Juristi i të drejtës ndërkombëtare, Agron Alibali në një vështrim mbi çfarë po ndodh me Butrintin, si po veprohet nga ana juridike në menaxhimin e tij, dhe se si ligji shqiptar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konvetën e Parisit; çfarë funksioni kanë fondacionet private të cilave u dorëzohen trashëgimia shqiptare, roli i çuditshëm i AASF-së, si dhe përmbajtja e plan menaxhimit të integruar 2020-2030

Nga Agron Alibali

Fundjavën e 3-4 marsit 1933 Ministri amerikan në Tiranë, Herman Bernstein e kaloi në Butrint.

I shoqëruar nga Kolë Kuqali, përkthyes zyrtar i Legatës, Z. Bernstein takoi Prof. Ugolinin, i cili kryesonte ekipin e arkeologëve që po bënin gërmime në Butrint, ku merrte pjesë edhe Hasan Ceka. Sipas një njoftimi të gazetës BESA të 8 marsit 1933, “Ministri përshkroi si të pakrahasueshme pasurinë arkeologjike dhe historike të Butrintit, i cili lidh të kaluarën e Shqipërisë me të tashmen e saj”.Duke u kthyer në ditë tona, Parku Kombëtar i Butrintit është sot perla e turizmit shqiptar. I përfshirë edhe në listën e UNESCO-s si pjesë e Trashëgimisë Botërore, Butrinti ka Vlerë të Jashtëzakonshme Universale [Outstanding Universal Value] dhe mbrohet me kujdes të veçantë nga legjislacioni shqiptar, i cili ka inkorporuar edhe disa konventa të rëndësishme ku Shqipëria është palë.Ndër to kryet e vendit e zë Konventa për Trashëgiminë Botërore e nënshkruar në Paris në vitin 1972.

Akrobacira të habitshme juridike

Ndërkohë që opinioni publik në Shqipëri përcjell me vëmendje debatin demokratik lidhur me Teatrin Kombëtar në Tiranë, me përjashtim të pak prononcimeve, ekziston një indiferentizëm i përkohshëm për fatin e Teatrit Antik të Butrintit dhe, më gjerë, për të tashmen dhe të ardhmen e mbarë Parkut Kombëtar të Butrintit.

Megjithatë, shqetësim të ligjshëm kanë shkaktuar planet për kalimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nën menaxhimin efektiv të një fondacioni të huaj privat. Hapësira ligjore që ka mundësuar një hap të tillë, të pashembullt në historinë dhe praktikën juridike të vendit janë Nenet 171-173 të Ligjit Nr. 27/2018, datë 17.5.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

Lidhur me mënyrat e administrimit të pasurive kulturore ky Ligj përcakton çuditërisht se “Pasuritë kulturore në pronësi publike administrohen në formë direkte ose indirekte. [Neni 171.1]. Është pikërisht “administrimi indirekt”që u çel shtegun“fondacioneve të posaçme të trashëgimisë kulturore”[Neni 171.3.a].Këto krijohen sipas Nenit 172, i cili atyre u jepkompetenca shumë të gjera administrimi. Dispozita u hap rrugë këtyre fondacioneve të posaçme që, në trajtën e personave fizikë ose juridikë privatë “të huaj”, të fitojnë tagrin e marrjes së Butrintit “në përdorim të drejtpërdrejtë, dhe “në mënyrë jo shteruese”.  E thënë ndryshe, përmes akrobacive të habitshme juridike që ndërmarrinkapërcimin alogjik nga “administrimi indirekt” tek “përdorimi i drejtpërdrejtë”,  këto tri nene bëjnë që Butrinti në të ardhmen të menaxhohet jo më nga institucionet e shtetit shqiptar, por në thelb nga një fondacion i huaj.

Ligji shqiptar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit

Dispozitat që mundësojnë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga fondacione të huaja private, pavarësisht nga fasadat apo instrumentet juridike të përdorura, janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe me frymën dhe gërmën e Konventës së Trashëgimisë Botërore të v. 1972, ku Shqipëria – por edhe SHBA – janë palë.Me të vërtetë, Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 5, përcakton se “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.” Më tej, Neni 116 i Kushtetutës përcakton se, sipas hierarkisë juridike, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve. Pra, ligji shqiptar për trashëgiminë kulturore duhet të jetë detyrimisht në pajtim me Konventën e Trashëgimisë Botërore të Parisit.

