Është një paradoks, edhe pse bëhet fjalë për një jetë muzeale të vendosur si histori përmes fotove. Fjalën e kemi që kujtesa fotografike e një aktoreje me arkiv të pasur të aktivitetit teatral e kinematografik mund ta kishte vendin në një mjedis Teatri ose kinemaje. Ndonëse këto gjurmë kujtesë po i humbin pak nga pak, aktorja Marie Logoreci zgjon vëmendjen në 100 vjetorin e lindjes në një rrugëtim fotografik të karrierës të organizuar nga i biri, Pjerin Logoreci.  

Në historinë tonë kinematografike, të viteve të diktaturës, gjithmonë kemi një diskurs të hapur, në trajtesën antropologjike se çfarë dukurie prodhoi shtrengesa e lirisë në individin shqiptar. Kjo anë e dyfishtë, qoftë për demagogjinë e ushqyer, dhe propagandën që ushtrohej mbi shoqërinë shqiptare, por edhe në fatin e aktorit, si shprehje krijuese, në imagjinatë dhe përmbushje artistike.

Po të thellohemi në këto tipare, padyshim do mbeteshim një shkretinë kulturore.

Në fakt, kështu është. Por, duke reflektuar si shoqëri, por dhe si detyra të të nxënit mbi ndërgjegjen, edhe jeta kinematografike e kësaj aktoreje, do këtë shije të të parit. Me një portret unik, elegancë, feminilitet e lirizëm, që si duket filmografia e diktaturës ia shtoi tiparet burrërore, Marie Logoreci ka pasur fatin të ishte dëshmi edhe jashtë skemës. Jeta sociale ku u rrit dhe krijoi personalitetin, si dhe filmi “Skënderbeu” janë modele për t’u kqyrur, me të cilin mund të ballafaqohen e të përthyhen imazhe estetike, si e dhënë e një talenti.  

Apriori në të  tjera përvoja që do pasojnë këtë karrierë Logorecin e kanë bërë “ikonë” të kinemasë.  Nuk kemi pohim të derisotëm ashtu siç e duan kriteret e kinemasë, për shkak edhe të një mungese të kritikës, dhe një biografie jashtë kornizës. Në “fjalët” e fundit prej miqve dhe kolegëve sundon patetizmi “e mrekullueshme”, “e jashtëzakonshme”, “zonjë skene”…etj etj që vijnë vlerësime klishe, gjë që nuk i shërben as publikut, as studentëve për të vrojtuar më thellë si arsye studimore mbi këtë profil aktrimi, që i afrohet realizmit felinian të zbehur më vonë nga skema.

Fotografi familjare dhe nga arkivi i institucioneve

I biri i aktores Pjerin Logoreci shprehet se është një ekspozitë që përmban jo vetëm foto të familjes, por dhe tjera që janë pjesë e arkivit të institucioneve. “Jam munduar të krijoj këtë ekspozitë me foto të familjes si dhe foto të tjera që, sigurisht janë në arkivin e familjes, por që janë foto të arkivit të Teatrit Kombëtar si dhe arkivit të Kinostudios. Isha përgatitur për diçka më serioze se ishte një eveniment i rëndësishëm 100 -vjetori i lindjes. Do të bëhej një aktivitet me këtë rast, por për shkak të kufizimeve të pandemisë nuk u bë e mundur, që të realizohej. Më vjen keq që jo vetëm 100 -vjetori i Maries, por edhe 100 -vjetori i lindjes së Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, që ishin këtë vit kaluan fatkeqësisht në heshtje”, pohon i biri i aktores. Marie Logoreci (23 shtator 1920- 19 qershor 1988) “Nderi i Kombit” dhe “Artiste e Popullit” aktore e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek “Skënderbeu” , më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër “Fëmijët e saj”, më pas në filmin e parë shqiptar “Tana”, etj, ku në 1964 luan Loken te filmi “Toka jonë”. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare. Marie e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndojë në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë “Tartufi” të Molierit. Një sërë rolesh të tjerë të suksesshëm janë: Gertruda te “Hamleti”, Ledi Milford te “Intrigë dhe dashuri”, Zabelina te “Orët e Kremlinit”, Mara te “Përkolgjinajt”, Prenda te “Cuca e maleve”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, etj. Ekspozita fotografike më rastin e 100- vjetorit të lindjes së aktores Marie Logoreci do të qëndrojë në muze deri më datë 2 tetor.

Jetëshkrim

Marie Çurçia lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar, kurse e ëma Roza, shtëpiake. Të vogël, Marien e thirrën Tushi. Tushi bëri shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në këtë shkollë, si dhe më vonë në gjimnaz, filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon, dhe më vonë fillon ta shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e besimit. Kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe, në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent. Ne këtë moshë ajo për një kohë të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogëli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut, nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të atit. Njohja, dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17 vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin, i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena, ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi, (shef i buxhetit të shtetit në atë kohë dhe djali i Mati Logorecit). Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit), një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve, Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejn, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle).

Karriera

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.

Në vitin 1947 merr pjesë si soliste në Korin e Përgjithshëm të Shtetit, me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Rolet më të njohura për kohën janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”‘, Mara te “Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj. Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988. (Informacioni mbi jetëshkrimin u sigurua nga Wikipedia)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Magazina e “Nëntorit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}