Aleksander Morfov: Nese ketu, me degjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit!

Festivali i Butrintit është një festival që po zhvillohet dhe kërkon rrugën e saktë, të drejtë, dhe do të ishte gjë e dhimbshme sikur në këtë moment të vritej, të ekzekutohej ky festival. Në këto pak vite ka filluar të përcaktojë disa interesa artistike. Por, këto nuk janë përfundimisht të konturuara. Ana më pozitive është se ka një dëshirë të madhe që kjo të realizohet. Ka një komunitet prej artistësh, regjisorësh të huaj, të cilët kanë filluar të ndiejnë një dëshirë të madhe që të mund t’i afrohen festivalit, ta prekin atë. Dhe, kjo në njëfarë mënyre, fillon e konturon, përcakton interesin e tij, vlerën e tij.

Me kapele kauboji lëshuar deri rrëzë ballit, me kanotiere të bardhë sport, regjisori i njohur bullgar, Aleksandër Morfov, dje, ka ndalur në Tiranë i mbushur plot shend e verë, impresionuar për udhëtimin që po kalonte në Shqipëri… E takuam në një nga mjediset e kryeqytetit, në kafe-librarinë “Friend’s books”, krejt i çlirët nga të qenit i huaj, duke shijuar raftet e librave që mbushin muret, ku Sashën (siç e thërrasin miqtë) e tërheq edhe muzika, qetësia, por edhe takimi me miqtë që ka tani në Tiranë, ideatorin e festivalit të Butrintit, Alfred Bualoti, apo dhe Zehrudini, që na ndihmon në përkthimin nga bullgarishtja. Ne kete dite, Morfovi do të jetë në Butrint me bashkëshorten, një aktor dhe vajzën e vogël për të bërë një “minifestival”, do të kalojë në skenën e amfiteatrit një shfaqje të Dario Fosë, ku vihet në dilemë ekzistenca e dashurisë së përjetshme!

 Ai do të jetë spektator i vetëm. “Do ta hap dhe do ta mbyll vetë Festivalin e Teatrit të Butrintit”, – thotë Morfov me ironinë e lajmit që mori vesh, pse pikërisht në këto data të korrikut sivjet nuk po organizohet festivalit i teatrit. Morfovi në Butrint, në 11 vjet jetë të festivalit, ka sjellë tri shfaqje, vepra të rëndësishme edhe në karrierën e tij, janë të Shekspirit. Një prej tyre, “Don Zhuani”, e ka realizuar premierë në Butrint, për të cilën thotë se ishte një zbulim për të, si regjisor; ndërsa “Nata magjike” ka qenë një nga vëniet më të mira në skenë, në karrierën e tij. Në këtë intervistë, ekskluzive për “Standard”, në gjysmë ore kohë nga itinerari i pushimeve të tij nëpër Shqipëri, Morfovi flet pak për teatrin e tij, pse është aq brutal me tekstet dhe pse në mendjen e tij ende nuk ka zbritur Çehovi – kjo e fundit arsye, që shkon në ritmin e karrierës. Është në rastet e rralla të dëgjojmë Morfovin të flasë për një lloj jete të re të aktorit në teatër, si bashkautor në rolin e tij, në liri, si mendim i lirë të zgjojë një proces krijues.

 Ndërsa teatri në llojin më radikal të mendimit përballë shtetit e politikës, për Morfovin, është një kujdesje që i jep rëndësi njeriut, individit në forcë intelektuale e shpirtërore. Por që të kuptohet kjo nga politika, gjithmonë ka më pak gjasa, ndërsa regjisori thotë: “Teatri është një podium ku ndajmë me zë të lartë idetë, shqetësimet, frikën… edhe unë bëj përpjekje që t’i bëj njerëzit, spektatorët t’u bëhet jeta me kuptim, sado naive të tingëllojë kjo dëshirë. Në fund të fundit tjetër gjë nuk mund të bëj”. Sot, Morfovi do të jetë në Butrint, patjetër – thotë, në këmbëngulje për të bindur se nga gjërat që dashuron, nuk heq dorë lehtë, ndaj në këtë itinerar në gjurmë të Odisesë, ai deklaron: “Nëse dikush që drejton, më dëgjon fjalën e më vlerëson, dua t’u lë mesazhin: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit!” Sot, në amfiteatër regjisori do të jetë spektator i një autori modern, Dario Fosë, që i kushtohet idilit, dashurisë së përjetshme, çfarë zgjon në antitezë e trondit teatri tek njeriu si ky rast personal i Aleksandër Morfovit për Teatrin e Butrintit, si ngushëllim dhe optimizëm për këtë vend të vogël që po rreket për koordinata.