Duke kaluar tek Konventa e Parisit,parimi themelor i saj është roli i padiskutueshëm parësor i shteteve anëtare [“Shtete Palë”] në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre. Neni 4 i Konventës shprehet mëse qartë se “detyra” [the duty]  për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti.”. Si mund të zbatohen këto “detyra” nga Shteti Palë nëse ky nuk e menaxhon vetë sitin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore? Po ashtu, Neni 6 .1 ripohon se “sovraniteti i Shteteve në territorin e të cilit ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrorerespektohet plotësisht”, dhe “të drejtat pasurore të mbrojtura në legjislacionin kombëtar nuk paragjykohen”.

Kurse Neni 6.3 është edhe më eksplicit në përcakimin e rolit unik dhe të pazevëndësueshëm të Shteteve Palë në rregullimin e statutit juridik dhe menaxhimin apo administrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duke përcaktuar se “çdo Shtet Palë zotohet të mos ndërmarrë asnjë masë të qëllimshme [deliberate measure} që mund të dëmtojë direkt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore […] që gjindet në territorin e një Shteti Palë tjetër”.

Fondacionet private vetëm mund të nxisin donacione

Konventa e Trashëgimisë Botërore përkufizon fare qartë edhe rolin e fondacioneve të ndryshme “publike ose private” në mbrojtjen e trashëgimisë kultorore dhe natyrore. Sipas Nenit 17 të Konventës, këto fondacione, së pari duhet të jenë vendase, pra jo të huaja [dhe në fakt Konventa përdor termin “national”]; së dyti, atomund të angazhohen vetëm për qëllime filantropike. Vetëm kaq. Konventa nuk përmend askund se fondacionet vendase [të huajat jo se jo], të angazhohen në çfarëdolloj mënyre për qëllime drejtimi, menaxhimi, administrimi, të dhënies së asistencës për hartim legjislacioni, etj. Për qartësi po përcjellim të plotë tekstin e Nenit 17 të Konventës së Parisit, në shqip dhe anglisht: “Shtetet Palë të kësaj Konvente do të marrin në konsideratë ose do të inkurajojnë ngritjen e fondacioneve ose shoqatave vendase publike ose private, qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore sikurse përcaktohet në Nenin 1 dhe 2 të Konventës”. [theksimi yni, A.A.]. (The States Parties to this Convention shall consider or encourage the establishment of national public and private foundations or associations ëhose purpose is to invite donations for the protection of the cultural and natural heritage as defined in Articles 1 and 2 of this Convention).

Udhëzimet Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore e ripohojnë frymën e Konventës për kufizimin e rolit të fondacioneve private vetëm për “donacione”. Me të vërtetë, Paragrafi 15, “duke respektuar tërësisht sovranitetin e Shteteve Palë në territorin e të cilave ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrore”, rithekson se ato mund “të konsiderojnë dhe inkurajojnë ngritjen e fondacioneve publike dhe private vendase për të lehtësuar donacionet për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore”.

Partneriteti me “organizata” private përmendet vetëm në Paragrafin 40, dhe vetëm në kuadrin e “interesit” përkonservimin dhe menaxhimin e Parqeve bazuar në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Popujve Indigjenë, pra parqeve të ndodhura kryesisht në shtete ish-koloniale që zotërohen nga popullsi indigjene .Partneriteti me “fondacione” vendase, dhe aq më pak “fondacione” të huaja nuk parashikohet aspak në Udhëzimet Operacionale.

Roli i çuditshëm i AADF-së

Për habi, vërejmë se Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit [American Albanian Development Foundation – AADF] , një fondacion i huaj privat i organizuar sipas ligjeve të shtetit Delaëare në SHBA, i paska vënë vetes tagrin të ndërhyjë në politikat sovrane kulturore të shtetit shqiptar, çka vë në pikëpyetje detyrimin e padiskutueshëm të “Shtetit Palë” sipas së drejtës ndërkombëtare dhe të brendshme për zbatimin e dispozitave të Konventës së Parisit për Trashëgiminë Kulturore Botërore të v. 1972. Kjo gjë shfaqet mëse qartë nga një hulumtim i faqeve zyrtare të AADF-së, ku del se kjo e fundit paska pasur si synim qysh më 2014 hartimin e Ligjit problematik për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, madje ka sponsorizuar draftet e këtij ligji. Nga njoftime të shtypit mësojmë edhe faktin e çuditshëm, që mund të interpretohet edhe si trysni e tërthortë e një shtetasi të huaj ndaj institucioneve të një vendi sovran, se në seancën e miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë me 17 maj 2018 të ligjit të mësipërm paska qenë i pranishëm edhe vetë Kryetari i Bordit të AADF-së, z. Michael Granoff.

