Një botim akademik për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës – Në kuadër të veprimtarive shkencore kushtuar 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Akademia e Shkencave botoi veprën monografike “Banda kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane” të akademik Vasil S. Tole.

Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës dhe Shkodrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën heroike të popullit të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.

Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare. Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, i dha identitet kësaj lufte.

Autori i këtij studimi ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”; duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë sonë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.

Libri per Vatren
Dekorata per Vatren

Kjo monografi është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të qeverisë së Sulejman Delvinës. Nuk është e rastit që dje, më 31 gusht 2020, Presidenti i Republikës Ilir Meta, me propozim të Akademisë së Shkencave, i nderoi me mirënjohje të larta të dyja bandat muzikore, të dyja historitë e tyre, bandën muzikore “Vatra” dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura, vazhdim i saj prej kohës së luftës së Vlorës, me ndryshime në emër për shkak të ndryshimit të sistemit të qeverisjes.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës vlerësoi, krahas meritave historike të dy bandave të përmendura, edhe rolin e monografisë së akad. Vasil S. Tole për njohjen dhe përurimin e meritave të tyre, si dhe të CD-së së prodhuar nga Akademia e Shkencave nën këshillimin e të njëjtit autor, “Me armë në dorë e këngë në gojë”, në të cilën është regjistruar kënga-himn “Vlora-Vlora”, një tjetër kushtim për 100-vjetorin e luftës së Vlorës.

“Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”- ishte motivacioni.

Presidenti shtoi se Falë Thoma Nasit dhe Bandës “Vatra”, roli i muzikës në vitet 20-të, u ridimensionua në shoqërinë shqiptare.

Qeveritë shqiptare u angazhuan për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij.

Banda “Vatra” dhe pjesëtarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim apo një shkollë e re. Roli i saj ishte një katalizator procesesh emancipimi kulturor në vite të vështira politike dhe ekonomike për shqiptarët.

Sot  në Vlorë do të zhvillojë punimet konferenca shkencore “Lufta kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen e Pavarësisë”, organizuar nga Akademia e Shkencave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Magazina e “Nëntorit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}