Zoti Morfov, ju vini në Shqipëri, këtë herë i veshur sportiv. Na thanë se jeni për pushime. Cili është itinerari që ju solli edhe në Tiranë?

Shkaku kryesor i udhëtimit tonë ishte Festivali i Ohrit, ku morëm pjesë me një shfaqje teatri. Ndërkohë që, miku ynë, Zeruhdini, na ftoi të vinim në Tiranë dhe të vazhdonim udhëtimin drejt Greqisë. Meqenëse ne kemi përshtypje të jashtëzakonshme, e dashurojmë Shqipërinë, menduam të kalonim këtej. Shfrytëzuam rastin dhe ramë dakord për ftesën për t’u takuar edhe me miqtë tanë e t’i tregojmë dhe vajzës sonë të vogël vendet tona që i duam. Kishim bërë programin me një shpresë të madhe, me një dëshirë të madhe, që mbas Festivalit të Ohrit, ne do të kalonim nëpër Butrint. Pastaj me keqardhje mora vesh që festivali, tani për tani, është shtyrë për në shtator.

Pra, ju e kishit përcaktuar si destinacion Butrintin, si vendi që “dashuroni” në Shqipëri?

Po, kjo ishte absolutisht e planifikuar që të ndalnim në Butrint, që të rrinim atje disa ditë. Është Festivali i Teatrit që na tërheq për atje…

Atëherë me keqardhje ju themi, pavarësisht se po bëhet një përpjekje, luftë shumë e madhe, edhe nga mediet, që Festivali i Butrinti të mos humbet këtë vit, ka një lloj presioni ndaj politikës, po si gjithmonë kultura është e fundit në vëmendje, e injoruar, dhe nuk ndodh, besojmë, vetëm në Shqipëri. Meqë morët vesh këtë lajm, me çfarë do ta zëvendësoni këtë “dashuri” në Butrint? Dëgjuam se kishit një ide për të shkuar atje, pse?

Do të bëj një minifestival në Butrint. Gruaja dhe miku im aktor kanë një shfaqje të mrekullueshme nga Dario Fo. Patjetër do të bëjmë spektakël, do ta luajmë. Kurse spektator, me siguri, do të jem unë dhe vajza ime e vogël.

Vërtet do ta kaloni një provë në Amfiteatrin e Butrintit?

 Patjetër, sot në darkë jemi në Butrint. Kush të dojë, le të vijë të na shikojë.

Për çfarë flet kjo pjesë e Dario Fosë?

Kjo është një histori sa serioze dhe komike, quhet çift martesor i hapur, e cila trajton një problem të përhershëm, kur mbaron dashuria pas burrit dhe gruas. A është e mundur që ne përjetësisht të dashurohemi?! Por më vjen shumë keq që festivali nuk bëhet në këtë vend…

Jeni takuar me ideatorin e festivalit?

Po, e them edhe një herë, më vjen shumë keq që festivali nuk po bëhet tani. Por, morëm një farë ëmbëlsimi se takuam mikun tonë Alfred Bualotin këtu në Tiranë, ndaj të cilit ruaj respekt të veçantë dhe ndaj me të gjëra të përbashkëta për punën e tij, për ta mbajtur këtë festival dhe bën një përpjekje të vazhdueshme për ta zhvilluar këtë festival. Sa herë do të ketë nevojë, do të jap ndihmën time, kontributin tim.

Nuk është hera e parë që ju e njiheni shqetësimin e Festivalit të Butrintit që janë paratë dhe politika. Ne e dimë tashmë se ju jeni një nga protestuesit e politikës në princip si artist. Do të kishit ndonjë mesazh konkret në lidhje me ekzistencën e këtij festivali?

Në qoftë se ka një njeri, i cili vlerëson mendimet e mia, nëse rastësisht mendimet shkojnë tek njerëzit të cilët drejtojnë dhe nga të cilët varet kjo gjë, mund të them: Mos e vrisni festivalin, mos e vrisni kulturën shqiptare! Ura të tilla lidhin popujt dhe një nga punët është dhe kjo e Alfred Bualotit. Kjo urë është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme edhe për ne, artistët, të cilët kemi të vetmin qëllim: përpiqemi ta bëjmë botën sa më të mirë!

