Nga Xhevair Lleshi

Sikur! Sa mirë do të ishte të qe kështu! E ne me siguri do të krenoheshim, do t’i binim gjoksit për t’u mburrur. Se nuk është pak të jesh zot i bibliotekave hijerënda të Shqipërisë! Por… Ku i ke, mor vëlla, se na ënjte? Ku qenkan këto biblioteka të ëndërruara, madje edhe me epitetin hijerënda? Ku? Nuk i shihni ju qindra bibliotekat e Shqipërisë? Ku ka një qendër të banuar, një qytet të madh a të vogël, ju keni me siguri një bibliotekë! Çdo lagje e Tiranës është, po kështu, me një bibliotekë, një qendër e veçantë, e mirëmbajtur, me rafte librash dhe me salla leximi, me “fonde” të plota e që “pasurohen” vazhdimisht, me drita dhe të lyera si jo më mirë, mundësisht të vendosura në parqe e lulishte, me libra për të gjitha moshat… Ah, sa mirë do të qe, sidomos për ndjeshmërinë e lartë të botuesve shqiptarë (nëse ka të tillë, natyrisht!), për gjithë lexuesit e çdo profesioni dhe moshe. Mirëpo, për fatin e keq të Shqipërisë, të librave dhe të gjuhës shqipe, biblioteka s’ka, bibliotekat kanë vdekur, ose jetojnë sa për sy e faqe, si kufoma të pakallura, sepse edhe në ato ndërtesa që kanë mbetur në këmbë, nuk ka libra. Po, nuk ka libra! Dhe ky është një problem i madh për kulturën, për librin në veçanti, për letërsinë shqipe, për vetë gjuhën shqipe. Gjuha shqipe do të gjallërohet, do të fuqizohet, do të bëhet më e fisme dhe ne do të ndihemi mirë me të dhe e para letërsia shqipe. Por e gjitha kjo nuk ekziston…

Nuk ka biblioteka publike, përveç Bibliotekës Kombëtare (oh, e zeza bibliotekë, e quajtur edhe kombëtare, e dimë të gjithë në ç’ujëra përpëlitet!), të tjerat jo e jo, janë bosh dhe në një numër për të ardhur keq. Edhe bibliotekat e kohës së diktaturës ishin tjetër gjë. Vërtet? Po dhe PO. Dhe kjo duhet pranuar me gojën plot. Pavarësisht se s’kishte aq botime dhe ato zotëronin vetëm libra shqip. Kjo është dhimbja më e veçantë që nuk e kemi trashëguar, por e fituam! Vini re, ju lutem: “Kanë qenë aktive (1946-1990) 28 biblioteka rrethesh (të mirëfurnizuara), 74 biblioteka burgjesh (kampe riedukimi, siç quheshin), 12 biblioteka kampesh pune, 672 biblioteka në fshatra (vatra kulture), 21 biblioteka universitetesh dhe institutesh (shkencore dhe studimore), 336 biblioteka në ndërmarrje industriale dhe ferma bujqësore, 2154 biblioteka në shkolla tetëvjeçare, 280 biblioteka shkollash të mesme, 132 biblioteka në vatrat e kulturës të reparteve ushtarake, 46 biblioteka në postat kufitare tokësore, 12 biblioteka në postat kufitare bregdetare, 13 biblioteka në spitalet civile e ushtarake, 22 biblioteka rajonale në Tiranë (11) dhe në qytetet industriale, 26 biblioteka në shtëpitë e pushimit të punëtorëve dhe të pionierëve të Shqipërisë. Kështu, në total kemi pasur në gjithë vendin tonë vogël 1372 biblioteka (pa bibliotekat e shkollave) që furnizoheshin me nga 5 libra deri në 10 libra për çdo titull të botuar. D.m.th numri i librave që shkonte në to lëvizte nga 6 860 libra deri në 13 720 libra për titull…” Po sot çfarë kemi? Asgjë. Por sigurisht, atë kohë nuk kishte konkurrencë, as leje botimi, as ISBN, as Panair Libri… as… Veçse sot libri  bëhet vërtet libër dhe mbetet stok! E dhimbshme, therëse!

