të vogël gjerman, që mbytej në shi. Falë teatrit mësova të qasesha ndryshe ndaj jetës dhe kështu të arsyetoja gabimet, ligësitë dhe të thurrja himne për qeniet e dobëta. Falë teatrit kuptova se kishte diçka përtej kutisë ku po dergjemi ende. Falë teatrit nisa të pijë alkool. Pa të nuk bëj dot. Falë teatrit u bëra qenie apolitike. Pastaj studiova në Fakultetin e Arteve dhe para meje hapej një botë tjetër. Pak më e ndërlikuar por ende me besimin e patundur në shenjtërinë e profesionit. Nuk është se kam bërtitur nëpër rrugë për të ja thënë këtë gjë njerëzve. Vuaj nga frika se bëhem qenie e poshtër sentimentale. Por kam besuar naivisht tek një mision absurd. Luaja në shfaqje tjera dhe hapeshin horizonte tjera. Mundohesha ta jepja më të mirën nga vetja. Një idealist i pashoq që futej në botën e pisllëkut. Të merremi vesh. Nuk jam këtu për t’u shkrehur në vaj. As të mbajë kurorën e patetizmit. Jam këtu për të ju thënë se duhet të bëheni barbar. Jam këtu për të ju thënë se duhet ta hani njëri-tjetrin. Jam këtu për të ju thënë se ligësia është kod. Pandershmëria është stil. Dhe vullneti për të manipuluar është esencë.
***
Për ditë të tëra kam pasur presion të jashtëzakonshëm që të mos futem në konkursin e hapur publik të teatrit Adriana, të atij teatri mbushur me kujtesë, trashëgimi shpirtërore dhe të kaluar. Më është treguar vendi se ku duhet të shkojë, më është thënë se aplikimi im është nder për ta ama do të ishte mirë të mos vije, më është thënë se do të më marrin më vonë, me është fërkuar shpina, më janë rrahur shpatullat, më është diskutuar zanafilla. Nuk dyshoj se ka pasur padrejtësi tjera, kudo dhe në çdo kohë. Por secili le të flet për vete pa kërkuar shpagim. Tani e dimë se cfarë do të thotë kjo gjë. Ne bëhemi idiot kur reagojmë kryekëput për bishtin tonë. Që të jemi të sinqertë. Më ofroheshin oferta joshëse nga nëpunës komunal të rinjë, bëheshin kalkulime dhe më tregohej lista se kush ishin zgjedhur. Natyrisht nuk kam asgjë kundër. E kuptoj mbijetesën, barbarinë e saj dhe natyrën e saj të pakompromis. Ajo çfarë nuk kuptoj është mungesa e dinjitetit, rruga ku mungojnë parimet elementare njerëzore dhe dominimi politik mbi qytetarin e shkretë dhe mbi çdo integritet të tij. Pakurrizorët dhe aristokracitë të kalbura. Natyrisht nuk e kisha ndërmend të hiqesha për arsye se më kishin kapur inatet dhe dëshira ime për të ju kundërvënë fashizmit provincial, ishte e paepur. Para një komisioni që më ngjanin si burokratët e Kafkës, recitova gati në vaj një poezi të Brehtit. Më vinte të pëlcisja nga një ndjenjë, që asesi nuk e deshifroja. Një improvizim total dhe një dorë e zgjatur e një politike banale. Një komedi e dhimbshme e Havelit, në teatrin Adriana. Që ishte jetë. Ishte e vërtet. Nën vështrimin e komisionerëve të zymtë, isha gati të shaja çdo gjë dhe të braktisja tërë atë për të cilën kisha jetuar. Natyrisht e dija rezultatin dhe isha gati për ta marrë. Kaq më mjaftonte. Njeriut i duhen këto gjëra. Është i pamend. Dhe kokëfortë për ca gjëra absurde. Po luaja me ta dhe me veten. E pyesja veten pse. Unë një djalë i Bob Dylanit. Një infrarealist i vetëm. Një katundar post-punk. Një kritik i Houllebecqut. Një shok i Arben Idrizit. Një admirues i Bolanos. Një gjykues i Malapartes. Një Tom Waits komik. Në atë gjendje të mjerë, para një vlerësimi që ishte argëtues për djajtë. Ishte sall kujtesa. Kujtimet dhe dëshira ime e pakuptueshme për të qenë përsëri fëmijë në Teatrin Adriana. Ishte një kurth barbar. I kohës. Kaq. Nuk e kisha kuptuar ende, se më kishte rruar dreqi.(Sbunker)