Ju keni sjellë disa vepra të rëndësishme si “Shtrëngatën”, “Don Zhuanin”, “Natën magjike”… Çfarë pike shënojnë dhe çfarë gjurme kanë në krijimtarinë tuaj vënia e këtyre veprave në skenën e Butrintit?

Çfarë mund t’ju them është se këto vepra janë disa maja të krijimtarisë sime. “Shtrëngata” ishte shfaqja e parë e vënë në skenë si regjisor profesionist, që për fatin tim të mirë, kjo shfaqje vazhdon të jepet për 19 vjet; “Nata magjike”… fillimet e saj i kishte kur isha student, shfaqje e cila përjetoi katër-pesë modifikime të ndryshme dhe ishte në proces për shumë vite. Për mua varianti më i bukur, më i mirë ishte varianti që bëra posaçërisht për Butrintin. Kurse shfaqja “Don Zhuani” në njëfarë mënyre më ndryshoi konceptin për të bërë teatër, një gjë, e cila edhe sot e kësaj dite e vazhdim, përpiqem ta zhvilloj si risi. Një teatër pak më tragjik dhe më filozofik. Unë mund të them që nuk kam shfaqje nga të cilat mund të turpërohesha dhe nuk do të vija firmën poshtë. Të gjitha shfaqjet janë si fëmijët e tu. Po në ndonjë rast, te ndonjë fëmijë mund të shikosh edhe dobësi, po nuk mund ta lësh, duhet të merakosesh, kujdesesh për të, njëkohësisht dhe të trajnohesh me të. Unë kam në repertorin aktiv shfaqje të cilat i luaj prej 20 vitesh, por unë nuk i lë. Vazhdoj akoma t’i përpunoj, të bëj prova në vazhdimësi. Ndonjë herë kam vështirësi, se pothuajse në të katër anët e globit, më duhet të udhëtoj, t’i shikoj dhe t’i mbaj shfaqjet si në Tel-Aviv, Moskë, Bukuresht, Shën Petërsburg etj. dhe s’kam asnjë të drejtë t’i lë jetime.

Flisni për udhëtime, një repertor aktiv. Në fakt, ne ju kemi ndjekur nga Butrinti me vepra të fuqishme, që janë vlerësuar, dhe nuk kemi mundur t’ju zbulojmë “dobësitë” për të cilat flisni më lart. Por, çdo regjisor, si ata që kanë themeluar shkolla teatrore, si Grotovski, Peter Bruk apo sistemi i Stanislavskit etj., flasin për një laborator pune. Te ju si është procesi kërkimor, laboratori, filozofia…? Çfarë ke kërkuar nga teatri sot, që ju ndan nga shekulli XX?

Në kaq pak kohë dhe kaq shkurt nuk mund t’ju flas për një problem të tillë. Por ju tregoj se si profesoresha ime, Julia Ognjanova, për katër vjet të studimit, nga goja e saj nuk kam dëgjuar fjalën sistem. Ideja e saj kryesore ishte që të zgjonte tek ne ndjenjën e të menduarit, të mos ecnim si topall pas ndonjë forme apo sistemi. Kjo më ka bërë, edhe mua, në përpjekje që te aktorët të zgjoj gjithmonë një proces krijues. Gjëja më e rëndësishme është të zgjoj nevojën e lirisë, që të jetë aq i lirë, të shfrytëzojë të gjitha mjetet që të transmetojë mendimin, i cili është i nevojshëm, si detyrë. Për mua, gjithmonë ka qenë e rëndësishme që të krijoj një artist, i cili mendon. Gjithmonë mbaj një qëndrim shumë të lirë, të shpenguar me dramaturgjinë. Gjëja më e rëndësishme për mua është që nga skena të dalë shpirti dhe mendimi i aktorit, ai të jetë bashkautor dhe jo thjesht një interpretues. Kjo ndodh me shumë vështirësi, por kur një aktor e kupton më në fund këtë gjë, atëherë është shumë vështirë ta ndalosh ta vazhdojë këtë proces. Në njëfarë mënyrë, jam i lumtur, sepse kam tri-katër trupa nëpër botë, në të cilat nuk punoj dhe nuk drejtoj, por bashkërisht mendojmë dhe krijojmë spektakël.

