Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi janë fitues të çmimit “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.
Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.
Çmimi “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.
“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.
Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.
“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.
Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare./ATSH.