Dr.Arch. Eled Fagu, UPT-Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës ishte pjesëmarrës me kumtesën e tij në konferencën e organizuar në datat 17-18 nëntor, me temë “Arkitektura gjatë regjimit komunist në Shqipëri”
Arkitekt Fagu shpjegoi gjate konferences se ISKK-se mbi arkitekturen ne komunizem sesi pushteti i Enver Hoxhes shpenzoi para per te ndertuar nje industri dhe arkitekture propagandistike pa asnje vlere ekonomike, vetem e vetem qe te krijonte idene se vendi po zhvillohet. Ndertimi gjate regjimit komunist, sipas tij, ishte jashte logjikes ekonomike dhe u zhvillua vetem per arsye politike, si nje nevoje e pushtetit totalitar per tu ngurtesuar ne objekte me idene per te percuar bindjen se politika e tij ishte solide dhe e palevizshme.
***
Procesi frenetik i urbanizimit që ka karakterizuar dy dekadat e fundit të ndërtimit në Shqipëri, ka evidentuar në mënyre kostante një qasje neglizhuese ndaj rëndësisë së kërkimit shkencor mbi ambientin urban ekzistues. Përtej rolit utilitar, ekonomik dhe përfaqësues të kohës kur jetojmë, sipas arkitektit Eled Fagu, i cili mbajti kumtesen “arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë – arkitektura si një “libër i hapur”, – arkitektura e qytetit mbart edhe një rol tjetër po aq të rëndësishëm dhe kuptimplotë sa këto të parat, rolin historik dhe dokumentues si vlerë të veçantë kulturore brenda disiplinës. Ndryshimet e mëdha shoqërore që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë qindvjeçarit të fundit, vazhdon më tej arkiktekti, janë materializuar veçanërisht në territorin urban dhe kryesisht në qytetin e Tiranës ku duket se është ngurtësuar sfida e vërtetë për qytetin. Analizat e arkitekt Fagut, nga pikëpamja urbanistiko-arkitekturore, nxjerrin në pah karakteristikat e një përplasje të vazhdueshme ndërmjet të mëparshmes dhe aktuales, duke provokuar një dialog sfidues bazuar mbi shkëputje e mbivendosje, më tepër se mbi komunikime e vazhdimësi. Fagu vë theksin se, vetë zhvillimet politiko-shoqërore të kësaj periudhe njëshekullore, kanë qenë shkaku i pasojave anatemuese të vlerave të vërteta që mbart qyteti si produkti më i arrirë njerëzor. Arkitektura totalitare, veçanërisht ajo e periudhës së socializmit, e cila risjell në vëmendje një të kaluar të hidhur dhe jo shumë të largët, për shkak të mpleksjes me ideologjinë totalitare, ka hasur vështirësi në artikulimin e një mendimi të qartë kritik nga ana e studjuesve, gjë që do të bënte të mundur evidentimin e “vlerave” dhe “antivlerave”, sipas konceptimit bashkohor të termit për një shoqëri të lirë dhe demokratike. Përfshirja e ideologjisë në arkitekturë, duke marrë si rast konkret studimor qytetin e Tiranës, në fakt është një histori më e vjetër se vendosja e regjimit komunist. Pushtetet totalitare që pasuan krijimin e shtetit të ri, cili më pak e cili më shumë, përdorën ndërtimin e qytetit dhe arkitekturën e tij si një mjet për të penetruar shpejt e në menyrë të thjeshtë në mëndjen e popullsisë së etur për modernizim e prestigj në garën për implementimin e vlerave perëndimore, pas disa shekujve nën influencën Otomane. Kështu arkitektura nacionaliste e periudhës së protektoratit, racionalizmi klasiçist i periudhës së pushtimit fashist, e duke finalizuar me urbanistikën dhe arkitekturën e realizmit socialist, të cilat pavarësisht se evoluan disi në formë e në rregulla, mbeten krejtësisht statike në lidhje me qëllimet, ideologjinë dhe terminologjinë e përdorur. Sot nën një optike më liberale ato paraqesin ngjashmëri ashtu si dhe kundërshtite e tyre, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me arësyet politike të krijimit. Lenia në harresë, degradimi, perçudnimi i ndërtimeve të regjimeve të mëparshme, ka qenë një strategji çvlerësimi që është aplikuar në mënyrë sistematike prej regjimeve totalitare me pasoja të rënda për qytetin e duke lënë jehonë në aktualitetin ku jetojmë. Sot, nën sfondin e politikave integruese të BE, Fagu u ndal në faktin se trashëgimia arkitekturore e periudhës së totalitarizmit të shekullit 20’ zë një vend të rëndësishëm. Sigurisht ai nuk i referohet performancës kulturore, pasi në shumicën e rasteve, sipas tij, bëhet fjalë për një rikthim drejt një lloj populizmi klasik i cili spostoi ekselencën vite mbrapa në kohë por kryesisht, duke e lidhur me memorien dhe ndërgjegjësimin. Duke e konsideruar trashëgiminë e diskutueshme si një dokument realist ku mund të verifikohet në distancë kohore impakti i politikave radikale mbi qytetin dhe banorët. “Nga ana tjetër, si pasojë e urbanizimit të përshpejtuar, një pjesë e mire e konteksteve të krijuara rishtas kanë themeluar vetë ekzistencën e tyre mbi artificën e urbanizimit propagandistik të totalitarizmit dhe pas rëzimit të sistemeve kanë rënë në degradim progresiv nga pikëpamja urbane dhe sociale, me pasoja tepër të rënda për banorët dhe komunitetin. Në këto kushte, bëhet i nevojshëm një qëndrim diametralisht i kundërt me vetë arësyet revolucionare të krijimit të tyre bazuar kryesisht mbi politikat e kontrasteve, qëndrim ky që duhet orjentuar më tepër drejt rizbulimit të prirjeve, menaxhimit të zgjuar dhe rivleresimit kritik historik, i cili pikë së pari duhet të kalojë nëpërmjet proçesit të leximit e të njohjes në mënyre sa më realiste, larg nostalgjive iracionale dhe përtej propagandës së sistemeve që nuk kanë arritur ti mbijetojnë dot kohërave.”
#Eled Fagu është diplomuar për Arkitekturë pranë Università degli Studi di Firenze, Itali në vitin 2006. Fillimisht ai u angazhua në mësimdhënie në universitete private të arkitekturës në Shqipëri, ku ka qenë lektor për lëndë të fushës së kompozimit dhe teorisë së arkitekturës e urbanistikës. Prej vitit 2010 kontribuon si pedagog i jashtëm në FAU dhe prej vitit 2014 i është bashkuar personelit akademik efektiv të këtij fakulteti.
Aktualisht po zhvillon ciklin e Doktoraturës me temë mbi historinë dhe kritikën e dizainit urban dhe arkitektonik, me fokus në lindjen dhe zhvillimin e qyteteve të themeluara gjatë periudhës së Realizmit Socialist në Shqipëri. Interesat e tij kërkimore përfshijnë gjithashtu tematika që trajtojnë çështje të analizës dhe kritikës së projektit arkitektonik dhe urban, kompozimi i parë në këndvështrimin artistik dhe social, tipologjitë ndërtimore duke përfshirë ato historike dhe bashkëkohore. Eled Fagu gjithashtu angazhohet në fushën e projektimit dhe konsulencës ndertimore prej disa vitesh, gjatë së cilave ka punuar për projekte komplekse dhe me ndikim pozitiv shoqëror.