A është ky një moment për të kuptuar se po fillon një lëvizje e re ku aktori po u afrohet gjithnjë e më shumë “detyrave” të regjisorit dhe sa rrezikon të zbehet profili? Puna është se mund të dalin shumë regjisorë, në Shqipëri konkretisht është kjo tendencë, po vrapojnë më shumë drejt regjisurës…

Ka edhe këtë rrezik. Ndonjëri mendon me mendjelehtësi se është kollaj të bëhesh regjisor. Unë, falë Zotit, jam njeri që arrij të kuptoj mendimet e këqija, ndjesitë e këqija dhe u largohem këtyre njerëzve. Nevoja për regjisor pa diskutim është e pazëvendësueshme, sepse në një spektakël ka shumë linja të ndryshme, ka dhe shumë mjete shprehëse, nivele etj. Që një spektakël të jetë kompakt dhe i pasur, duhet patjetër të jetë i udhëhequr nga dikush. Aktori mund të bëhet bashkautor vetëm për rolin e vet, i cili duhet të jetë në kontekstin e një organizimi të tërë, që ata duhet të respektojnë.

Në karrierën tuaj si jeni ngjitur në maja, në autorët e preferuar; cili është synimi juaj më i lartë?

Ka shumë autorë që ende nuk i kam prekur, por ndër to më merak kam Çehovin, ende nuk e kam provuar. Gjithmonë kam menduar se nuk jam rritur akoma për Çehovin, pres që të rritem edhe pak, të maturohem! Sepse Çehovi është aq delikat, aq i rafinuar në dramaturgjinë e vet. Kurse marrëdhënia ime ndaj teksteve të autorëve është pak brutale, agresive dhe kjo natyrë e imja mund ta dëmtojë Çehovin. Duhet të mësohem edhe pak për durim edhe tolerancë. Njeriu duke u plakur vazhdon të bëhet me tolerant!

I trajtoni brutalisht tekstet! Dhe çfarë është më e rëndësishme për të ndërtuar një spektakël?

Po, teksteve të autorëve u bie me sëpatë. Ngaqë spektakli është një art më vete, nuk ka lidhje me tekstin, muzikën, ajo është një e tërë që arrihet falë të gjitha këtyre. Dhe ato duhet të jenë të ndryshuara, të formuara, të përdhunuara, që të ndërtosh një spektakël. Mua nuk më shqetëson se kush do ta bëjë më të bukur “Kopshtin e qershive” të Çehovit – kjo garë mes regjisorëve nuk më shqetëson. Njëkohësisht nuk më intereson fare që kritikët mund të thonë se ai e shpërfytyroi Shekspirin. Më e rëndësishme është ajo që ti do të arrish ta transmetosh tek spektatori. Këtë spektatori duhet ta kuptojë, ta ndiejë dhe në qoftë se arrin ta tronditësh, atëherë do të thotë se ia ke mbërritur qëllimit.

Teatri sot, cilat janë sfidat, sipas jush, që e bëjnë të vështirë dhe më pak të konkurrueshëm në treg?

Unë mund të bëj teatër në çfarëdo lloj kushtesh. Nuk jam shumë i ndërvarur nga paratë, buxheti, kushtet. Mendoj se teatri, si çdo lloj tjetër arti, ka dhe problemin politik, sepse në një bum të pop-kulturës agresive çdo qeveri duhet të ofrojë alternativën dhe kjo kërkon para dhe lobim me një drejtim të planifikuar, pasi më e rëndësishme është që një qeveri të dijë dhe të jetë e qartë se me çfarë duhet të përballet individi, p.sh. shqiptari. Çdo qeveri duhet të dijë çfarë dëshiron njeriu, si duhet ta paraqesë veten, a duhet të jetë i edukuar, i kulturuar të dijë gjuhë të huaja, a duhet të duket mirë… Atëherë, ai, në mënyrë shumë konkrete, mund të planifikojë gjërat më të rëndësishme të drejtimit të kulturës. Dhe një nga gjërat më të rëndësishme është kultura e çdo njeriu të veçantë, sepse ekziston rreziku të bëhet një regres, mutant, i papërcaktuar etj., ku gjithmonë e më keq flasin, shkruajnë, bashkëjetojnë dhe bëjnë jetë sociale në mënyrë primitive… si mendon me këto karakteristika duhet të prezantohet shteti im?!

Për këtë arsye ju e shihni teatrin sot në konceptin ekzistencial?