Mendoj se jemi i vetmi vend që duhet ta qepim për bibliotekat! Pikë. Duhet ta qepim! Për bibliotekat e të gjitha niveleve ne vetëm bëjmë rekuizitë, sa për të krijuar një përshtypje, sa më të madhe aq më mirë. Në fund të fundit, pushteti për dukjen ka nevojë. Se shtetit për bibliotekat as që ia ndien, mungon krejt kujdesi i tij, sepse ky duhet të jetë pikë për pikë kujdes për kulturën dhe natyrisht, për të gjetur fondet e nevojshme, por edhe për të krijuar një mecenat të fortë. E kam prekur më lart numrin e bibliotekave dhe përhapjen e tyre. Po për ta kuptuar më qartë, pasi dëgjon fjalë (fjalë imzot, fjalë!), edhe intervista, fjalime nga njerëz të qeverisë, nëpunës, botues, shkrimtarë dhe plot të tjerë, mund të them se ku jemi: Biblioteka Kombëtare që rrëmben nga pesë kopje me detyrim prej çdo botuesi, me urdhër, me ligj (!); bibliotekat e dymbëdhjetë prefekturave që mbahen edhe ato si më të mirat, thjesht janë “me brekë nëpër këmbë!”, s’di ku t’i kafshojë qeni! Kemi edhe bibliotekat e qendrave të bashkive që rregullisht janë gjashtëdhjetë e një (duhej të shtonim njëmbëdhjetë ish-bibliotekat e lagjeve të dikurshme të Tiranës dhe po zbresim dymbëdhjetë bashkitë si qendra të prefekturës dhe mbetemi te numri gjashtëdhjetë! Ato nuk mund të quhen biblioteka! Pushteti ka të drejtën e Zotit t’i quajë gjithçka, se e bën këtë thjesht me një urdhër administrativ, por ato kurrsesi s’janë biblioteka, or mik! Haure, po! Janë! E dimë këtë. Mirëpo duhej të kishim me detyrim biblioteka të tjera: bibliotekat e burgjeve, bibliotekat e shkollave (universitete, shkolla të mesme, shkolla 9-vjeçare, fillore, kopshte), në polici, në ushtri, në spitale etj. Duhej një numërim pa fund…

Në Shqipëri nuk të bën përshtypje që libra ka plot dhe bibliotekat janë pa libra. I ka shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë zoti Pjerin Thomai (Pjer Thomas), pasi erdhi “më këmbë” nga Antverpeni (Anversa) e Belgjikës, i gjeti dhe humbi nëpër rrugët e Shqipërisë bashkë me librat e “gdhendur” me art, madje edhe me “qemerë” të skalitur, veçse biblioteka nuk gjeti, sepse donte i ziu të dorëzonte falas librin e tij me përsiatje rreth politikës dhe ekonomisë. Dhe më thoshte se më duhej të dilja në muzg me çupkat dhe djemtë që gjenin vetëm lulet në natyrë. Për kaq gjë kishin të drejtë. Asnjë bibliotekë askund nuk ekziston(te), as me porta të mbyllura jo, megjithëse rrotull mund të gjesh pemë të larta me hije të gjera, kroje që gumëzhi-jnë(nin) sikur një dorë trazon(te) shpirtin e ndershëm të qytetarëve.

Dhe tani, miqtë e mi, bëni një krahasim me të djeshmen e errët, diktatoriale! Thoni, a nuk jemi më mirë sot? PO. Me gojën plot! Sot a nuk kemi biblioteka në çdo fshat, në çdo vatër e shtëpi kulture (apo qendër kulturore?), në çdo repart ushtarak, në çdo ndërmarrje shtetërore bujqësore ose industriale, në çdo shkollë e spital? PO. E pra, kemi me se krenohemi! Nuk është fjala se duam ta theksojmë këtë për të fituar lavdi ose ndonjë disk a medalje nga bota! Jooo! As mos t’ju shkojë në mendje! I kemi apo nuk i kemi ato biblioteka sot? Thoni po të doni jo, ua ndreqin samarin pushtetarët! Gati janë. Gati dhe prandaj më mirë qepeni, heshtni…

Mirëpo edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë! Ne kemi guximin e marrë të mburremi! E pse jo, pyet një djallush diku andej nga Vau i Dejës. E pse jo! Kemi të drejtë të dukemi. Mos na nxirrni të palarat tani! E kush lexon? Dhe në doni ta dini, meqë shtrohet kjo pyetje, ç’ka për t’ju dashur leximi? Të dini mirë shqipen? E ç’ju duhet shqipja!? Atë mjafton që e di shumë bukur kryeministri ynë! S’ka si ai! I bukur! I gjatë! Zëtrashë! Elokuent! Shqip si ai s’flet kush! Tani ju thoni që ta mësojnë të tjerët? Mos o Zot! Prandaj s’ka biblioteka! S’ka shkrimtarë shqiptarë! S’ka libra! Sepse, Zot i madh, s’ka LEKË! A e dini ju se sa lekë duan të mbahen këto biblioteka? Një milion euro në vit! Sa? E ku t’i gjejmë? E pra, për një vend të vogël ku klasat e para janë më pak se njëzet mijë nxënës, gjuha shqipe, leximi shqip, po bëhen specie në zhdukje. Është detyrë e shtetit që këto biblioteka t’i krijojë e t’i mbajë gjallë, që gjuhën e të parëve, shqipen, ta ruajë e ta mbrojë!