Me interes të veçantë do të ishte bërja publike e një instrumenti tjetër dypalësh, marreveshjes Mirela Kumbaro – Martin Mata, të 18 korrikut 2018 midis Ministrisë së Kulturës dhe AADF-së, e cila qenka “rrjedhojë e mbështetjes që AADF ofron për zhvillimin e qëndrueshëm të siteve të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Shqipëri.  Theksojmë se Konventa e sipërcituar e Parisit e v. 1972 nuk përmban askund në tekst konceptin e “zhvillimit të qëndrueshëm” për trashëgiminë kulturore dhe natyrore.  Vetëm në vitin 2015 UNESCO miratoi një Dokument të Politikave për Integrimin e Perspektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Proceset e Konventës së Trashëgimisë Botërore. Në pajtim të plotë me frymën dhe germën e Konventës, Dokumenti gjithnjë dhe në çdo rast që lidhet me zbatimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm u referohet ekskluzivisht “Shteteve Palë”, dhe aspak “fondacioneve të huaja private”. Vetëm në paragrafin 25 të Dokumentit përmenden shkarazi “partneritetet publike- private”, por jo në rrugë detyruese [‘ëhere appropriate “është gjuha e përdorur] dhe vetëm për rastet kur sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore janë në pronësi private. Pra, një partneritet i tillë publik privat kurrsesi nuk mund të zbatohet brenda territorit dhe perimetrit të mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit, që është në pronësi të shtetit shqiptar.

Plani i Menaxhimit të Integruar (2020 – 2030)

Me 16 tetor 2019 Kryetari i Bordit i AADF-së, Michael Granoff, i dorëzoi zyrtarisht autoriteteve shqiptare Planin e ri të Menaxhimit të Integruar (2020-2030) të Parkut Kombëtar të Butrintit, të hartuar nga një kompani britanike, për të cilin AADF ka shpenzuar 250,000 dollarë. Kjo “dhuratë” e shtrenjtë dhe e pakërkuar ofron disa të dhëna interesante. Së pari përmendim “sqarimin” në faqen 1 se “nuk jepet asnjë garanci që parashikimet apo treguesit [e Dokumentit] do të përmbushen”. Me fjalë të tjera, vetë autorët pranojnë se Plani i Menaxhimit nuk është Bibla . Së dyti, Plani i Menaxhimit, sa i takon drejtimit , mbështetet në “modele të Siteve të Trashëgimisë Botërore në pronësi të përbashkët (private, publike dhe jofitimprurëse) në kontekstin e një organizate të re jo fitimprurëse, që do të marrë përsipër menaxhimin dhe zhvillimin e sitit, ku shteti mban pronësinë e vlerave kulturore dhe natyrore në emër të tij”.  Ky, pra është thelbi i strategjisë së planit të ri të menaxhimit, ku shteti kalon në rolin e sehirxhiut, dhe çelësat e Butrintit i merr “fondacioni i posaçëm i trashëgimisë kulturore”, i parashikuar në Nenin 171.2, dhe i përmendur më lart. Shembujt specifikë ku autorët e mbështesin strategjinë e tyre janë: Stonehenge, Kulla e Londrës, Versaja, qyteti romak i Pompeit, dhe Shërbimi Kombëtar i Parqeve në SHBA. Le të fillojmë nga e fundit. Shërbimi Kombëtar i Parqeve i SHBA (National Park Service – NPS) është agjenci shtetërore federale në varësi të Departamentit të Brendshëm (Department of Interior) në SHBA. NPS-ja, si instrument shtetëror, ka në pronësi federale dhe njëkohësisht menaxhon qindra parqe kombëtare në mbarë territorin amerikan, disa prej të cilave janë pjesë e Trashëgimisë Botërore. Autorët e Planit të Menaxhimit me të drejtë përmendin se NPS “ka ofruar modelet dhe praktikat më të mira të menaxhimit të parqeve kombëtare, duke përfshirë …partneritetet publike private (për hotele, hostele, restorante dhe kampe)” . Autorët, pra, pranojnë vetë se roli ivetëm i çdo lloj partneri jo-shtetëror në menaxhimin e parqeve kombëtare, përfshirë “partnerë strategjikë”, ështëtek PPP-të “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Pra, edhe në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, çdo partner privat jo shtetëror, përfshirë AADF-në mund të hyjë në marrëdhënie partneriteti si PPP me Ministrinë e Kulturës vetëm – përsërisim – “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Kaq.