Teatri ka pasur gjithmonë maja dhe rënie. Ka më shumë se 100 vjet që flitet për vdekje të teatrit, por ka mijëra vjet dhe ai akoma nuk ka vdekur. Ka procese të natyrshme në maja dhe rënie. Nga kjo pikëpamje jam optimist. Nuk është problem ekzistencial. Ky, në njëfarë mënyre, është problem jetësor. Po ta shikojmë thjesht nga një familje prej tre-katër vetash, të cilët nuk mund të shkojnë çdo javë në teatër, sepse do të harxhojë buxhetin familjar.

Në llogari të fundit teatri i mirë bëhet në vitet e krizës, dhe, ne, bëjmë përpjekje që të nxjerrim përfitime në kuadër të kësaj krize dhe përpiqemi të bëjmë teatër.

S’ju kemi bërë asnjëherë pyetjen se çfarë është teatri dhe një tjetër dilemë pas tij që shtrohet, gjithë kohën: Për çfarë shërben teatri? Pse nuk e do politika?

Pyetja është shumë e kalkuluar dhe duhet të bësh një vetanalizë, reflektim. Për mua teatri është një podium ku ndajmë me zë të lartë idetë, shqetësimet, frikën… edhe unë bëj përpjekje që t’i bëj njerëzit, spektatorët, t’u bëhet jeta me kuptim, sado naive të tingëllojë kjo dëshirë. Në fund të fundit, tjetër gjë nuk mund të bëj.

Në kinematografi, sidomos në Evropë, nuk ka treg filmash, nuk shitet më historia lokale, duket sikur edhe teatri po shkon drejt kësaj skeme, pra është fjala për lulëzimin e festivaleve. Edhe brenda Shqipërisë ka disa festivale. Në shumë vende mbijeton teatri përmes festivaleve, bëhen ndërkombëtare dhe dalin jashtë kufijve… Ç’është ky komunikim i ri për ju?

Ka në botë edhe thjesht festivale turistike. Dihet se për çfarë ekzistojnë: të merren ca para, të përdoren! Me keqardhje them se janë disa festivale të mëdha, me emër, që kanë filluar të marrin karakter turistik. Është Festivali i Avinjonit, ka humbur fuqinë dhe rolin e vet që të ndryshojë teatrin dhe ai festival pothuaj është kthyer në një festival lokal. Në Rusi ka filluar një rizgjim i madh për festivale të ndryshme, shumë serioze dhe kanë shumë rëndësi këto shqetësime që janë ngritur. Festivale të tjera marrin rëndësinë për të kuptuar prirjet më të reja dhe të rëndësishme të teatrit. Por, është për të ardhur keq që humbën ato festivale të vjetra, ku artistët kishin mundësi të bashkëjetonin dhe të komunikonin me njëri-tjetrin. Tani shkon në festival, vë shfaqjen dhe ikën. Nuk ekziston më ajo ndjenja që je një trup i tërë, që ta ndiejnë të gjithë, të jenë pjesëmarrës aktivë.

Në këtë linjë të komunikimit me festivalet, edhe Butrinti është një atraksion turistik, ashtu si vendet e vogla në tendencën e ekspozimit, të njohjes së vendeve të tyre. Si do t’i përcaktonit në këtë hartë interesat e festivalit të teatrit që organizohet prej 12 vitesh në Amfiteatrin antik të Butrintit?

Mendoj se Festivali i Butrintit është një festival që po zhvillohet dhe kërkon rrugën e saktë, të drejtë, dhe do të ishte gjë e dhimbshme sikur në këtë moment të vritej, të ekzekutohej ky festival. Në këto pak vite ka filluar të përcaktojë disa interesa artistike. Por këto nuk janë përfundimisht të konturuara. Ana më pozitive është se ka një dëshirë të madhe që kjo të realizohet. Ka një komunitet prej artistësh, regjisorësh të huaj, të cilët kanë filluar të ndiejnë një dëshirë të madhe që të mund t’i afrohen festivalit, ta prekin atë. Dhe, kjo në njëfarë mënyre, fillon e konturon, përcakton interesin e tij, vlerën e tij. Mendoj se ai po zhvillohet në vazhdimësi dhe duhet të gjenden të gjitha rrugët që ky festival të përcaktohet dhe të stabilizohet.

Gazeta Standard, korrik 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: Si u bëra “artist i merituar” në diktaturë
“Nëna dhe djali” i Jan Fosse: Të mos humbësh kohën me modesti të rreme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}