Do të ishte një mbresë e mahnitshme, veçmas ato “shtëpi” të fisme (bibliotekat!), tani (Zot i madh!) krejt të heshtura, pa njerëz brenda, vetëm me ndonjë plak nga fiset më të dëgjuara që vijnë si rekuiem i kohës së shkuar, vetëm sa për t’i mbushur mendjen vetes, me siguri. Ato “shtëpi” të fisme (bibliotekat!) ishin shumë dikur, në çdo pëllëmbë vend, në fushë e në mal, në qytet e në fshat, në tokë e në det, në qendra pune e pika kufitare, në shkolla e burgje (apo qenë të paktë ata të uruar!), se pothuaj të gjitha kishin mjaftuar, edhe në vendet ku ha pula gurë për të bërë bibliotekat e duhura. Po, Pjeri gjeti aty-këtu pak nga ata që këndonin dhe fjalët i kthenin në këngë e pastaj këngët në fjalë, se ishin pa moshë, po ama të vjetër si këngët e tyre. Kurse nëpër rafte thyente kokën miu. Ndërsa përgjegjësit nuk pranonin as librat e falur!

Këto “shtëpi” të fisme (bibliotekat!) më kujtojnë ditën festive të Bibliotekave të Pamundura. Një kërkesë e çmendur dhe ideale, që krijon një mundësi të ëndërrt. Biblioteka Presidenciale, Biblioteka Mbretërore, bibliotekat e mëdha të qendrave të Prefekturës, bibliotekat e qyteteve dhe qendrave bashkiake, bibliotekat e qendrave kulturore, të burgjeve, të shkollave të çdo niveli etj.

Ne mund të kishim disa nga ato “shtëpitë” e fisme (bibliotekat!) në këtë fshatin tonë të mahnitshëm, në Shqipërinë sonë, pa dyshim, por shtëpi të tilla nuk ka, as në Tiranë, as në qarqe, qytete e fshatra. Dëshira vetëm fle, herë këtu e herë aty (ku je ti i nderuar lexues), po kjo jetë kështu s’shtyhet më. S’më besohet dhe ndoshta mjaft të tjerëve s’u besohet se “shtëpitë” e fisme (bibliotekat!) mungojnë. Jo, më vijnë disa fjalë të qeshura pranë, kemi o, si s’kemi sosh, s’kemi sy të shohim, po! Se ja, e kemi thënë edhe në krye, doni t’i numërojmë sërish? Jo, s’ka lezet!

Dhe po ta keni dëgjuar fjalën e qeveritarëve tanë (po edhe sejmenëve, prej tanëve, natyrisht!), ju do të thoshit tani, me siguri: Po ti ç’dreqin do që na flet kështu? Mos të vjen keq për biznesin tënd, botimet? Apo fle lepuri tjetërkund? Dhe them po ashtu: Po, të gjithë këta kanë të drejtë. A jemi mirë? Po. A lexojmë libra? Po. A kemi biblioteka në çdo lagje e në çdo fshat, në çdo shkollë, universitet e shtëpi kulture? Po. A kemi biblioteka në burgje? Po. A kemi…? A, pika ne! Tundim kokën, hamë bukë dhe heshtim! Ja, këtë dimë të bëjmë! Se shyqyr Zotit pensionet dhe rrogat i kemi të majme! Kemi me se i blejmë librat! Se pare kemi boll, apo jo, dhe bibliotekat i kemi me të tepërt, mirëpo edhe librat, me thënë të vërtetën, edhe librat s’kanë ç’na duhen aq, se ne kemi telefona, kompjuterë, internet dhe lexojmë boll atje! Ku-ku, nanë! Do të thirrshin edhe Zotat tanë të hershëm e të rinj. Mirë boll jena!

Zotërinj dhe Zonja! Autori i këtyre radhëve është botues dhe shkrimtar.

Ka ngritur 15 biblioteka shkollash në Shqipëri! Të falura!

Ka botuar dhjetëra libra artistikë, historikë, psikologjikë, dhjetëra e dhjetëra tekste shkollore…

Dhe ka nevojë ende të shkruajë e të botojë!