Sa u takon siteve të tjera të përmendura, të gjitha ato, përfshirë Stonehenge, janë në pronësi shtetërore dhe drejtohen, administrohen, apo menaxhohen përkatësisht nga shteti anglez , francez  dhe italian , përmes organizmave specifikë administrative me strukture dhe emërtime të ndryshme sipas legjislacionit të brendshëm dhe kurdoherë në përputhje me Konventën për Trashëgiminë Botërore të Parisit. Në asnjë rast, në dijeninë tonë, drejtimi, administrimi apo menaxhimi i tyre nuk u besohen fondacioneve vendase private, aq më pak të huaja. Roli i fondacioneve është kryesisht filantropik. Më tej, edhe sa i takon menaxhimit ekologjik, biodiversitetit dhe zhvillimit e komunitetit, autorët e Planit të Menaxhimit të Integruar citojnë si praktika më të mira parqet kombëtare amerikane në shtetet Vermont, Luisiana, Delaëare dhe Florida. Përsëri ata pranojnë vetë se këto site administrohen nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve i SHBA-së, dhe jo nga fondacione private. Mirëpo, në kundërshtim me praktikat më të mira të administrimit të parqeve nga organizma administrative të Shteteve Palë, të cituara nga vetë autorët, Plani i propozuar i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit paraqet në ff. 95-98 skemën se si realizohet kalimi i Parkut Kombëtar të Butrintit nën drejtimin, administrimin apo menaxhimin e një fondacioni të huaj, të quajtur me eufemizëm “partner strategjik”, në përputhje me “akrobacinë juridike” të parashikuar në Nenet 171-173 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore e Muzetë, 27/2018. Kjo njëmendësohet përmes ngritjes së një “fondacioni të ri”, si mbulesë juridike e partnerit strategjik. Fondacioni i Ri, nuk është gjë tjetër veçse një sajesë juridike që ka për qëllim çveshjen e shtetit shqiptar nga prerogativat sovrane për drejtimin, administrimin dhe menaxhimin e pasurive të veta kulturore dhe natyrore, në rastin tonë, të Parkut Kombëtar të Butrintit. Për më tepër, struktura e Fondacionit të Ri është në kundërshtim me frymën dhe germën e Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, që u njeh vetëm Shteteve Palë “detyrën për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij [dhe që]i takon në mënyrë parësore atij Shteti.” [Neni 4].  Struktura e propozuar është po ashtu në shkelje të  Nenit 17 të Konventës së Trashëgimisë Botërore, që përcakton se roli i “fondacioneve” është për të “ftuar donacione”, dhe kurrsesi për qëllime drejtimi, menaxhimi apo administrimi. Dhe së fundi, struktura e propozuar është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare të cituara nga vetë autorët, sikurse u theksua më lart.

“Partneri strategjik”, kushdoqoftë ai, nuk kurrfarë tagri që të vihet në të njëjtin rang, nivel, apo të barazohet me një shtet sovran, sikurse tregojnë skemat e dhëna më lart. Po ashtu, nëse “shpojmë vellon korporative” të Fondacionit të Ri, del qartë se ky i fundit është fasadë, sajesë apo krijesë e Partnerit Strategjik. Ritheksojmë se Konventa e Trashëgimisë Botërore nuk njeh as Partnerë Strategjikë, dhe as “Fondacione të Reja”. Ajo njeh vetëm “Shtete Palë”.

Donacionet e AADF-së për Butrintin deri më 2012 kanë qenë në pajtim me Konventën e Parisit të v. 1972 dhe duhen përshëndetur.  Nuk mund të themi të njëjtën gjë për angazhimin e mëvonshëm të saj. Duke patur parasysh fondet e dhëna lumë nga AADF-ja për hartimin e Ligjit problematik të Trashëgimisë Kulturore dhe për hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar (2020-203),nuk mund të mos ngrihen pyetje të rëndësishme për konfikte të mundshme interesi institucional nga ana e AADF-sësi rrjedhojë e prirjes apo këmbënguljes së çuditshme për vënien e Parkut Kombëtar të Butrintit nën menaxhimin apo administrimin e një fondacioni të huaj.

Larg duart nga Butrinti

Asnjë zyrtar i lartë shtetëror në Republikën e Shqipërisë nuk ka tagrin të abdikojë detyrimet kushtetuese, si dhe ato që burojnë nga e drejta ndërkombëatre, që i njohin “Shtetit Palë”, d.m.th. Republikës së Shqipërisë, detyrimin parësor dhe madje ekskluziv për rregullimin dhe administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në territorin e vet. Po ashtu, çdo zyrtar i ndonjë Fondacioni të huaj që do të dëshironte të angazhohej në administrimin, drejtimin apo menaxhimin e Parkut të Butrintit do të gjindej në kushtet e tejkalimit të tagreve të veta [ultra vires] si dhe në kushtet e mospajtueshmërisë [non-compliance] me Konventën e Parisit të v. 1972, pavarësisht nëse një ngërç i sajuar juridik [legal loophole]ia mundëson këtë gjë përkohësisht sipas ligjit shqiptar. Sikurse pat thënë Z. Bernstein, “në qoftë se Butrinti ofron qasje të kollajshme [is easily reached], turistë nga vende të ndryshme do ta vizitonin atë për të admiruar vlerat artistike dhe historike të Butrintit”. Mirëpo kjo mund dhe duhet të bëhet vetëm nga autoritetet shqiptaretë ndihmuara, sipas rastit, “me donacione” nga fondacione “vendase” [national], në pajtueshmëri me Konventën e Parisit të v. 1972.  Si do të ndihej vallë z. Bernstein po të mësonte për planet e sotme për tjetërsimin e administrimit të Butrintit? Kjo situatë e pakëndshme dhe e paqartë lidhur me Butrintin nuk mund të anashkalohet dhe as të injorohet më tej. Shqetësimi publik për Teatrin Kombëtar është gjë e mirë dhe i rrit vlerat e demokracisë së brendshme në Shqipëri. Ndër lëvizjet e shquara qytetare në periudhën post-komuniste kujtohet sidomos Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Mbetet për t’u parë nëse, mbështetur në këto përvoja,do të kemi përsëri një lëvizje qytetare, demokratike e gjithëpërfshirësepër mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore me vlera universaletë Butrintit, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën e Parisit të v. 1972. Ndofta u takon edhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrin një nismë të menjëhershme ligjore për abrogimin e neneve 171-173 të Ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.  Fundja, pse të mos ishte vetë deputetja Kumbaro nismëtare e këtij abrogimi? Errare humanum est. Përkundrazi, moskorigjimi i gabimit do të ishte diçka që zorr se mund të falej. Si shtet 118 vjet i pavarur, është e pakuptueshme – dhe krejt e papranueshme – që Shqipëria t’u nënshtrohet politikave të panevojshm edhe të gabuara që cenojnë angazhimet ndërkombëtaredhe interesat jetike kombëtare në administrimin e pasurive të veta kulturore e natyrore. Edhe sikur të pranohen argumentet për “keqmenaxhimin” e Parkut Kombëtar të Butrintit, është e vështirë të besohet se vendi nuk paska individë profesionalisht të aftë, cilësisht të ndershëm, të ndërgjegjshëm e me ndjenja atdhetare që të mund të drejtojnë, administrojnë dhe menaxhojnë më së miri Parkun Kombëtar të Butrintit apo edhe të tjera, sipas objektivave, treguesve dhe parametrave më të përparuar botërorë. Mbreti vdiq, rroftë Mbreti, është një shprehje e njohur frënge që përcjell idenë se individët vijnë e shkojnë, por institucionet mbeten.  Për analogji mund të argumentohet se, ndërsa ndërtesa e Teatrit Kombëtar tashmë u shemb, a nuk do të ishte me vend që Qeveria, Kuvendi, Akademia e Shkencave, por edhe qytetarët,të ruajnë dhe të mbrojnë Parkun Kombëtar të Butrintit në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Parisit të v, 1972, dhe pra, pa humbur kohë, të mbështesin dhe të ndërmarrin nismën ligjore për abrogimin e neneve 171-173 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë? Ndërtesa e Teatrit Kombëtar vdiq. Rroftë Teatri Antik i Butrintit.

*Titulli është redaksional, origjinal: Larg duart nga Butrinti. Për arsye teknike janë hequr footnote-t

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Magazina e “Nëntorit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}