Por nuk është fjala tek ai, jo. Fjala është që, meqë kemi kryeministrin që e flet perfekt shqipen dhe e do atë (shqipen!), le t’i thërresë mendjes, të bëjë detyrën, të gjejë fondet dhe t’u ngrejë biblioteka të vërteta qendrave të bashkive, burgjeve dhe… Se shqipja, të nderuar, mbrohet duke e prekur librin shqip. Libri është si gruaja, duhet prekur që të funksionojë!

Mjaft më me lugën bosh!

Dhe po e shpall për të gjithë e me pompë: Dita botërore (ose kombëtare, ose mbarëshqiptare po të doni) e bibliotekave të munguara!

Dhe ja ato, “shtëpitë” e fisme (bibliotekat!), kërkuan edhe një komunikim tjetër interesant. Në një letër dërguar mbretëreshës (gruaja e mbretit të Norvegjisë) së këtij vendi, për të ditur se si funksionon puna e bibliotekave të vendit të Saj mësuam dhe o çudi: Ajo u përgjigj dhe më shkruante se Norvegjia paskej 1500 biblioteka të fuqishme publike që marrin nga botimet 5-10 libra për çdo titull. Ah, sa mirë do të ndiheshin botuesit shqiptarë (natyrisht gjithnjë po të kishte të tillë!) sikur të funksiononte që të mbrohej edhe libri shqip dhe të shkonte kudo, në çdo cep të vendit, në çdo skaj të qytetit e të fshatit, që të kishte nga ato “shtëpitë” e fisme, të kishte edhe sa më shumë të ardhura, por Ama edhe të kishte të ardhura të mjaftueshme për pensionistët shqiptarë. Dhe më vjen ndërkohë ndër mend biseda në Ulqin me një moshatar timin që kishte dalë në pension, punëtori i djeshëm i zakonshëm i cili merrte, as më shumë e as më pak, por 600 euro pension në muaj! Dhe mos u ndje keq po deshe!

Po, po, pa bukë s’jemi, por edhe pa libra s’jemi, por dihet dhe shihet qartë se do të mbetemi shumë shpejt trokë e copë, pa ato “shtëpitë” e fisme (bibliotekat dhe libraritë). Do të ndihemi të pahitur me mjegull librash, me gishtërinjtë të ngjitur në fletë librash (si provë e krimit!). Varfëri e madhe, e parrokshme sot. Po askush s’e pranon. Thuaj e fol po deshe. Qeveria dhe kushdo nga barkngopurit tanë nuk e pranon kurrë këtë, se ndryshe i nxihet faqja vendit! E njëjta gjë edhe për librat! E më bëri përshtypje një drejtoreshë në bashki, ndërsa unë konstatoja se nuk veprohet mirë me bibliotekat e lagjeve që po ringrihet dhe se kanë nga 5 tituj të dhuruar nga kushedi se kush, shpërtheu në kritika duke nënvizuar se po bëhet një punë e shkëlqyer me to, mbeta i ngrirë. Mos more, dashke të nxish punën ti! Zot!

Krejt i vetëm, realisht me një përkushtim të plotë për bibliotekat, në dialog me mjaft OJF të vendit tonë, me një bashkëpunim serioz për to, me ide të qarta dhe të përqendruara, prapë, jo aq e bukur sa ajo e ëndërruara, ecim gati në një rrugë pa krye, pa pikë perspektive në mënyrë që dikush ta marrë në dorë këtë punë të madhe, që librit të mos i bëhet TVSH 26 % (20 % për shtypshkronjat dhe plus 6 % për librin (dhe kjo shitet si fitore, pa le!), ashtu vetëm, të menduar, sikur përpiqemi t’i terezisim ditët, t’i bëjmë të barabarta e me plot dritë librash… Edhe kjo na mungonte, të ushqenim idealen të veçuar nga realiteti.

Më kuptoni, miq? Ne gënjejmë veten kur themi se këto “shtëpitë” e fisme (bibliotekat dhe libraritë!) do t’i kemi një ditë. E di që s’do të na braktisin kurrë. Më kuptoni, besoj? Sapo të duket se prek të vërtetën lakuriq, atë që është në dritë të diellit, dalin përpara “malet”, pengesat, ku ditët janë të pabarabarta, ku është patjetër tjetër dimension. Tani paskemi punë me këto ditë që s’bëhen kurrë të barabarta, apo jo, miq! Dhe heshtin me sa duket përjetësisht, përjashto luftën tonë të paorganizuar dhe me fuqi faqe të vogla!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Gazetaria si bilanc lufte
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}